loader image
November 24, 2025

Тhemeltari i përndritur i pavarësisë

Valëvitja e flamurit të Skënderbeut në Vlorë nga Ismail Qemali përmbyll epokën e rezistencës disashekullore identitare shqiptare dhe hap epokën e afirmimit të kombit shqiptar në gjithë gjeografinë historike. Vizitat paraprake të Ismail Qemalit, në qendrat europiane të asaj kohe, tregojnë për koordinatat e mendjes diplomatike të tij, që paraprakisht idealitetin për shtet shqiptar e kishte vendosur në hartën historike të Europës, aty ku përkiste populli me trashëgimi të lashtë.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Historia mbetet një trajektore momentesh sublime, të cilat zakonisht e përbrendësojnë kohën me ngjarje, me emra që shënojnë pikën e ndritshme të një populli. Historia merr kuptim pikërisht nga këto momente, që artikulojnë dhe shpërfaqin një përpjekje të vazhdueshme, e cila në heshtje formëson ngadalshëm një aspiratë dhe një idealitet të brezave të tërë. Ngjarjet e mëdha determinohen nga përpjekje të panumërta, nga rënie-ngritje, që pulsojnë në universin e një populli, gjithnjë duke ruajtur përbrenda një gjakim të përhershëm për të lidhur sinapsat historike, momentet sublime që kristalizojnë një vetëdije tjetër në një kontekst të caktuar historik. Historia, ngjarjet historike, në asnjë rast nuk mund të shihen jashtë ndërvarësive kontekstuale, por edhe jashtë përpjekjeve këmbëngulëse të breznive, emrave të përveçëm, që i japin zë dhe kuptim një epoke.

Përtej detajeve historike, sfondit historik, momentet sublime shkëlqejnë me madhështinë e vet dhe shndërrohen në mite themeluese në universin e një kombi. Dhe, disa emra ngriten dhe shenjtërohen në dimensionet e shtetndërtimit dhe kombformimit si asnjëherë më parë. Ata i japin kuptim historisë, ekzistencës historike të një populli me forcën e figurës dhe përpjekjes së tyre, duke shënuar kështu një epokë, një kohë tjetër të ngjizur me vizionin dhe maturinë e tyre.

Ismail Qemali mbetet një ndër emrat më të lartësuar të historisë shqiptare, një figurë e përndritur, që me dijen, zgjuarsinë dhe përkushtimin e tij arriti që të finalizojë një përpjekje shekullore të shqiptarëve, pavarësinë e shtetit shqiptar.

Figura e Ismail Qemalit, arkitektit të pavarësisë së shtetit shqiptar gjithnjë duhet të shihet në dimensionin e thellë historik, të një paradigme historike siç ishte Rilindja Kombëtare. Siç e dimë tashmë, ideja e pavarësisë së shtetit shqiptar “vezullon” si substancë, si aspiratë tek një brez i tërë mendjesh të ndritura shqiptare, të cilët brenda kontekstit të zhvillimeve të Perandorisë Osmane po kultivonin pandërprerë dhe me shumë kujdes universin e identitet kulturor dhe historik të shqiptarëve. Ismail Qemali ishte prodhim i këtij konteksti, i formësuar në këto vlime kombëtariste, dhe njëkohësisht i stërvitur dhe i latuar me dimensionin e diplomacisë brenda Perandorisë Osmane.

Me njohje të thella të realiteteve gjeopolitike të kohës, me njohje nga afër të lëvizjeve tektonike brenda Perandorisë Osmane dhe brenda rajonit të Ballkanit, ku tashmë nacionalizmi po merrte hove agresive, diplomati kalibër i frymës shqiptare po rendte drejt një aspirate shekullore të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre në tokën e tyre. Vetëm shqisa e një njeriu që tashmë kishte përbrendësuar idealitetin kombëtar dhe pragmatizmin e zgjuar të një diplomati kalibër, mund të finalizonte një përpjekje mbinjerëzore të një populli, që rrezikohej nga rrënojat e rënies së një perandorie dhe ambiciet agresive territoriale të fqinjëve, që duke përfituar nga rrethanat po përpiqeshin të zhvatnin gjithçka në territoret shqiptare, që më parë gjallnonin në katër vilajete në kuadër të administrimit osman.

“Njeriu i duhur në kohën e duhur”, ky mund të jetë formulimi më i saktë për rolin e Ismail Qemalit në historinë shqiptare, në historinë e themelimit të shtetit shqiptar, që vjen si një kurorë përpjekjesh të elitës kulturore dhe politike të Rilindjes Kombëtare.

Valëvitja e flamurit të Skënderbeut në Vlorë nga Ismail Qemali përmbyll epokën e rezistencës identitare shqiptare dhe hap epokën e afirmimit të kombit shqiptar në gjithë gjeografinë historike.

Vizitat paraprake të Ismail Qemalit, në qendrat europiane të asaj kohe, tregojnë për koordinatat e mendjes diplomatike të tij, që paraprakisht idealitetin për shtet shqiptar e kishte vendosur në hartën historike të Europës, aty ku përkiste populli me trashëgimi të lashtë.

Së këndejmi, figura e Ismail Qemalit duhet të shihet në këtë planimetri veprimi, në dimensionin e idealitetit të mëvetësisë së kombit shqiptar, që ishte paradigmë e Rilindjes Kombëtare, vazhdim i shtetit të Skënderbeut dhe Lidhjes së Prizrenit, si dhe pragmatizmit të zgjuar diplomatik, që tashmë kishte përbrendësuar kontekstin europian të asaj kohe.

Gjithë trajektoren historike të përpjekjes shqiptare deri te “independenca” mund ta gjejmë te libri “Zgjimi kombëtar shqiptar” i Stauro Skendit, një libër me referenca të pafundme studimesh objektive për këtë periudhë të historisë shqiptare.

“Gjendja po ndryshonte me shpejtësi me përparimin e forcave të tjera ballkanase. Më 28 nëntor u mblodh në mënyrë solemne Asambleja Kombëtare e Jashtëzakonshme e kryesuar nga Ismail Qemali. Në një fjalim të shkurtër, ku përshkruhej situata e krijuar në Shqipëri si rezultat i luftës ballkanike, ai tha: ‘Shqiptarët kanë marrë pjesë në luftë jo aq shumë si ushtarë po si zotër të tokës për ta shpëtuar vendin e tyre’. Ai propozoi që të merreshin masa për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, për të formuar një qeveri të përkohshme, për të zgjedhur një senat, për të kontrolluar e për të ndihmuar qeverinë dhe të krijohej një komision që do të dërgohej jashtë për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë. Gjithë propozimet e tij u miratuan dhe ai u ngarkua me formimin e qeverisë së përkohshme. Pastaj flamuri shqiptar u ngrit dhe Fuqitë e Mëdha dhe gjithashtu Porta dhe aleatët ballkanas u lajmëruan për shpalljen e pavarësisë shqiptare.”, thekson Stauro Skendi në librin e tij, duke përshkruar kështu ambientin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Kështu, thekson ai, u arrit pavarësia e Shqipërisë në rrethana të rrezikshme, pas më shumë se tri dekadash përpjekjeje për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare.

Historiografia shqiptare, autorë shqiptarë dhe të huaj e kanë trajtuar gjerësisht kontekstin e shpalljes së pavarësisë të shtetit shqiptar, si dhe rolin vendimtar të Ismail Qemalit. Edhe Faik Konica, që njihet tashmë për shkrimet e tij kritike edhe ndaj figurës së Ismail Qemalit, do ta pranojë se “dora e Ismail Qemalit do t’kujtohet për jetë në histori, se ngrijti e para flamurin e unjur katër shekuj më parë. Me këtë veprë Vlora u bë më tepër se një qytet historik: u bën simboll i pavdekur dhe një copë e pandarë e shpirti shqiptar”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X