Në këtë shkrim do të përqendrohemi te paqja amerikane si një term specifik që shënon fuqinë perandorake të këtij shteti, që me dekada bën liderizmin ose “çaushërinë globale” herë në bazë të interesave e pragmatizmit ose realizmit sui generis e herë në bazë të R2P, etikës ndërkombëtare dhe idealizmit.
Ali PAJAZITI, Shkup
Prolog
Fjala latine Pax (paqe) nënkupton kohën që kalon pa luftë e trazira. Është një nga nevojat kryesore të qenies njerëzore dhe përtej. Është si buka, kripa dhe uji për qeniesim të natyrshëm. Paqja shënjon qetësinë, rehatinë, mundësinë për t’u vetërealizuar pa ndërhyrje dëmtuese të jashtme, pa turbullira e dhimbje. Paqja është një gjendje e thellë dhe e lindur e balancit të brendshëm dhe e unitetit me qielloren ose realitetin përfundimtar, të arritura përmes qetësimit të egos dhe mendjes me praktika si meditimi dhe vetëdija, që çon në një mënyrë jetese harmonike dhe të dhembshur, e cila natyrshëm shtrihet në krijimin e paqes botërisht, duke i tejkaluar konfliktet dhe vuajtjet e jashtme.
Paqja është kategori brendahumane që e qetëson shpirtin, mundëson bashkekzistimin me të tjerët. Është njësi që rezulton me satisfaksion të përgjithshëm. Pra, është entitet psikologjik, sociologjik, por edhe i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Ajo sjell ekuilibër individual, shoqëror dhe global. Në fjalorët e marrëdhënieve ndërkombëtare ajo përmendet shpesh si zë relevant. Në këtë shkrim do të përqendrohemi te paqja amerikane si një term specifik që shënon fuqinë perandorake të këtij shteti që me dekada bën liderizmin ose “çaushërinë globale” herë në bazë të interesave e pragmatizmit ose realizmit sui generis e herë në bazë të R2P, etikës ndërkombëtare dhe idealizmit. Atë do ta ndërlidhim me ethet e botës e shek. XXI dhe rreshtimin dhe ndërmarrjet e faktorit shqiptar.
Tipologji paqesh ikonike
Pax Romana – Paqja brenda kufijve romakë; në kufij, legjionet ishin vazhdimisht në luftë për të nënshtruar rezistencën dhe për të zgjeruar territorin. Historiani Tacitus ka shkruar një thënie të famshme mbi këtë paqe, duke vënë në gojën e një udhëheqësi britanik fjalët: “Ata krijojnë një shkretëtirë dhe e quajnë atë paqe.”
Pax islamica – Paqja islame. Islamologët e përdorim këtë shprehje për të karakterizuar botën myslimane gjatë epokës së kulmit kulturor të periudhës së kalifatit abasit; metaforë e qytetërimit islam në aspektin historik, kulturor, social dhe politik. Shenjë e zbatimit dhe jetësimit të parimit kuranor “populli i mesëm” (ummeten vasatan).
Pax Ottomana – Paqja osmane. Term që shënon paqen dhe tolerancën osmane, kontributin e kësaj superfuqie të dikurshme në paqen botërore, në veçanti në Ballkan, në brigjet e Detit të Zi, Kaukaz, në Lindjen e Mesme dhe në hapësirën e Afrikës Veriore. Stabilitet ekonomik dhe shoqëror i arritur në provincat e pushtuara/çliruara nga Perandoria Osmane.
Pax Britannica – Paqja britanike. Paqe e imponuar nga Mbretëria e Bashkuar ndaj kombeve armiqësore, në veçanti në shek. XIX me konotacion gjeopolitik dhe ekonomik. Periudhë e paqes relative mes fuqive të mëdha gjatë së cilës Perandoria Britanike u shndërrua në fuqi hegjemonike dhe ka marrë rolin e policit ose hegjemonit global. Kjo sintagmë lidhet me periudhën mes fundit të Luftërave Napoleonike (1815) dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore më (1914).
Pax Americana – Paqja amerikane. Pikëpamje sipas të cilës mirëqenia dhe paqja në shtetet e zhvilluara të hemisferës perëndimore sigurohet nga statusi i superfuqisë së Shteteve të Bashkuara. Rendi i ri botëror amerikan.
Pax Sinica – Term gjeopolitik që përshkruan periudhat e stabilitetit, paqes dhe dominimit të udhëhequr nga Kina në Azinë Lindore. Ky koncept është aplikuar si për epokat e arta të perandorive të lashta kineze, ashtu edhe për ambiciet moderne të Kinës në skenën globale për një botë-shekull kinez ose rend Kinë-qendrik (China-centered order).
Joseph S. Nye: Fundi i shekullit amerikan?
Një studim i Pew-it, i vitit 2014, tregonte se 28 për qind e amerikanëve mendonin se vendi i tyre “kishte epërsi mbi vendet e tjera”, krahasuar me 38-përqindëshin e vitit 2013. Mark Twain-i thumbon edhe në këtë mënyrë: “Raportimet mbi vdekjen time janë goxha të ekzagjeruara.” Gjatë viteve të fundit anketat kanë treguar se shumica e të anketuarve në 15 nga 22 vende të përfshira në studim, kanë pohuar se Kina ose do ta zëvendësojë Amerikën ose tashmë ia ka zënë vendin si fuqi udhëheqëse e botës.
Pas pavarësisë amerikane në shek. XVIII, politikani britanik Horace Walpole ndiente keqardhje se Britania qe tkurrur deri në përmasat e Sardenjës. Në fakt, Britania po transformohej nga Revolucioni Industrial, që krijoi shekullin e saj të dytë si fuqi globale. Nga mesi i viteve 1980-të, një ekonomist i MIT pyeste se përse “sot po rrëshqasim tatëpjetës pas rreth 50 vitesh?”, ndonëse perandoria britanike ka zgjatur dy shekuj. Në prag të shembjes së Bashkimit Sovjetik, kur Amerika mbeti superfuqia e vetme e botës, librat më të shitur e krahasonin gjendjen e Amerikës me atë të rënies së Filipit II të Spanjës. Dhe kur Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia e vetme në një botë njëpolëshe, një prej studiuesve më në zë të shkencave politike parashikonte një fund që do vinte shpejt. Me shembuj të tillë paralajmërues na duhet të shprehim modesti për sa i takon gjetjes së përgjigjes për pyetjen që Joseph S. Nye e shtron në njërin nga librat e tij: A i ka ardhur fundi shekullit amerikan?
Nëse dikush e përkufizon si shteti me ekonominë më të madhe, shekulli amerikan përkon me shek. XX, ndërsa sot, në bazë të “paritetit të fuqisë blerëse”, Kina ia ka kaluar tashmë Amerikës në prodhimin e brendshëm bruto (GDP). Projeksionet e tjera që i masin ekonomitë sipas normave të këmbimit të valutave të tyre, tregojnë se Kina do të shndërrohet në ekonominë më të fuqishme botërore brenda një dekade. A nënkupton kjo se do të jemi dëshmitarë të fundit të shekullit amerikan? Jo domosdoshmërisht. Pushteti është aftësi për të ndikuar te të tjerët me qëllim të përmbushjes së qëllimeve vetjake dhe, në këtë drejtim, shfaqen tre rrugë: përmes trysnisë (shkopinjtë), përmes pagesës (karrotat) dhe përmes tërheqjes ose bindjes. Shkopinjtë dhe karrotat janë forma të pushtetit të fortë, kurse tërheqja dhe bindja quhen pushtet i butë. (Pajaziti, 2019)
Të gjitha këto dimensione të pushtetit janë të rëndësishme, ndaj dhe kjo është arsyeja se përse nuk mjafton vetëm pushteti ekonomik për ta përkufizuar shekullin amerikan. Për shembull, kur Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia më e madhe ekonomike në fund të shek. XIX, nuk trajtoheshin si një lojtar madhor në ekuilibrin global të forcave, derisa presidentët Theodore Roosevelt dhe Woodrow Wilson investuan pjesë nga fuqia ekonomike në burime ushtarake. Për më tepër, qoftë edhe kur një shtet zotëron burime të mëdha fuqie, ai prapëseprapë mund të ketë aftësi të dobëta për transformimin e fuqisë, ashtu siç tregoi vetë Amerika në vitet 1930-të, kur ishte ekonomia më e fuqishme, ndërkohë që ndiqte një politikë izolacioniste. Atëherë kur Kina t’ia ketë kaluar Amerikës në vëllimin e përgjithshëm ekonomik, ne nuk do të dëshmojmë automatikisht fundin e shekullit amerikan nëse kemi parasysh tre dimensionet: atë ekonomik, ushtarak dhe pushtetin e butë.
Nga viti 1945 deri në vitin 1991, ekuilibri botëror i pushtetit është etiketuar si bipolar, me dy superfuqi që qëndronin mbi të gjithë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kanë pasur një hise të shpërpjesëtuar për sa u takon burimeve të fuqisë, sferave të aleancës së ndikimit dhe kanë qenë vazhdimisht në garë për të kryesuar në botën e të papërfshirëve. Dy gjigantët konkurronin për armatimet bërthamore duke ekuilibruar fuqinë e njëri-tjetrit. Por, pas rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989, dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (kryesisht për shkak të arsyeve të brendshme), në vitin 1991, Shtetet e Bashkuara u shndërruan në superfuqinë e vetme botërore.
Ndonëse terminologjia është e pavend, teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare e shënjuan botën si “unipolare”. Dikush mund të thotë se viti 1991 është pikënisja e tretë e mundshme e shekullit amerikan, kohë kur Amerika u bë kombi i vetëm i aftë për të ushtruar fuqi ushtarake në shkallë globale. Përmasa e marinës amerikane ishte e barabartë me shtatëmbëdhjetë të tjerat që vinin pas saj të marra së bashku; forcat ajrore amerikane ishin superiore. Amerika u bë prijëse në hapësirë dhe në kibernetikë. Buxheti ushtarak amerikan ishte pothuajse sa gjysma e buxhetit të të gjithë botës. Në të tilla rrethana ishte shumë e vështirë për shtetet e tjera që të formonin koalicione që do të mund të ekuilibronin fuqinë ushtarake amerikane.
Nye konstaton fare shkoqur se ndonëse sistemi ekonomik i këtij gjiganti “është subjekt i një kalbjeje të konsiderueshme”, ndonëse po përballet me çështjen e lidershipit të dobët, me atë të kujdesit shëndetësor, të marrëdhënieve racore, me imigracionin (Gallup, 2019), me një shkallë të lartë krimi, aksidentesh, me ndotjen që shkakton shi acidik, me obezitetin, me abortin, alkoolin dhe duhanin, Amerika vazhdon të udhëheqë në shumë sektorë të rinj që do të jenë kritikë në këtë shekull, si teknologjitë e informacionit, bioteknologjia dhe nanoteknologjia.
SHBA ndoshta nuk do të jetë një vend hegjemon, ama do të mbetet lider, por lidershipi nuk është si dominimi. Amerika nuk do të superohet as nga Kina, që së bashku përbëjnë dy të mëdhenjtë, ose “G-2” (Gurtov, 2017), as nga Rusia, as nga Europa e Bashkuar dhe as nga shtete të tjera që po ngjiten shpejt në piramidën planetare. Me një fjalë, shekulli amerikan nuk po cenohet. Gjasat për fundin e Amerikës janë shumë të vogla – konstaton Nye. Megjithatë, amerikocentrizmi shkon duke u relativizuar.
Drejt “Pax Multipolaris” apo sovranëve të barabartë
Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 shënoi kulmin e dominimit amerikan, i cili shpesh quhet si “momenti unipolar”, ku SHBA-ja qëndronte si e vetmja “hiperfuqi” në botë. Termi “hiperfuqi” (hyperpuissance), i krijuar nga ish-ministri i jashtëm francez Hubert Védrine, shkon përtej termit “superfuqi”. Ai përshkruan dominimin në të gjitha sferat.
Një nga tiparet e qeverisjes globale amerikane janë ambiciet e tepruara “perandorake” është imperial overstretch. Rasti i fundit i Venezuelës dhe fërkimet rreth Grenlandës flasin për një trumpizëm që përmes “America First” kërkon dominimin ndaj rivalëve dhe udhëheq një diplomaci të logjikës së pazarit (Real Estate Diplomacy). Rënia e Pax Americana mund të çojë drejt një rendi botëror më të fragmentuar, deri te ajo që Daniel Araya e ka quajtur Pax Multipolaris, paqja shumëpolëshe. Kjo gjendje mund të ofrojë mundësi për shtete si Kina, Rusia, India, që të shfaqen si aktorë globalë “më të përgjegjshëm”, duke kontribuar në formësimin e një sistemi ndërkombëtar më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë. Këtë të fundit e kërkon me ngulm edhe presidenti turk Erdoğan.
Leonid Savin (2020) në veprën e tij Ordo Pluriversalis: Fundi i Pax Americana dhe ngritja e multipolaritetit përpiqet të dëshmojë shuarjen e rendit botëror unipolar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe të modelit të tij shoqërues liberal-globalist të menaxhimit planetar. Rendi global po kalon një transformim të thellë, i shënuar nga largimi prej unipolaritetit amerikan drejt një epoke të re të përcaktuar nga rivaliteti shumëpolar. Ordo Pluriversalis ose rendi i shumëbotshëm i referohet një rendi botëror ku nuk ekziston një qendër e vetme hegjemone dhe bashkëjetojnë shumë vizione, qytetërime, modele politike e kulturore. Kina mbron një botë të sovranëve të barabartë (sovereign equals).
“Ndryshe nga siguritë institucionale të rendit të Bretton Woods, sistemi shumëpolar i sotëm qeveriset nga spektri i kolapsit të njëpasnjëshëm – pikat kritike të klimës, përhapja bërthamore, thyerja teknologjike dhe kërcënimi i luftës mes fuqive të mëdha. Rezultati nuk është një rend global harmonie, por një menaxhim i vazhdueshëm rreziku — i mbajtur i bashkuar më pak nga rreshtimi ideologjik sesa nga njohja pragmatike se bashkëpunimi, sado i kufizuar apo transaksional, është alternativa e vetme ndaj katastrofës. Këto rreziqe nuk e eliminojnë konkurrencën gjeopolitike, as nuk e zbutin rivalitetin ekonomik. Përkundrazi, ato vendosin kufij mbi fushëveprimin e luftës shumëpolare, pasi kostot e konfliktit të pakontrolluar rriten deri në nivelin e rrezikut ekzistencial”. Më shumë se një rishpërndarje e pushtetit, Pax Multipolaris nënkupton një ripërcaktim të mënyrës se si operon pushteti përmes vijave civilizuese, ideologjike dhe teknologjike të kontrollit. Nën Pax Multipolaris, asnjë fuqi e vetme nuk i vendos rregullat. Përkundrazi, paqja formësohet përmes parandalimit ushtarak dhe kërcënimit të përbashkët të zhdukjes globale. (Araya, 2025)
Amerikanofobia, amerikanofilia dhe shqiptarët
Amerika si një superfuqi, nga shumë qarqe, për shkaqe të ndryshme shihet me sy negativ dhe urrehet. Kjo ndjenjë shprehet përmes termit amerikanofobia që për herë të parë është përdorur në vitin 1841. New York Times-i qysh në vitin 1913 pyeste “Pse nuk na duan?” Fjalën e kishte për kanadezët, Dhe, Times-i mendonte se e kishte përgjigjen: “armiqësi e paarsyeshme” dhe “xhelozi”. Nuk ishte hera e parë që gazeta përpiqej t’u shpjegonte lexuesve të saj të habitur pse kishte rritje të pakënaqësisë jashtë vendit ndaj asaj që shumë e konsideronin si “vendi më i mirë në botë”. Në vitin 1899, editoriali i Times me titull “Pse na urrejnë” pohoi se armiqësia e huaj qëndronte te “zilia” (envy) për “suksesin politik, social dhe industrial” të Vendit të Ëndrrave (dreamland). Kjo pyetje do të bëhej përsëri dhe përsëri gjatë rrjedhës së shekullit të njëzetë, dhe çdoherë gjëegjëza zgjidhej me proklamimin rregullues se fajet i kishin të huajt (veset e tyre), ndërsa Amerika kishte virtytet. (Friedman, 2012)
Një shekull më vonë, pas sulmeve të 11 shtatorit pyetjen e njëjtë e shtroi presidenti George W. Bush në një fjalim drejtuar Kongresit, kombit dhe botës. Ai menjëherë e dha përgjigjen e tij: “ata i urrejnë liritë tona”. Kjo u pasua nga një valë hetimesh – zyrtare, gazetareske dhe akademike – mbi fenomenin shqetësues të antiamerikanizmit. Që nga ajo ditë fatkeqe e vitit 2001, më shumë se 6 000 artikuj gazetash i janë referuar “antiamerikanizmit. (op.cit.)
Antiamerikanizmi ka shënuar një rritje të dukshme gjatë “Epokës Trump”, i nxitur nga politikat ‘Amerika e Para’ (America First) dhe retorika personale e administratës, të cilat u perceptuan nga shumë kombe si armiqësore, të paparashikueshme dhe nacionaliste. Megjithëse ndjenja antiamerikane është një forcë globale e përsëritur, periudha 2017–2021, dhe rishfaqja e këtyre politikave rreth vitit 2025, shkaktuan një rënie të ndjeshme të pikëpamjeve favorizuese ndaj SHBA-së midis aleatëve të saj tradicionalë. Gjenocidi izraelit i dy viteve e ca në Gaza, mbështetur nga SHBA-ja ka prodhuar një antiamerikanizëm gjithandej në botë, në veçanti në botën islame dhe te myslimanët. Shumica e aleatëve e shohin Amerikën si një partner të besueshëm, “por jo më si një model për demokracinë. Vetëm 17 për qind, sipas sondazhit të Pew Research Center, thonë se SHBA-ja është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga vendet e tjera. Dikur kjo shifër ishte 57 për qind.” (Time, 2024)
Nëse shqiptarët duhet të falënderojnë dikë për ekzistencën e tyre në periudhën post-otomane, janë Austria që menaxhoi krijimin e Shqipërisë dhe SHBA-ja që e mbrojtën dhe e vunë në binarët ndërkombëtarë Kosovën. Për interesa ose për ideale, kjo është çështje diskutimi tjetër, por ama e vërteta është kjo. Në veçanti pa ndërmarrjen amerikane s’do të kishte Kosovë. Kjo i bën shqiptarët borxhlinj që të jenë mirënjohës ndaj kësaj superfuqie, gjë të cilën edhe e tregojnë sondazhet dhe studimet e shumta që pasqyrojnë shifra si të tabelës së mëposhtme:
Proamerikanizmi me shifra sipas Gallup 2025
| Kosova | ~82% | Konsistente si vendi më pro-amerikan në botë. |
| Shqipëria | 64% – 80% | Lider në Europë, pavarësisht luhatjeve të vogla. |
| Polonia | 68% | Mbështetje e lartë për shkak të sigurisë ndaj Rusisë. |
| Gjermania | ~21% | Rënie e ndjeshme vitet e fundit. |
Ky fakt, megjithatë, nuk do të thotë që shqiptarët duhet të kalojnë në in extremis, të “robërojnë” symbyllazi ndaj një imperiumi (Zakaria). Amerika është aq e madhe, saqë s’varet nga filia jonë për të. Konformizmi 100 për qind është një pasqyrë jo e mirë për një komunitet, flet për totalizëm psikologjik dhe mendor.
Si përfundim mund të themi se aktualisht një botë pa Amerikën e fuqishme do të ishte një “sallamadi (anarki) globale”, një gjendje e çrregullimit të ri global dhe rreziqe të shumta për kauzën shqiptare në një Ballkan turbulent si gjatë historisë ashtu edhe dekadave të fundit, kur u vërtetua teza se kjo gjeografi për shumë shkaqe s’mund të menaxhohet vetë apo vetëm nga aktorët ballkanikë. Ndërkohë duhet shmangur sentimentin oksidentalist radikal – ose, thënë më drejt, “islamofobik”, që në emër të një pro-amerikanizmi apo Euro-filie imagjinare tjetrizon dhe orientalizon pjesën dërrmuese të shqiptarisë, pjesëtarët e proviniencës myslimane, duke i cilësuar ata si pengesë për modernizimin dhe progresin e shqiptarisë. A ka qarqe antiamerikane brenda shqiptarëve? Si në çdo vend dhe popull tjetër të botës, ka, por kjo nuk është pasqyrë gjenerale e perceptimit dhe sentimentit pan-shqiptar kundruall SHBA-ve. Interes i shqiptarëve është që të jenë me atë që i ka mbrojtur, por gjithnjë duhet të jenë gati edhe për skenarë të mundshëm, duke pasur parasysh faktin se në politikë nuk ka dashuri platonike. Ata për ditë të zeza mund të shpresojnë edhe në një proxy-shtet i SHBA-ve, siç disa e quajnë Turqinë, që paraqet një forcë që frikëson “fqinjët e shqiptarëve” që presin në çdo anë të sofrës për të gllabëruar nga trojet tona.
Pas Pax Ottomana-s shqiptarët kanë përjetuar edhe Pax (Yugo) Slavica-n edhe vetëmbylljen moniste që u kanë sjellë dekada sterrë. Me Pax Eropeana-n post-1990 pa intervencionizmin amerikan do të ishim në baltë, vetëm me një shtet, Shqipërinë, dhe atë kush e di çfarë. Sot statusin e kemi shumë më të mirë sesa në 100 vitet e kaluara; e ardhmja varet nga ne, sa do të punojmë, ç’imazh do të ndërtojmë, si do të pozicionohemi dhe në ç’mënyrë do t’i lexojmë kontekstet e reja që do t’i sjellë shekulli aktual plot sfida dhe pikëpyetje.









