Fan Noli, si figurë politike, ideologjike dhe kulturore e viteve ’20, pati një rol vendimtar në futjen dhe përhapjen e termit feudal në diskursin politik shqiptar. Ai e përdori këtë term jo thjesht si kategori analitike, por si një mjet retorik për stigmatizim. Në fjalimet e tij parlamentare, në publicistikë dhe, veçanërisht, gjatë periudhës kur ia doli të vinte në pushtet, Noli u referohej kundërshtarëve të tij politikë, mbi të gjitha Ahmet Zogut dhe mbështetësve të tij, si “feudalë” që përfaqësonin pengesën kryesore për ecjen përpara të Shqipërisë.
Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë
Vitet ’20 të shek. XX përbëjnë një periudhë të trazuar dhe vendimtare në historinë e shqiptarëve. Shqipëria sapo kishte dalë nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore dhe ende nuk i kishte konsoliduar kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht. Përtej sfidave të jashtme, të brendshmet ishin po aq të mëdha, si mungesa e institucioneve të qëndrueshme, përplasjet e elitave politike, rivalitetet krahinore, dobësia e ekonomisë dhe ndërhyrjet e fuqive të huaja.
Në historinë politike të Shqipërisë së viteve 1920, një nga termat më të përdorur, por edhe më të keqinterpretuar, është ai i feudalizmit. Për dekada me radhë, shumë autorë, politikanë dhe publicistë, i kanë quajtur “feudalë” krerët lokalë, bejlerët dhe bajraktarët shqiptarë që spikasnin në jetën politike e shoqërore të kohës. Në të vërtetë, ky etiketim nuk qëndron as nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore, as nga pikëpamja historike. Më shumë se një përkufizim analitik, ai ishte një slogan politik, që shërbente për delegjitimim të kundërshtarit.
Pse termi “feudal” është i pasaktë
Feudalizmi, në kuptimin klasik europian, lidhet me sistemin e marrëdhënieve të besnikërisë mes sundimtarëve dhe vasalëve, me posedimin e tokës si burim themelor pushteti dhe me një strukturë të ngurtë hierarkike të bazuar mbi detyrimet ushtarake dhe rendin juridik të mesjetës. Mirëpo, feudalizmi është një nga konceptet më të keqpërdorura në historiografi dhe në retorikën politike. Përdorimi i tij i shpeshtë si sinonim për prapambetje, privilegjim ose sundim arbitrar, ka bërë që termi të humbasë kuptimin e tij të saktë historik. Për ta kuptuar drejt, lipset të ndalemi te origjina, përmbajtja dhe kuptimet e ndryshme që feudalizmi ii ka marrë në studimet historike. Fjala “feudum” ka prejardhje latine dhe lidhet me një lloj dhurate ose posedimi të tokës që një sundimtar ia jepte një vasali si shpërblim për besnikëri dhe shërbime ushtarake. Sistemi i marrëdhënieve që u ndërtua mbi këtë praktikë, sidomos në Europën Perëndimore pas rënies së Perandorisë Romake, mori emrin feudalizëm. Në shekujt IX-XIII, ky sistem u shndërrua në një strukturë të gjerë shoqërore, ekonomike dhe politike, e cila dominoi pjesën më të madhe të Europës mesjetare. Feudalizmi karakterizohet nga disa elemente kryesore, si marrëdhënia vasal-zotëri, ku zotërinjtë (lordët) jepnin tokë (feudum) vasalëve. Vasalët, në këmbim, premtonin besnikëri dhe shërbim ushtarak kurdo që të nevojitej. Ky në thelb përbënte një sistemi hierarkik me fragmentim të pushtetit. Kjo sillte që në të kundërt të idesë së përhapur mbi monarkët mesjetarë, në fakt, mbretërit zakonisht kishin pushtet të kufizuar dhe sipërfaqësor. Autoriteti real shpërndahej te fisnikët lokalë, që sundonin territore të vogla.
Që nga shekulli XIX, studiuesit kanë debatuar për kuptimin e saktë të feudalizmit. Për historianë si François-Louis Ganshof, feudalizmi ishte kryesisht një sistem juridik e ushtarak i marrëdhënieve vasale. Ndërsa Marc Bloch-u, në veprën e tij klasike Shoqëria Feudale (1939), e konceptoi feudalizmin si një formë të përgjithshme të organizimit shoqëror, ku lidhjet personale dhe tokësore i përcaktonin të gjitha marrëdhëniet politike e ekonomike. Në historiografinë marksiste, feudalizmi shihej si një formacion shoqëror-ekonomik, i karakterizuar nga dominimi i klasës feudale mbi fshatarësinë e varur, para se të lindte kapitalizmi. Ky këndvështrim e ktheu feudalizmin në një etapë të domosdoshme të zhvillimit historik, që i paraprinte edhe zhvillimit të marrëdhënieve kapitaliste.
Në gjuhën e përditshme, sidomos në politikë, termi “feudal” është përdorur shpesh si etiketë denigruese për sundimtarë apo krerë lokalë që pengonin modernizimin. Në shumë vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, termi u përdor për të përshkruar elitat e vjetra të fillimshekullit XX, megjithëse realiteti i tyre nuk kishte lidhje me feudalizmin mesjetar europian. Ky përdorim anakronik ka sjellë konfuzion dhe ka shtrembëruar analizën historike, duke ngatërruar patronazhin dhe klientelizmin modern me marrëdhëniet feudale të Mesjetës. Feudalizmi është një koncept historik kompleks, që nuk mund të përdoret lehtësisht si metaforë për prapambetje apo sundim lokal. Ai i përket një periudhe të caktuar të historisë europiane, të karakterizuar nga marrëdhëniet e besnikërisë, ekonomia bujqësore dhe fragmentimi i pushtetit. Përdorimi i tij për realitete të tjera, siç ka ndodhur në politikën dhe historiografinë shqiptare, nuk është i saktë. Për të kuptuar drejt zhvillimet historike, është e domosdoshme të ruajmë qartësinë konceptuale dhe të shmangim etiketime të tilla të pasakta. Feudalizmi është Mesjeta europiane, jo çdo formë e elitizmit tradicional ose e patronazhit politik në kohë moderne.
Shqipëria e viteve 1920 nuk përmbante elementet themelore të feudalizmit europian mesjetar, siç njiheshin në Francë, Angli ose Gjermani gjatë shekujve IX-XIV. Në Francë, për shembull, marrëdhëniet feudale përkufizoheshin nga një hierarki e qartë vasalësh dhe zotërinjsh, ku një vasal zotëronte tokë (feudum) në këmbim të shërbimit ushtarak dhe detyrimeve të tjera ndaj zotërisë. Në Angli, sistemi i manorit dhe i serfdom-it i lidhi fshatarët me tokën, duke e bërë lirinë e tyre të kufizuar dhe të varur nga lordët lokalë. Në Gjermaninë mesjetare, fisnikët dhe princat territorialë kishin autoritet të pavarur juridik e ushtarak, shpeshherë më të fortë se ai i perandorit.
Asnjë nga këto karakteristika nuk gjendej në Shqipërinë e viteve 1920. Krerët shqiptarë nuk ishin “feudalë” në kuptimin klasik të fjalës, por elita tradicionale e trashëguar nga periudha osmane, e cila zotëronte prona dhe ndikim krahinor. Ndikimi i tyre buronte më shumë nga rrjetet e patronazhit, lidhjet farefisnore dhe autoriteti krahinor sesa nga marrëdhënie të tipit vasal-zotëri. Ata nuk gëzonin juridiksion të veçantë të pavarur nga shteti, nuk kishin ushtri private të institucionalizuar sipas modelit feudal dhe nuk vepronin mbi bazën e një të drejte ligjore të trashëguar për të kontrolluar jetën e fshatarëve.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre elitave ishin të integruara në institucionet e shtetit modern në formim. Shumë prej tyre u zgjodhën deputetë në parlamentin shqiptar, shërbyen si ministra në qeveritë e brishta të kohës ose mbanin poste administrative në nivel prefekturash. Kjo tregon se ata nuk ishin kastë feudale e izoluar që sundonte paralelisht me shtetin, por një grup që po adaptohej me vështirësi ndaj realitetit të ri politik. Për më tepër, fshatarët shqiptarë të viteve 1920 nuk ishin “serfë” të lidhur me tokën, por bujq të lirë, jo rrallë të organizuar në komunitete me vetëqeverisje tradicionale, që kishin hapësira të caktuara për veprim të pavarur ekonomik dhe shoqëror.
Për këtë arsye, etiketimi i elitave shqiptare si “feudalë” është një anakronizëm i pavlerë. Ai ngatërron strukturat socio-ekonomike të Shqipërisë së shekullit XX me modelet e Mesjetës perëndimore, duke krijuar një narrativë të shtrembëruar dhe të politizuar. Në vend që të shihet si një vend i ngecur në “feudalizëm”, Shqipëria e viteve 1920 duhet kuptuar si një shoqëri kryesisht rurale, me elita tradicionale në tranzicion drejt shtetit kombëtar, të përfshira në proceset parlamentare dhe administrative, pavarësisht nga konfliktet dhe destabiliteti politik i kohës. Ky këndvështrim e çliron analizën historike nga keqpërdorimet propagandistike dhe e vendos Shqipërinë në kontekstin e saj të vërtetë historik.
Noli dhe përdorimi politik i termit
Fan Noli, si figurë politike, ideologjike dhe kulturore e viteve ’20, pati një rol vendimtar në futjen dhe përhapjen e termit feudal në diskursin politik shqiptar. Ai e përdori këtë term jo thjesht si kategori analitike, por si një mjet retorik për stigmatizim. Në fjalimet e tij parlamentare, në publicistikë dhe, veçanërisht, gjatë periudhës kur ia doli të vinte në pushtet, Noli u referohej kundërshtarëve të tij politikë, mbi të gjitha Ahmet Zogut dhe mbështetësve të tij, si “feudalë” që përfaqësonin pengesën kryesore për ecjen përpara të Shqipërisë.
Në vizionin e tij, ky grup social dhe politik nuk ishte thjesht opozitë, por simbol i prapambetjes. Për të mbështetur këtë vizion, atij i duhej të krijonte një vijë ndarëse të qartë midis “së resë” dhe “së vjetrës”, midis “progresit” dhe “reaksionit”. Në këtë ndarje, termi “feudal” u bë etiketë politike e ngarkuar me një simbolikë që fajësonte armiqtë politikë si pengues të çdo reforme. Ky përdorim ishte i qëllimshëm ngaqë në fillim të shekullit XX, në qarqet intelektuale të vendeve të vogla në modernizim, “feudalizmi” përfaqësonte jo vetëm një strukturë shoqërore të tejkaluar, por edhe një metaforë të prapambetjes historike.
Në fjalimin e tij programatik pas marrjes së pushtetit në qershor 1924, Noli i paraqiste kundërshtarët si “bejlerë feudalë që e kishin shndërruar Shqipërinë në pronë të tyre personale”, duke e paraqitur veten dhe lëvizjen e tij si përfaqësues të popullit dhe të demokracisë. Në gazetat që mbështesnin lëvizjen, si “Ora e Maleve” dhe “Dielli”, kjo gjuhë u përforcua përmes shkrimeve polemike ku krahasoheshin kundërshtarët politikë me zotërinjtë mesjetarë që mbanin fshatarësinë nën zgjedhë. Etiketa “feudal” shërbente për të ngjallur një imagjinatë politike të polarizuar. Nga njëra anë, një elitë e vjetër që lidhej me arbitraritetin, klientelizmin dhe interesat e ngushta krahinore dhe, nga ana tjetër, një elitë e re intelektuale, e hapur ndaj Europës dhe demokracisë moderne. Duke e vendosur kundërshtarin në “anën e errët të historisë”, Noli përpiqej të forconte legjitimitetin moral dhe politik të lëvizjes së tij, duke u paraqitur si udhëheqësi i domosdoshëm për një epokë të re.
Në qershor 1924, pas marrjes së pushtetit, Noli shpalli të famshmin program prej 20 pikash, i cili përfaqësonte një platformë modernizuese të qeverisë së tij. Reforma agrare ishte thelbi i programit dhe lidhej drejtpërdrejt me përdorimin e termit “feudal”. Noli synonte të kufizonte pushtetin e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe të shpërndante një pjesë të tokës te fshatarët. Në këtë kuptim, ai i paraqiti kundërshtarët si “bejlerë feudalë” që ruanin privilegjet e tyre tokësore dhe pengonin barazinë shoqërore. Kjo e bënte gjuhën antifeudale jo vetëm retorikë, por edhe pjesë organike të një projekti politik për transformimin e shoqërisë shqiptare. Midis pikave kryesore ishte edhe pika që theksonte shprehimisht: “të çrrënjosim feudalizmin…” Ky diskurs i kthente kundërshtarët politikë në simbol të pengesës ndaj reformës, duke i delegjitimuar jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë moral e shoqëror.
Megjithatë, ky përdorim i termit nuk ishte pa pasoja. Së pari, ai ngatërronte realitetin shqiptar të viteve 1920 me modele feudale mesjetare që nuk kishin ekzistuar asnjëherë në atë formë në Shqipëri. Së dyti, ai krijoi një precedent retorik që më vonë do të përqafohej nga historiografia komuniste, e cila ndërtoi mbi këtë bazë një narrativë të tërë mbi “klasën feudale” dhe “shoqërinë gjysmëfeudale”, duke e ngritur propagandën në koncept analitik. Pra, ajo që Noli kishte përdorur si armë politike u institucionalizua si “e vërtetë historike” për gjysmë shekulli me radhë. Në këtë kuptim, ndikimi i Nolit mbi futjen dhe përdorimin e termit “feudal” është i dyfishtë: nga njëra anë, ai i shërbeu si instrument i luftës politike të menjëhershme, ndërsa, nga ana tjetër, la trashëgim një gjuhë të shtrembëruar që do të ngurtësonte për dekada të tëra interpretimet mbi realitetin shqiptar të fillimit të shekullit XX.
Trashëgimia e një keqpërdorimi
Me kalimin e kohës, termi i përdorur nga Noli hyri në historiografinë shqiptare dhe u përvetësua gjerësisht, sidomos gjatë periudhës komuniste. Historianët marksistë e rimorën këtë koncept dhe e shndërruan në një kornizë të detyrueshme interpretimi. Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore u përshkrua si “shoqëri gjysmëfeudale” e sunduar nga “bejlerë feudalë”. Kjo shërbeu për të legjitimuar ideologjikisht nevojën e revolucionit dhe të pushtetit komunist. Përdorimi i termit “feudal” jo vetëm që e shtrembëron realitetin historik, por edhe pengon një kuptim më të qartë të dinamikave të vërteta politike dhe shoqërore.
Keqpërdorimi i termit “feudal” për Shqipërinë e viteve 1920 është një shembull i qartë i mënyrës sesi politika dhe ideologjia ndërhyjnë në terminologjinë dhe analizën historiografike. Fan Noli, me gjithë vizionin e tij reformator, kontribuoi në futjen e këtij termi në qarkullim si armë politike. Pas tij, historiografia e ideologjizuar e institucionalizoi, duke e kthyer në një klishe. Sot është e domosdoshme që historiografia të shkëputet nga ky trashëgim propagandistik dhe të përdorë koncepte më të sakta për ta analizuar realitetin shqiptar me instrumente më të sakta teorike. Shqipëria e viteve 1920 nuk ishte feudale, por një vend në kërkim të konsolidimit shtetëror, me elita tradicionale që ende dominonin, por brenda një kuadri të ri institucional. Propaganda duhet ndarë dhe lënë jashtë analizës shkencore.