Ne besuam se do të kishim nxjerrë mjaftueshëm mësime nga e kaluara nën një regjim tiranik, ku njeriu humbi qenien e vet dhe u tjetërsua i mbërthyer nga tutela ideologjike komuniste, por rrjedha e mëpasme e ngjarjeve tregoi se ligësia e pragmatizmit ishte më efektive se besimi tek idealizmi demokratik.
Shkruan: Nuredin NAZARKO, Tiranë
Goditjen e efektit domino në shembjen e regjimeve komuniste nga Moska në Beograd nuk mund të mos e ndjente regjimi komunist i Tiranës. Erëra të reja po frynin në arenën ndërkombëtare. Një realitet i ri po konfigurohej. Tirana zyrtare ishte e shqetësuar. Pushtetit tiranik, të ushtruar në emër të popullit dhe të cilësuar si demokraci popullore, po i mbaronte oksigjeni. Kazani po ziente. Demonstratat, fillimisht me kërkesa ekonomike dhe më pas politike, nuk mund të ndaleshin më. Gjëmuan thirrjet “Liri – Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Enver – Hitler” etj. Ishte zëri i atyre që kishin vuajtur nën diktatin e dhunës dhe terrorit të kuq në Shqipërinë e rrethuar me klon, ku thyenin kokën armiqtë e brendshëm e të jashtëm sipas propagandës së kohës.
Kupola ishte vënë në vështirësi. Sundimi gati gjysmë shekullor po i rrëshqiste nga duart. Në rrethanat e krijuara nuk mendohej më për ruajtjen e sundimit, por për vazhdimësinë e tij sipas gjendjes së re. Ishte një operacion i vështirë, por duhej kryer. Shumë nga kupola ishin kundër lëshimeve, por të tjerë panë një mundësi aty ku të indoktrinuarit nuk shihnin. Do pranonin realitetin e ri, por brenda këtij realiteti të ri do të ruanin mbizotërimin, politik, ekonomik, kulturor, shoqëror. Për të shtensionuar situatën ndodhën: hyrja në ambasadat e huaja (korrik 1990), rrëzimi i bustit të diktatorit (shkurt 1991), eksodi i marsit (1991), hapja e kufijve tokësorë. Ishin këto valvula shkarkimi, që regjimi, që po përpëlitej në një proces të thellë metamorfoze, i përdori për të larguar nga Shqipëria një masë të mirë njerëzish që mund të përballeshin edhe më fort me diktaturën që nuk shihte më mundësi për të qëndruar si shkëmb graniti buzë Adriatikut.
Shqipëria u kthye në demokraci liberale. Jo pa vështirësi, u lejua pluralizmi politik, u kalua në sistemin ekonomik të sipërmarrjes së lirë private, u hapën kufijtë dhe shqiptarët besuan se vuajtjeve të tyre gati gjysmëshekullore u kishte ardhur fundi. Shqipëria kishte hyrë në një rrugë pa kthim drejt proceseve demokratizuese. Por, a ishte gati pushteti i marrë me dhunë e terror nën maskën e demokracisë popullore ku njerëzit do hanin me lugë floriri (që nga 1944 e më pas), të lëshonte pe dhe të lejonte ata që deri dje me luftën e klasave i kishte burgosur e internuar, duke iu kishte hequr edhe të drejtën e shkollimit të merrnin pjesë nga pushteti që po gremisej në honet e historisë? A po zbutej lufta e klasave për të lejuar depërtimin në nivele të larta të pushtetit politik në instancat e reja shtetërore të atyre që deri dje cilësoheshin si armiq të klasës dhe pushtetit popullor? A kishte hyrë vërtetë Shqipëria në një proces demokratizimi të mirëfilltë apo duke ruajtur maskën demokratizuese në kapilarët e pushtetit qarkullonte sërish e njëjta frymë, e njëjta mendësi?
Ndryshimet janë të vështira. Nuk realizohen sa hap e mbyll sytë edhe pse dëshira e njerëzve mund të jetë e tillë. Ideologji, si komunizmi enverist, në variantin shqiptar, vendosur me përdhunë e terror, ashtu siç mori kohë për t’u kapilarizuar në shoqërinë shqiptare, ashtu do të marrë kohë për t’u tërhequr nga dominimi në institucionet shtetërore dhe mendësinë e njerëzve në jetën private e publike.
Ne besuam se do të kishim nxjerrë mjaftueshëm mësime nga e kaluara nën një regjim tiranik, ku njeriu humbi qenien e vet dhe u tjetërsua i mbërthyer nga tutela ideologjike komuniste, por rrjedha e mëpasme e ngjarjeve tregoi se ligësia e pragmatizmit ishte më efektive se besimi tek idealizmi demokratik.
Çfarë e vështirëson demokratizimin e Shqipërisë, dekomunistizimin e saj.
Ligji 7501
Prona nuk u kthye më tek pronarët legjitimë. Ndarja e tokës në mënyrë të barabartë për frymë minoi një nga shtyllat e demokracisë, pronën private dhe paprekshmërinë e saj. Kujtojmë se regjimi komunist ushqeu një urrejtje të tërbuar ndaj njerëzve të pasur, borgjezisë, pronarëve të tokave, njerëzve që me punë e sakrificë ishin pasuruar ndër vite para 1944. Duke i cilësuar si klasë potencialisht armike, kupola nuk mund të lejonte rikthimin e pronës tek kulakët, sepse pronë do të thotë fuqi, ndërsa fuqia do të thotë pushtet. A do të mund ta bënte kupola këtë gabim ideologjik? Kalvari për kompesimin e ish-pronarëve, term aspak i drejtë, vazhdon.
Ligji i lustracionit, mungesa e tij qysh në nisjen e proceseve demokratike
Mungesa e një ligji të plotë lustracioni dhe efektiv bëri të mundur që shumë ish-funksionarë të regjimit komunist të zinin vend në partitë politike, institucionet ku kishin qenë para 1991, të përqendronin në duart e tyre sektorët kyç të ekonomisë, të dominonin jetën kulturore e shoqërore, ca duke kritikuar regjimin e kaluar, ca duke larë duart si ponc Pilati, e ca duke u justifikuar se ashtu ishte koha e nuk kishin ç’bënin, ndërsa ca të tjerë edhe duke kritikuar anët problematike të kapitalizmit. Depërtimi i ish funksionarëve të regjimit komunist në institucionet e brishta demokratike bëri që fryma nën të cilën ata ishin rritur e edukuar të gjallonte në rrethana të reja dhe institucionet shtetërore të ishin sërish domeni i tyre.
Intelektualët, palë me regjimin komunist
Intelektualët që i krijoi regjimi komunist, duke u dhënë të drejtën e shkollimit, bursa studimi për në ish vendet komuniste, privilegjet e kohës, bëri që kjo klasë e dalë prej regjimit dhe e ushqyer e rritur prej tij, të mbante anën e regjimit si dhe të ruante dominimin e saj në jetën akademike, universitare, artistike, shkencore edhe pas ndryshimeve demokratike nëse i cilësojmë të tilla. Hapësira për të persekutuarit e djeshëm ishte tepër e ngushtë në sistemin demokratik. Të shkolluarit nga pasardhësit e tyre e kanë të vështirë të gjejnë vend në një hapësirë që kontrollohet nga dinastitë intelektuale të së shkuarës.
Frika
Frika për të nesërmen. Frika për bukën e gojës. Frika për vendin e punës. Të jetuarit nën frikë të vazhdueshme i detyron njerëzit që edhe kur të kenë të drejtë të heshtin përballë autoritetit që shkakton padrejtësinë nga frika e persekutimit. Të jetuarit nën frikë e nënshtron njeriun dhe e mpak energjinë për rebelim kundër arbitraritetit të pushtetit. Sot nuk ka më nen 55, por fryma e tij gjallon. Forca imponuese e instancave në hierarkinë institucionale të shtetit ndihet kudo, paçka se janë apo jo të drejta vendimet, udhëzimet, urdhërat apo ligjet që miratohen lart. Edhe pse sot të drejtat e njeriut mbrohen me ligj, frika e trashëguar nga persekutimi në të kaluarën është ende prezente. Pushtetarët me tunikë demokratike e njohin lojën dhe nuk ngurrojnë të përdorin edhe kërbaçin edhe kulaçin sipas nevojave e rrethanave.
Kapilarizim i korrupsionit
Korrupsioni moral është korrupsioni më i rrezikshëm. Komunizmi enverist e korruptoi moralisht njeriun e ri dhe prej këtij projekti dolën me mijëra krijesa që vazhdojnë, pa u ndalur as nga ligjet morale e as nga ligjet shtetërore, të dhunojnë instititucionet demokratike të shtetit të së drejtës, duke i kthyer nga shërbim për qytetarin në shërbim personal ose në shërbim të klikës. Korrupsioni masiv dhe galopant ka gjetur strehë deri në kapilarët më të hollë institucionalë, duke u bërë pengesë serioze në proceset demokratike. Cili është ai i korruptuar që ndërton një shtet të së drejtës? Një shtet që u shërben qytetarëve? Kapilarizimi i korrupsionit mbetet një instrument që e paralizon konsolidimin e institucioneve demokratike dhe u jep mundësinë atyre që janë brenda institucioneve e që menaxhojnë paratë e taksapguesve ose kreditë e marra për investime, të zhvatin sa të jetë e mundur. Cilët janë ata që dominojnë më shumicë insitucionet? A lidhen ata me fije të së shkuarës dhe a janë aty për shkak të këtyre lidhjeve apo zotësisë e profesionalizmit?
Propaganda
Klasa politike vazhdon të ushtrojë propagandë të fortë si në pozitë ashtu dhe në opozitë. Qëllimi i propagandës gjatë regjimit komunist ishte të shtrembëronte me vetëdije realitetin, të shpifte e të gënjente pa u skuqur e zverdhur, të indoktrinonte njerëzit që të besonin se ajo çfarë del nga altoparlantët e pushtetit është e vërteta e vetme që duhet besuar. Edhe në terrenin demokratik propaganda vazhdon me të gjitha mjetet teknologjike duke ndërtuar një realitet masmedial shumë larg realitetit që prekin njerëzit çdo ditë. Duke e njohur mirë fuqinë e propagandës dhe paaftësinë e shumicës për ta analizuar kthjellët, vetëm se e shumëfishojnë dhe zbukurojnë sa të mundin që të mbulojnë trashëgiminë biologjike dhe ideologjike të së kaluarës enveriste me qëllim që të duken si kalorës sojlinj të demokracisë perëndimore.
Vështirësimi i jetesës
Natyra brutale, kontrolluese, terrorizuese e regjimit komunist e vështirësoi jetën ndjeshëm. Jeta nuk është e vështirë vetëm kur ka varfëri ekonomike. Ajo është më e vështirë kur mungon liria, kur mungon respekti ndaj qenies njerëzore, kur mungon ajri që të bën të jetosh i çliruar nga frika e përndjekjes së pushtetit në rast se guxon të besosh në principe që nuk janë korrekte ideologjikisht. Në periudhën postkomuniste natyrisht që kemi ndryshime, por këto ndryshime nuk janë reflektuar si duhet në përmirësimin e standardeve jetësore, duke e bërë jetën të vështirë. Ëndrra e jetës amerikane në tokën shqiptare është kthyer në zhgjëndërr. Njerëzit vazhdojnë të largohen nga Shqipëria më shumë edhe se sa në fillet e demokracisë, duke demonstruar heshturazi zhgënjimin me qeverisjen e zbukuruar me propagandë. Për propagandën zyrtare, pavarësisht qeverive që vijnë e ikin, vendi ecën me hapa të mëdhenj zhvillimi, ndërkohë jeta bëhet më e shtrenjtë dhe të ardhurat rriten me ritmin e breshkës. Kjo gjendje ka bërë që një përqindje e konsiderueshme e popullsisë të jetojë në kushtet e varfërisë, një pjesë tjetër mezi mbyll shpenzimet mujore e një pjesë tjetër, e lidhur me pushtetin politik të 35 viteve demokraci, noton në luks të pajustifikuar nga të ardhurat prej punëve që deklarojnë zyrtarisht. Në vend të zgjedhin përballjen, njerëzit zgjedhin ose pajtimin me realitetin e krijuar ose largimin. Ata që guxojnë, cilësohen aventurierë, të blerë e të shitur për të mos lejuar që jeta e vështirë të shërbejë si shkëndijë e dhënies hov mbështetjes për forca politike të reja e serioze, por të shërbejë si instrument që forcon sundimin qeverive mbi popullin.
Nepotizmi vs meritokracia
Lidhjet e së shkuarës nuk humbën. Ato vetëm sa u ridimensionuan dhe njëkohësisht imponuan të njëjtën logjikë funksionimi edhe në erën postkomuniste. Kushdo që gëzoi privilegje, poste, shkolla që vlenin u mundua t’ua kalonte stafetën fëmijëve, rrethit farefisnor, krushqive, miqësive. Rrathët koncentrikë të nepotizmit nuk linin hapësira kur bëhej fjalë për dominancë në sferat e larta të institucioneve politike, ekonomike, kulturore. Dominimi në këto sfera shihej si ekskluzivitet i ish shtresës që dominoi regjimin komunist, shtresë e cila konsideron edhe sot e kësaj dite të huaj këdo që nuk është politikisht korrekt. Meritokracia është vetëm për konsum propagandistik ose kur vërtet duhet dikush i aftë që ta kryejë punën siç duhet. Sektorët më jetikë të shtetit kontrollohen politikisht, përmes punësimeve me rekomandime, korrupsionit, lidhjeve nepotike. Demokracia nuk mund të jetë funksionale kur meritokracia që duhet të jetë prioriteti numër një, duke nisur që nga partitë politike e me radhë, praktikisht është e fundit në listën e prioriteteve. A mund të ndërtojnë një sistem meritokratik ata që e dinë se mbahen në poste ngaqë janë politikisht korrektë? Prandaj, edhe kur diskutohet për meritokraci, diskutimi bëhet bajat, sepse realiteti flet ndryshe.
Demokratizimi ka ecur, por nuk ka funksionuar siç duhet dhe nuk ka për të funksionuar siç duhet përderisa fryma e enverizmit të mbajë mbërthyer mendësinë e atyre që janë brenda institucioneve shtetërore. Për të thelluar procesin e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, duhen përpjekje të mëdha për ta ndryshuar mendësinë e brezave të rinj ose të presim që koha ta bëjë të veten, duke i larguar një nga një nga skena puthadorët e enverizmit.









