loader image
January 12, 2026

Meqë nuk ndodhi dekomunistizimi, vazhdon të mbijetojë çmoralizimi

Konstruktet antishqiptare të ndryshme nuk është e vështirë të lancohen brenda këtij realiteti shqiptar, ku mungon program kombëtar, mungon bashkëpunimi, mungon edhe vullneti për bashkëpunim. Pra, projektet antishqiptare janë edhe produkte të dobësive tona e jo vetëm i fuqisë a mençurisë së armiqve tanë.

Milazim KRASNIQI, Prishtinë  

Komunizmi ka ardhur në botën shqiptare si pasojë e imunitetit të dobët kombëtar dhe për gjysmë shekulli e ka dëmtuar edhe më shumë indin e kombëtarizmit. Pas rënies së komunizmit në mbarë Europën Lindore e në ish BRSS, ndër shqiptarë nuk ndodhi procesi i dekomunistizimit. Nuk u dënuan krimet e komunizmit, nuk u hapën dosjet e spiunëve (sidomos jo në Kosovë), e nuk u rishikua historia dhe nuk u dekontaminuan as programet arsimore. Pra, komunizmi ka rënë, por pasojat e tij vazhdojnë në tërë hapësirat ku jetojmë ne shqiptarët në Ballkan. Mbase ia vlen një rikthim në retrospektivë që të shihen përpjekjet e hershme për të shpëtuar nga kthetrat e komunizmit e të robërisë, për të kuptuar më qartë se mbetja e atyre përpjekjeve në tentativë, ka krijuar klimën për projektet e reja antikombëtare, që esencialisht janë vazhdimësi e ideologjisë dhe mendësisë antikombëtare të lënë trashëgimi nga komunizmi.

Në këtë kontekst, duhet të thuhet se kriza e ish RSFJ-së nxiti në Kosovë e në viset e tjera shqiptare një lëvizje antikomuniste, demokratike e cila aspironte bashkëngjitjen e shqiptarëve në sferën atlantike. LDK-ja, në Kosovë, ishte bartësja kryesore e atij procesi. LDK-ja ndikoi edhe të shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi. (Ibrahim Rugova, Nevzat Halili, Riza Halimi e Mehmet Bardhi ishin liderët e rinj dhe të ardhur nga një proces koordinimi brendashqiptar.) Edhe pse autonomia e Kosovës u abrogua nga Serbia në vitin 1989 dhe Kosova ra në okupim klasik më 5 korrik 1990, lëvizja për demokraci e pavarësi vazhdoi të jetë aktive. Për të gjetur përgjigje për dilemat e reja që u shfaqen për fatet e shqiptarëve në ish Jugosllavi, u formua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, i cili miratoi dokumentin e rëndësishëm “Tri opcionet”, një shembull i rrallë i koordinimit të plotë ndër shqiptarë. Në atë dokument parashihej që të formohej Republika e Kosovës, nëse nuk ndryshonin kufijtë e brendshëm të RFSJ-së, Republika e Shqiptarëve në Jugosllavi, nëse ndryshonin kufijtë e brendshëm të republikave e krahinave ekzistuese, ose bashkimi me Shqipërinë, nëse ndryshonin kufijtë e jashtëm të federatës. Në rrethanat e okupimit dhe të luftës që kishte filluar në pjesën veriore të ish federatës jugosllave, ai koordinim ishte domethënës, sado që nuk kishte ndonjë ndikim konkret në zhvillimet që pasuan, në rend të parë për mungesë të komponentës ushtarake tek ne shqiptarët, pasi me eliminimin e autonomisë ishte eliminuar edhe Mbrojtja Territoriale, një komponentë gjysmë ushtarake, e cila në luftën sllovene ia dha Sllovenisë fitoren në konflikt me armatën jugosllave.

Lëvizja e dhjetorit 1990 në Shqipëri solli dinamikë të re në skenën kombëtare. Rënia e stalinizmit shqiptar dha impulse për bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve në realitetet e reja gjeokulturore e gjeopolitike, ku Perëndimi po merrte terren. Ndikimi i Kosovës në nxitjen e asaj lëvizjeje nuk është shumë i qartë, por me gjasë ka ekzistuar, e pakta në aspektin psikologjik e propagandistik. Fitorja e demokracisë në Shqipëri, nuk solli dekomunistizimin e shoqërisë e as të politikës.

Nga ana tjetër, ngjarjet në ish Jugosllavi, sidomos agresioni serb në Slloveni e Kroaci, nxiti veprime të shpejta edhe në Kosovë, sikundër ishte referendumi për pavarësinë e Kosovës në shtator 1991. Referendumi ishte më shumë i koordinuar me veprimet që u bënë në Slloveni e në Kroaci sesa me ndonjë koordinim brendashqiptar. Zgjedhjet parlamentare në mars të vitit 1992 në Shqipëri dhe zgjedhjet parlamentare e presidenciale në maj 1992 në Kosovë, e krijuan një realitet të ri, ku raportet Kosovë-Shqipëri duhej të shiheshin si raporte ndërshtetërore. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi, faktikisht u lanë në fatin e vet. U la mënjanë platforma e Këshillit Koordinues të Partive Shqiptare, ndoshta edhe nën ndikimin e raportit të Badenterit, i cili në dhjetor në vitit 1991 e konstatoi procesin e dezintegrimit të Jugosllavisë, por pa prekur kufijtë e republikave ekzistuese, gjë që nënkuptonte se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Serbi do të mbeteshin brenda atyre republikave të pavarura.

Forcimi i pushtetit në Berishës në Tiranë filloi të reflektohej si sjellje paternaliste ndaj Kosovës e sidomos ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Pati një tentim për armatosje, i cili u zbulua e u kompromentua, duke sjellë pasoja në organizimin politik shqiptar. Atje u provokua pastaj fraksionimi i Partisë për Prosperitet Demokratik e prej saj doli Partia Demokratike Shqiptare e Arben Xhaferit, e cila në fillimet e saj ishte e afërt me Berishën, ndërsa më vonë u afrua me Partinë Socialiste. Në vitin 1996 pati një tentativë nga Berisha edhe për detronizimin politik të Rugovës, me anën e Demaçit dhe të disa eksponentëve brenda LDK-së. Iniciativa me gjasë ishte në kundërshtim me sugjerimet amerikane (për të fshehur problemin e zgjedhjeve të vitit 1996, vjedhjen masive të votave) gjë që pati pasoja të rënda për Berishën e Shqipërinë, e cila praktikisht u dezintegrua si shtet në vitin 1997. Kësisoj, në vend të koordinimit, u eksperimentua paternalizmi, destabilizimi dhe prishja e raporteve.

Koordinim brendakombëtar nuk pati as për luftën çlirimtare të viteve 1998-1999. E para, nuk pati koordinim brenda Kosovës, gjë që u tregua kobsjellëse për politikën në Kosovë, pas çlirimit. Por, as në Shqipëri nuk pati koordinim të qartë lidhur me UÇK-në.

Proceset pas çlirimit të Kosovës morën tjetër drejtim. Prezenca civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë nuk lejoi më asnjë politikë që aspironte integrimin e bashkimin kombëtar. Partitë që proklamonin program të atillë nuk fitonin as 1 për qind në zgjedhje dhe u shuan. Pra, Kosova nën UNMIK-un dhe KFOR-in, e formësuar nga Plani i Ahtisarit, është shpallur shtet multientik, krejt në kundërshtim me aspiratën e shqiptarëve për shtet kombëtar e bashkim kombëtar. I tërë drejtimi i lëvizjes kombëtare është deformuar. Kjo shihet tragjikisht në deklaratën e Albin Kurtit para disa vitesh, te varri i Skënderbeut në Lezhë, ku pati thënë se e kishte kuptuar që kushtetuta e Kosovës nuk e lejonte bashkimin kombëtar!

Proceset kombëtare në Maqedoninë e Veriut, pas konflikti të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, shkuan në drejtim të integrimit të shqiptarëve në atë shtet, duke hequr dorë edhe nga projekti “Ilirida”. E njëjta gjë ka ndodhur edhe më shqiptarët në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës. Pra, në demokraci e në liri është hequr dorë nga “Tri Opcionet” e vitit 1991 të KKPSHJ dhe nga programi klasik kombëtar. Sot jemi komb pa program kombëtar. (…) Në një prospekt të këtillë, të një kombi të ndarë e pa kurrfarë programi kombëtar, është e kuptueshme që do të lindin projekte a konstruksione antikombëtare nga armiqtë tanë, të cilët kurrë nuk ngopen me fatkeqësitë tona.

Konstruktet antishqiptare të ndryshme nuk është e vështirë të lancohen brenda këtij realiteti shqiptar, ku mungon program kombëtar, mungon bashkëpunimi, mungon edhe vullneti për bashkëpunim. Pra, projektet antishqiptare janë edhe produkte të dobësive tona e jo vetëm i fuqisë a mençurisë së armiqve tanë.

Konstrukti më virulent në këto vite ka qenë “Lëvizja e Deçanit”, e cila kërkon konvertimin e shqiptarëve të Kosovës në të krishterë, pothuajse me formulën e Rekonkuistës spanjolle të shekullit XV. Lidhja e emërtimit me Deçanin, në fakt ka të bëjë me lidhjen me manastirin e Deçanit dhe thirrja për kalim në katolicizëm, sipas një dokumenti kroat, shihet vetëm si fazë kalimtare për kalim në ortodoksinë serbe. Ideja e “Lëvizjes së Deçanit” është proserbe, antikombëtare, antikulturore. Synimi i saj është formimi i një minishteti serb rreth manastirit të Deçanit dhe kthimi i selisë së Patriarkanës Serbe në Pejë. Formimi i atij minishteti do ta ndante Kosovën dhe do ta rilegjitimonte influencën serbe.

“Kombi Kosovar” është një konstrukt tjetër ideologjik e propagandistik, i cili dëgjohet herë pas herësh, por gjithnjë më i ngjirur. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2024 ka dhënë rezultatin ku shumica absolute e popullsisë janë thjesht shqiptarë.

“Shteti bektashi” është një konstrukt tjetër ideologjik e propagandistik, i lancuar, por pa asnjë mbështetje as në traditat fetare bektashiane shqiptare as në realitetin politik e kombëtar shqiptar. Ideologu i bektashizmit, Naim Frashëri, në “Fletore e bektashijet” shprehet kështu: “Bashkë me pleqësinë e me parësinë të bëjnë dashurin’ e vëllazërinë edhe njësin’ e miqësinë në mes të të gjithë shqiptarëvet, të mos ndahen njeri nga tjatri, të Krishter e Myslimanë të jenë tok, pa të venë gjithë punët mbroth e mbarë, të mos shahenetë sot Shqiptari, që ka qënë i lëvduar në gjithë botë gjithnjë.” Ndërsa ideologu i kombformimit shqiptar, Sami Frashëri, në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, shkruan: “edhe nga besa (feja – sqarim imi) Shqiptarët ndahenë në myslymanë, që janë dy të tret e më të krishterë, që janë një e treta. Të krishtenët ndahen afro përgjysmë më katolikë Llatinë, si i themi, edhe më orthodoksë. Në Gegëri krishtenët janë katolikë, në Toskëri orthodoksë. Edhe myslimantë janë në ndarë në synij e Bektashinj. Po këto ndarje të besës nuk sjellnë nonjë ç’qim (dallim) e çarje në mes të Shqiptarëvet.” Samiu më tutje argumenton: “Shqipëtari mysliman qoftë, orthodox qoftë, katholik qoftë është gjithnjë shqipëtar. Besa (feja – sqarim imi) nuk sjellë kurrë ndarje e çarje në mest të tyre.”

Nëse këto ndarje fetare nuk sillnin dallime në fundin e shekullit XIX, kur ishte hapur çështja e formimit të kombit, si është e mundur që ato dallime në shekullin XXI të provokohen e të acarohen deri në idenë e formimit të një shteti brenda shtetit shqiptar, goja për të mbrojtur bektashinjtë shqiptarë? Prej kujt u dashka të mbrohen bektashinjtë, kur absolutisht nuk i diferencon dhe nuk i provokon askush?

Plani Franko-Gjerman dhe Aneksi i Ohrit kanë ngjashmëri me Protokollin e Korfuzit të vitit 1914, sepse krijojnë autonomi të serbëve dhe e federalizojnë Kosovën. Me Planin Franko-Gjerman dhe me planin e zbatimit, serbët e kanë fituar autonominë territoriale (me Asociacionin), autonominë kulturore (arsim e kulturë të lidhur direkt me Serbinë), autonominë funksionale (me Kishën në qendër) dhe autonominë personale me vetë-menaxhimin në qendër. (Paraprakisht ishte ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë e Kosovës, një projekt i hartuar nga Instituti “Lindje Perëndim” të ideuar e drejtuar nga ish ambasadori amerikan në Beograd, Kameron Manteri, e të pëlqyer nga ish sekretari amerikan për siguri, Xhon Bolltoni.

Tërësinë e kombit shqiptar, kështu si është, i pakooordinuar e pa asnjë program kombëtar, e mban në këmbë vetëm përkatësia jonë në hapësirën gjeokulturore e gjeopolitike atlantike, e jo ndonjë projekt shqiptar. Në rast se do të ndodhte ndonjë ndryshim, që do të sillte dobësimin e ombrellës atlantike, shqiptarët do të ktheheshim në ciklin e njohur të tragjedive që nga Kongresi i Vjenës (1815), i cili krijoi ambientin për shkatërrimin e pashallëqeve shqiptare, Kongresi i Berlinit (1878), i cili legalizoi spastrimin entik dhe aneksimin e territoreve shqiptare, Konferenca e Londrës (1913), e cila zyrtarizoi copëtimin e territoreve shqiptare dhe gjenocidin e luftërave ballkanike, Konferenca e Jalltës (1944), e cila i la hapësirat shqiptare nën sundimin sllavo-komunist. Pra, bindja ime është se ende jemi jo vetëm komb i parehabilituar nga tragjeditë e nga traumat, por edhe komb i rrezikuar në rast se prishet dominanca e tashme atlantike.

(Fragment nga analiza “PROCESET E PAKOORDINUARA KOMBËTARE DHE KONSTRUKTET E KOORDINUARA ANTIKOMBËTARE”)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X