loader image
March 12, 2026

Flijesa e Jasharajve dhe misioni pas luftës

Trashëgimtarët e Adem, Hamzë e Rifat Jasharit kanë një pozicion që të vazhdojnë misionin e tyre mbi çdo subjekt, duke e ruajtur distancën ndaj tyre, që të mos përdoret flijesa dhe lavdia për politikat ditore.

Daut DAUTI, Shkup

Me gazetat e ndaluara, televizionet dhe radiot e mbyllura të Kosovës, por dhe ajo që çdo lëvizje ilegale e bën ilegale, nuk mund të kishe informata për aktivitetet “subverzive” për çlirimin nga masat e regjimit serb që përjashtoi shqiptarët nga institucionet autonome që e kishin me kushtetutën e 1974-tës, zhvilloheshin larg syve të publikut.

Më parë, vetëm kur qëndroja në Tiranë, viteve ‘90-të, si raportues special nga ngjarjet e atjeshme, shpesh takohesha me disa kolegë të Rilindjes (Ramush Tahirin, Bedri Sadikun), dhe me Ali Ukajn (i vrarë në rrethana e për motive të pasqaruara) që punonte në Gazetën Shqiptare. Ky i fundit, kur mblidheshim në mbrëmje për kafe, pasi ta kishte mbyllur gazetën, shpesh na tregonte se si, për shembull, ndonjë natë ka lëshuar në gazetë ndonjë komunikatë të njësive luftarake që po krijoheshin atëherë në Kosovë. Natyrisht, në gazetë nuk kishte emra konkretë, por vetëm informatë për ndonjë aksion të ndërmarrë ndaj forcave okupuese serbe.

Siç e dimë, edhe dalja e parë publike e UÇK-së qe bërë nën maska, kurse emrat i kanë ditur vetëm ata që kanë qenë më afër në “ilegalen” shqiptare. Ndaj dhe ngjarja e madhe e luftës triditëshe të Adem dhe Hamzë Jasharit, me makinerinë militare të Serbisë në Prekazin e Poshtëm nga 6-8 mars 1998, ishte një shok i madh gjithandej shqiptarisë.

Ky lajm më gjeti në zyrat e BBC-së në Londër, ku qëndroja në një trajnim profesional. Po të zgjidhja, nuk mund të gjeja vend më të përshtatshëm ku të merrje lajme më të plota se te ky servis. Sulmi brutal i forcave serbe ndaj “terroristëve shqiptarë” dhe epilogu tragjik në shtëpinë e familjes së ngushtë dhe lagjes më të gjerë të Jasharajve, ishte i paimagjinueshëm. Pas asaj rezistencës së njohur të Haki e Nebi Mehajt nga viti 1981, kjo ngjarje sërish e ktheu Prekazin në qendër të vëmendjes, si një vatër e qëndresës dhe flijesës, kësaj radhe me më shumë viktima dhe gjak të derdhur për liri.

Efektet e kësaj ngjarjeje do të shihen një vit më pas, kur u shtuan edhe më shumë radhët e njësive luftarake, dhe kur për shkak të dëbimit masiv të popullsisë do të ndërhynte edhe NATO. Ky akt nuk mund të parashihej ende kur ndodhi flijimi heroik i Jasharajve, bile as nga një analist i njohur i çështjeve gjeopolitike, si Gabriel Partosh, me të cilin zhvillova intervistë në BBC fill pas ngjarjes në Prekaz, nuk e dinte se si do të ecin ngjarjet: “gjithçka varet se çfarë kanë ndër mend amerikanët”, më pat thënë. Po, pikërisht qëndrimi i fortë amerikan, bëri kthesën e madhe.

Zor është të gjesh ndonjë gjë që nuk është shkruar për Adem Jasharin dhe rezistencën epike të familjes më të famshme të historisë më të re të Kosovës, Jasharajt. Deri në vitin 1998, vetëm njerëz nga afërsia e tyre dinin për lëvizjet e Adem Jasharit me vëllezërit e tij, si një shprehje mospajtimi me gjendjen e amullt në Kosovë, kur rezistenca paqësore tingëllonte bukur në botë, por nuk e ndërronte realitetin e hidhur të “popullit të ndaluar” në Kosovë.

Për Adem Jasharin, “komandantin legjendar të UÇK-së”, është shkruar gjithçka, saqë 28 vjet pas rënies heroike të tij është zor të thuhet diçka e re. Në atë që është shkruar janë trajtuar edhe dilema që prekin në të vërteta të dhimbshme: a ishte vërtet ai pjesëtar i UÇK-së dhe komandanti i saj në atë kohë apo emrin dhe lavdinë e tij duan ta përvetësojnë për të lartësuar veten të tjerët që, përskaj hijes së tij, edhe ata të duken po aq heroikë? Po ashtu, me emrin e tij u përthyen edhe betejat politike dhe ndasitë e përplasjet e pasluftës. Ata që e konsiderojnë veten si trashëgimtarë të UÇK-së (PDK, AAK, Nisma…) donin ta mbajnë “të vetin” Adem Jasharin edhe pas çlirimit, për ta përdorur si “ushtar” të betejave politike, ndërkaq partia fituese e zgjedhjeve të para pas luftës, LDK-ja, e gjetur nën presionin e delegjitimit të saj historik për shkak të pacifizmit të Rugovës, mbrohej se pikërisht Adem Jashari ka qenë anëtar i LDK-së.

Pra, episodi i dytë i jetës së pasjetshme të Adem Jasharit nuk mund të thuhet se nuk kishte edhe diçka nga manipulimi, për ta vënë në një kontekst që ai nuk do ta meritonte. Sepse, lufta epike e tij, flijesa e papërsëritshme e një fisi, nuk mund të bëhej për t’iu përshkruar dikujt merita për betejat banale të politikës ditore.

Fati tragjik e deshi që mbi njëzet anëtarë të familjes së vëllezërve Jashari dhe 40 të tjerë të familjes më të gjerë të Jasharajve të bien për lirinë e Kosovës, por, për fat të mirë, ajo nuk u shua krejtësisht: mbetën një vëlla (Rifati) dhe djali i tij, një vajzë dhe një djalë i Hamzës, të cilët janë ndër qytetarët më të nderuar të Kosovës pikërisht për shkak se ata bartin lavdinë e familjarëve të tyre, por edhe e vazhdojnë biologjikisht trashëgiminë e tyre, që të mos shuhet oxhaku i familjes më të famshme në historinë e re të Kosovës.

Pikërisht këtu vijmë te sfida e trajtimit të këtyre trashëgimtarëve: së pari, si të pozicionohet shoqëria (shteti) ndaj tyre dhe, sfidë edhe më e madhe, si ata të pozicionohen në realitetin e ri?

Se çka dua të them me këtë, le të kujtojmë pozicionin e një figure tjetër që gjithë jetën ia kushtoi çështjes së Kosovës, Adem Demaçit. Kthimi i tij pas vuajtjes gati tridekadëshe të burgut, i pati pikërisht këto dilema në vetvete, për të mos thënë pati ecejake të padefinuara të angazhimit politik. E para, si një autoritet i pakontestueshëm historik, ai zgjodhi rrugën e tij të jetë mbi çdo ndasi politike, gjegjësisht, të mos futet drejtpërdrejt në ndonjë parti. Në anën tjetër, me bagazhin e tij mund të ishte një kritikues i të gjithëve, varësisht nga perceptimi i gjërave nga baci Adem. E treta, shteti, duke respektuar veprimtarinë e tij atdhetare, i krijoi beneficione çfarë zakonisht u ndahen shefave të shtetit pasi ata ta kalojnë mandatin: me rrogë të majme e me kushte banimi çfarë meritojnë. Ajo që nuk u bë për Adem Demaçin, ishte që subjektet politike nuk e kaluan rubikonin e interesave të ngushta egoiste që t’ia ndajnë funksionin e shtetarit për llogari të figurave më minore kundrejt tij që janë zgjedhur si rezultat i pazareve politike. Në një nga episodet ka qenë ideja e LVV-së për ta propozuar për kryetar, por si axhami që kanë qenë në atë periudhë, kanë marrë guximin që ta kushtëzojmë figurën historike: ty do të të propozojmë për kryetar, por me kusht që mandatin për kryeministër të mos ia japësh Hashimit! Kjo ka qenë një nga ato situata banale të manipulimit me një legjendë të lëvizjes që e kanë djegur një mundësi për ta shpërblyer me atë që e meriton për shtetin e Kosovës. Po pse be bac mos me ia dhanë mandatin Hashimit kur ai i ka fituar zgjedhjet? – i ka pyet, e ata i janë përgjigjur: “Ma mirë Kosova të digjet se me ja dhanë mandatin atij”. Baca Adem, ashtu siç e kishte falë Zoti, të drejtë dhe të drejtpërdrejtë, i ka pas “përcjell” prej shpie duke u mëshuar për shpine emisarëve të LVV-së: “Hajt, bac, ecni, se ju paski rrëshqitë prej shinave”.

Ky përshkrim i pjesës së jetës së Adem Demaçit pas burgut shumëvjeçar në Kosovën e lirë. për të cilën e ka shkrirë jetën e tij, na e rikujton pikërisht pozicionin që ka ose duhet ta mbajnë pinjollët e gjallë të Jasharajve në shoqërinë kosovare. Nuk ka dilemë se shteti ndaj tyre duhet të sillet me shumë respekt dhe dashuri, nëse ka nevojë të përmbushë edhe shumë nga nevojat jetike të tyre. Deri këtu gjithçka është në rregull nga sa dimë. A duhet anëtarët e gjallë të sillen si Adem Demaçi dhe të jenë mbi çdo subjekt politik dhe jashtë betejave të tyre për pushtet? Parimisht kështu do të ishte më mirë, sepse kjo familje është institucion i veçantë dhe nuk duron politizime. Po si të zhvillojnë betejat vetë ata nëse kanë ambicie politike? Me cilin subjekt të lidhen që të jenë në sinkron edhe me baballarët e tyre, ku nuk se është gjithçka e pastër nëse kanë qenë “komandantë të UÇK-së” apo “anëtarë të LDK-së”? Kjo do ta banalizonte tej mase zgjedhjen e tyre, sepse trashëgimtare të UÇK-së ishin PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma ndërsa, kurse LDK-ja e Rugovës sot vazhdon ende, ndonëse një degë e saj iku me Vjosën.

Më i eksponuari i familjes Jashari nga radhët e trashëgimtarëve pa dyshim është Bekim Hamzë Jashari, i cili nuk u kyç në asnjërën parti, por u kyç në aktivitete politike si i pavarur me kërkesë të qytetarëve dhe nga viti 2017 gjer në vitin 2021 u zgjodh në krye të komunës së Skënderajt. Një qeverisje shembullore, me llogaridhënie, me transparencë e pa skandale, ndryshe nga shumë kryekomunarë ose përfaqësues të pushtetit, të zhytur në keqpërdorime detyre zyrtare, duke e ruajtur dinjitetin e tij personal dhe të familjes. Por, ajo që ndodhi në zgjedhjet vijuese, në vitin 2021, pikërisht partia që më së shumti thirret në epopenë e Jasharjave dhe “komandantit legjendar Adem Jashari”, PDK-ja, i nxjerr kundërkandidat djalit të Hamëz Jasharit! Dhe, e mund atë! Mbeten akuzat e Bekim Jasharit për manipulime dhe vjedhje votash, por kot.

Në këtë mënyrë, partia trashëgimtare UÇK-së, por edhe qytetarët, shkelën me të dy këmbë në kujtesën historike, sëmbuan në lavdinë dhe trashëgiminë gjenetike! Në anën tjetër, pinjolli i Jasharajve u ballafaqua me realitetin politik: kur hyn në garë, nuk mund të presësh të garosh me vetveten, se në politikë ka edhe ndërkëmbëza, madje edhe për një dikush si ai. Qëllimi i mirë dhe parimor për të qenë “mbi të gjithë” pësoi një përgjigje joshembullore, duke e kthyer Bekimin në realitetin e banaliteteve tona, por dhe të realiteteve se nuk ka “kredi” të përjetshme.

Bekim Jashari tash përmendet edhe në një sfidë të re, aty ku përsëri mund të jetë objekt dhe vegël e partive, të cilat përmes autoritetit të emrit të tij duan t’i shërojnë frustracionet e tyre. Pra, siç është përmendur edhe në të kaluarën si “kandidat konsensual” për president, emri i tij edhe tash po përmendet, pasi LVV-ja nuk mund ta rizgjedhë me votat që i disponon dhe një herë Vjosa Osmanin, ndërkaq partitë e tjera do të insistojnë në kandidatura nga radhët e tyre, të cilët po ashtu nuk i kanë votat. Kandidati “shpëtimtar i situatës” do të ishte pikërisht Bekim Jashari, por gjithsesi i përballur me dilemën ta pranojë ose jo nëse kandidatura e tij do të kishte vulën e ndonjë partie konkrete. Tash për tash, kur përmendet ndër 2-3 kandidatët e mundshëm, dhe sigurisht si më i sigurti që mund të marrë përkrahje të gjerë, dëshiron të ikë nga partizimi i emrit të tij, por edhe të krijojë bazë të fortë që edhe nesër, nëse zgjidhet, të mos jetë i varur dhe zbatues i verbër politikave të ndonjë partie. Njësoj përmendet edhe Murat Jashari, për të cilin Shoqata e Historianëve u deklarua se nuk duhet të përzihet në kombinatorikat partiake pikërisht për shkak se u përket Jasharajve.

Nëse cilido pinjoll i Jasharajve do të mund të ruante një distancë të këtillë institucionale, do të gëzonte respektin e gjithë shoqërisë. Nëse do të afrohej me ndonjë nga partitë ose pushtetin, aty rrezikon autoritetin e emrit të Jasharajve, të cilët kur u flijuan, nuk kanë pasur ndër mend as parti e as ndasi. Kështu do të rrezikonte që figura e tij të shndërrohet si një cak mediatik, si çdo aktor tjetër politik, ndërsa misioni historik i kësaj familjeje në periudhën pas lufte meriton të jetë më shumë ceremonial me gjithë nderimet shtetërore që i meriton.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X