Nuk mund të harrohet se në atë kohë ne shqiptarët e Shqipërisë londineze luftonim mes veti (1997-98), kurse shqiptarët e Kosovës luftonin me serbët. Ne flisnim për Zani Çaushin, kurse ata për Adem Jasharin! Pavarësisht se Adem Jashari u vra bashkë me 58 familjarë të tij, nji za tjetër nga ai i logjikës brenda nesh na kumton qartë se ai është ngadhënjyesi, madje heroi.
Edison ÇERAJ, Tiranë
Disa njerëz dhe ngjarje janë aq të veçanta, aq të largëta për ne në madhështi, saqë gjuha dhe çdo formë ligjërimi mbetet e varfër deri dëshpërim, ndoshta me përjashtim të poezisë.
“Nëse brenda njeriut nuk do të kishte asgja, atëherë Dante-ja na ka gënjy.” (Miłosz)
E çfarë mund të shprehë fjala për dikë që flijon veten dhe familjen e tij në emër të lirisë?! A nuk i thotë vetë vepra/flijimi të gjitha?! Te flijimi është mësimi dhe frymëzimi që na duhet, jo te fjalët mbi të. Dëshmori është ma shumë se rrëfimi për të.
Por, duke qenë se të tilla vepra duhen kujtu si mësim për pasardhësit, nuk kemi mënyrë tjetër për me i përcjellë përpos fjalës.
Për mos me harru. Për mos me u gënjy. Për me dallu. Për me vazhdu.
“E kështu, le të mos vdes pa lavdi e pa luftë,
ndaj le të baj diçka t’madhe,
që të rrëfehet midis njerëzve në të ardhmen.” (Homeri, “Iliada”)
Nuk mund të harrohet se në atë kohë ne shqiptarët e Shqipërisë londineze luftonim mes veti (1997-98), kurse shqiptarët e Kosovës luftonin me serbët. Ne flisnim për Zani Çaushin, kurse ata për Adem Jasharin!
Pavarësisht se Adem Jashari u vra bashkë me 58 familjarë të tij, nji za tjetër nga ai i logjikës brenda nesh na kumton qartë se ai është ngadhënjyesi, madje heroi.
Logjika dhe faktet janë akull: ai dhe familja e tij humbën, duke qenë se u vranë, dhe beteja u fitua nga serbët, por, prapëseprapë, fituesit e vërtetë që frymëzojnë nderim përtej fakteve janë pa dyshim Jasharajt.
“Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron. Dëshmori vdes dhe sundimi i tij fillon.” (Kierkegaard)
Izetbegoviqi na kujton se, “në luftën për ekzistencë të Darwin-it nuk fiton më i miri (në kuptimin moral), por më i forti, ai që përshtatet më shumë”.
Adem Jashari zgjodhi mos me u përshtatë, zgjodhi rrezikun e lirisë në vend të “rehatisë” së sigurisë, megjithëse e kishte mundësinë me u largu e me shpëtu, megjithëse epërsia numerike dhe logjistike e serbëve ishte shumë herë ma e madhe!
Nji fitore e tillë, tronditja dhe nderimi që ajo na ngjall, mund të ketë kuptim vetëm nëse kjo botë e kjo jetë nuk janë të vetmet.
Ka diçka mbiracionale, përtej të gjithave që kall në shpirtin e heroit atë përndezje pa kthim, që e shtyn me sakrifiku gjithçka. Sepse çfarëdo që të kesh, nëse nuk je i lirë nuk ke asgja.
Për ata që nuk e kanë provu qoftë dhe nji shkëndijë të kësaj gjendjeje, që i qasen esëll me analiza të ndryshme, kjo mbetet e paperceptueshme, madje edhe çmenduri.
Ata që janë mësu nën strehën e sigurisë nuk munden me e kuptu atë që endet nën qiellin e hapur të lirisë, atë që përpiqet edhe kur logjika dhe faktet janë kundër tij.
E kanë frikë qiellin, i druhen pafundësisë së tij.
Sakrifica e Jasharajve ndërgjegjësoi dhe motivoi me mijëra shpirtra për faktin e patjetërsueshëm se liria e vërtetë duhet me u fitu, jo me prit me ta dhuru të tjerët. Ky ndërgjegjësim e ky motivim bani të mundur fitoren pas shumë betejash. Sot Kosova është e pavarur, e lirë.
Nuk mund të flasim me “sikur”, por me shumë mundësi, nëse nuk do të ishte sakrifica e Jasharajve, rrjedha e ngjarjeve do të ishte ndryshe. Kur armiku është dukshëm më i madh në numër dhe në armatim, vetvetiu përhapet si flamë nji lloj tërheqjeje dhe mpirjeje, dhe në të tilla çaste duhet nji “çmenduri” për me rifitu besimin dhe shpresën për mos me u dorëzu. Këtë bani Adem Jashari.
Nuk e di a e meritojmë atë porosi dhe atë nder që na la Adem Jashari dhe familja e tij.









