loader image
March 16, 2026

Marsi 1998 dhe triumfi historik i Kosovës

Familja Jashari shndërrohet në ikonë të tragjedisë së kosovarëve, nga njëra anë, dhe shpirtit të tyre luftarak e krenar, nga ana tjetër. Ajo shndërrohet në dhimbjen dhe në busullën morale të kosovarëve në përpjekjet e tyre për liri. Ajo tregon se besimi në liri mund dhe duhet të jetë i pakomplikuar, jo bishtnues, thjesht mund të manifesohet si besatim i një familjeje për të mos e ndalur jetën me dinjitet deri në frymën e fundit; tregon triumfin moral dhe përjetësinë e flijimit karshi forcës absurde të një shteti me karakter gjenocidal e idhnak.

Blerim HALILI, Prishtinë

Populli shqiptar në Kosovë, përgjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, disa herë është gjendur përballë situatave ekzistenciale. Mbijetesa historike dhe vazhdimësia e tij gjatë kësaj periudhe si entitet etnik, kulturor e politik shënon fare pak një pikëtakim me sisteme shtetërore e institucione formale, por shumë më shumë një jetë e rrugëtim me themel të fortë komunitar, familjar e fisnor me vetëdije për veten historike dhe një kod vleror të ruajtur e kultivuar për mbijetesë e rezistencë. Gjallëria e vitaliteti i tij buron pikërisht nga kjo ndjenjë e fortë fisnore dhe e lidhur me truallin – atdheun, traditën, gjuhën dhe trashëgiminë, nga njëra anë, dhe me tregimin për lavdinë, heroizmin, karakterin e pathyeshëm dhe trimërinë e shqiptarit nga ana tjetër. Prandaj përballja ndaj rreziqeve ekzistenciale është bërë e mundur nga një shpirt i tillë komunitar e patriotik, nga një trashëgimi vlerore e kulturore, nga kodi i besës dhe krenaria e bartur brez pas brezi. Kur ngjarjet ndodhnin në mënyrë zinxhirore, ato sillnin bashkë tragjedinë dhe heroizmin. E si mund të merrte kuptim ndryshe heroizmi po të mos ishte ajo nevojë jetike për një komunitet që vërtet jeton, për t’u përballur sypatrembur me tragjedinë dhe me vdekjen?!

Mendimi për familjen Jashari dhe ngjarjet e Prekazit më 1998 nuk mund të jetë relevante dhe të plota pa e analizuar botën vlerore të familjes Jashari, karakterin e shqiptarit tradicional, të cilin e shohim në odën e tyre, si dhe trashëgiminë e spikatur familjare (e përkthyer në vlerë të trashëguar dhe kulturë), nga njëra anë, dhe përgatitjen edukative, konceptuale dhe logjistike (e përkthyer në formim të UÇK-së) për rezistencë, nga ana tjetër. Ngarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në familjen Jashari në Prekaz nuk janë një tragjedi familjare a një rast i izoluar i konfliktit të një familjeje me forcat ushtarake e policore të një shteti – siç do të mund të përshkruhej në një shënim hipotetik administrativ nga një vëzhgues a palë e tretë. Ato janë një momentum tensioni që përkthen në luftë treditore tërë ecurinë e zhvillimeve në Kosovë, ecurinë e përplasjes ndërmjet shqiptarëve autoktonë në vendin dhe shtëpitë e tyre, që duan trajtim të barabartë dhe nuk pranojnë shfarosjen, dhe forcave serbe, të sofistikuara me artileri, që shtypjen tashmë e shndërronin në granatime fshatrash e masakra masive mbi fëmijë, gra e pleq të pambrojtur. Ajo është një ngjarje e rezistencës që tregon se si do të dukej ndryshe mësymja ushtarake e policore serbe për masakrën e radhës mbi shqiptarët. Ato janë një panoramë shpjeguese e gjendjes së rënduar fizike, shpirtërore e psikike të shqiptarëve gjatë viteve ’90-të, janë tregues i natyrës së rezistencës kosovare, janë tregues i brutalitetit çnjerëzor të Serbisë ndaj një populli të tërë. Ngjarja e familjes Jashari, për shkak të mënyrës se si ndodhi, se si familja rezistoi dhe se si shteti serb bëri mobilizim enorm dhe nuk kurseu asnjë jetë duke përdorur artileri të rëndë dhe të gjitha llojet e municionit gjatë këtij sulmi, arriti të shndërrohet në ikonë të përpjekjes së shqiptarëve për liri. Ajo shënjon shpirtin dinjitoz dhe krenar të një konaku e kulle që bashkon disa gjenerata dhe disa tregime, me një vazhdimësi ideje e besatimi të ruajtur në oda dhe në familje ndër shekuj e breza. Në kontekstin e ngjarjeve dhe klimës së llahtarshme të viteve ’90-të, kur kosovarët po përballeshin me vdekjen, rrënimin, poshtërimin e humbjen e dinjitetit njerëzor, qytetar, personal e kolektiv, me ndëshkimin sistematik për shkak të përkatësisë së tyre per se, familja Jashari shënon një botëkuptim unik e vizion moral, një përgjigje meritore, anipse fatale ndaj situatës. “N’koftë deka, vdesim edhe udha e marë i koftë!”, deklaronte baca Shaban pas njërit nga sulmet e mëhershme, para ngjarjes fatale.

Ata i dalin në ballë vdekjes, duke e kalkuluar me ndjenjën më të dëlirë e fisnike që tejkalon kohën, regjimin, politikën e aktualitetin. Ata besuan në shpirtin e lirë, në rezistencën pa hile, në jetën normale në shtëpinë e vet dhe në truallin e të parëve ku kanë jetuar “… qe 14-15 shokë…”, siç do ta përshkruante baca Shaban në një intervistë të rrallë; ata besuan në shpirtin triumfues, në kthimin e dinjitetit të humbur, në kthimin e krenarisë së nëpërkëmbur. Ata shpallën “polisin”, “vilajetin” a “shtetin” pa deklaratë, por me jetën, me praninë e gatishmërinë fizike dhe thellësinë shpirtërore; ata vendosën të jenë të lirë vetë – nuk e pritën vdekjen duarkryq. Ata u liruan nga çdo frikë mbytëse, e krijuan Kosovën e ëndrrave dhe idealeve, bërthamën e një Kosove ku mund të jesh i lirë, madje edhe i armatosur për mbrojtje në konakun tënd shekullor. Ata e krijuan lirinë. Baca Shaban dhe daja Osman, si përfaqësues të shkollës tradicionale të jetës dhe rezistencës, si bartës të mesazhit ndër breza, sjellin panoramën e burrit nga një epokë tjetër, i cili ka ruajtur brenda dhe ka kultivuar në atë konak vlerat me sublime të një njeriu të lirë dhe fisnik, të një familjeje vitale e të madhe, të besimit dhe besës. Aty jetësohet vazhdimësia e brezave; aty rezistenca kosovare merr karakterin e përjetshëm familjar – karakter ky që i mbijeton kohës dhe e tejkalon vogëlsinë e entiteteve politike dhe kalkulimeve moderne për luftën. Në familjen e madhe Jashari jeta është tamam jetë, aty nuk ka pritje, kalkulime, druajtje bllokuese e harresë; aty ka vetëdije që nuk lejon indiferencën, mikpritje tradicionale e kuvendim të thellë, ka dertim për lirinë dhe rezistencën, ka art e këndim, ka vallëzim e hare, ka familje vitale, lojë fëmijësh, fëmijë luftëtarë dhe jetë – si në ndonjë roman klasik. Ata nuk pranojnë t’ia dorëzojnë jetën plot ngjyra e integritet frikës e poshtërimit nga uniforma policore e ushtarake, ndjenja e krenarisë nuk i la të zgjedhin ikjen e zmbrapsjen, asnjëherë.

Familja Jashari shndërrohet në ikonë të tragjedisë së kosovarëve, nga njëra anë, dhe shpirtit të tyre luftarak e krenar, nga ana tjetër. Ajo shndërrohet në dhimbjen dhe në busullën morale të kosovarëve në përpjekjet e tyre për liri. Ajo tregon se besimi në liri mund dhe duhet të jetë i pakomplikuar, jo bishtnues, thjesht mund të manifesohet si besatim i një familjeje për të mos e ndalur jetën me dinjitet deri në frymën e fundit; tregon triumfin moral dhe përjetësinë e flijimit karshi forcës absurde të një shteti me karakter gjenocidal e idhnak. Rasti në fjalë hedh në pah vogëlsinë e regjimeve dhe aparatit shtetëror përballë besatimit të brezave në fshatrat e Kosovës, qetësisë së thellë shpirtërore që rrezaton frymëzim e trimëri dhe këngës së vjetër të kënduar në kullën e familjes Jashari në Prekaz. Pastaj ajo frymë do të shërbente si shembull për ndërtim institucionesh, për frymëzim kolektiv në ndërtimin e rendit të ri, për kujtesën e luftës dhe sakrificës për liri, për një Kosovë që triumfon mbi dhimbjet dhe vuajtet e shumta. Nga familja Jashari më së shumti mësuan dy kombe dhe dy shtete. Mësoi Serbia, për sa kohë e kuptoi që shtypja e përjashtimi i tjetrit, diskriminimi i kthyer në sistem dhe kulturë shtetërore, dhuna dhe terrori i cili buron nga urrejtja dhe nga dëshira për shfarosje kolektive, mund dhe do të kthehen në goditje fatale dhe shkatërruese për vetë atë; për sa kohë e kuptoi që sistemi, zyra, komanda, artileria e pushteti politik ngelet i parëndësishëm, sipërfaqësor e artificial në përballje me frymën historike, tregimin kolektiv shqiptar dhe thellësinë morale e shpirtërore, me fshatrat e Kosovës dhe forcën e popullit që lirinë dhe rezistencën ndaj shtypjes i sheh si aktin më sublim e më krenar të jetës. Mësoi Serbia kur e pa se shtypja e të drejtave themelore dhe lirive universale nuk mund të zgjatë përjetësisht. Pastaj mësoi Kosova, kur pa shembullin e ri të dëshmorit, të trimit që vdes duke luftuar për liri e nuk e pranon robërinë, ajo Kosova e ndryshme që do të lindte pas ngjarjes në fjalë, kur për herë të parë në këtë shkallë u bë sakrificë, mbrojtje e mobilizim për ta kundërshtuar shtypjen e poshtërimin; kur mësoi se si fitohet e mbrohet liria, kur tek kjo familje portretizoi modelin e luftëtarit krenar për liri dhe shtet. Në luftën e zhvilluar në Prekaz, nga dy “palët e përfshira”, në ecurinë sfiduese dhe mrekulluese të historisë, ana e familjes Jashari do të shndërrohej në shtet të pavarur dhe sovran, në Republikën e Kosovës, ndërsa ana e forcave policore dhe ushtarake serbe do të shndërrohej në një federatë a shtet të dështuar, në palë kapitulluese që ik me zhgënjim dhe tërbim nga Kosova.

Prandaj, rrëfimi për familjen Jashari është rrëfim për Kosovën, i portretizuar në familje, me të gjitha thellësitë, ngjyrat dhe nuancat. Ndonëse është kjo familje ajo që e fitoi përjetësinë (pa harruar familjet dhe personat tjerë që kanë sakrifikuar jetën e tyre), për kosovarët e tjerë, ata të rrugëtimit të viteve ’90-të, sipas vazhdimësisë së mesazhit vleror të kësaj ngjarjeje, nuk do të duhej të ketë legjitimitet moral e human për t’u fshehur, arsyetuar a bishtnuar përgjegjësisë për të bërë gjënë e duhur atëherë kur sfidohet jeta, liria e dinjiteti kolektiv, siç ishte rasti në atë kohë përmbysjeje, kur historia e jeta kthehen mbrapshtë, edhe atëherë kur “nuk kemi kapacitete”, “nuk mundemi”, ose “nuk na lënë të tjerët” – prandaj kjo familje vendosi edhe standard të ri në heroizmin shqiptar, në pjekurinë patriotike, në qëndresën historike, në kujtesën dhe portretin e dëshmorit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X