Mbiemri Jashari është një metaforë e luftës kundër një shteti modern barbar, gjenocidal, Serbia, që nisej nga premisa “Zoti në qiell, ne në tokë”, që s’njihte posibilitetin e disfatës, por që u vërtetua se resurset e dhunës nuk janë gjithçka e as vendimtare. Nga ana tjetër, u vërtetua teza se një popull s’mbaron së ekzistuari përderisa ka motiv për vetëmbrojtje dhe kundërshtimin e së keqes, qoftë ajo edhe e mekanizuar, e arrirë teknikisht, superiore në rrafshin militar.
Ali PAJAZITI, Shkup
“Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime.”
Këto fjalë emblematike kanë dalë nga goja e një dëshmori, e një kryetrimi, Adem Jashari: një frymor njerëzor që sfidoi vdekjen si çlirim (Platoni), kalim metafizik, “zgjim nga gjumi” (Y. Emre) apo “kusht për autenticitet” (Heidegger). Fjalia e mësipërme është moto që do t’i frymëzojë brezat shqiptare dhe përtej përgjithnjë, për jetë e mot. Personaliteti ikonik i përmendur, që ndërroi jetë në vitin 1998, në pragun e shtëpisë së vet është i gjallë simbolikisht edhe sot, në vitin 2026. Ai nuk vdekur edhe pas vdekjes fizike. “The legends never die” (Legjendat nuk vdesin asnjëherë) – një thënie që simbolizon idenë se figura të mëdha mbeten të gjalla shoqërisht përmes kujtesës dhe trashëgimisë së tyre që lënë pas kalimit të vijës kufitare mes këndejmes së njohur dhe andejmes incognito, të panjohur. Lufta çlirimtare e Kosovës e vërtetoi vlerën e një njeriu që shihte përtej, që dinte çka të tjerët nuk e dinin, që besonte në diçka që të tjerët as mund ta ëndërronin.
Heroizmi i Saulit shqiptar
Fjala hero i referohet “një personi që kur përballet me situata të rrezikshme, ku është objektivisht në një pozitë më të dobët, e zbulon forcën brenda vetes dhe sakrifikon për një qëllim më të madh ose për të mirën e përbashkët njerëzore. Ai/ajo bëhet mbrojtës i të dobtëve. Sipas fjalorëve të të gjitha gjuhëve të botës, kjo është një kategori me moral të lartë.” (Čabaravdić, 2011)
Heronjtë shfaqen në agora dhe kushte normale, por edhe në ato të krizave si kataklizmat, robëria, konfliktet, luftërat… “Lufta ka qenë gjithmonë një provë zjarri — një test ekstrem i qëndrueshmërisë, moralit dhe qëllimit njerëzor. Ndër narrativat më të thella dhe më tragjike që lindin nga konflikti është ajo e individit që sakrifikon gjithçka, madje edhe jetën e vet, për një kauzë më të madhe se vetja.” (Onewho, 2025)
Çdo popull ka ikonat e veta sociale që e bëjnë historinë e tij, që lënë gjurmë në mbamendjen kolektive dhe që aktivisht e bëjnë historinë. Shqiptarët e periudhës së pasrënies së komunizmit ose perdes së hekurt u desh që ta vetëvërtetonin ekzistencën/qenie(simin) e tyre në agorën e kombeve përmes vetësakrifikimit, zërit dhe kurbanit të lirisë që u bë fli për një kauzë, për një besim të fuqishëm se megjithatë mundet, se mund të mundet edhe emtiteti i konsideruar i pamundshëm.
Mbiemri Jashari është një metaforë e luftës kundër një shteti modern barbar, gjenocidal, Serbia, që nisej nga premisa “Zoti në qiell, ne në tokë”, që s’njihte posibilitetin e disfatës, por që u vërtetua se resurset e dhunës nuk janë gjithçka e as vendimtare. Nga ana tjetër, u vërtetua teza se një popull s’mbaron së ekzistuari përderisa ka motiv për vetëmbrojtje dhe kundërshtimin e së keqes, qoftë ajo edhe e mekanizuar, e arrirë teknikisht, superiore në rrafshin militar. Rasti i Jasharajve dhe UÇK-së vërteton fjalën hyjnore: “Sa e sa grupe të vogla kanë mundur grupe të mëdha! Zoti është me durimtarët.” (Bakara, 249) Ky verset lidhet me rrëfimin e Talutit (Saulit) dhe përballjen e tij me Xhalutin (Goliathin) që përfaqëson pushtetin e degjeneruar, tiraninë dhe mendjemadhësinë, duke theksuar se fitorja nuk varet vetëm nga numri dhe kapacitetet luftarake, por nga besimi, durimi dhe vullneti. Taluti përfaqëson durimtarin, të mbështetur në besimin ligjin e drejtësisë, që mbron të shtypurit, që bëhet sebep i rënies së zullumqarit. Sipas traditës fetare islame, një gur i hedhur në betejë u bë shkak për fitoren kundër një force shumë më të madhe. Në kontekstin shqiptar, plumbat e Jasharit me familje sollën efektin e çlirimit të një bashkësie nga një establishment fashizoid, nga një okupator njëshekullor.
Kapitali moral
Veprat heroike sociologjikisht janë “kapital moral” ose “sinjale të kushtueshme” të një karakteri me cilësi të lartë (guxim, ndershmëri, empati), të cilat të sjellin prestigj shoqëror dhe frymëzojnë të tjerët të veprojnë për të mirën e përbashkët, edhe me kosto personale.
Legjendat e luftës që sakrifikojnë veten shpesh funksionojnë si gjeneratorë të kapitalit social, duke i shndërruar vdekjet e tyre në simbole që e forcojnë identitetin kombëtar, e rrisin moralin dhe e përforcojnë kohezionin shoqëror dhe besnikërinë ndaj një kauze. Këto figura, që variojnë nga heronjtë mitologjikë të lashtësisë deri te ushtarët dhe martirët modernë, veprojnë si “kapital social”, duke frymëzuar bashkëkombasit sot e nesër, duke krijuar një “kult të vetësakrifikimit” dhe duke e bashkuar komunitetin në një pikëllim dhe qëllim mobilizues të përbashkët.
“Në situatat kufitare të luftës, vetësakrifikimi merr një domethënie të shenjtë si një mënyrë reagimi, si individual ashtu edhe kolektiv, ndaj përvojës së vdekshmërisë. Ai institucionalizohet në hapësirën publike, mishërohet në narrativat e kujtesës, në praktikat kulturore dhe në gjestet simbolike, duke shërbyer kështu si një mjet për të afirmuar subjektivitetin e përbashkët përballë kërcënimit.” Rasti i Familjes Jashari tregon qartë se “një komb mundet që të transformojë frikën nga vdekja në një burim të kohezionit përmes njohjes morale të vetëflijimit.” (Vatsyk, 2025)
Të dhënit e jetës së vet – ose rrezikimi i saj – në luftë funksionon si një formë ekstreme e kapitalit social të “ndër-lidhjes” (bonding social capital), ku trauma kolektive dhe sakrifica maksimale forcojnë solidaritetin brenda grupit, besimin dhe përkushtimin ndaj një kauze të përbashkët, në këtë rast atdheut dhe shqiptarisë.
Jashari dhe post mortem patriotizmi
Trojet shqiptare, në vija të trasha, ndahen në ato të Shqipërisë, të ish-Jugosllavisë (të Kosovës, RMV-së, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës) dhe të tjerat, ku dikur është folur shqip. Ndërkohë, diaspora është pjesë e pandashme e shqiptarisë dhe albanosferës. Në aspekt të sensit patriotik, ndoshta si pasojë e periudhës jugosllave dhe keqtrajtimit, shqiptarët e “gjysmës së dytë të mollës shqiptare” (ex-YU) shprehin një ndjesi më të theksuar kombëtare që verifikohet në lidhshmërinë ndaj “fesë civile”, gjegjësisht kombit. Përderisa një shqiptar ordiner i Shqipërisë ka një botëkuptim shumë më të hapur, më kosmopolit, më liberal për kombin dhe ndaj tjetrit, bile edhe ndaj Serbisë (që nuk do të thotë së të gjithë serbët kanë faj për kalvarin e Bosnjës, Kosovës etj.), shqiptarët e këndejkufirit duken si rojtarë më ngulmues të kombtarizmës, gjë që vërehet edhe në trajtimin e shenjtërive nacionale si flamuri, gjuha pa barbarizma, në ndeshjet e futbollistike të përfaqësueses së Shqipërisë, ku një pjesë e mirë ose dërrmuese e tifozëve vijnë nga jashtë-Shqipëria. Kënga “Mora fjalë”, që ka si motiv Adem Jasharin, është shndërruar në himn të shqiptarisë, që në vitin 2024 të merret vendimi për të mos u lejuar më nëpër stadiumet e Shqipërisë, për të kënaqur Federatën Serbe të Futbollit, bashkëorganizauesin e kampionatit europian të të rinjve në vitin 2027. Ndalesat zyrtare s’i bëhen dot barrierë mesazhit sublim të figurës së Adem Jasharit. Ai dhe këngët mbi të, edhe post mortem, janë armaturë sociale që e fuqizojnë ne-ndjenjën shqiptare, të vëllazërisë që s’njeh kufij.
S’do mend se në Shqipëri varfëria ka luajtur rol kyç në zbehjen e patriotizmit të shfaqur në periudhën pas vitit 1990. Njeriu pa bukë, atdhe e ka gjithë botën, komb e ka njerëzimin. Lufta e Kosovës ka qenë momentumi kur gjysma kombëtarisht indolente e shqiptarisë ka përjetuar një revivalizëm të patriotizmit shqiptar, kurbë që shkon dita0ditës duke u fuqizuar. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët duhet të kultivojnë serbofobi, që është një sens absurd, porse duhet t’i ruajnë në mbamendjen e tyre vuajtjet që i kanë përjetuar, në mënyrë që të mos u përsëritet historia. Ne, si shqiptarë, nuk madhërojmë kriminelë, siç ndodh me kulturën masovike të fqinjëve tanë, që akoma afirmojnë figura kasapësh, si Karaxhiq, Mlladiq, Arkan etj. Ne u këndojmë atyre që i kanë dalë përballë krimit, që kanë nxehur gjakun e vetëmbrojtjes, që është ndër instinktet primare të çdo qenieje të gjallë dhe e njeriut veçanërisht. “Medalja për ata që shkatërronin qytete, vrisnin njerëz dhe bënin mijëra familje të fatkeqë; qendër memoriale për një udhëheqës serb çetnik; marrëveshje për gruan e një krimineli lufte – këto janë vetëm disa nga veprimet më të fundit që po ndërmerr Serbia, të cilat mund të çojnë drejt rrënimit të plotë të sistemit të vlerave.” – kumton Radio Evropa e Lirë (2012).
Kjo s’ka ndodhur as duhet të ndodhë ndër ne. Botëvështrimi ynë ushqehet nga një vetëperceptim pozitiv, pacifist ndaj tjetrit. Sidoqoftë, historia dhe përjetimet janë shkollë për periudhat që vijnë që s’dimë se çfarë mund të sjellin. Përkujtimi i saj është masë mbrojtëse ndaj përsëritjes së kalvareve.
Leksioni për brezat
Vetësakrifikimi krijon një kulturë të re. “Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne, sesa Atdheu”, – kishin thënë të gjithë Jasharajt në kështjellë. Pra, Jashari me familje e kolektivizuan sensin për ta krijuar vetë historinë, pa pritur “anije shpëtimtare” që sjell gjithçka. Të jesh hero nuk do të thotë të jesh pa frikë, por të jesh zot i frikës sate për diçka më të rëndësishme se vetja. Sakrifica e Adem Jasharit i “dha frymë” kombit. Ajo zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe i bashkoi shqiptarët si asnjëherë më parë. Ishte fryma që e ndezi zjarrin e lirisë. Ai jetoi atë që filozofët e quajnë “autenticitet” – gatishmëria për të vdekur për idealin e lirisë së tjetrit. Ai nuk foli për lirinë; ai ishte vetë liria.









