Nëse themelimi i Kishës në vitin 1909 në Boston të SHBA-së kishte si qëllim një kishë që mbronte edhe shpirtin shqiptar, duke përkthyer shkrimet e shenjta në gjuhën shqipe, arti ishte një parathënie e politikës. Qëndrimet e Nolit janë të qarta se si e shihte politikën nën mbretin Zog, ku përshkruan gjithçka në tek poezia-himn “Marshi Barabbajit”, teksa aludon tradhtinë që u bëhet shpëtimtarëve, ashtu si në rastin e Jezuit nga judenjtë.
Agim BAÇI, Tiranë
Fan S. Noli e mbylli jetën e tij publike atje ku e nisi – në zemër të Kishës Ortothokse Shqiptare, të cilën e themeloi në vitin 1909. Katërmbëdhjetë vitet amerikane të Fan S. Nolit, 1906-1920, ishin domethënia e një përshkrimi prej opozitari patriot, derisa në qershor 1924 do të bëhej kryeministër – një gjashtëmujor që do ta rrëzonte edhe gjithë mitin brenda vetes se do mundej të instalonte modelin e tij.
Ai e nisi karrierën si prift, e përktheu Shekpirin, Servantesin, Rubairat e Omer Khajamit ose “Armiku i popullit” të Henrik Ibsenit. Ai përktheu me bindjen se një ditë Jul Qezari do të kuptohej me fjalimet e tij, ndërkohë që përmes indroduktit në përkthimin e Servantesit vulosi ndoshta një nga kuptimet më të forta të përcaktimit “donkishtotesk”, një përcaktim që edhe sot e kësaj dite e ka të njëjtën fuqi sa edhe kur e publikoi atë përkthim, duke besuar në analogji me atë që ndodhte në jetën politike dhe kulturore shqiptare. Fan Noli ishte “panagjeriku i mrekullueshëm i thirrjeve patriotike”, që e njihte realitetin dhe kërkoi ta ndryshojë atë duke besuar se gjithçka nis nga kultura, nga mbrojtja e kufijve kombëtarë dhe nga zgjerimi i kufijve për kuptimin e tjetrit. Në një bashkëbisedim me Eqerem bej Vlorën, Noli do e përshkruante atë që i kish mbetur më shumë në mendje si politikan, si qeveritar dhe si autor e përkthyes. “Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.” (Bashkëbisedim mes Nolit dhe Eqerem bej Vlorës, shkëputur nga libri “Kujtime”)
Kisha, arti dhe politika
Nëse themelimi i Kishës në vitin 1909 në Boston të SHBA-së kishte si qëllim një kishë që e mbronte edhe shpirtin shqiptar, duke përkthyer shkrimet e shenjta në gjuhën shqipe, arti ishte një parathënie e politikës. Qëndrimet e Nolit janë të qarta se si e shihte politikën nën mbretin Zog, ku përshkruan gjithçka në tek poezia-himn “Marshi Barabbajit”, teksa aludon tradhtinë që u bëhet shpëtimtarëve, ashtu si në rastin e Jezuit nga judenjtë.
Ardhja e tij në Tiranë për t’iu kushtuar politikës mbështetej fort në të qenurit një autoritet kulturor, që kishte mundur të themelonte Kishën Autoqefale Shqiptare, me shërbesën në shqip, në Boston. Ai udhëtoi fillimisht për të takuar Princ Vidin, por qëndrimi në Shqipëri do të ishte veçse dyjavor. U rikthye sërish në SHBA, edhe pse jo pak herë udhëtoi drejt Vjenës për të gjetur mbështetje për aktivitetin e tij për Kishën dhe shoqërinë “Vatra”. Ndërkohë që me opozitën e tij ai arriti të zgjidhej kreu i Partisë Popullore gjer në marshimin e 24 qershorit 1924, kur edhe u zgjodh në krye të qeverisë. Ai ishte themelues i në oratorie politike që nuk e përcaktonte thjesht kundërshtarin, por edhe arrinte të ndërtonte kontraste të forta sociopolitike. Nuk kurseu të fliste hapur për “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. Madje, fjalimet në Korçë, Vlorë, e sidomos fjalimet në Lidhjen e Kombeve e kthyen Nolin në themeluesin e “oratorisë politike”, duke vendosur një gur të fortë në nisjen e një udhe ku komunikimi do kishte një vëmendje të posaçme. “U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme. E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën, as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës. Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira: Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët: qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit: qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë. Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti. Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë. Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrutshme), me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër”, shkruan Noli në një fjalim të gushtit 1923, kur edhe po ngrinte në këmbë gjithë lëvizjen që më pas do e sillte në pushtet si kryeministër, më 24 qershor 1924. Një fjalim që edhe pas 100 vitesh duket se shënjon disa nga cilësitë më të forta të pushtetit.
Noli dhe roli në marrëdhëniet me SHBA
Fan Noli e shihte marrëdhënien me SHBA-në si vendimtare, madje duke kritikuar ashpër komunistët që vendosën pushtetin e tyre më 1944 dhe që ndërprenë marrëdhëniet me amerikanët. Madje, duke parë mosreflektimin e qeverisë shqiptare për çështjen e traktateve, i shkroi një letër Enver Hoxhës më 30 shtator 1946 ku theksonte: “U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim dhe pa kondita sepse kjo është vetëm një çështje formule, pa rëndësi praktike”.
Në fakt, Shqipëria nuk cenohej asgjëkund, nëse pranoheshin traktatet. Por, frika nga reagimet në Beograd dhe Moskë e bëri Tiranën zyrtare të mos firmoste, duke sjellë reagimin e ashpër dhe parashikues të Nolit, se ky hap do ishte izolim. Ironia ishte se Beogradi, që e mbante nën diktat të plotë Tiranën, vetë i kishte pranuar të gjitha traktatet për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA.
Mënyra se si ai besoi se komunistët nuk do hezitonin marrëdhëniet me SHBA, që ai aq fort i mbrojti si patriot, si politikan, si qeveritar, e bëri atë vetë “viktimën e përsosur” të indrodukteve të veta letrare, duke e nxjerrë si “donkishotesk i pandreqshëm”. Në një përmbledhje që i bën pranisë së tij në politikë në Shqipëri, e sidomos asaj që ndodhi me ardhjen e komunistëve në pushtet, Noli do të tregonte një anekdotë në një konferencë të mbajtur në 1962 për “Vatrën”. “Një prift një herë shkoi me popullin për të varrosur, për të shpënë të vdekurin në varre. Udhës, pranë një pylli, prifti u tha të qëndrojnë pak aty. Arsyeja pse qëndroi nuk u muar vesh dhe njerëzia u çudit si e la të vdekurin atje. Kur e panë pastaj që u kthye nga kisha me një dyfek u tha të presin e të heshtin dhe ia krisi. E ja këtë punë kisha u tha njerëzve. Po aman o uratë, i thanë ata, po e le të vdekurin këtu në mes që të vrash një ljepur… Budallenj, u tha ay, i vdekuri pret ndërsa ljepuri nukë pret!”, ironizonte Noli.
“Çudia” me rubairat e Khajamit
Nëse sjellja në shqip e analizave për Brutin dhe Kasin tek “Jul Cezari”, për meditimet e Hamletit, për “Otellon” ose përshtatja sa më afër realitetit e Don Kishotit, ishin të kuptueshme, bashkë me veprën “Armiku i popullit” të Ibsenit, ajo që ishte disi e çuditshme ishte “dashuria e priftit për rubairat e Khajamit”. Ajo që dihet është se Fan S. Noli këtë vepër nisi ta përkthejë në vitin 1924 dhe botimi i tyre i parë ndodhi nga miku i tij Koço Tashko në gazetën “Dielli” në SHBA. Madje, analiza e Tashkos për këtë përkthim duket se e shtyu të mbarojë veprën. Ajo që shihet me vëmendje nga studiuesit e kohës është fakti se “kleriku Noli”, duke përkthyer “Rubairat” e Khajamit, duket se po ndërtonte një urë të fortë politike edhe për “pjesën muhamedane” që ishte shumicë në shoqërinë shqiptare dhe se ky botim mund ta afronte në përkrahje edhe nga “shumica që kish parë dhe besuar për vlerat nga lindja”. Në fakt, një pjesë e rubairave, ku ftohen “muslimanët të pinë kupa e puthin çupa”, janë dyshuar se nuk i përkasin Omer Khajamit. Madje, edhe prezantuesi në botën perëndimore të Rubairave, Eduard Fitzgerald, në fillim të shekullit të 19-të, ka pohuar se një pjesë e tyre janë apokrife, pra të falsifikuara.
Por, “çudia” me Rubairat shtohet edhe me studimin që vetë Noli u ka bërë atyre, duke e nxjerrë Khajamin një lloj ateisti, ashtu siç aludonte edhe për Bethovenin, që e lidhte me “Revolucionin francez”, pra me një lloj ateizmi të muzikës dhe qëndrimeve të tij. Këto analiza për Rubairat dhe Bethovenin, bashkuar edhe me “pafuqinë Hamletit për veprim”, ishin një nga rrugët e Nolit për të mbështetur idetë e tij politike, që nënkuptonin një pushtet përmes revolucionit, ashtu edhe siç ndodhi në jetën e tij politike.