loader image
March 11, 2026

Çfarë i solli flijimi i familjes Jashari Kosovës

Pavarësia e Kosovës nuk mund të arrihej vetëm me politikë dhe diplomaci, por edhe vetëm me luftën e UÇK-së mund të mos tejkaloheshin barrierat për ta arritur te Kosova që e kemi sot. Rezistenca paqësore, pa luftën që e filloi Adem Jashari (UÇK-ja), me potencialin që e ofronte, nuk do të arrinte ta përkulte Serbinë, e as në qendrat ndërkombëtare të vendosjes të arrinte ta ngrinte çështjen në ndjeshmërinë që do të çonte në një ndërhyrje ndërkombëtare me grusht të fortë për ta detyruar Serbinë të tërhiqej nga Kosova. Por, as rezistenca e armatosur e UÇK-së, pa terrenin diplomatik të përgatitur nga “rezistenca paqësore” dhe në veçanti nëse do të fillonte në një kohë të mëhershme, mund të mos i tejkalonte barrierat për te arritur te Kosova që e kemi sot.

Arben LABËNISHTI, Strugë

Pas ripushtimit të Kosovë nga sllavët në vitin 1945, rezistencën shqiptare për liri dhe pavarësi e karakterizojnë disa periudha që përfaqësojnë shtyllat e përpjekjes dhe sakrificës mbi të cilat u ngrit shteti i Kosovës. Këtu radhiten periudha e Lidhjes II të Prizrenit: rezistenca e Shaban Polluzhës, ajo e NDSH-së, rezistenca me Adem Demaçin, “rezistenca paqësore” dhe “rezistenca e armatosur” (luftës së UÇK-së.)

Të gjitha këto periudha i kanë frymëzuesit dhe përfaqësuesit e vet, nga të cilët vet vepra e të bëmave të tyre politike dhe ushtarake natyrshëm e veçon përfaqësuesin më të denjë të çdo periudhe. Dhe, ajo që i karakterizon historitë dhe është e rëndësishme për secilin nga këta përfaqësues dhe ndjekësit e tyre është qëllimi i përbashkët i tyre – liria dhe pavarësia e Kosovës.

Nga këto periudha, si rezultat i ndryshimit të rrjedhës së historisë në interes të së drejtës së shqiptarëve, peshë me rëndësi vendimtare për lirinë dhe pavarësin e Kosovës kanë periudhat pas rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë Federative, ajo e “rezistencës paqësore”, e përfaqësuar nga Ibrahim Rugova, dhe ajo e “rezistencës së armatosur”, që fillon me Komandantin Adem Jashari, e cil pas flijimit të familjes së tij në Prekaz, në marsin e vitit 1998, i  merr përmasat e një lufte të përgjithshme për lirinë e Kosovës nga pushtuesit serbë.

Komandanti legjendar

Adem Jashari nuk ishte simbol i qëndresës së burgut, sepse ishte nga ata që nuk bien në dorën e armikut, por e flijojnë jetën duke luftuar me armikun; ai nuk ishte as politikan, as diplomat, por me veprën e tij të flijimit e hapi rrugën që politika dhe diplomacia të ecnin më lehtë deri te qëllimi final. Ai, në kohën e duhur, ishte shpirti dhe balli i sakrificës së armatosur, ishte shkëndija që e ndezi luftën për lirinë e Kosovës, i bindur se ushtria serbe nuk është e pathyeshme, se ajo mund të mposhtet. Kështu u shndërrua në legjendarin që i ngriti peshë shpirtrat e rinisë shqiptare dhe në këtë mënyrë mori hov fryma e luftës për liri.

Në Prekaz, rezistenca ishte disa burra me pushkë në dorë kundër një ushtrie me tanke e minahedhës, ku burrat me pushkë në dorë treguan heroizëm që ishte dëgjuar vetëm nëpër legjenda, ndërsa ushtria me tanke shpërfaqi edhe një herë brutalitetin që e ka karakterizuar gjithmonë historinë e popullit të saj, me mendësi kriminale, me leva të shumta shtetërore dhe civile, gjithsesi me tipare të paqytetëruara. Kjo jo vetëm e preku thellë ndërgjegjen e shqiptarëve për të rrokur armët, për t’iu kundërvënë armikut e të vdisnin për liri, por hapi edhe një derë morale nga mund të kalonin të justifikuara sanksionet ndërkombëtare për Serbinë agresore dhe, më pas, me tensionimin e mëtejmë nga ajo të situatës diplomatike dhe asaj kriminale në terren, të plotësohen elementet e nevojshme për ndëshkimin e saj ushtarak.

Pas ngjarjes së Prekazit nuk mund të ruhej më stabiliteti në Ballkan, as me përpjekje për ta ruajtur status quo-në e rezistencës paqësore, as me rikthimin e statusit të autonomisë, as me ndonjë formë tjetër që e linte Kosovën brenda Serbisë. Këta skenarë, ngado që mund të vinin – nga Serbia ose Fuqitë e Mëdha, Komandant Adem Jashari me sakrificën e Familjes së tij e kishte pamundësuar marrjen peshë për të zënë vend dhe të avancojnë, sepse në terren realiteti ishte futur në rrugën për ta fituar lirinë me çdo kusht. Ky flijim ishte një zgjim që e bën më kuptimplotë ndryshimin e rrjedhës së historisë për shqiptarët dhe e afroi ditën e triumfit.

UÇK-ja forcë mbrojtëse, Serbia agresore

Kosova e vuante agresionin e Serbisë, e cila dhunën kriminale e përshkallëzonte në vazhdimësi. Në këto rrethana, shqiptarët, për lirinë e tyre, pas një rezistence paqësore, ishin të detyruar t’i përgjigjen këtij agresioni edhe me forcën e armëve. Kjo rezistencë e armatosur, për ne shqiptarët, ishte e natyrshme dhe e justifikueshme, ishte luftë e drejtë për mbrojtje dhe liri, por kjo nuk mjaftonte për ta arritur qëllimin. Mbarëvajtja e kësaj lufte e kishte të nevojshme njohjen ndërkombëtare të UÇK-së si forcë e armatosur mbrojtëse dhe njohjen e Serbisë si agresore, veprimet e së cilës i kishin tejkaluar në masën që ishin të papranueshme për ndërkombëtarët dhe meritonin sanksione.

Arritjes së kësaj i kontribuoi ngjarja e Prekazit, pas së cilës diplomacia ndërkombëtare (ku SHBA-ja e kishte rolin kryesor dhe mbështetej nga disa vende të tjera europiane) e quajti Serbinë përgjegjëse të përshkallëzimit të dhunës në Kosovë dhe mosrespektuese të kërkesave të diplomacisë ndërkombëtare. Kështu, me identifikimin e fajtorit, u ndërtua argumenti moral për ta njohur UÇK-në si forcë të armatosur mbrojtëse dhe çështjen e Kosovës si çështje jo të brendshme të Serbisë. Kjo ishte arritja më kuptimplotë që mori fill me flijimin e familjes Jashari në Prekaz.

Gishti i ishte drejtuar fajtorit – argumenti moral ishte në anën e shqiptarëve, të cilët e kishin provuar edhe rezistencën paqësore në përballje me agresionin serb. Edhe interesat gjeopolitike të SHBA-së dhe disa vendeve europiane me peshë në vendimmarrje e kishin marrë rrjedhën e rëndësisë për të larguar nga Kosova satelitin e Rusisë në Ballkan, Serbinë agresore, arrogante dhe të kriminalizuar me luftën në Bosnjë. Me ngjarjet që ndodhën më pas, në veçanti me gjenocidin në Reçak, për të cilin William Walker-i, nga vendngjarja u shpreh se ishte “…një krim kundër njerëzimit…”, shpërnguljen masive të detyruar të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në Kosovë dhe sjelljen e Serbisë në kundërshtim me kërkesat ndërkombëtare, u ndërtua edhe argumenti moral për ndërhyrjen ushtarake (bombardimet) të NATO-s.

Prekazi e kishte futur Serbinë në fillimin e fundit të zgjedhës së saj në Kosovë. Përgjigjja e koordinuar e diplomacisë ndërkombëtare erdhi nëpërmjet mbledhjes së Grupit të Kontaktit, që u mbajt në Londër në 9 mars 1998 dhe i shqiptoi Serbisë ultimatum politik, sanksione ekonomike dhe embargo armësh. Kjo mbledhje ishte e rëndësishme jo thjesht për natyrën e sanksioneve dhe kërkesat ndaj Serbisë, por sepse ajo e provonte përpjekjen paqësore si mjet për zgjidhjen e problemeve, dështimi i së cilës e legjitimonte dhe e hapte rrugën për ndërhyrje me mekanizma të tjerë. Anëtare e Grupit të Kontaktit ishte edhe Rusia, e cila edhe pse e e kundërshtoi pjesën më të madhe të këtyre vendimeve për Serbinë, me arsyetimin se ato “do ta radikalizonin situatën”, ishte e pasuksesshme në përpjekjen e saj për ta ndaluar ndëshkimin e Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare, e drejtuar nga SHBA-ja. Përpjekja ruse ishte e padrejtë, por e kuptueshme – Serbia ishte shteti ku ajo i mbështet interesat gjeopolitike në këtë rajon që nga viti 1878. Por, përplasja e këtyre interesave gjeopolitike mes të mëdhenjve i kishte dhënë kahe tjetër historisë krahasuar me të kaluarën kur asaj iu falën toka shqiptare.

Vendosmëria perëndimore për ta ndëshkuar Serbinë nuk kishte kthim prapa. Këto qëndrime dhe veprime ia mundësonte sjellja jomirëkuptuese e vet Serbisë (Millosheviqit e të tjerëve) që karakterizohej nga arroganca diplomatike që i sfidonte kërkesat e Grupit të Kontaktit dhe e përshkallëzonte krimin ushtarak dhe policor në terren. Kjo u duk qartë kur Millosheviqi organizoi një referendum popullor, për ta arsyetuar si kërkesë të popullit serb refuzimin e përzierjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ky ishte një mesazh që i drejtohej SHBA-së dhe shteteve europiane të Grupit të Kontaktit se Kosova ishte çështje e brendshme e Serbisë, për të cilën populli nuk dëshiron një ndërhyrje ndërkombëtare. Kjo arrogancë diplomatike, që i sfidonte kërkesat e Grupit të Kontaktit, ishte zgjidhja fatale për Serbinë, sepse as Rusia, ku ajo shpresonte, dhe asnjë organizëm ndërkombëtar nuk gjente kapital moral dhe potencial për ta ndaluar njohjen e UÇK-së si forcë mbrojtëse për të mos u etiketuar Serbia si agresore, që sillej në terren me brutalitet kriminal, dhe për ta ndaluar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Pas mbledhjes së Grupit të Kontaktit janë të qarta të gjitha deklaratat që vinin nga përfaqësuesit perëndimorë, por pas dështimit të qëllimit të dialogut të inkurajuar nga SHBA-ja, mes Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës, në Beograd, i cili ishte një dështim, sepse diktatori serb e përdori për interesa të tij dhe për blerje të kohës, qëndrimi dhe veprimi perëndimor u thellua edhe më shumë në drejtim të domosdoshmërisë së ndëshkimit ushtarak të Serbisë. Këtu mund ta veçojmë takimin e Richard Holbrooke-ut me ushtarët e UÇK-së në Junik, i cili ishte momenti zyrtar që e hapi komunikimin e SHBA-së dhe, më pas, edhe të NATO-s me UÇK-në, e cila ishte një forcë që nuk mund të injorohej në terren, por me të cilën duhej bashkëpunuar dhe e cila duhej të mbështetej. Kjo ngjarje ishte mesazhi më i fuqishëm që i dërgohej Serbisë dhe të tjerëve. Ai fliste qartë dhe nga ky moment kishte një ndryshim rrënjësor – Serbia do të detyrohet të dorëzohet dhe të largohet nga Kosova me forcën e armëve.

Komplementariteti i rezistencave

Mes rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur në Kosovë është përvijuar një komplementaritet shpëtimtar dhe nuk mund të thuhet se kishte një ndarje morale dhe kundërthënie përplasëse që shkaktoi një tension të papranueshëm, sepse ato ishin mjete të ndryshme veprimi dhe të qëlluara, në kohë të caktuara, për të arritur te qëllimi i përbashkët: liria dhe pavarësia e Kosovës.

Rezistenca paqësore e drejtuar nga Ibrahim Rugova nuk ishte një gjendje pasive, por një veprimtari aktive politike dhe diplomatike, që në disa segmente të rëndësishme e ndërtoi “shtetin paralel”, i cili e nxori nga loja si “regjisor” dhe e bëri të paaftë shtetin serb për ta qeverisur popullin shqiptar në Kosovë; e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, duke i treguar botës se shqiptarët ishin popull paqësor dhe i qytetëruar, që po shtypej nga Serbia agresore me brutalitetin e makinerisë policore dhe ushtarake. Fryma e “rezistencës paqësore” e mbajti popullin të bashkuar, të disiplinuar dhe e shmangu konfliktin e armatosur të parakohshëm, që mund të sillte një gjenocid në përmasa të mëdha nga çmenduria gjakatare serbe, si ai që u bënë boshnjakëve, por edhe një dështim në kuptimin e kësaj që e kemi sot, Kosovën e pavarur, të shkëputur nga Serbia. Kështu, me rezistencën paqësore, u krijua një superioritet moral, i cili jo thjesht e ndërkombëtarizoi problemin e Kosovës, por e bëri atë çështje të ndërgjegjes së diplomacisë ndërkombëtare. Por, pas vitit 1995, kjo gjendje po e humbte kuptimin në një status quo, që nuk prodhonte më ecje përpara, sepse kishte nevojë për një energji dhe guxim rezistence ndryshe, të cilin ia dha sakrifica e Familjes Jashari në Prekaz, në marsin e vitit 1997. Ishte kapitali i “rezistencës paqësore” dhe sakrifica e Prekazit ajo e cila ia ndërtoi UÇK-së shtratin e një mburoje morale, për të mos u etiketuar dhe shitur në mediat botërore dhe kancelaritë ndërkombëtare si banditizëm, terrorizëm dhe për të mos lejuar të shtypet si e tillë. Kështu lindi një forcë ushtarake, e cila natyrshëm e kapërcente qëndrimin e “meritojmë lirinë”, në aktivitet për ta “fituar lirinë” dhe – si e tillë – nuk mund të neglizhohej. Duke ia shtuar kësaj dhe interesat të gjeopolitikave të fuqive me peshë vendimmarrëse, të cilat e kishin edhe kapitalin moral të shqiptarëve, ku mund të mbështeteshin, dhe faktet e agresionit të përgjakshëm serb, filloi dhe mori udhë fillimi i fundit të sundimit serb në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës nuk mund të arrihej vetëm me politikë dhe diplomaci, por edhe vetëm me luftën e UÇK-së mund të mos tejkaloheshin barrierat për ta arritur te Kosova që e kemi sot. Rezistenca paqësore, pa luftën që e filloi Adem Jashari (UÇK-ja), me potencialin që e ofronte, nuk do të arrinte ta përkulte Serbinë, e as në qendrat ndërkombëtare të vendosjes të arrinte ta ngrinte çështjen në ndjeshmërinë që do të çonte në një ndërhyrje ndërkombëtare me grusht të fortë për ta detyruar Serbinë të tërhiqej nga Kosova. Por, as rezistenca e armatosur e UÇK-së, pa terrenin diplomatik të përgatitur nga “rezistenca paqësore” dhe në veçanti nëse do të fillonte në një kohë të mëhershme, mund të mos i tejkalonte barrierat për te arritur te Kosova që e kemi sot dhe rreziku i viktimave njerëzore nga terrori serb mund të ishte shumë më i madh.

“Rezistenca paqësore” dhe “rezistenca e armatosur” e plotësuan dhe e kompletuan kuadrin e nevojshëm, si domosdoshmëri për të arritur deri te qëllimi dhe u treguan të suksesshme, sepse rezultati i tyre ishte liria dhe pavarësia e Kosovës.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X