loader image
February 25, 2026

Shqiptarët përballë gjeopolitikave të Fuqive të Mëdha

Për ne, shqiptarët, stabiliteti në rajon nuk mund të arrihet me cenimin e sovranitetit të Kosovës. Çdo kompromis për Kosovën, sipas një modeli që e cenon sovranitetin e saj, është i papranueshëm, sepse ky shtet do të bëhej jofunksional. Këto lloj kompromise nuk sjellin paqe, por e rindezin konfliktin. Pavarësisht kësaj, momenti gjeopolitik, varësisht nga zhvillimet e luftës në Ukrainë, mund të kërkojë një ndërhyrje me “dorë të fortë” që nuk pyet, por i dikton kushtet e marrëveshjes.  

Arben LABËNISHTI, Strugë

Nga Londra, senatori francez Henrz Berenger, i dërguar në cilësinë e Komisionerit të Përgjithshëm të Naftës dhe Lëndëve Djegëse, për përgatitjen e takimit Francë-Britani në kuadër të Konferencës së Paqes, i shkruante kryeministrit të vendit të tij, Georges Clemenenceau: “Kush do ta ketë naftën, do të sundojë”.

Vërtet, në shekullin XX, ata që e kishin kontrollin direkt mbi “arin e zi” sunduan (vazhdojnë të sundojnë), pasi “nafta nuk ishte thjesht një burim energjie, por edhe “gjaku i pushtetit global”, sepse ajo i përcaktoi fituesit e luftërave dhe fatin e ekonomive globale.

Fuqitë e Mëdha ishin të vetëdijshme se, nëse nuk do t’i kontrollonin burime të naftës, do të ngelnin fuqi të varura nga ata që i kontrollonin ato. Prandaj, gara mes tyre për të siguruar dhe ruajtur pjesën vetjake në kompanitë e naftës, ishte këmbëngulëse dhe vendimtare, për ta ruajtur potencialin konkurrues mes tyre dhe për t’i mbajtur e vënë në varësi shtetet e dobëta.

Naftë kishte edhe Shqipëria. Në vitin 1917, në afërsi të fshatit Drashovicë të Vlorës, atë e zbuluan italianët. Edhe pse ata për ta ruajtur sekret në interes të tyre, e mbuluan këtë pus nafte, i cili e konfirmonte tokën shqiptare si naftëmbajtëse, nuk ia arritën qëllimit. Britanikët dhe amerikanët e kishin marrë informacionin për pusin e naftës dhe interesi gjeopolitik i tyre për Shqipërinë u ngrit në nivelin që i detyroi ata ta prishin Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, i cili parashihte ricopëtimin e territoreve shqiptare mes Italisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, që do të duhej të konfirmohej në Konferencën e Paqes në Paris. Ky konfirmim do t’ia linte naftën Italisë, por ata nuk mund ta lejonin atë. Kështu, Shqipëria u shndërrua në një fushëbetejë për interesat ekonomike të Fuqive të Mëdha, ku ata lëviznin me synimin për të siguruar rezerva të mundshme të naftës.

Kështu, “ari i zi” shqiptar (dhe dëmi që do të sillte depërtimi i Rusisë nëpërmjet satelitëve të saj sllavë, tejpërtej tokave shqiptare, që do t’i nxirrnin në bregdet), si resurs me interes për Fuqitë e Mëdha, u bë ogurbardhë për ta ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila gjithashtu ishte rezultat i një kompromisi të Fuqive të Mëdha të kohës.

Interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha

Interesat e shteteve të njohura si Superfuqi Globale, ato të Fuqive Rajonale, por edhe ato të shteteve të tjera, në literaturën e teorive të gjeopolitikës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare klasifikohen sipas shkallës së rëndësisë së tyre që kanë për rritjen, ruajtjen dhe stabilizimin e kapaciteteve për supremaci, prosperitet dhe mbijetesë.

Nga kjo logjikë, interesat gjeopolitike klasifikohen si: interesa periferike, interesa kritike dhe interesa jetike. Interesat periferike kryesisht janë të natyrës kulturore, ideologjike dhe të prestigjit dhe, si të tilla, gjykohen si çështje që s’kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare dhe lidhje me fuqinë ushtarake dhe ekonomike të shteteve të fuqishme në nivel global dhe atyre të rajonit përkatës. Por, për vetë shtetin ku ato janë të jetësuara ose zhvillohen, janë të interesit jetik ose kritik. Për këto interesa, Fuqitë e Mëdha përzgjedhin dhe vënë në veprim vetëm diplomacinë për promovimin e demokracisë, respektimin dhe ruajtjen e të “drejtave të njeriut” dhe ndihmën humanitare. Interesat kritike janë kategori shumë e rëndësishme, sepse, edhe pse nuk prekin në mënyrë të menjëhershme në shtyllat e ekzistencës së shtetit, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e tij. Në këtë kategori interesash futen ato që një shtet fqinj a i rajonit të mos jetë nën ndikimin dhe kontrollin e një vendi armik; ato të kontrollit të vendeve gjeostrategjike për sigurinë kombëtare; ato të ruajtjes së rrugëve tregtare, si siguria e deteve, e kanaleve dhe ngushticave; dhe ato ekonomike të sigurisë së investimeve të mëdha jashtë vendit dhe të tregjeve më të rëndësishme të eksportit. Për këtë kategori interesash, veprimi i fuqive globale dhe rajonale fillon me aktivitet diplomatik dhe sanksione, të cilat nëse nuk sjellin zgjidhje, pason ndërhyrja ushtarake. Ndërkaq, interesat e nivelit jetik, për të cilat nuk bëhet kompromis, janë ato të mbrojtjes së territorit nga pushtimi; të parandalimit të një sulmi masiv, ku futet edhe ai bërthamor; ato të marrjes dhe kontrollit të burimeve të energjisë, si domosdoshmëri e funksionimit të shtetit dhe ato të mineraleve të rralla, sepse kanë të bëjnë me zhvillimin e teknologjisë dhe të armatimit Kjo është kategoria më e lartë e interesave, për realizimin ose ruajtjen e të cilave veprimi është ndërhyrja ushtarake.

Për Fuqitë e Mëdha, në rrethana të caktuara, kategoritë “interes kritik” kalojnë në “interes jetik” dhe trajtohen si të tilla në veprim.

Për të gjitha shtetet e fuqishme, dhe në veçanti për SHBA-në, Rusinë dhe Kinën, interesat e kategorisë jetike dhe kritike janë “shtyllë kurrizore” e fuqisë së tyre ekonomike, teknologjike dhe ushtarake, cenimi i të cilave është receptor alarmi për sigurinë kombëtare. Prandaj përplasja dhe konkurrenca e tyre gjeopolitike, shpesh çon te ndërhyrja ushtarake.

Për këto interesa e kanë pësuar dhe vazhdojnë ta pësojnë popuj dhe shtete që e duan natyrshëm jetën, lirinë dhe mirëqenien e tyre; e duan të drejtën për vetëvendosje, integritetin territorial dhe sovranitetin. Kështu, këto interesa e kanë përcaktuar dhe vazhdojnë ta përcaktojnë fatin e shumë popujve dhe shteteve.

Resurset e trevave shqiptare dhe interesat e Fuqive të Mëdha

Dihet se Ballkani historikisht është “udhëkryq”, ku janë përplasur dhe vazhdojnë të përplasen interesa të ndryshme që kanë të bëjnë me gjeopolitikën e Fuqive të Mëdha në këtë rajon, e cila ka ndikim te gjeopolitika globale e tyre. Por, resurset e këtij rajoni nuk e kanë peshën me interes të njëjtë për të gjitha shtetet, të cilat janë të interesuara dhe aktive, si BE, SHBA, Rusia, Turqia dhe Kina.

Trevat tona, për pozitën gjeostrategjike që kanë, gjithmonë janë lakmuar nga Fuqitë e Mëdha. Por, realiteti aktual flet se interesat shqiptare kanë pikëpjekje me ato perëndimore dhe në resurset e tyre gjeostrategjike është ankoruar Perëndimi (SHBA, BE, NATO) për interesa të sigurisë “kritike”, e cila dëshmohet me bazën ushtarake kryesore të sigurisë në rajon, atë të “Bondsteel” në Kosovë dhe bazat e tjera nga bregdeti shqiptar në thellësinë tokësore shqiptare, si Baza Detare e Pashalimanit, Baza Ajrore e Kuçovës, Baza për Stërvitje Tokësore e Bizës dhe disa baza të tjera. Përmes Shqipërisë, kalon gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili është interes kritik për BE, sepse është linja kryesore e energjisë për Europën, e cila ka kontribut madhor në uljen e varësisë nga gazi rus. Gjithashtu, nëpër trevat shqiptare kalon Korridori 8 (në ndërtim), i cili është arteria kryesore që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ky korridor, ndër rëndësitë e tjera që ka është rruga që NATO, nëse do të kishte një konflikt me Rusinë, nëpërmjet të tij do të lëvizte trupat nga Adriatiku drejt krahut lindor të aleancës.

Për gjeopolitikën e Perëndimit (SHBA, BE) në Ballkan, interes kritik është garantimi i sigurisë nga rreziku rus, të cilin Perëndimi e realizon nga resurset strategjike në trevat shqiptare. Derisa Rusia është ankoruar në Serbi, ky rrezik është potencial dhe nga harta e sigurisë së Perëndimit nuk mund të fshihet “vatra e rrezikut” nga ajo. Për BE-në, të rëndësisë kritike janë edhe korridoret që kalojnë në Ballkan dhe gazsjellësi TAP, që siç kam shkruar më sipër, e ul varësinë e Europës nga gazi rus.

Për Rusinë, interesi më i madh në Ballkan është pengimi i zgjerimit të NATO-s dhe BE-së në rajon, por edhe ai ekonomik i gazit dhe kulturor sllavo-ortodoks. Ajo përpiqet ta përdori Serbinë dhe Republikën Srpska në Bosnjë për destabilizim të Ballkanit, si presion për ndërhyrjen perëndimore në zonën e saj të ndikimit. Interes i Rusisë është që Kosova të mbetet një konflikt i hapur, ndërsa Bosnja (nëpërmjet Republikës Srpska) dhe RMV të jenë vatra krize.

Nuk na kanë pyetur, na kanë diktuar

Nga kategorizimi i interesave dhe mënyrës së veprimit të shteteve të fuqishme për ato, është e kuptueshme se për ata më shumë peshojnë dhe janë të rëndësishme interesat e tyre jetike dhe kritike sesa parimet e së drejtës së një shteti më të vogël dhe më të dobët për vetëvendosje dhe sovranitet. Kjo, është ajo që në gjeopolitikë njihet si “Realpolitikë”.

Edhe nga historia jonë kombëtare mësojmë se interesat e Fuqive të Mëdha të kohës, nga Kongresi i Berlinit deri në ditët e sotme, më shpesh e kanë ndjekur si fantazmë të drejtën kombëtare të shqiptarëve për shtetin e tyre, që natyrshëm të shtrihet në kufijtë etnikë që i kishte përcaktuar vet zhvillimi i shoqërive në rajonin tonë, ku shqiptarët shtriheshin në një sipërfaqe kompakte prej rreth 80000-90000 km2, por Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu vetëm rreth një të tretën e saj, 28.748 km2 …

Ky vendimi i padrejtë, i cili ishte mohim i të drejtës sonë kombëtare, shqiptarëve iu imponua si rezultat i interesave të Fuqive të Mëdha, aleancave midis tyre, ekuilibrit të forcave dhe pamundësisë të shqiptarëve për t’u vetëmbrojtur me forcën e armëve dhe diplomaci.

Më pas, periudhën mes dy luftërave botërore, e cila është e ecejakeve të shtetit shqiptar për t’u konsoliduar, atë të Luftës së Dytë Botërore, atë të shtetit totalitar komunist, deri te kjo e shtetit të ditëve të sotme, e kanë karakterizuar rrezikshmëri për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit (pavarësinë), që gjithashtu kanë ardhur si pasojë e interesave të Fuqive të Mëdha dhe verbësisë politike dhe ideologjike, egos patologjike për pushtet dhe kapital, inateve dhe përçarjeve, të elitave drejtuese të shtetit shqiptar.

Rënia e komunizmit solli rrethana të favorshme jo vetëm brendashqiptare, por edhe ndërkombëtare shumë të rëndësishme për zgjidhjen e çështjes shqiptare, si rezultat i të cilave Kosova e fitoi luftën me Serbinë, ku rolin kryesor e kishte UÇK-ja (shqiptarët) dhe mbështetja e veçantë e SHBA-së dhe Turqisë. Këto rrethana nuk i shfrytëzuan si duhet shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët as me kryengritjen e armatosur të vitit 2001 nuk arritën ta realizojnë atë që u takon – statusin e kombit shtetformues, i cili do ta garantonte të drejtën e ushtrimit të sovranitetit së bashku me maqedonasit. Ndërkaq, shqiptarët që ndodhen nën sovranitetin e Sërbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë të të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore.

Kosova, si problem më madhor, edhe pas 17 vjetësh nga shpallja e pavarësisë, përballet me kërkesat serbe për Asociacion me kompetenca ekzekutive të Komunave me Shumicë Serbe dhe status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, për të cilat e ka në veçanti mbështetjen e Rusisë. Gjithashtu, atë nuk e kanë njohur 5 shtete të BE-së. Kështu, deri tani i është pamundësuar të sigurojë ulëse të anëtarit në OKB. Kosova ngel çështja më shqetësuese për shqiptarët, më e mprehtë e Ballkanit dhe me ndjeshmëri e peshë në përplasjet gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, të cilat janë rritur me fillimin e luftës në Ukrainë dhe nga rrjedha e kësaj lufte do të varet edhe koha dhe cilësia e zgjidhjes së saj.

Për ne, shqiptarët, stabiliteti në rajon nuk mund të arrihet me cenimin e sovranitetit të Kosovës. Çdo kompromis për Kosovën, sipas një modeli që e cenon sovranitetin e saj, është i papranueshëm, sepse ky shtet do të bëhej jofunksional. Këto lloj kompromise nuk sjellin paqe, por e rindezin konfliktin. Pavarësisht kësaj, momenti gjeopolitik, varësisht nga zhvillimet e luftës në Ukrainë, mund të kërkojë një ndërhyrje me “dorë të fortë” që nuk pyet, por i dikton kushtet e marrëveshjes.

Bashkë, jemi të fortë

Mungesën e strategjisë së përbashkët shqiptare, e cila duhej të jetë një zë, e unifikuar dhe e qëndrueshme në raport me Serbinë, me RMV, por edhe me fqinjët e tjerë dhe ndërkombëtarët, e cila shpërfaqet si një krisje e politikës shqiptare që s’merren vesh për interesat e tyre, Beogradi, Shkupi dhe fqinjët e tjerët e shfrytëzojnë me mjeshtëri për interesat e veta, por edhe ndërkombëtarët e kanë më të lehtë ta imponojnë një projekt sipas interesave të tyre.

Faktorët që kanë ndikuar për të mos pasur një strategji të përbashkët, mund të jenë të natyrave të ndryshme dhe me origjinë brendashqiptare dhe nga jashtë, por më të dukshme janë egoja dhe përçarja përplasëse e lidershipit zyrtar të Kosovë dhe të Republikën e Shqipërisë për lider të kombit, e cila përvijohet me “protagonizëm” në raport me ndërkombëtarët dhe e dobëson pozicionin shqiptar, si dhe përpjekjet e Tiranës zyrtare për t’u shfaqur si lider i stabilitetit rajonal, duke i ofruar hapësirë veprimi Serbisë dhe duke injoruar mendimin e Prishtinës (veçanërisht me projektin “Open Ballkan”), ndërsa Prishtina zyrtare natyrshëm përvijon politika më rezistente dhe kërkuese për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Historia me gjeopolitikën na mësojnë se, derisa ne si shqiptarë nuk do ta kuptojmë dhe nuk do të veprojmë si një bllok i vetëm, me mendimin përfundimtar dhe të qëndrueshëm se pozita gjeostrategjike që kanë trojet tona si tërësi dhe sasia numerike e popullit tonë që jeton në këto troje janë dy shtyllat më të mëdha të fuqisë sonë, të cilat na bëjnë faktor kritik në Ballkan, i cili nuk mund të injorohet dhe të vendoset para një fakti të kryer kompromisi në dëm të integritetit dhe sovranitetit të trevave të veta, jemi të dobët, jemi pa peshën që s’mund ta lëkundin nga vendi i vet.

Të ndarë, të përçarë dhe me beteja çmendurie mes nesh, jemi probleme të vogla dhe bëhemi kafshata që trajtohemi dhe përpihemi lehtë nga të tjerët.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X