loader image
October 21, 2025

Noli kontradiktor!

Parë nga një këndvështrim kritik, Noli del të jetë edhe një figurë kontradiktore, veçanërisht në veprimtarinë e tij politike, ku pati një rol shumë aktiv. Sado që kishte një vlerësim shumë të lartë për kulturën greke dhe Greqinë, ai për shkak të disa kundërthënieve që pati me kishën greke, i ktheu sytë drejt Rusisë, derisa vetë me trup po qëndronte në zemër të Amerikës! Një zënkë e tillë e kishte provokuar edhe themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, që në të vërtetë paraqet një akt të lartë patriotik. 

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Të pakta janë figurat historike të cilat të magjepsin me kompleksitetin e përmasave nëpër degëzime të ndryshme të fushëveprimtarive shoqërore, duke lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në panteonin e kujtesës njerëzore. Fan Noli pa dyshim është nga të tillët, shumë i rrallë, madje do të thoshim se ai është personifikimi më tipik i një gjeniu të jashtëzakonshëm që mund të lindë një herë në njëqind a dyqind vjet!

Ai shkëlqeu gjithkund ku provoi të eksperimentojë me dhuntitë e tij artistike dhe intelektuale. Shkroi më pak se 20 poezi, por shkëlqeu në letërsi, sikurse shkroi vetëm një dramë, por që shkëlqeu në një lëmi të veçantë të dramaturgjisë; përktheu nga gjuhë të huaja pak poezi e poema, por shkëlqeu në artin e shqipërimit. Në një moshë të pjekur u diplomua në muzikë, duke shkëlqyer në mënyrën e trajtimit të Betovenit, sikurse që më vonë u doktorua edhe në histori, duke shkëlqyer në mënyrën e trajtimit të figurës së Skënderbeut. Në fushën e veprimtarive tjera shoqërore, Noli drejtoi gazeta e revista të famshme shqiptare për kohën dhe shkëlqeu me publicistikën e tij reformatore dhe frymëzuese. Ai i shërbeu me devotshmëri komunitetit ortodoks shqiptar, duke e ngritur për herë të parë Kishën Autoqefale Shqiptare, sikurse pak kohë i shërbeu edhe politikës së kohës, duke u ngjitur deri në fronin e kryeministrit të Shqipërisë.

Noli dhe Rusia    

Megjithatë, parë nga një këndvështrim kritik, Noli del të jetë edhe një figurë kontradiktore, veçanërisht në veprimtarinë e tij politike, ku pati një rol shumë aktiv. Sado që kishte një vlerësim shumë të lartë për kulturën greke dhe Greqinë, ai për shkak të disa kundërthënieve që pati me kishën greke, i ktheu sytë drejt Rusisë, derisa vetë me trup po qëndronte në zemër të Amerikës! Një zënkë e tillë e kishte provokuar edhe themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, që në të vërtetë paraqet një akt të lartë patriotik. Noli u shugurua për prift më 1908 në Nju Jork prej kryepeshkopit rus Imzot Platon-it, duke thelluar përmasat e “lajthitjes” së tij gjatë kohës që do të qeveriste me Shqipërinë në gjysmën e dytë të vitit 1924 dhe, më vonë, gjatë viteve të mërgimit të pakthim.

Mbase Noli e shihte më mirë se të tjerët rolin pretencionist të Greqisë kundrejt Shqipërisë dhe për të mos iu përkulur asaj, kërkonte aleanca të reja që mund ta kishin rolin dhe rëndësinë e njëjtë ose të ngjashme. Në këtë rast, ai po kërkonte aleancë me Rusinë, që në fakt i kushtoi shumë shtrenjtë, posaçërisht gjatë qeverisjes së tij me Shqipërinë në detyrën e kryeministrit, kur asnjë nga shtetet e Europës Perëndimore e as SHBA-ja nuk e njohën qeverinë e tij të proklamuar si demokratike. Kontaktet që kishte krijuar qysh në fillim me diplomatët rusë në Romë, i dhanë qeverisë së tij ngjyrime antiperëndimore. Disa ditë para se të rrëzohej nga qeveria, rusët tashmë kishin arritur në Tiranë, por Noli i ktheu prapë, sepse e dinte saktë se i kishte orët e numëruara. Vite më vonë (1927), ai vetë do të merrte pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik në Moskë, duke kërkuar propagandimin e arritjeve bolshevike! Së këndejmi, iu etablua edhe etiketa e faturuar nga djathtistët si bolshevik.

Në këtë sens, janë shumë kontradiktore dhe të pakuptueshme bindjet politike proruse të Nolit, derisa ai ishte shkolluar dhe po jetonte e punonte për vite me radhë nëpër vende të ndryshme perëndimore dhe në vetë qendrën e lirisë dhe demokracisë botërore, siç ishte SHBA-ja.

Sado që ishte një klerik i krishterimit ortodoks, në fushën e real-politikës, Noli kishte bindje liberale që më shumë anonin drejt majtizmit dhe komunizmit, gjë që sërish paraqet një kontradiktë më vete. Prandaj, me vendosjen e mëvonshme të regjimit komunist në Shqipëri (1945 e tutje), nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, Nolit do t’i ofrohen privilegje të caktuara politike nëse do të kthehej e të kontribuojë në Atdhe. Por, ai i refuzoi ofertat e tilla. Ka pasur një spekulim se e ka refuzuar edhe postin e presidentit të Shqipërisë, i cili në fakt ishte një post i parëndësishëm politikisht dhe i papushtetshëm praktikisht. Mbase Peshkop Noli inteligjent do ta ketë nuhatur që në fillim qëndrimin e ideologjisë komuniste shqiptare kundër klerit fetar dhe feve në përgjithësi dhe po të kthehej në Shqipëri, me siguri do të përfundonte në ndonjë skutë burgu. Por, megjithatë, raporti koheziv i Nolit ndaj Bashkimin Sovjetik dhe komunizmit, në përgjithësi, bëri që gjatë sistemit komunist figura e tij të studiohet, vlerësohet, lartësohet e, madje, në shumë raste edhe të hiperbolizohet. 

Noli dhe Kosova  

Në raport me Kosovën dhe shqiptarët që jetonin jashtë kufijve të Shqipërisë, edhe Noli, sikurse edhe pasardhësi i tij në qeverisje, Ahmet Zogu, realisht nuk ushqenin ndonjë ndjenjë të veçantë empatie për sivëllezërit e mbetur jashtë shtetit amë. Fokusi i tyre kryesor ishte Shqipëria e 28 mijë kilometrave katrorë, e njohur ndërkombëtarisht nga Fuqitë e Mëdha.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Vreme” të Beogradit (13.9.1924), Noli kishte thënë se: “Lufta është një luks edhe për shtetet e mëdha, kurse për shtetet e vogla është një prishje”. Pra, ai në asnjë mënyrë nuk e shihte si opsion luftën për bashkimin e trojeve shqiptare dhe për më tepër tallej me të! Gjatë qeverisjes së tij të shkurtër gjashtëmujore, Noli madje e artikuloi edhe idenë e “panballkanizmit”, duke e parë si “mënyrën e vetme që Shqipëria të dilte nga izolimi”. Ai parashihte një aleancë politike ndërmjet shteteve ballkanike (Shqipëria, Greqia, Jugosllavia, Bullgaria e Rumania), të cilat gjoja do t’u rezistonin Fuqive të Mëdha, por pa e llogaritur fare agresionin që tashmë po e ushtronin ato shtete ndaj tokave tjera shqiptare.

(Një digresion: – Ideja panballkanike e Nolit do të rigjenerohej edhe në kohën tonë /2019/nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili bashkë me Vuçiqin e Serbisë dhe Zaevin e Maqedonisë, ishin promotorët kryesor të nismës “Ballkani i Hapur”, si një aleancë e re ballkanike ekonomiko-politike, e cila do t’i siguronte qasje të lirë ekonomisë serbe në Detin Adriatik përmes Shqipërisë).

Ironia është edhe më e madhe kur kihet parasysh fakti se Fan Noli erdhi në pushtet me Revolucionin e Qershorit të vitit 1924 kryesisht me ndihmën e shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, konkretisht të shqiptarëve nga Kosova. Por, çka është më e keqja, ai i pari ua ktheu shpinën kosovarëve, duke i përjashtuar nga vendimmarrja politike. Ndër të parët që ndjeu pasojat e regjimit të Nolit ishte prijësi popullor Bajram Curri dhe Komiteti i Kosovës. Andaj, disa studiues, mbase me të drejtë, thonë se: “Noli e vrau Bajram Currin politikisht, kurse Zogu e vrau fizikisht”, megjithëse pas vrasjes Noli i thuri Currit njërën nga elegjitë më të bukura që ekzistojnë deri më sot në letërsinë shqiptare (Shpell’ e Dragobisë).

Sidoqoftë, me gjithë dritëhijet që e kanë përcjellë, kontradiktat në qëndrime politike ose gabimet historike që mund t’i faturohen nga këndvështrimi i sotëm, Fan Noli mbetet një figurë e madhe poliedrike që i ka dhënë shumë letërsisë, historisë, shkencës e kulturës shqiptare në përgjithësi. Shumë nga veprat e tij edhe sot e kësaj dite janë të paarritshme për nga niveli artistik, duke u shndërruar në manifeste të kohës sonë!

Kur më 1918 Fan Noli i kishte shkruar vargjet ikonike “Mbahu, Nëno, mos kij frikë – se  ke djemtë n’Amerikë”, ai sigurisht që nuk e kishe menduar se 80 vjet më vonë ato do të bëhen thirrje kushtrimi për mobilizimin e krejt diasporës shqiptare në Amerikë e më gjerë, me synimin e vetëm – çlirimin e Kosovës. Këto vargje edhe sot e kësaj dite reflektojnë frymëzim, siguri dhe shpresë për shqiptarët kudo që janë, meqë e dinë fort mirë se për çdo hall të tyre e kanë një diasporë të fuqishme protektore në SHBA, aty ku Noli i Madh rrezatoi mbi 50 vjet jetë dhe aty ku përgjithmonë prehen eshtrat e Tij!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X