loader image
November 12, 2025

Pavarësia e synuar përballë pavarësisë së cunguar

Kur më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, ai nuk po shpallte thjesht pavarësinë nga një fuqi që tashmë ishte larguar, por po përpiqej të shpallte ekzistencën e një shteti në një truall tashmë të pushtuar. Në këtë kuptim, akti i Vlorës ishte më shumë një akt shpëtimi diplomatik sesa një fitore ushtarake. Ishte një përpjekje për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej nga copëtimi dhe zhbërja e plotë.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, është një nga ngjarjet më të veçanta në gjithë historinë e Ballkanit. Është një akt që, në dukje, i dha fund varësisë pesëshekullore nga Perandoria Osmane, por që, në të vërtetë, u krye në një moment kur Perandoria nuk ishte më sunduese në trojet shqiptare. Kështu, ndonëse juridikisht pavarësia shpallej “nga” Perandoria Osmane, në kuptimin e shkëputjes prej saj, në realitet ajo shpallej “në prani të” dhe “kundër vullnetit të” fuqive pushtuese ballkanike, të cilat në atë çast e kishin shkatërruar praninë osmane në territorin shqiptar. Pikërisht kjo përmbysje e realitetit politik shumëshekullor dhe i rrethanave historike e bën pavarësinë e Shqipërisë një rast unik. Një pavarësi e përthyer, si një pasqyrë që reflekton dy realitete kundërthënëse.

Në vjeshtën e vitit 1912, Lufta e Parë Ballkanike kishte përfshirë gjithë rajonin. Aleanca e shteteve fqinje, Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria, kishte nisur ofensivën përfundimtare kundër Perandorisë Osmane në Ballkan. Brenda pak javësh, ushtritë osmane u tërhoqën në panik. Në Kumanovë, në Shkup, në Manastir, në Tetovë, në Prizren e deri në Lezhë, trupat serbe hynin si “çlirimtarë”, duke zëvendësuar administratën osmane me okupim ushtarak. Në jug, Greqia pushtonte Çamërinë me kryeqendrën Janinën dhe rrekej të vinte nën rrethim Vlorën, ndërsa Mali i Zi e kishte rrethuar Shkodrën. Në këto kushte, Shqipëria u pushtua nga fqinjët, pa u pavarësuar ende nga osmanët. Kështu, kur më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, ai nuk po shpallte thjesht pavarësinë nga një fuqi që tashmë ishte larguar, por po përpiqej të shpallte ekzistencën e një shteti në një truall tashmë të pushtuar. Në këtë kuptim, akti i Vlorës ishte më shumë një akt shpëtimi diplomatik sesa një fitore ushtarake. Ishte një përpjekje për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej nga copëtimi dhe zhbërja e plotë.

Kjo është veçanësia themelore e historisë sonë moderne: pavarësia u shpall në një moment kur sovraniteti territorial praktikisht nuk ekzistonte. Në shumicën e trevave shqiptare, flamuri kuqezi nuk valëvitej ende: aty valëvitej flamuri serb, grek ose malazez. Qeveria e Vlorës, e sapoformuar, e shtrinte autoritetin e saj vetëm në Vlorë e në disa zona të ngushta të bregdetit. Kështu, shteti që u shpall në Vlorë ishte një shtet pa territor të përcaktuar dhe pavarësia që u shpall ishte pavarësi pa liri. Në të vërtetë, ajo ishte një pavarësi simbolike, një akt juridik që synonte të parandalonte shpërbërjen e plotë të kombit shqiptar në vorbullën e luftës ballkanike. Në dokumentet e Vlorës, Shqipëria shpallet “e lirë, e pavarur dhe sovrane” nga çdo pushtet tjetër, “duke përjashtuar lidhjet e mëparshme me Perandorinë Osmane”. Në aspektin juridik ndërkombëtar, kjo krijonte një situatë sui generis: pavarësia deklarohej nga një fuqi që s’e kishte më territorin, ndërsa pushteti real u përkiste forcave të huaja që nuk e njihnin as aktin e Vlorës, as vetë ekzistencën e Shqipërisë. Në fakt, në ditët që pasuan shpalljen e pavarësisë, Ismail Qemali nisi menjëherë komunikimet me konsujt e huaj, duke kërkuar njohjen ndërkombëtare, jo si çlirimtar, por si kryenegociator i atdheut që rrezikonte të zhdukej.

Këtu qëndron thelbi i asaj që mund të quhet “pavarësia e përthyer”: nga njëra anë, ajo ishte produkt i një lëvizjeje kombëtare shqiptare, e përgatitur për dekada nga rilindësit, si aspiratë për liri dhe përparim, ndërsa, nga ana tjetër, ajo ndodhi në një kontekst ku shqiptarët nuk kishin më kontroll mbi fatin e tyre politik dhe ushtarak. Në pasqyrën e historisë, pavarësia e Vlorës reflekton dy imazhe që nuk përputhen: idealin e rilindësve për një komb të lirë dhe realitetin e një vendi të pushtuar që kërkon njohje nga të huajt. Kjo përthyerje mes idealit dhe rrethanës e bën aktin e 1912-tës një rast të veçantë në historinë europiane.

Në narrativën ballkanike, fushatat e viteve 1912-1913 shpesh paraqiten si “çlirime nga zgjedha osmane”, por për shqiptarët këto “çlirime” ishin vetëm ndryshimi i një pushteti me zgjedhën e një pushtuesi. Ushtritë serbe, që hynin në Prishtinë dhe Shkup, nuk sillnin pavarësi, por pushtim të ri. Po ashtu, në jug, trupat greke që e pushtonin Çamërinë e trevat e jugut të Shqipërisë, nuk kishin qëllim të mbështesnin një shtet shqiptar, por të përfshinin këto territore në Greqinë e zgjeruar. Kështu, ndërsa në dokumente pavarësia shpallej “kundër” Perandorisë Osmane, në praktikë po shpallej kundër pushtimeve ballkanike.

Në fund, Ismail Qemali dhe bashkëkohësit e tij nuk arritën t’i ruanin kufijtë e etnisë, por e ruajtën konceptin e Shqipërisë si subjekt ndërkombëtar. Dhe, kjo, pavarësisht cungimeve të mëvonshme, ishte një arritje historike. Në atë Ballkan që po ndahej sipas forcës së armëve, shqiptarët mbetën si komb i pranuar. Pavarësia e cunguar e 1912-tës krijoi një shtet të vogël, por e ruajti ekzistencën e kombit. Në këtë kuptim, ajo ishte një fitore morale që shkonte shumë përtej humbjes politike. Akti i 28 nëntorit 1912 mbetet një mrekulli politike e një populli që e shpalli shtetin e vet në momentin kur nuk kishte as sovranitet, as ushtri, as mbrojtës. Një pavarësi e përthyer në refleksionin e kohës, por që, pavarësisht pasqyrave të shtrembra, mbeti e vetmja dritë që e nxori kombin shqiptar nga hija e historisë. Në kujtesën historike shqiptare, 28 nëntori 1912 është dita e ndritshme e kulmimit të rilindjes kombëtare.

Kjo ishte pavarësia e përthyer dhe njëkohësisht e cunguar. Një pavarësi që shpallej nga hija e një perandorie që s’ishte më. Ismail Qemali, me përvojën e tij të gjatë në administratën osmane, e kuptonte më mirë se askush se Perandoria po shkonte drejt fundit. Ai e dinte gjithashtu se nëse shqiptarët nuk do të vepronin shpejt, do të zhdukeshin politikisht nga harta e Ballkanit. Në mënyrë paradoksale, Shqipëria u shpall e pavarur nga një shtet që nuk e sundonte më.

Pavarësia shqiptare, në thelb, ishte një shpallje juridike, jo ushtarake. Ajo nuk ishte fryt i një fitoreje ushtarake, por mbeti akti më i lartë i mençurisë politike shqiptare. Në ato kohëra, kur gjithçka po shembej, Ismail Qemali shpalli se Shqipëria ekzistonte, edhe pse në atë çast ajo ishte më shumë dëshirë sesa realitet. Qeveria e Vlorës, e formuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, nuk kishte kontroll mbi shumicën e vendit. Në veri vepronin ushtritë serbe dhe malazeze, në jug forcat greke, ndërsa në shumë qytete të brendshme vazhdonin të qëndronin garnizonet osmane. Qeveria nuk kishte as administratë, as financa, as ushtri dhe asnjë garanci ndërkombëtare për ekzistencën e vet.

Në fakt, pavarësia shqiptare e 1912-tës ishte një akt shpëtimi simbolik, një përpjekje për të krijuar një dokument ligjor që mund të mbrohej në tryezën e diplomacisë europiane. Pavarësia e Vlorës shërbeu si argument themelor përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), që më në fund pranoi ekzistencën e një Shqipërie të pavarur, të vogël, të cunguar, por ekzistuese. Në këtë kuptim, Ismail Qemali shpalli një shtet që ende nuk ekzistonte, për të parandaluar që ai të mos zhdukej përpara se të lindte.

Nga këndvështrimi historik, pavarësia e 1912-tës nuk arriti ta shpëtonte territorin shqiptar nga copëtimi. Gjysma e trojeve shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri, por ajo e shpëtoi emrin, idenë, simbolin e Shqipërisë si subjekt politik. Pikërisht në atë kohë kur hartat e reja të Ballkanit po vizatoheshin në Londër, Paris e Vjenë, ekzistenca e një dokumenti që e shpallte Shqipërinë shtet më vete, i detyroi fuqitë e mëdha ta njohin këtë emër, ta vendosin në tryezë dhe t’i japin një formë, sado të cunguar.

Pavarësia shqiptare është ndoshta rasti më i veçantë i një pavarësie të shpallur pa fitore. Ajo është një ngjarje që, sa më shumë e studion, aq më shumë zbulon paradokse: shpallet nga njerëz që kishin qenë pjesë e perandorisë që tërhiqej, në një vend të pushtuar nga fqinjët që donin ta copëtonin, dhe megjithatë mbetet një akt i ndritshëm i vizionit politik dhe historik.

Ismail Qemali ishte burokrati më i përgatitur dhe politikani më realist ndër shqiptarët e kohës. Me një karrierë të gjatë në administratën osmane, ai zotëronte njohje të thellë të strukturave shtetërore dhe diplomacisë ndërkombëtare. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 1912 nuk ishte një akt spontan patriotik, por një projekt politik që synonte njohjen e Shqipërisë si entitet juridik në sistemin ndërkombëtar të shteteve. Në arenën ndërkombëtare, diplomacia e tij ishte përpjekje e vazhdueshme për të siguruar mbështetjen e fuqive të mëdha. Por, realpolitika europiane i kishte caktuar Shqipërisë një vend të vogël, të dobët dhe të paqëndrueshëm. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) i vulosi kufijtë e “Shqipërisë londineze”, duke e shkëputur nga trojet shqiptare në Kosovë, Çamëri dhe viset e Maqedonisë, një plagë që vijon ende në kujtesën dhe në jetën kombëtare. Për Ismail Qemalin, Shqipëria nuk përfundonte në Vlorë ose në Shkodër. Ai mendonte për një hapësirë shqiptare që e përfshinte Kosovën, Maqedoninë e sotme Perëndimore, Çamërinë. Në letrat e tij diplomatike, ai kërkonte njohjen e këtij realiteti etnik, por në praktikë u detyrua t’i pranojë kufijtë që i vendosën fuqitë e mëdha. Kjo ndarje midis “Shqipërisë së dëshiruar” dhe “Shqipërisë së dhënë” është thelbi i pavarësisë së pabërë.

Akti i Vlorës është themeli i shtetit modern shqiptar, por njëherësh edhe dëshmia më e qartë e një pavarësie të cunguar, në hapësirë, në përmbajtje dhe në kohë. Ajo u projektua si një shtet kombëtar, por u ndërtua si kompromis ndërkombëtar. Në Londër, në vitin 1913, ambasadorët e gjashtë fuqive në vend të një Shqipërie që përfshinte të gjitha trojet etnike, e njohën një shtet të vogël, trefish të cunguar.

Cungimi i parë ishte territorial. Më shumë se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri. Kosova dhe viset e Maqedonisë iu dhanë Serbisë, Çamëria dhe kryeqendra e saj Janina Greqisë, ndërsa pjesë të Malësisë së Madhe e të Hotit u përfshinë në Mal të Zi. Ky copëtim nuk ishte vetëm gjeografik, por edhe shpirtëror. Në vend që pavarësia të bashkonte shqiptarët, ajo i ndau. Për dekada, shqiptarët jashtë kufijve mbetën pa të drejta, të rrezikuar nga asimilimi, të ndaluar ta përdorin gjuhën e tyre, ndërsa Shqipëria zyrtare, e dobët dhe e varfër, nuk pati mundësi t’u ndihmonte. Ky ishte fati tragjik i një pavarësie që u fitua pa bashkim.

Cungimi i dytë ishte politik. Qeveria e Vlorës, e drejtuar nga Ismail Qemali, nuk e ushtroi kurrë plotësisht sovranitetin e saj. Në shumë qytete shqiptare sundonin akoma garnizonet osmane, serbe, greke ose lokale. Ndërkohë, vendimet e rëndësishme merreshin në Stamboll, Beograd, Athinë apo Romë. Më 1914, fuqitë e mëdha vendosën në krye të shtetit një princ të huaj. Vilhelm Vidin, si simbol të një Shqipërie që duhej kontrolluar nga jashtë. Kështu, pavarësia, që duhej të ishte shprehje e vullnetit kombëtar ,u bë një formë protektorati ndërkombëtar. Edhe më vonë, gjatë gjithë shekullit XX, Shqipëria nuk e fitoi kurrë plotësisht pavarësinë e saj politike.

Cungimi i tretë ishte institucional. Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij shpallën shtetin shqiptar të pavarur, por nuk kishin as administratë, as buxhet e as ushtri për ta mbrojtur. Në Vlorë, ministritë funksiononin nëpër shtëpi private, ndërsa komunikimi me krahinat ishte thuajse i pamundur. Kështu, shteti shqiptar lindi si një organizëm që duhej të mbijetonte në kushte tejet të vështira dhe në mjedis armiqësor.

Pavarësia e cunguar e 1912-tës është rrënja e shumë paradokseve që e kanë ndjekur Shqipërinë deri sot: shtet pa komb të bashkuar, liri pa zhvillim, sovranitet pa vetëqëndrueshmëri.
Ajo është një kujtesë e hidhur se një komb nuk bëhet i pavarur vetëm me një akt politik, por me ndërtimin e vazhdueshëm të institucioneve, drejtësisë dhe vetëdijes qytetare. Ismail Qemali dhe brezi i tij e nisën këtë proces, ndërsa brezat pasardhës ende nuk e kanë përfunduar. Pavarësia e cunguar kërkon ende plotësim, në ekonomi, në arsim, në drejtësi, në vetëdije kombëtare dhe në ndershmëri politike. Vetëm atëherë Shqipëria mund të jetë vërtet e lirë, jo vetëm në kufijtë e saj, por edhe në shpirtin e frymën saj. Në këtë kuptim, çdo brez shqiptar ka detyrën ta bëjë pavarësinë të plotë, ta çojë më tej atë që Ismail Qemali me shokë e nisi.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X