loader image
January 29, 2026

Piedestali mbeti

Prej zorit e jo me vullnet, për shkak të metastazave që trupi i regjimit nuk po i përballonte ma, sigurisht edhe për shkak të ndryshime ndërkombëtare me ranien e Murit të Berlinit, pas zgjedhjeve të viti 1992, që i fitoi Partia Demokratike, partia komuniste (PPSH) e veshi kostumin e Partisë Socialiste (PS) dhe u “tërhoq” butë për me i hapë rrugë përshtatjes së pashmangshme me kohën, përshtatje në të cilën kishte siguru protagonizmin e njerëzve të saj, domethanë vazhdimësinë.

Edison ÇERAJ, Tiranë  

Ra statuja e Enverit, por piedestali mbeti, dhe piedestali vazhdon me qenë aktiv. Rrëzimi i shtatores ishte simbolikë: u vra frika, kaq, gja që përban themelin e çlirimit nga e keqja, por nuk mjafton.

Thuhet se që ndryshimi i nji pushteti/regjimi shtypës të jetë i vërtetë, duhet me e rrëzu, jo me ra vetë.

Nëse ndodh kjo e fundit, ndryshimi mbetet vetëm de jure, ndërsa de facto pushtetin vazhdojnë ta kenë po të njajtët.

Kur nji pjesë e madhe njerëzish ndërgjegjësohen dhe nisin me hedhë hapa konkretë e të vazhdueshëm për rrëzimin e nji pushteti tiranik dhe e arrijnë qëllimin, atëherë ndryshimi është i vërtetë, qoftë edhe kur frytet e këtij ndryshimi janë të ngadalta, se kjo varet prej damit që ka lanë mbrapa pushteti i rrëzuar.

Nga ana tjetër, kur ky pushtet bjen vetë, për shkak të kalbëzimit të brendshëm, – që është i pashmangshëm – atëherë gjasat janë të mëdha që ndryshimi të jetë vetëm fasadë: pasardhësit e vazhdojnë pushtetin e etërve të tyre, biologjikë apo ideologjikë qofshin.

Të paktën deri tash, nuk mund të ketë nji përgjigje të prerë se cili prej këtyre varianteve ka ndodhë në Shqipëri në vitet 1990-91.

Sëmundja ma e madhe që e mban peng Shqipërinë është se ndryshimet, përgjithësisht, u morën përsipër prej asaj elite (jo vetëm politike), e cila ishte fundekrye pjellë e regjimit komunist.

Pra, prej zorit e jo me vullnet, për shkak të metastazave që trupi i regjimit nuk po i përballonte ma, sigurisht edhe për shkak të ndryshime ndërkombëtare me ranien e Murit të Berlinit, pas zgjedhjeve të viti 1992, që i fitoi Partia Demokratike, partia komuniste (PPSH) e veshi kostumin e Partisë Socialiste (PS) dhe u “tërhoq” butë për me i hapë rrugë përshtatjes së pashmangshme me kohën, përshtatje në të cilën kishte siguru protagonizmin e njerëzve të saj, domethanë vazhdimësinë.

E pavarësisht kësaj, pushteti i tyre nuk ishte ma si ma përpara dhe, për rrjedhojë, disa ndryshime nisën nji rrugë të pakthyeshme.

Njeriu i ri 

Njeriu i ri është trashëgimia ma e keqe që la mbrapa ideologjia komuniste.

Ajo çka e shquan ma shumë këtë qenie që nxori laboratori i regjimit është se nuk ka asgja të shenjtë për të; se çdo gja mund të shfrytëzohet e të përdoret për pushtet.

Pushteti është çdo gja për të, sepse pa pushtetin ai nuk është asgja.

Për pushtetin, njeriu i ri është i gatshëm me sakrifiku gjithçka, edhe familjarët nëse ia lyp misioni.

“Avantazhi” i tij kryesor është se, për të, qëllimi e justifikon mjetin. Pra, ai nuk ka besë. Si rrjedhojë, njeriu i ri nuk ka as turp. I vetmi turp, sipas tij, është me pas turp.

Ai shkel çdo gja, mjafton që këto shkelje të jenë shkallë për ma shumë pushtet.

Kështu ai është edhe banal; i destinuar me qenë banal, deri në atë pikë sa banalitetin e kthen në “filozofi”, në stil jetese. Sa herë përballet me të bukurën, me fisnikërinë, vuan përbrenda, vrenjtet, xhindoset, dhe nëse mundet, e prish dhe e zhduk atë. Mjafton me pa estetikën sterile të realizimit socialist dhe, përgjithësisht, zhdukjen e trashëgimisë kulturore, të cilën e zëvendësuan me nji madhështi fantazmagorike, standardizuese, shtypëse.

Që të kishte sukses projekti i njeriut të ri, duhej që edhe mjedisi përreth të ishte i ri.

“Njeriu i ri” është armik i njeriut, po aq edhe ndonji “njeri i vjetër”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X