Mënyra se si e shkruajmë historinë e Adem Jasharit flet shumë për mënyrën se si e shohim veten si shoqëri. Ta trajtosh atë me dinjitet, përgjegjësi dhe thellësi do të thotë të ndërtosh një kulturë historike që nuk frikësohet nga e vërteta dhe nuk e banalizon sakrificën. Adem Jashari nuk i përket vetëm së kaluarës; ai është pjesë e debatit tonë të vazhdueshëm për lirinë, shtetin dhe përgjegjësinë ndaj historisë.
Nuridin AHMETI, Prishtinë
Nëse hulumtojmë me përkushtim në materiale dhe dokumente arkivore, të cilat ruhen në institucionet përkatëse në Kosovë, por edhe më gjerë, vërejmë se lidhur me mënyrën se si prezantohen ose duhet të prezantohen ngjarje të caktuara të vendit tonë në tekstet shkollore, gjithmonë ka pasur debate.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1960-të, në Prishtinë u botua teksti i parë shkollor në gjuhën shqipe me titull “Pasqyrë e historisë nacionale shqiptare”, në të cilin nxënësit shqiptarë në Kosovë do të mësonin për të kaluarën tonë nga antikiteti deri në periudhën më të re. Autorë të këtij teksti ishin Ali Hadri dhe Milan Perkaj. Për kohën kur u botua, ky tekst u ka shërbyer mjaft mirë nxënësve. Nga viti 1960-të e deri në vitin 1966-të, nxënësit shqiptarë u shërbyen me këtë tekst.
Pas vitit 1966, vetë Ali Hadri mendonte për planet dhe programet e historisë nacionale shqiptare dhe, rrjedhimisht, se edhe ky tekst duhej plotësuar (Rilindja, 28–29–30 nëntor 1966, Prishtinë, f. 13). Nga viti 1967, kohë pas kohe, janë organizuar tryeza në Prishtinë lidhur me plan-programet e historisë nacionale shqiptare, siç quhej atëherë, ku ishin të përfshirë punonjës shkencorë, arsimtarë dhe pedagogë, të cilët jepnin mendimin e tyre profesional.
Debati lidhur me përpilimin e teksteve shkollore të historisë në Kosovë vazhdoi deri në vitet ’90-të dhe më pas. As periudha pas vitit 1999 nuk kaloi pa debate në këtë drejtim në vendin tonë. Përkundrazi, pas vitit 1999 debatet u intensifikuan. Janë bërë hulumtime, janë botuar libra nga autorë të ndryshëm, janë organizuar tryeza, si dhe janë publikuar artikuj në gazeta e revista etj.
Pjesë e këtyre diskutimeve pas vitit 1999 ka qenë edhe çështja nëse dhe në çfarë mase është prezantuar Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tekstet tona shkollore të historisë. Megjithatë, fokusi ynë në këtë trajtim është mënyra se si prezantohet masakra e 5-7 marsit 1998 ndaj familjes Jashari, e kryer nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, si dhe qëndresa heroike e kësaj familjeje.
Adem Jashari, komandant i përgjithshëm i UÇK-së
“Lufta e UÇK-së në periudhën 1998–1999, ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi janë temat që parashihen në plan-programin mësimor për nxënësit e klasës së 9-të. Por ekspertët dhe nxënësit shprehen kritikë për mospasqyrimin e plotë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë dhe rreth saj gjatë kësaj periudhe, si dhe për pasaktësi në të dhënat e prezantuara” (Koha Ditore, 14 prill 2025, Prishtinë, f. 3).
Ky është vetëm njëri nga artikujt e botuar në shtypin e Kosovës lidhur me trajtimin e luftës së UÇK-së e, rrjedhimisht, edhe të figurës së Adem Jasharit në tekstet e historisë. Në Kosovë, nxënësit e mësojnë historinë përmes teksteve shkollore që nga klasa e 5-të. Teksti i historisë për këtë klasë përfshin historinë shqiptare nga antikiteti deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Në njësinë mësimore nr. 53, me titull “Çlirimi i Kosovës”, ndër ilustrimet e përfshira është vendosur edhe fotografia e Adem Jasharit, me mbishkrimin poshtë saj: “Komandanti legjendar Adem Jashari” (shih: F. Rexhepi – F. Demaj, Historia 5, Libri Shkollor, Prishtinë, 2020, f. 105). Në këtë fotografi, Adem Jashari paraqitet me plis të bardhë në kokë, me veshje ushtarake, i armatosur dhe i mbështjellë me brez fishekësh.
Sipas kurrikulës në fuqi në Kosovë, komandanti historik, Adem Jashari, përmendet edhe në tekstin e historisë për klasën e 9-të. Në njësinë nr. 50, “Lufta e UÇK-së, ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës”, ndër të tjera, shkruhet: “Lufta çlirimtare e Kosovës u intensifikua dhe mori hov, sidomos pas luftës heroike të familjes Jashari në Prekaz, më 5-7 mars 1998. Shaban Jashari me të dy bijtë e tij, Hamzën e Ademin, si dhe me gra, nipa e mbesa, bënë heroizëm të paparë, duke u përballur e luftuar me ushtrinë dhe policinë serbe, e cila ishte e pajisur me armatimin më modern dhe të sofistikuar të kohës. Kjo luftë, e udhëhequr nga Komandanti legjendar Adem Jashari, u bë shembull i qëndresës dhe frymëzim për një popull të tërë për liri e pavarësi” (shih: F. Rexhepi, Historia 9, Libri Shkollor, Prishtinë, 2020, f. 168–169).
Duke qenë i përshtatur me moshën e nxënësve, teksti i historisë i klasës së 9-të ofron më shumë informacion për rolin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij në këtë luftë. Njësia mësimore është e ilustruar me fotografi të Adem Jasharit me uniformë ushtarake dhe me armë në dorë.
Duhet theksuar se teksti i historisë i përpiluar nga autorët Bezeraj, Kreka dhe Dugolli, në njësinë mësimore “Lufta e UÇK-së, hyrja e KFOR-it dhe çlirimi i Kosovës”, që nga rreshtat hyrës i kushton rëndësi figurës historike të Adem Jasharit si drejtues i një grupi rekrutësh në vitin 1990-të, të cilët kryenin stërvitje ushtarake në Shqipëri, e deri te rënia e tij heroike. Kjo njësi është e ilustruar me fotografi të Adem Jasharit dhe të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz (shih: S. Bezeraj – A. Kreka – B. Dugolli, Histori 9, Albas, Tiranë, 2022, f. 143–144).
Teksti i historisë për klasën e 12-të figurën e Adem Jasharit e trajton në njësinë mësimore “Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe betejat kryesore (1997–1999)”. Për dallim nga tekstet e klasave të tjera, në këtë tekst hasim edhe nëntitullin “Lufta e Jasharajve dhe zgjerimi i saj”, ku trajtohet në mënyrë më të zgjeruar përmasa e kësaj lufte (shih: Z. Kastrati – B. Paci, Histori 12, Albas, Tiranë, 2021, f. 190–192).
Marrë në përgjithësi, në tekstet e lartcekura mund të lexohet qartë se komandanti Adem Jashari prezantohet si një figurë historike që përfaqëson kthesën dramatike të një populli, i cili, pas disa dekadash represion, e zgjodhi rezistencën e armatosur si mjet të fundit për mbijetesë politike. Rënia e tij dhe e familjes Jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998, nuk ishte vetëm një ngjarje tragjike, por edhe një moment mobilizues që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
Përfundim
Duke i shqyrtuar tekstet shkollore të historisë në Kosovë, kurrikulat dhe plan-programet mësimore, mendojmë se Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e rrjedhimisht edhe rolit të komandantit historik, Adem Jashari, dhe sakrificës së familjes së tij, duhet t’u lihet një hapësirë më e bollshme nga përpiluesit e kurrikulave. Krahasuar me kontributin dhe përmasat historike të kësaj figure dhe familjes së tij, trajtimi aktual nuk duket të jetë në përpjesëtim të drejtë.
Mundësitë kurrikulare janë të kufizuara. Tekstet e historisë ku trajtohet figura e Adem Jasharit dhe familjes së tij, sipas kurrikulës aktuale, janë ato të klasës së 5-të, 9-të, 10-të dhe 12-të. Në të gjitha tekstet ku flitet për këtë komandant, ai ilustrohet edhe me fotografi. Në legjendën poshtë fotografisë zakonisht shkruhet: “Komandanti legjendar Adem Jashari”, por hasim edhe formulimin: “Adem Jashari, komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, i cili, sipas mendimit tonë, është më përmbajtjesor (shih: S. Bezeraj – A. Kreka – B. Dugolli, Histori 9, Albas, Tiranë, 2022, f. 144). Karakteristikë e librave të historisë, të përgatitur nga autorët Bezeraj, Kreka-Dugolli (klasa e 9-të) dhe Kastrati-Paci (klasa e 12-të), është se kopertinat e tyre janë ilustruar edhe me bustin e Adem Jasharit.
Shqetësimi ynë kryesor mbetet renditja e njësive mësimore në tekstet ku trajtohet figura e komandantit historik Adem Jashari. Duke u bazuar në renditjen kronologjike të ngjarjeve, siç janë zakonisht të përpiluara tekstet tona, njësia për luftën e UÇK-së, e rrjedhimisht edhe ajo për Adem Jasharin, vendoset ndër të fundit. Kjo renditje e shton rrezikun që nxënësve të mos u shpjegohet fare kjo pjesë në shkolla nga profesorët e historisë, pasi janë të rrallë ata që arrijnë ta realizojnë plan-programin mësimor në tërësi. Si zakonisht, njësitë e fundit mësimore mbeten pa u trajtuar nga arsimtarët e lëndës, që në këtë rast janë të historisë.
Në fund, duhet theksuar se mënyra se si e shkruajmë historinë e Adem Jasharit flet shumë për mënyrën se si e shohim veten si shoqëri. Ta trajtosh atë me dinjitet, përgjegjësi dhe thellësi do të thotë të ndërtosh një kulturë historike që nuk frikësohet nga e vërteta dhe nuk e banalizon sakrificën. Adem Jashari nuk i përket vetëm së kaluarës; ai është pjesë e debatit tonë të vazhdueshëm për lirinë, shtetin dhe përgjegjësinë ndaj historisë.









