Provimi faktik i sulmeve të armatosura në Drenicë, sidomos i krimit ndaj familjes Jashari në Prekaz, i karakterizoi këto zhvillime si përdorim të forcës jolegjitime ndaj popullsisë civile, duke sfiduar pretendimin se bëhej fjalë për një “çështje të brendshme” të shtetit. Raportimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së evidentonin se civilët po bëheshin cak i operacioneve dhe se përdorimi i forcës policore-ushtarake jugosllave (serbe) ishte joproporcional. Kësisoj u hap rruga për hetime në nivel ndërkombëtar dhe, më pas, për vendosjen e misioneve të OSBE-së në Kosovë.
Ditar KABASHI, Prizren
Ngjarja tragjike në Prekaz, ku u vranë 58 pjesëtarë të familjes Jashari, zakonisht paraqitet në plan të parë si një akt qëndrese, heroizmi kolektiv dhe vetëflijimi të pashoq për shekullin XX. Krahas këtij kuptimi, rasti i Jasharëve duhet të shqyrtohet edhe në kontekst juridik, si një ngjarje që ngre çështje thelbësore të së drejtës ndërkombëtare.
I vështruar nga prizmi i së drejtës, ky rast nuk ishte thjesht një operacion policor kundër një apo disa personave të kërkuar. Ai vuri në pikëpyetje kufijtë e ushtrimit të pushtetit shtetëror dhe mbrojtjen e popullsisë civile në kushtet e një konflikti të armatosur.
Për rrjedhojë, vrasja masive në Prekaz nuk është vetëm një kapitull i historisë së luftës në Kosovë, por paraqet pikë kthese në transformimin e çështjes së Kosovës nga një “problem i brendshëm”, siç parapëlqehej të cilësohej nga autoritetet serbe, në një çështje serioze të së drejtës.
Në këtë analizë paraqiten raportet kryesore ndërkombëtare që kanë trajtuar ngjarjet në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, veçmas në rastin e familjes Jashari.
Gjetjet e Amnesty International për ngjarjet e vitit 1998
Gjatë muajve mars dhe prill të vitit 1998, Amnesty International zhvilloi një mision për mbledhjen e fakteve dhe më pas publikoi raporte përkitazi me ngjarjet në Drenicë dhe mbi krizën në Kosovë.
Raporti i Amnesty International[1] i trajton zhvillimet në Kosovë gjatë vitit 1998 si një situatë e shoqëruar me shkelje serioze të të drejtave të njeriut, duke përshkruar operacionet e forcave policore dhe ushtarake si të lidhura me vrasje të paligjshme, ekzekutime jashtëgjyqësore dhe përdorim të tepruar të forcës (unlawful killings, extrajudicial executions and other abuses). Dokumenti përshkruan vrasje konkrete gjatë operacioneve në fshatra dhe thekson se shumë nga viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në luftime.
Raporti evidenton gjithashtu shqetësime për mungesën e hetimeve efektive dhe për trajtimin e provave, duke përmendur pretendime për “shkatërrimin dhe fshehjen e provave nga autoritetet” (destruction and hiding of evidence by the authorities). Në këtë kuadër, Amnesty International e paraqet situatën si një krizë të rëndë të të drejtave të njeriut që kërkonte vëmendje ndërkombëtare.
Sipas raportit, nga fundi i shkurtit 1998 u vu re një rritje e ndjeshme e operacioneve policore dhe ushtarake në rajonin e Drenicës (marked and extreme increase), zhvillim që shënoi përshkallëzimin e konfliktit dhe ndikoi në perceptimin ndërkombëtar të situatës.
Rëndësia e këtij raporti qëndron në faktin se ai përbën një nga vlerësimet e para ndërkombëtare që e kualifikoi dhunën në Kosovë si çështje me implikime juridike dhe humanitare.
Raporti i Human Rights Watch: mësimet që mund të nxirren
I publikuar në tetor 1998, raporti i organizatës Human Rights Watch u përqendrua në zbatimin e së drejtës humanitare. Ai përshkruan mënyrën e zhvillimit të operacioneve dhe ndikimin e tyre mbi popullsinë civile.
Që në hyrje të dokumentit theksohet qartazi se ky raport evidenton shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përkatësisht të rregullave të luftës, të kryera në Kosovë gjatë periudhës shkurt-shtator 1998.[2] Kjo qasje ndihmoi që ngjarjet në Drenicë dhe, përgjithësisht, në Kosovë të shqyrtohen juridikisht si shkelje të rregullave ndërkombëtare të luftës dhe jo si aktivitete të zakonshme sigurie.
Sipas raportit, shumica dërrmuese e këtyre shkeljeve janë kryer nga forcat qeveritare jugosllave, konkretisht nga njësitë speciale të policisë serbe (MUP) dhe Ushtria Jugosllave. Nën komandën e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, trupat shtetërore kanë kryer ekzekutime jashtëgjyqësore dhe vrasje të tjera të paligjshme, kanë shkatërruar në mënyrë sistematike pronën civile dhe kanë sulmuar punonjësit e ndihmës humanitare, veprime të cilat përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të rregullave të luftës dhe të normave detyruese të së drejtës ndërkombëtare humanitare.[3] Ky konstatim i raportit aktualizon përgjegjësinë shtetërore të Jugosllavisë në aspekt të së drejtës ndërkombëtare.
Sulmin policor në Drenicë, raporti i Human Rights Watch e cilësonte si një pikë kthese vendimtare në konfliktin e Kosovës.[4] Ky qëndrim e forcon argumentin se rasti i Jasharëve në Prekaz nuk ishte incident lokal, por moment transformues politik dhe juridik.
Në raport thuhet se një nga pikat kryesore të përqendrimit të aksioneve policore në Drenicë ishte fshati Prekaz, veçanërisht kompleksi familjar i Adem Jasharit, i cili gjatë vitit 1997 kishte filluar të fitonte autoritet si një udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).[5] Nga kjo mund të kuptojmë se realisht operacioni i armatosur serb e kishte në shënjestër direkte vendbanimin e Jasharëve. Këtë e përforcon informata që jep raporti kur shkruan se gjatë këtij sulmi u vra pothuajse e gjithë familja e Jasharit, me përjashtim të një vajze njëmbëdhjetëvjeçare, që arriti të mbijetojë dhe se nga pesëdhjetë e tetë trupat e varrosur më pas, tetëmbëdhjetë u përkisnin grave dhe dhjetë ishin fëmijë të moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç ose më të vegjël.[6] Me anë të këtyre të dhënave vihet në pah edhe mungesa e dallimit civil-luftëtar, gjë që përbën një element kyç në kualifikimin juridik penal të rastit.
Human Rights Watch ka arritur në përfundimin se nga njësitë speciale të policisë serbe janë kryer shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, veçanërisht përmes sulmeve të pandara ndaj personave joluftëtarë, shkatërrimit sistematik të pronës civile dhe ekzekutimeve të menjëhershme e arbitrare të personave të ndaluar.[7]
Raporti pohon se megjithëse rezulton që disa banorë shqiptarë të Prekazit ishin të armatosur dhe po e mbronin veten kundër forcave policore, provat thonë se policia përdori forcë të tepruar dhe pa dallim, si dhe të paktën tre persona u ekzekutuan pasi ishin ndaluar ose pasi ishin dorëzuar.[8] Kjo është shkelje e hapur e parimit të proporcionalitetit në të drejtën humanitare.
Sipas Human Rights Watch, të gjitha provat sugjerojnë se qëllimi i operacionit nuk ishte arrestimi i shqiptarëve të armatosur, të cilët nga autoritetet serbe cilësoheshin si “terroristë”, por eliminimi i të dyshuarve dhe i familjarëve të tyre. Dëshmitë e mbledhura nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe nga gazetarët tregojnë për disa raste të ekzekutimeve jashtëgjyqësore dhe vrasjeve të paligjshme si pasojë e përdorimit të forcës së tepruar.[9] Duket sheshit se këtu jepet një argument mbi ndëshkimin kolektiv të familjes Jashari, si veprim i ndaluar në të drejtën ndërkombëtare.
Një hollësi që shënoi raporti lidhur me mungesën e një hetimi efektiv të kësaj tragjedie është se asnjë nga trupat nuk shfaqte shenja se ishte kryer autopsi, megjithëse legjislacioni jugosllav i kohës parashihte detyrimin për kryerjen e saj në rastet kur ekzistonin arsye për të dyshuar se vdekja kishte lidhje me një vepër penale.[10]
Në rekomandimet e veta, Human Rights Watch thekson se autoritetet duhet të bashkëpunojnë me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për të hetuar shkeljet e pretenduara të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Përmes kësaj kërkese, raporti e vendos trajtimin e ngjarjeve në kuadrin e përgjegjësisë sipas së drejtës penale ndërkombëtare dhe shënon një kalim nga dokumentimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut drejt analizës së tyre në prizmin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Qëndrimi i OKB-së mbi situatën në Kosovë (1998)
Zhvillimet në Kosovë gjatë vitit 1998 u trajtuan edhe në diskutimet zyrtare të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB),[11] ku situata u përshkrua si e shoqëruar me vrasje dhe shkatërrim të pakontrolluar (wanton killing and destruction), duke treguar se dhuna kishte marrë përmasa që e tejkalonin një çështje të zakonshme të sigurisë së brendshme. Në raportimet para Këshillit u theksua se ishte e qartë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm (clear beyond any reasonable doubt), se shumica e akteve kryheshin nga forca që vepronin nën autoritetin e Republikës Federale të Jugosllavisë.[12]
Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi se detyrimi për ruajtjen e rendit dhe ligjit në asnjë mënyrë nuk e justifikon terrorin sistematik të ushtruar ndaj civilëve (in no way justifies the systematic terror inflicted on civilians). Përkundrazi, raportimet nënvizonin se civilët po bëheshin gjithnjë e më shumë objektiv kryesor (civilians were increasingly becoming the main target).
Në këtë kontekst u shpreh shqetësimi se veprimet në terren synonin të terrorizonin dhe nënshtronin popullsinë (terrorize and subjugate the population), duke marrë karakter ndëshkues ndaj komuniteteve. Pasojat humanitare u pasqyruan edhe në zhvendosjen masive të popullsisë, si indikator i rrezikut për një krizë humanitare në përmasa të gjera.
Këto vlerësime e rritën angazhimin ndërkombëtar dhe sollën kërkesa për verifikim, ndaj trajtimi i situatës në Kosovë doli nga korniza e një “çështjeje të brendshme” dhe mori përmasa ndërkombëtare.
Qëndrimi i OKB-së ndaj situatës në Kosovë ishte domethënës, sepse u pasua nga miratimi i rezolutave përkatëse dhe nga veprime konkrete. Kështu, çështja kaloi nga niveli i raportimeve në fazën e angazhimit diplomatik dhe institucional.
Raporti i OSBE-së i vitit 1999: pasqyrë e ngjarjeve
Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë (Kosovo Verification Mission – KVM), i vendosur në tetor 1998, përfaqëson fazën e verifikimit në terren dhe të dokumentimit sistematik të ngjarjeve. Gjatë periudhës 1998-1999, misioni mblodhi prova dhe dëshmi mbi zhvillimet në Kosovë, të cilat u reflektuan më pas në raportin përfundimtar të publikuar në vitin 1999.
Raporti theksoi se kriza e Kosovës ishte në masë të madhe një krizë e të drejtave të njeriut.[13] Divizioni për të Drejtat e Njeriut i OSBE-KVM përdori standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare gjatë verifikimit të pretendimeve për shkelje.[14] Kjo do të thotë se OSBE-ja iu referua standardeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare në vlerësimin e situatës.
Raporti e cilësonte situatën si një krizë në zhvillim, e rrënjosur dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me mohimin dhe shkeljen e vazhdueshme të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.[15] Kriza lidhej, pra, me cenimin konstant të këtyre të drejtave.
Po kështu, raporti i OSBE-së pohon se sulmet ndaj komuniteteve duket se ishin diktuar nga një strategji dhe jo nga një dështim i zinxhirit komandues dhe kontrollit.[16] Kjo pikë përbën një element juridik thelbësor për përcaktimin e përgjegjësisë shtetërore, pasi dhuna nuk paraqitej si spontane, por e planifikuar.
Raporti i OSBE-së vëren gjithashtu se gjatë konfliktit në Kosovë u evidentuan shkelje të rënda dhe të përhapura të të drejtave të njeriut që prekën strukturën e tërë shoqërisë. Sipas gjetjeve të misionit verifikues, dhuna u orientua në mënyrë të veçantë ndaj burrave të rinj shqiptarë, të cilët shpesh trajtoheshin si të dyshuar potencialë dhe, për këtë arsye, ishin objekt i vrasjeve, ndalimeve arbitrare dhe torturës. Në të njëjtën kohë, gratë u ekspozuan ndaj formave të veçanta të dhunës që shfrytëzonin cenueshmërinë e tyre gjinore, ndërsa raporti dokumenton edhe raste të shënjestrimit të fëmijëve, me qëllim të ushtrimit të trysnisë psikologjike dhe ndëshkimit të komuniteteve në tërësi.[17]
Raporti potencon se praktika të tilla u përsëritën në mënyrë të ngjashme në shumë zona rurale të Kosovës dhe shpesh rifillonin edhe pas përpjekjeve të banorëve për t’u rikthyer në vendbanimet e tyre. Në disa raste, sidomos në qendrat urbane, civilët shqiptarë u përballën me sulme që zgjatën për ditë ose javë, duke kombinuar dhunën arbitrare me aksione të organizuara dhe të sistemuara. Sipas vlerësimit të raportit, këto sulme nuk dukeshin si pasojë e humbjes së kontrollit nga strukturat komanduese, por si veprime të diktuara nga një qasje strategjike.[18]
Si rezultat, OSBE-ja jetësoi mekanizmin verifikues që i parapriu vendimmarrjes politike ndërkombëtare. Prania e saj në terren shërbeu për të vlerësuar faktet, për të mbikëqyrur situatën dhe për të evidentuar shkeljet, duke krijuar bazën faktike mbi të cilën u mbështetën veprimet e mëtejshme të aktorëve ndërkombëtarë.
Disa dispozita të së Drejtës Ndërkombëtare
E drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet edhe në rastet e konflikteve të armatosura brenda shteteve dhe vendos rregulla detyruese për mbrojtjen e civilëve dhe kufizimin e përdorimit të forcës.
Konventa e Gjenevës e vitit 1949 përcakton se palët në një konflikt janë të detyruara t’i trajtojnë në mënyrë njerëzore personat që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi, përfshirë civilët dhe anëtarët e familjeve. Ky nen ndalon në mënyrë të shprehur dhunën ndaj jetës dhe integritetit të tyre, veçanërisht vrasjen, trajtimin mizor dhe torturën,[19] dhe kështu vendos një standard mbrojtjeje që duhet respektuar në çdo rrethanë.
Këto garanci plotësohen nga Protokolli Shtesë II i Konventës, i cili ndalon që popullsia civile të jetë objekt sulmi dhe ndalon aktet e dhunës që synojnë përhapjen e terrorit.[20]
Tutje, Konventa e Katërt e Gjenevës ndalon ndëshkimin kolektiv dhe çdo masë represive ndaj personave për veprime që nuk i kanë kryer personalisht.[21]
Po ashtu, e drejta zakonore humanitare ndalon sulmet që pritet të shkaktojnë dëme të tepruara ndaj civilëve në raport me avantazhin ushtarak, duke afirmuar parimin e proporcionalitetit.[22]
Në vend të përmbylljes
Provimi faktik i sulmeve të armatosura në Drenicë, sidomos i krimit ndaj familjes Jashari në Prekaz, i karakterizoi këto zhvillime si përdorim të forcës jolegjitime ndaj popullsisë civile, duke sfiduar pretendimin se bëhej fjalë për një “çështje të brendshme” të shtetit. Raportimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së evidentonin se civilët po bëheshin cak i operacioneve dhe se përdorimi i forcës policore-ushtarake jugosllave (serbe) ishte joproporcional. Kësisoj u hap rruga për hetime në nivel ndërkombëtar dhe, më pas, për vendosjen e misioneve të OSBE-së në Kosovë.
Akti i rezistencës dhe flijimit të Jasharëve ndikoi në trajtimin juridik të problemit të Kosovës në plan ndërkombëtar. Në këtë sfond, sulmi ndaj familjes Jashari duhet lexuar në një kontekst më të gjerë, jo thjesht si një operacion policor i izoluar kundër një familjeje ose një grupi të armatosur, por si pjesë e një serie veprimesh të dhunshme që organizatat ndërkombëtare i identifikuan si shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare. Rrjedhimisht, kriza e Kosovës u shndërrua në një çështje që impononte vëmendje dhe përgjegjësi në nivel ndërkombëtar. Kjo gjendje faktike e vendosi Kosovën në fokus të interesimit ndërkombëtar dhe kontestoi autoritetin e Jugosllavisë mbi territorin kosovar, duke krijuar atë që doktrina juridike e përvijon si krizë të legjitimitetit të sovranitetit. Për pasojë, krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, çuan në ndërhyrjen ndërkombëtare dhe më pas në vendosjen e administrimit të përkohshëm të OKB-së.
[1] Amnesty International, June 30 1998 report on Yugoslavia and Kosovo, “Drenica, February-April 1998:
Unlawful killings, extrajudicial executions and armed opposition abuses”. (http://www.ddh.nl/fy/kosova/reports/1998/ai0698-2.html).
[2] Human Rights Watch, Humanitarian Law Violations in Kosovo, 5 October 1998, Vol. 10, No. 9 (D), f. 5.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Po aty, f. 12.
[6] Po aty, f. 13.
[7] Po aty.
[8] Po aty, f. 18.
[9] Po aty.
[10] Po aty, f. 21.
[11] Security Council Briefing, Security Council Demands Federal Republic of Yugoslavia Comply Fully with NATO and OSCE Verification Missions in Kosovo, Press Release SC/6588 24 October 1998. (https://press.un.org/en/1998/19981024.sc6588.html).
[12] Po aty.
[13] OSCE, “Kosovo/Kosova As Seen, As Told, An analysis of the human rights findings of the OSCE Kosovo Verification Mission October 1998 to June 1999”, f. 34.
[14] Po aty.
[15] Po aty, f. 8.
[16] Po aty, f. 12.
[17] Po aty, f. 12.
[18] Po aty.
[19] Shih: Konventa e Gjenevës e vitit 1949, neni i përbashkët 3.
[20] Shih: Konventa e Gjenevës, Protokolli Shtesë II i vitit 1977, neni 13.
[21] Shih: Konventa e Katërt e Gjenevës, neni 33.
[22] ICRC, Customary International Humanitarian Law, 2005, rregulla 14.









