Historia e njohjes së Ismail bej Vlorës do ishte e paplotë dhe e pavërtetë për ne sot, nëse nuk do të tregonim mohimin me vendosmëri të të vërtetave të tij nga regjimi komunist. Prania e pasardhësve të tij në festimet e pavarësisë u shënua në festimet e 100 vjetorit, në vitin 2012, duke rrëzuar kështu mungesën e gjatë të trashëgimtarëve të tij në ditën e rëndësishme. Madje, si për ironi, shqiptarët mësuan disi edhe se Ismail bej Vlora kishte patur 6 djem e 3 vajza, me gruan e tij të dytë, greken Kleoniqi.
Agim BAÇI, Tiranë
Ismail bej Vlora jetoi në Shqipëri vetëm 14 muaj, aq sa e drejtoi qeverinë që e themeloi, bashkë me të parin shtet të njohur vetëm disa muaj pas 28 Nëntorit 1912. Pjesa tjetër është thjesht një lojë me vdekjen e tij, jo vetëm fizikisht, por mbi të gjitha për atë që përfaqësoi dhe për atë që bëri. Për gati 45 vjet gjatë sistemit komunist ai ishte…. siç e donte partia.
Historia me figurën e kryeministrit të parë dhe njeriut që arriti njohjen e kufijve dhe të një qeverie të njohur si legjitime nga fuqitë ndërkombëtare është historia më tipike se si diktaturat e ndërtojnë të shkuarën dhe të tashmen, duke synuar një të ardhme me një tren historik që, nëse nuk ngjitsh në të, mund ta çosh dëm jetën tënde dhe të afërme tu. “Totalitarizmi nis me përçmimin e asaj që kemi”, shkruan Hannah Arendt në librin e saj “Origjinat e totalitarizmit”, duke nënkuptuar edhe atë që ndodhi që në vitet e para të instalimit të diktaturës komuniste, ku Ismail Qemalit fillimisht i ndërrohet data e lindjes. Ishte historiani shqiptaro-turk, Nexhip Alpan, që nxori në pah se Ismail Qemali kishte lindur më 16 tetor 1846. Ky fakti i fshehur kishte vetëm një kuptim – askush, veç diktatorit, nuk mund të kujtohej ose përkujtohej në atë ditë. Ndërkaq, zhdukja e titullit “bej” mes emrit dhe mbiemrit të vërtetë, Vlora, bashkë me mbiemrin e një prej familjeve më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, përbënin një nga ekuacionet që diktatura e projektoi me kujdes, për ta plotësuar me heshtjen e fortë ndaj çdo pasardhësi, deri në burgosje.
Përse këto fshehje dhe mohime?
E vërteta është se ditëlindja e themeluesit të shtetit shqiptar nuk u festua, ndërkohë që zyrtarisht u regjistrua si i lindur në janar 1846. Madje, sipas librave të kohës, shpesh as muaji nuk përmendej, por vetëm viti. “Historia pa datë është si historia pa kokë”, thotë historiani George Ostrogorsky në librin e tij “Historia e Perandorisë Bizantine”.
Ndërkaq, historia e ndërrimit të mbiemrit ishte qëllimi i dytë i historigrafisë komuniste. Në të vërtetë, që në kohën e mbretit Zog, e sidomos pas kthimit të eshtrave në vitin 1932, pra 13 vite pas vdekjes në Perugia, në Sheshin e Flamurit ai njihej si Ismail Qemal bej Vlora. Historiografët e diktaturës e zyrtarizuan zëvendësimin e mbiemrit Vlora me titullin turk Qemal, një titull që vinte për shkak të hierakisë që ai kish patur nën shërbimin e Sulltanit.
Duke ndryshuar mbiemrin, në fillim atij, e pastaj edhe pasuesve të tij, sigurohej edhe shkëputja edhe nga trashëgimia e një familjeje që ka bërë histori për Shqipërinë, një familje që ishte zotëruese e madhe e shumë pronave, por mbi të gjitha, e shumë prej veprave të rëndësishme në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe ruajtjen e kufijve. Duke i “harruar” ditëlindjen, duke i shuar mbiemrin e vërtetë nga çdo regjistër dhe duke i lënë në harresë ose dënuar pasardhësit, që u detyruan të merrnin mbiemrin Ismaili, diktatura e shndërroi Ismail Qemal bej Vlorën në një person të vetëm, pa të shkuar e pa pasues.
Kështu, Ismail Qemali, pa ditëlindje, pa mbiemrin e vërtetë, pa familjarët e tij, ishte thjesht një relikte në duart e diktaturës për të pohuar vetëm atë që i duhej për të bërë propagandën që i nevojitej. Për të, gjatë diktaturës, kishte vetëm një moment të vetëm – shpallja e pavarësisë dhe krijimi i qeverisë së parë. Filmi i vetëm kushtuar Ismail Qemalit nga ish Kinostudio ishte udhëtimi i tij nga Durrësi, ku zbriti nga anija, për shkak se porti i Vlorës ishte i pushtuar nga grekët, e deri në Vlorë, ku në mesditën e 28 Nëndorit 1912 nisi mbledhja për ta shpallur Shqipërinë të Pavarme!
Ku e mbështeti “Aktin e Mëvetësimit” Ismail Qemali?
Në librin e tij “Kujtime” (Toena, 2009), vetë Ismail Qemali, kujton letrën e dërguar nga Lordi Goschen, që ishte ambasador i Britanisë në Stamboll, drejt lordëve të rëndësishëm britanikë, Granvill dhe Ficmoris, për çështjen shqiptare. Letra e Goschen, më 26 korrik 1880, kundërshtonte vendimit e Traktatit të Berlinit (1876) dhe sugjeronte rishikimin e çështjes shqiptare si një rrugë që do stabilizonte popujt e Ballkanit. Bazuar në këto letra, sipas vetë kujtimeve të shkruara nga Ismail Qemali, janë bazuar edhe memorandumet që ai formuloi dhe ua dërgoi në vitin 1903 Sulltanit dhe Fuqive të Mëdha. Këto qëndrime të Ismail bej Vlorës e kishin kthyer “të përkëdhelurin” e Sulltanit në një person që do të ishte në kërkim për arrestim, kur qartësisht kundërshtoi të shkonte guvernator në Libi. Në vetërrëfimin e tij, Ismail bej Vlora tregon se sa të rëndësishme ishin aleancat e gjithanshme që duhet të arrinte, duke nisur që nga kërkesa e familjeve të mëdha që të ktheheshin në Shqipëri për të ndërtuar një shtet të gjithëpranuar. Me mençuri ai zgjodhi si kreun e kryepleqësisë kryemuftiun e vendit, Vehbi Dibrën, që përmes një “fetvaje” të merrte bekimin e shumicës së shqiptarëve për mëvetësimin e atdheut, duke lehtësuar lëvizjet dhe marrëveshjet e nevojshme brenda gjithë grupeve kryesore, sidomos të shumicës muslimane. Sipas studiuesve, kjo fetva i ngjan më shumë një akti juridik, për shkak të jehonës së mirë dhe mbështetjes që i krijoi qeverisë që u formua në Vlorë.
“Do e varim vetëm në mur apo do e njohim”?
Studiuesi Evaris Beqiri, në librin e tij “Themeluesi – lidershipi i Ismail Qemailit”, duke sjellë një përshkrim të fortë të mënyrës se si ai solli gjithçka drejt ngritjes së Flamurit, ngre një pyetje të fortë, së cilës prej dekadash e dekadash i jemi shmangur, herë nga një regjim, herë nga mungesa e kurajës për të vërtetën historike: “Do e varim vetëm në mur, apo do e njohim realisht figurën e themeluesit të shtetit shqiptar”?
Nuk është një pyetje e thjeshtë për askënd që ka lexuar në libra historie për “Babain e Flamurit” ose ndonjë dokumentar për të, pasi në të gjitha librat e historisë Ismail bej Vlora është i përshkruar pa betejën e tij si personalitet, pa betejën e tij për të arritur në atë që do ishte nisja e një historie që do t’i ruante kufijtë e Shqipërisë dhe që do të vinte themelet e një shteti që nuk kish jetuar në katër vilajete.
Por, historia e njohjes së Ismail bej Vlorës do ishte e paplotë dhe e pavërtetë për ne sot, nëse nuk do të tregonim mohimin me vendosmëri të të vërtetave të tij nga regjimi komunist. Prania e pasardhësve të tij në festimet e pavarësisë u shënua në festimet e 100-vjetorit, në vitin 2012, duke rrëzuar kështu mungesën e gjatë të trashëgimtarëve të tij në ditën e rëndësishme. Madje, si për ironi, shqiptarët mësuan disi edhe se Ismail bej Vlora kishte patur 6 djem e 3 vajza, me gruan e tij të dytë, greken Kleoniqi.
….Ismail Qemal bej Vlora nuk është thjesht një emër, ai është një histori. Duke shkruar për të, duket se nisim të ndërtojmë atë rrugë të prishur, të thyer, për të vërtetat e atyre që dhanë gjithçka për ne, që ditën të ishin në kohën dhe vendin e duhur, për të bërë të mundur që ne sot të kemi një vend për të cilën brohorasim “Shqipëri, Shqipëri”. Le të nisim duke pranuar edhe mohimin, edhe atë që e bëmë gabim, sepse ndoshta kështu arrijmë të ndezim disa drita të vërteta për ata që do vijnë. Ndaj, le të mos e varim vetëm në mur një emër të tillë, por edhe në zemër e mendje….









