Rreth dy shekuj më parë presidenti i atëhershëm amerikan, James Monro (1823), nisi politikën e cila kishte për qëllim t’i ndalonte fuqitë europiane të ndërhynin në Hemisferën Perëndimore. Një situatë e ngjashme na përsëritet edhe tani, kur synohet që ky rajon të mbrohet nga ndikimet e kundërshtarëve të jashtëm, në radhë të parë Kinës, veprimet e së cilës paraqesin shqetësim dhe sfidë sistemike për Uashingtonin.
Muhamed JASHARI, Shkup
Pak kohë më parë (dhjetor 2025) Shtëpia e Bardhë e bëri publike Strategjinë e Sigurisë Nacionale të SHBA-së për periudhën vijuese. Ky dokument është i një rëndësie të madhe, për faktin se e ndërton pikëpamjen dhe vizonin përmes të cilit SHBA-ja, më saktë administrata Trump, duhet ta ndjekë në realizimin e synimeve dhe interesave të saja nacionale. Më tej, ai përfshin përballje me sfidat dhe rreziqet, si dhe vë në pah angazhimin dhe realizmin e politikave afatgjate në evitimin dhe pengimin e kërcënimeve ndaj sigurisë amerikane. Me një fjalë, Strategjia e Sigurisë Nacionale paraqet plan të mirëfilltë për të siguruar ekzistencën e vazhdueshme të një kombi a shteti (Malia Du Mont, 2019).
Sikur edhe në hapësirat shqiptare të kishte aokument të këtillë (të përbashkët), ku piketohen qartë objektivat dhe synimet kombëtare (fjala bie çdo 5 vjet) dhe që duhej përgatitur nga profesionistë të vërtetë të fushave të ndryshme-teknologjike, ekonomike, demografike, diplomatike, ushtarake, etj., me siguri se stadi ynë zhvillimor do të ishte më i kënaqshëm seç është tani. Në rastin tonë, fatkeqësisht, e gjithë kjo mbulohet nën vellon e programit elektoral zgjedhor dhe që jep përshtypje se është e atypëratyshme pa efekt real afatgjatë.
* * *
Që në krye të tekstit, lexuesve dhe të gjithë të interesuarve mbi politikën amerikane u bëhet me dije se: “ne [SHBA-ja: shën. i ynë] duam mbijetesën dhe sigurinë e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara si një republikë e pavarur dhe sovrane…”
Tingëllon i çuditshëm përmendja e nocionit të “mbijetesës” tek një vend me interesa ose shtrirje planetare dhe që mbijetesa as që ka ardhur në shprehje ndonjëherë! Megjithatë, përgjigjen e kësaj dileme na e jep teoricieni eminent amerikan Mearsheimer – ndonëse kundërshtues aktual i politikave të Trumpit – i cili në veprën e tij markante “The Tragedy of Great Power Politics” [Tragjedia e politikës së fuqive të mëdha]” na e rikujton se “mënyra më e mirë për të mbijetuar në anarkinë ndërkombëtare është të jesh hegjemoni i vetëm rajonal” (f.355). Në këtë rast, pra, “mbijetesa” që e përmend Siguria Nacionale është mbijetesë e vërtetë në planin sistemik brenda këtij mjedisi ndërshtetëror ku shtyhen titanët!
Në të vërtetë, administrata e tanishme duket se mbi këtë premisë e portretizon vizionin e tij mbi mënyrën e funksionimit dhe komunikimit me botën e jashtme dhe marrëdhënieve me “të tjerët”. Ndërkaq, shteti-komb perceptohet si njësia themelore politike e botës dhe se e drejta sovrane e kombeve është kundër ndërhyrjeve që e shkatërrojnë sovranitetin. Një pikëpamje e tillë mbështet argumentimin që kemi të bëjmë me “rikthim të sovranitetit”, pavarësisht faktit që nëpër qendra të ndryshme intelektuale e studimore flitej për gërryerjen e tij, si rrjedhojë e ndërvarësisë dhe të globalizimit.
Kështu, kjo jep të kuptohet se shteti, si njësi themelore që është, tashmë refuzon të njohë autoritet më të lartë se vetvetja. Kësisoj, vetëhyjnëzohet, madje nëse e kërkon nevoja (lexo: interesi nacional) në raste të ndryshme tejkalohen edhe organizatat transnacionale dhe, çfarë është më e rëndësishme, edhe e drejta ndërkombëtare! Madje, kur jemi te kjo e fundit, duhet thënë se pohimi i ekzistimit të saj nuk është i njëjtë me pohimin se është sistem ligjor efektiv. Në të vërtetë, janë traktatet, konventat, marrëveshjet e ndryshme multilaterale etj., ato që ne i quajmë dhe i njohim si e drejtë ndërkombëtare. Dhe, shpeshherë, zbatueshmëria, ashtu sikurse prezenca e një anëtari/shteti në agjenci, institucione ose organizata ndërkombëtare, varet nga vullneti (interesi) i shtetit. A e pengon e drejta ndërkombëtare të drejtën e përdorimit të vetos nga anëtari i përhershëm në Këshill të Sigurimit kur, ta zëmë, kryhen shkelje dhe krime kundër njerëzimit?! Fatkeqësisht, praktika e deritanishme ka treguar që shtetet e përdorin veton pavarësisht situatave që ballafaqohet komuniteti dhe opinioni ndërkombëtar. Çfarë është veto-ja, pra? Është pikërisht prodhim i ruajtjes së sovranitetit dhe manifestim i tij. Mekanizmi i veto-s siguron që organizata nuk do të ndërtojë një interes të përgjithshëm global në kundërshtim me interesin nacional (Jashari, 2025) ose sovranitetin e ndonjërit nga shtetet anëtare të përhershëm të KS-së. Por, nuk ka mekanizëm qendror me detyrën për të siguruar që e drejta ndërkombëtare të respektohet gjithkund në mënyrë efektive. Këtij sistemi të funksionimit të OKB-së, në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe ruajtjen e paqes e të sigurisë në botë, mund t’i themi që është “me të meta manifakturimi”. Tetëdhjetë vite më parë, Hans Morgentau, në “‘Politics among nations’ [‘Politika ndërmjet kombeve]’” (fq. 295-311) e vuri në diskutim këtë çështje dhe diadën sovranitet / e drejtë ndërkombëtare.
Nga kjo pikëpamje, duhet parë edhe tërheqjen e shtetit nga organizatat ose institucionet ndërkombëtare, qoftë edhe raste kur kemi ndërhyrje të një vendi në një vend tjetër ose shkeljen flagrante të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Strategjia e Sigurisë Nacionale, ndër interesat kryesore amerikane, fillimisht e rendit Hemisferën Perëndimore, ku shprehimisht thekson se: “Ne duam një Hemisferë që mbetet e lirë nga ndërhyrjet e huaja armiqësore ose pronësia e aseteve kyçe. … do të vëmë në zbatim Doktrinën Monro për ta rivendosur epërsinë amerikane”. Ndërkaq, për Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, “Hemisfera Perëndimore është fqinjësia e Amerikës – dhe ne [SHBA-ja – shën. i ynë] do ta mbrojmë atë”.
Po përse duhej t’i kushtohej rëndësi parësore Hemisferës Perëndimore, kur ndërkohë bëhet fjalë për shtetin që prania e tij ndihet gjithandej!? Kështu thotë Mauricio Claver-Carone, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump në Amerikën Latine dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë: “…nuk mund të jesh fuqi mbizotëruese globale pa qenë fuqi mbizotëruese rajonale.”
Dhe, pikërisht kontrolli i kësaj pjese të planetit me gjithë Amerikën Latine, përveçse mundëson kontrollin ndaj migrimit ilegal, ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe të drogës, ofron burime të bollshme natyrore, pozicione strategjike të sigurisë, tregje fitimprurëse etj. (Jack Nicas: New York Times). Ky realitet tashmë i krijuar në politikën amerikane u emërua edhe si “Doktrina Donro” (Financial Times).
Rreth dy shekuj më parë presidenti i atëhershëm amerikan, James Monro (1823), nisi politikën e cila kishte për qëllim t’i ndalonte fuqitë europiane të ndërhynin në Hemisferën Perëndimore. Një situatë e ngjashme na përsëritet edhe tani, kur synohet që ky rajon të mbrohet nga ndikimet e kundërshtarëve të jashtëm, në radhë të parë Kinës, veprimet e së cilës paraqesin shqetësim dhe sfidë sistemike për Uashingtonin.
Kjo është evidente edhe në Strategjinë Nacionale ku konstatohet se “konkurrentët johemisferikë kanë bërë përparime të mëdha në hemisferën tonë (amerikane – shën. i ynë)”, madje administrata aktuale veçon se “lejimi i këtyre ndërhyrjeve pa një kundërshtim serioz është një tjetër gabim i madh strategjik amerikan i dekadave të fundit”. Fakti që Hemisfera Perëndimore është e radhitur e para në listën e rajoneve prioritare për SHBA-në, kurse Europa e treta (pika C), madje pas Azisë (pika B), brenga e Europës mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat kalon, seriozisht, si asnjëherë më parë, është e kuptueshme! Shto këtu faktin që Grenlanda është më afër Amerikës Veriore, pra brenda Hemisferës Perëndimore, dhe kur veprimet e Kinës e të Federatës Ruse shihen si faktor kërcënimi për sigurinë amerikane, japin të kuptohen synimet e administratës Trump për ta përvetësuar ishullin e rajonit të Arktikut, pa harruar që në vitin 2018 Republika Popullore e Kinës nxori në pah white paper-in me titull “Politika Kineze e Arktikut”, e cila përshkruante ambiciet dhe strategjinë e shtetit kinez ndaj rajonit në fjalë. Sipas këtij dokumenti, “Kina është një palë e rëndësishme e interesuar në çështjet e Arktikut”, kurse më tej theksohet që, “si rezultat i ngrohjes globale, rrugët e transportit detar në Arktik ka të ngjarë të bëhen rrugë të rëndësishme transporti për tregtinë ndërkombëtare.” Praninë e saj në Arktik, shteti kinez e sheh në kuadër të iniciativës “Një Brez një Rrugë” me synimin, siç e vërteton dokumenti i lartëshënuar, “…për të ndërtuar një kalim ekonomik që lidh Kinën dhe Europën nëpërmjet Oqeanit Arktik…”!
Prandaj natyrshëm lind pyetja nëse Grenlanda, si pjesë e Danimarkës që është, pra territor i NATO-s, ku fuqia dominuese është SHBA-ja, pse atëherë SHBA-ja synon pronësimin e saj!? Përsëri e sjellim në vëmendje diskutimin e mëparshëm. Shteti, aq më tepër kur flitet me përmasat ushtarake, ekonomike e politike siç është SHBA-ja, sovranitetin, me këtë edhe interesin e tij nacional, nuk do t’i pëlqente që ta ndajë ose ta realizojë plotësisht nëpërmjet organizatave ndërkombëtare. Duket se kjo linjë e mendimit dhe e traditës politike mbisundon në Shtëpinë e Bardhë dhe europianët duhet që të merren.
* * *
Rajoni Ballkanik, i cili ndonëse Strategjia e Sigurisë Nacionale nuk e përmend me të njëjtin emërtim, por ajo përfshihet në saje të Europës Juglindore, ndërthuret në kontekst të çështjeve europiane. Madje, për politikën amerikane në Europë ajo llogaritet me prioritet (pika 5), në: “Ndërtimin e kombeve të shëndetshme në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, përmes lidhjeve tregtare, shitjes së armëve, bashkëpunimit politik dhe shkëmbimeve kulturore dhe arsimore”. Kësisoj, sikur kjo bën të mundur që thellimi i bashkëpunimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dy shtete sovrane, me SHBA-në në vazhdim të intensifikohet mbi bazën e marrëdhënieve bilaterale dhe atë në çdolloj fushe, por në fushën ekonomike dhe shitjen e armëve si parësore.
Megjithatë, për të pasur marrëdhënie të shëndetshme, detyrimisht kërkohet mospasja e krizave politike që herëpasherë shfaqen në hapësirat tona, kjo pasi që “ne (SHBA-ja – shën. i ynë) mbështetemi te aleatë krijues, të sigurt dhe demokratikë për të krijuar kushte stabiliteti dhe sigurie”. Në një farë mënyre, ky përkufizim është thirrje që, në këto periudha të trazuara, institucionet dhe shtetet tona të jenë të afta në ballafaqimin me sfidat e gjithanshme që do të bënte të mundur funksionimin normal dhe kultivimin e marrëdhënieve me interes të dyanshëm. Do duhej të ishte shqetësues fakti që procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës të hynte në një proces krize institucionale.
Propozim-ligji (H. R. 5274) i paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve – Komiteti për Politikë të Jashtme dhe Gjyqësor, në shtator të 2025 – me titull: ‘‘Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, ku kërkohet që SHBA-ja përveçse duhet të rrisë tregtinë dhe investimet në rajon, ta mbështesë edhe anëtarësimin e vendeve në BE, ta zgjerojë bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë me vendet që nuk janë në NATO, përfshirë Kartën e Adriatikut, ndonëse i iniciuar nga kongresmeni demokrat William R. Keating, është tregues i mirëfilltë i interesimit për rajonin e Ballkanin Perëndimor në qendrat e ndryshme të pushtetit në SHBA. Më tej, aty i vihet në dijeni Sekretarit të Shtetit që të zhvillojë iniciativa dhe programe për luftimin e korrupsionit politik dhe të forcojë mbikëqyrjen në fushat kritike të qeverisjes. Me një fjalë, aty përfshihen çështje që janë në interesin kombëtar tonin dhe që, rrjedhimisht, e forcojnë sovranitetin shtetëror. Në situatat e krijuara tashmë vendeve tona, në njërën anë, u kërkohet që t’i harmonizojnë politikat e tyre përkatëse me shtetet europiane, kurse, në anën tjetër, ta kultivojnë edhe mbajnë aktiv angazhimin amerikan në rajon.









