Idealet e revolucionit të Fan Nolit duhen parë si pasqyrim i kulturës politike shqiptare në një moment tepër delikat të historisë së shtetit shqiptar. Revolucioni i Qershorit na tregon për tensionin mes një elite të re të arsimuar, të ardhur nga emigracioni dhe e frymëzuar nga idealet demokratike perëndimore dhe një elite politike tradicionale, që ishte mësuar ta mbështeste pushtetin mbi rrjetet e patronazhit, marrëdhënieve fisnore dhe pragmatizmit politik. Ky tension vazhdon të rishfaqet në forma të ndryshme edhe në politikën shqiptare të mëvonshme.
Lulzim HOXHA, Tiranë
Fan Noli mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë politike shqiptare, duke filluar nga vitet përpara pavarësisë deri në fund të vitit 1924. I lindur si Theofan Stilian Noli në vitin 1882 në Ibrik-Tepe, fshat shqiptar në vilajetin e Edrenesë, me kalimin e kohës ai u kthye në një figurë politike që përmbushte rolin e një intelektuali poliedrik, gjë që e bën të pazakontë në hapësirën shqiptare të viteve 1920-30-të. Kontributi i tij si shkrimtar, përkthyes, muzikolog, klerik ortodoks, publicist, vetëm sa e pasurojnë kontributin e shkurtër si politikan gjatë viteve 1920-1924. Aktivizmi i tij politik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të diasporës, hapjes së shkollave në gjuhën shqipe dhe pavarësinë e Shqipërisë nis qysh në vitet e para të shekullit të njëzetë përmes artikujve të botuar për gazetën “Drita”, mandej për gazetën “Kombi”, themelimin e gazetës “Dielli” dhe Federatës “Vatra”, për të vijuar në gjendjen kaotike që mbizotëronte në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës, ku Fan Noli u shfaq si përkrahësi kryesor i parimeve republikane, teksa pas largimit nga Shqipëria, në dhjetor 1924, ka vazhduar kontributin e tij për shqiptarët në mërgim. Pavarësisht larmishmërisë së sferave kulturore, artistike dhe letrare, në këtë shkrim do të trajtohet pikësëpari kontributi politik i Nolit, i cili përveçse mbart meritat kryesore për autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, përkthimit në shqip të liturgjisë ortodokse, pasurimin e literaturës në shqip me autorët më të njohur të letërsisë botërore ose anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, njëherësh përfaqëson edhe të parin politikan shqiptar që do të artikulonte problematikat e drejtësisë shoqërore në Shqipëri dhe gjithashtu do të propozonte një transformim radikal të shoqërisë shqiptare për ta shndërruar nga rrënojat e vilajeteve osmane në një shtet demokratik sipas modelit perëndimor. Në shumë raste, qëndrimet politike të Nolit mund të kuptohen vetëm nëpërmjet kontrastit të tij me pushtetin në rritje të Ahmet Zogut. Sikurse është përmendur në numrin e kaluar të revistës “Shenja”, shoqëria shqiptare e këtyre viteve ishte tej mase e fragmentuar, në mungesë të një qeverie qendrore të konsoliduar ku ndarjet krahinore theksoheshin edhe më tej nga prania e prijësve lokalë me çetat e armatosura që ruanin pushtetin e tyre në zonat e thella të vendit. Si pjesë e këtij realiteti, Zogu dhe Noli përfaqësonin dy shtresa shoqërore të ndryshme dhe në rivalitet, ndonëse hera-herës në bashkëpunim me njëri-tjetrin: familja Zogolli përfaqësonte interesat e bajraktarëve të Matit në veri të vendit, kurse Noli mbështetjen më të madhe e kishte ndër shtresat e mesme urbane në rritje të ortodoksëve të jugut. Megjithatë, pavarësisht përçarjeve lokale dhe krahinore, siç do të shohim në vijim, paçka se pikëpamjet politike të Nolit, strategjia e tij politike për modernizimin e vendit, metodat e qeverisjes, bindjet politike, si edhe marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera në shumë aspekte dallojnë nga Ahmet Zogu, prapëseprapë elementi i përbashkët që mund të vihet në dukje përgjatë gjithë aktivitetit të tyre politik është orientimi i Shqipërisë nga Perëndimi dhe modernizimi i shtetit shqiptar.
Idealet politike të Nolit dhe konflikti me Ahmet Zogun
Konflikti midis Ahmet Zogut dhe Nolit përfaqëson kontradiktën midis dy llojeve të ndryshëm politikanësh në Shqipërinë e kohës: atyre që e kishin prejardhjen nga traditat e krerëve lokalë të Perandorisë Osmane, siç ishte Zogu, dhe atyre si Noli, që nuk kishin përvojë në lidhje me dinamikat politike të kontekstit shqiptar ose që të gjithë kontributin politik si aktivistë e kishin dhënë jashtë Shqipërisë. Përpara vitit 1919, kur erdhi pas misionit të Konferencës së Paqes në Paris, Noli nuk kishte qëndruar pothuajse fare në Shqipëri. Në vitin 1915 ai u zgjodh president i Federatës “Vatra” dhe e shndërroi këtë organizatë në një përkrahëse aktive të të drejtave të shqiptarëve dhe mbrojtjes së kufijve të një shteti shqiptar ende të brishtë. Përvoja e tij në Shtetet e Bashkuara e vuri Nolin përballë formave moderne të qeverisjes dhe lidhja e tij me shqiptaro-amerikanët, shumica e të cilëve ishin nga jugu i Shqipërisë, e bindën se edhe në Shqipëri mund të vendosej demokracia. Rikthimi i tij në Shqipëri më 1920, fillimisht si kryedelegat i Shqipërisë në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, më pas si përfaqësues i Federatës “Vatra” në parlamentin shqiptar, e prezantoi Nolin me përçarjet e shumëllojshme që ekzistonin në Shqipërinë e atyre viteve. Në një artikull për gazetën “Immigranti”, të shkruar më dhjetor 1925, Noli theksonte se: “Nëse në vise të tjera, lufta e indipendencës merr funt që ditën që shteti i prokllamuar independent njihet zyrtarisht si i tillë prej fuqive të mëdha të botës, Shqipëria përbën një përjashtim të kësaj rregulle të përgjithshme. Këtu te ne, lufta e indipendencës vazhdon, ose më mirë, bëhet edhe më e egër pas prokllamatës së indipendencës dhe njohjes zyrtare.” Në parlamentin e vitit 1921, Noli u bë kryetar i Partisë Popullore, ku qe pjesë edhe Ahmet Zogu. Vlen të theksohet se dy partitë politike që garuan në këto zgjedhje, Partia Popullore dhe Partia Përparimtare, nuk ishin parti politike të mirëfillta sipas kuptimit perëndimor të fjalës, me programe të mirëpërcaktuara dhe përfaqësimin e interesave të elektoratit në trajtën e organizatave të masave. Partia Përparimtare, ndryshe e njohur si Partia e beut (pra Partia e Vërlacit), përfaqësohej nga elementë shumë heterogjenë, ku dominonte shtresa konservatore e bejlerëve, por edhe anëtarë të Komitetit të Kosovës, si Bajram Curri dhe Hasan Prishtina. Nga ana tjetër, Partia Popullore përbëhej nga grupe po aq heterogjene, ku bënin pjesë reformistët si Zogu dhe Noli, por edhe përfaqësues të Krahut Kombëtar, si Eshref Frashëri, Sejfi Vllamasi ose major Shefqet Korça, të cilët mbështesnin më së shumti status-quonë. Sikurse shkruan historiani kanadez Robert Austin: “Të dyja partitë reklamonin me të madhe programe pothuaj të njëjta, që bënin thirrje për reforma politike dhe ekonomike ose arsimimin e masave. Prapëseprapë këto programe nuk shkuan kurrë më tej sesa parrullat dhe në thelb ishin personalitetet e partisë ata që e përcaktonin anëtarësinë dhe politikën e saj dhe jo programi” (Robert Austin, “Fan Noli dhe Revolucioni i Ikur”, Prishtinë: 2011, f. 48). Sipas këtij kuptimi, Partia Përparimtare ishte shumë pak përparimtare, ashtu sikurse Partia Popullore ishte shumë pak popullore. Gjatë viteve 1921-1922, Fan Noli dhe Ahmet Zogu ishin pjesë e qeverisë së shtetit shqiptar ku i pari shërbente si ministër i Jashtëm, kurse i dyti si ministër i Brendshëm. Me kalimin e kohës, grupi parlamentar i Partisë Popullore nisi të përçahej, teksa Noli dhe përkrahësit e tij u evidentuan si krahu më liberal i partisë, me kërkesat e tyre për reformën agrare dhe rishpërndarjen e tokës, ndërsa Zogu e mbështeste grupin e Krahut Kombëtar (i mbiquajtur “Klika”), të cilët e mbronin idenë e një transformimi më gradual të shoqërisë dhe ishin skeptikë mbi efikasitetin e reformave radikale për kontekstin ku ndodhej vendi. I bindur se shtetit i mungonte bashkimi në të gjitha aspektet e tij, Noli mendonte se vetëm organizimi i fshatarësisë do ta lejonte Shqipërinë të kapërcente prirjet shpërbërëse që mbizotëronin në shoqëri. Në perspektivën e tij politike, Noli kishte përcaktuar rrënjët e asaj që ai e quante “sëmundja shqiptare”, e cila ndahej në sëmundjen e brendshme dhe atë të jashtme. “Sëmundja e brendshme” përfaqësohej nga çifligarët shqiptarë, që kontrollonin pozitat kyçe politike dhe ekonomike, ushtronin pushtet të pakufizuar mbi fshatarësinë dhe qenë të vendosur në ruajtjen e status-quosë shoqërore dhe ekonomike. “Sëmundja e jashtme” ishte imperializmi pas Luftës së Parë Botërore, që mishërohej në politikat ekspansioniste të Serbisë, Greqisë dhe Italisë (cit. te Robert Austin, “Revolucioni i Ikur”, Prishtinë: 2011, f. 40). Në mendimin politik të Nolit, pengesa kryesore në integrimin kombëtar të Shqipërisë ishin pesë anarkitë që mbizotëronin në vend: anarkia fetare, shoqërore, morale, politike dhe ideale. Në aspektin fetar, sipas perspektivës së Nolit, shqiptarët do ta kishin të pamundur të krijojnë unitet mes tyre, për sa kohë që qytetarët ortodoksë ishin nën kontrollin e Patrikanës greke, kurse myslimanët qenë nën ndikimin e Turqisë. Në aspektin shoqëror, Shqipëria nuk ishte zhvilluar në atë shkallë sa të kishte një strukturë të qartë klasore. Nuk kishte klasë të vërtetë bejlerësh, fshatarësh ose borgjezësh. Edhe ato shtresa shoqërore ekzistuese ishin më tepër pasojë e organizimit shoqëror të shtetit osman dhe, pas pavarësisë nga Perandoria, atyre u mungonte terreni i duhur për t’u zhvilluar në rang interesash klasore. Prandaj në kushtet e një shteti shqiptar të pavarur, prania e këtyre shtresave shoqërore nuk përkonte më me realitetin e kohës. Në arsyetimin e Nolit, në Shqipëri kishte anarki morale dhe politike, sepse “brenda ditës, si me magji, tradhtari bëhet patriot dhe patrioti tradhtar”. Gjithashtu kishte anarki ideologjike, sepse “idealet shqiptare ishin në errësirë” dhe krahinarizmi kishte sjellë një luftë aq të ashpër për pushtet, saqë fitimi i një posti shtetëror shihej më tepër si qëllim në vetvete për zgjerimin e pushtetit në krahinat e tjera sesa si mjet për realizimin e qëllimeve të përbashkëta kombëtare. Gjatë karrierës së tij të shkurtër parlamentare, Noli u kthye në zërin e jugorëve të pakënaqur, të cilët jo vetëm e vuanin mungesën e tyre të ndikimit në Tiranë, por gjithnjë e më shumë nuk duronin që bejlerët të vazhdonin të mbizotëronin në qeveri dhe në administratë. Nga kjo pikëpamje, sikundër edhe shumë politikanë të tjerë të kohës, përkrahja e Nolit përqendrohej më së shumti në nivel lokal. Shqipëria mbetej një vend i ndarë nga besnikëritë krahinore që kishin më tepër ndikim në zhvillimet e vendit sesa në programet politike në shkallë kombëtare. Pavarësisht objektivave për forcimin e unitetit në shoqërinë shqiptare, në vazhdim të karrierës së tij politike Noli u bë pjesë e ndarjeve krahinore të vendit, duke përkrahur interesat e Jugut mbi ato të Veriut, siç mund të vërehet, ndër të tjera, pas krizës politike që sollën zgjedhjet e vitit 1923, kur ai deklaronte se Asambleja Kushtetuese duhej të zhvendosej nga Tirana në Vlorë. Megjithatë, konflikti midis forcave përparimtare, të përfaqësuara nga grupi i Nolit, dhe atyre konservatore, ku ishte pjesë grupi i Zogut, nuk ishte veç produkt i mosdakordësisë mbi reformën agrare dhe të drejtave të fshatarësisë. Ajo që shkaktoi thyerjen përfundimtare midis Nolit dhe Zogut ishte indiferenca e këtij të fundit ndaj çështjes së Kosovës. Zogu e shihte normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin në interes të stabilitetit të shtetit shqiptar, kurse Komiteti i Kosovës përbënte pengesën kryesore për arritjen e këtij qëllimi. Veprimtaria e Zogut për çarmatosjen e popullsisë në malësitë e veriut solli si reagim në vitin 1922 kryengritjen e çetave të Isuf Elezit dhe Bajram Currit, të cilat brenda pak ditësh depërtuan në Tiranë. Shumë prej anëtarëve të qeverisë, përfshi dhe Nolin, u larguan nga vendi, kurse Zogu dhe trupat e tij qëndruan në kryeqytet për ta mbrojtur parlamentin. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Noli, që atë kohë ndodhej në Romë, dha dorëheqjen si ministër i Jashtëm, duke deklaruar se arsyet kryesore të kësaj kryengritjeje ishin prirjet diktatoriale të Zogut. Që nga ky moment, Fan Noli do të kthehej në figurën qendrore të opozitës. Në zgjedhjet e vitit 1923, Fan Noli do të zgjidhej deputet i Korçës dhe do të përfitonte nga rritja e pakënaqësive ndaj Ahmet Zogut për ta forcuar pushtetin e tij politik.
Revolucioni i Qershorit si pasqyrim i një shoqërie të fragmentuar
Historiografia e komunizmit ka ndërtuar mitin e Revolucionit të Qershorit si një lëvizje të fshatarësisë për ta çrrënjosur klasën feudale. Sipas këtij arsyetimi, masat e fshatarësisë pa tokë ishin të etura për reformën e tokës dhe të gatshme për t’u bashkuar me Nolin, për të këputur kështu prangat e çifligarëve myslimanë. Mirëpo, sikurse na tregojnë të dhënat historike, fshatarësia qëndroi jashtë procesit politik si në zgjedhjet e vitit 1923, ashtu edhe në Revolucionin e Qershorit, të cilin edhe vetë Noli e ka quajtur si “coup d’état” (grusht shteti) më tepër sesa revolucion i mirëfilltë. Në shkrimet e tij pas vitit 1925, Noli pretendonte se vetëm në pak zona të Shqipërisë së Mesme pati ndonjë kërkesë të vërtetë për reformën e tokës. Në fakt, kur u fliste fshatarëve për reformën agrare, që ishin aq të terrorizuar nga bejlerët, përgjigja e tyre ishte e njëllojtë: “Ju lutemi, mos na krijoni probleme se boll kemi” (Arshi Pipa, “Fan Noli as a National and International Albanian Figure”, Sudost Forschungen, Vjenë: 1984, f. 243). Sidoqoftë, për nga mënyra se si u zhvilluan dinamikat që sollën përmbysjen e qeverisë së Iljaz bej Vrionit në qershor të vitit 1924, mund të thuhet se faktorët që sollën në pushtet Fan Nolin qenë po ato që çuan në disfatën e qeverisë së tij dhe rikthimin e Zogut në dhjetor 1924. Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 1923 reflektonin ndasitë krahinore të shoqërisë shqiptare: ndërsa bejlerët e Shqipërisë së Mesme dhe prijësit veriorë të fiseve votuan masivisht për Zogun (i cili falë premtimit që nuk do të cenonte privilegjet e bejlerëve e kish fituar mbështetjen e Shefqet Vërlacit), kurse opozita pati mbështetje masive në qarkun e Shkodrës, gjithashtu fitoi shumicën në zonat ortodokse të Korçës dhe Gjirokastrës. Sigurisht që edhe kësaj here, votat nuk kishin lidhje me programin, por me praninë e personaliteteve të njohura, si Luigj Gurakuqi në Shkodër, Noli në Korçë, Vërlaci në Elbasan ose njerëzit e Zogut në Dibër dhe Mat. Procesi zgjedhor, sidomos në raundin e dytë të votimeve, u karakterizua nga akuzat e vazhdueshme të opozitës për manipulim. Në kujtimet e tij mbi këtë periudhë, Sejfi Vllamasi, asokohe anëtar i Krahut Kombëtar (“Klikës”), shkruan se: “Zogu mori masa kriminale për të siguruar fitoren në prefekturën e Durrësit” (Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime Politike”, Tiranë: 2020, f. 340), kurse forma e votimit indirekt për kandidatët (si pasojë e shkallës së lartë të analfabetizmit, shumica e elektoratit e delegonte votën te zgjedhësit që do të votonin listën e parapërgatitur), bënte që deputetët e zgjedhur të mos pasqyronin në mënyrë të drejtpërdrejtë votën e popullit. Trazirat vijuan për disa muajsh, derisa më 24 shkurt 1924 gjendja u ashpërsua edhe më tej pas atentatit ndaj Zogut, ku mendohej se atentatori Beqir Valteri qe dërguar nga kreu i organizatës “Bashkimi”, Avni Rustemi, asokohe pjesë e opozitës. Pas kësaj ngjarjeje, Zogu jep një dorëheqje të përkohshme nga arena politike, duke e lënë kabinetin nën drejtimin e Shefqet Vërlacit. Thirrjet e opozitës “Demokraci kundër feudalizmit, liberalizëm kundër konservatorizmit dhe nacionalizëm kundër reaksionit” mbizotëronin në qendrat kryesore të Shqipërisë. Por, ajo që shërbeu si një katalizator i mirëfilltë i kryengritjes qe vrasja e Avni Rustemit më 20 prill 1924. Pavarësisht se kush qe përgjegjës, kjo ngjarje e ndryshoi krejtësisht gjendjen politike dhe opozita kishte përhapur lajmin se Zogu kishte vendosur t’i eliminonte një nga një të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Forcat opozitare, të udhëhequra nga Fan Noli, arritën ta marrin pushtetin pa shumë vështirësi në 10 qershor 1924, edhe falë mbështetjes që patën nga tre gjeneralët e ushtrisë së Zogut, Shefqet Korça, Kasëm Qafëzezi dhe Rexhep Shala, të cilët kaluan në anën e trupave opozitare. Zhvillimet e mëvonshme do të tregonin se forcat opozitare që morën qeverisjen e vendit pas largimit të Zogut, në të vërtetë ishin tepër heterogjene dhe nuk i bashkonte pothuaj asgjë tjetër, përveçse pakënaqësia ndaj Ahmet Zogut. Në të bënin pjesë progresistët si Noli, të cilët ishin të vendosur për zbatimin e reformës agrare, por edhe bejlerë si Sulejman Delvina, të cilët e kundërshtonin reformën. Nga ana tjetër, Luigj Gurakuqi dhe katolikët e Shkodrës qenë kundër vizionit të Nolit për promovimin e laicizmit në shkollat katolike. Po ashtu, ushtarakët i kishte shtyrë në revolucion pakënaqësia për mosmarrjen e pagave nga qeveria e Zogut, kurse anëtarët e Komitetit të Kosovës kishin si prioritet mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe, përgjithësisht, qenë indiferent kundrejt politikave progresiste të Nolit për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë. Megjithatë, programi prej 20 pikash, që u hodh për zbatim nga qeveria e Nolit, ishte tej mase ambicioz dhe me shumë gjasa i parakohshëm për kontekstin shqiptar të atyre viteve. Ndër të tjera, ai parashikonte: 1) çarmatosjen e përgjithshme pa përjashtim të popullsisë; 2) lartësimin e autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose ekstralegale; 3) shfarosjen e feudalizmit dhe vendosjen definitive të demokracisë; 4) ndryshimin e sistemit të taksave në mënyrë që të lehtësohet populli; 5) lehtësimin e hyrjes së kapitalit të huaj dhe riorganizimin e kapitalit vendas; 6) indipendencë të vërtetë të gjyqësorit; 7) marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet, e sidomos me fqinjët; 8) lartësimi i prestigjit dhe kredibilitetit të shtetit shqiptar në botën e jashtme etj. Brenda pak kohe u bë e qartë se realizimi i të gjitha pikave të programit do të ishte i pamundur në mungesë të ndihmave financiare nga Perëndimi. Noli shpresonte sidomos në ndihmat e Britanisë së Madhe dhe Lidhjes së Kombeve, duke qenë se Italia, Jugosllavia dhe Greqia do të kërkonin lëshime territoriale në këmbim të ndihmës. Përpjekjet e tij për të siguruar një hua në Lidhjen e Kombeve rezultuan të pasuksesshme pas kërkesës së Lidhjes për ta legalizuar ardhjen e tij në pushtet me anë të zgjedhjeve. Noli e kuptonte se mbajtja e zgjedhjeve kërkonte, fillimisht, përmirësimin e stabilitetit të brendshëm, gjë që nuk mund të realizohej pa shtuar shpenzimet shtetërore në ruajtjen e rendit. Kësisoj, për të rritur buxhetin në arkat shtetërore, Noli ndërmori një fushatë konfiskimi të pronave të bejlerëve që e kishin përkrahur Zogun, kurse “bejlerët që mbështetën Nolin nuk do t’i humbisnin tokat por do të paguanin taksa më të larta seç kishin paguar më parë” (Robert Austin, “Fan Noli dhe Revolucioni i ikur”, Prishtinë: 2011, f. 129). Noli e shihte të drejtën për votën e drejtpërdrejtë të fshatarëve të ndërlidhur me pavarësinë e tyre ekonomike nga bejlerët. Mirëpo duke qenë se bejlerët qenë pjesë e grupit që përbënte kabinetin e tij qeveritar, ai nuk mund ta zbatonte rishpërndarjen e tokës pa shkaktuar pakënaqësinë e tyre. Për rrjedhojë, mbeti pa u zbatuar jo vetëm vota e drejtpërdrejtë dhe e lirë e fshatarësisë, por edhe zgjedhjet e reja që do ta legalizonin qeverinë e tij në sytë e Perëndimit. Më vonë Noli do të thoshte se grupi i tij “pati shumicën kur në programin tonë futëm reformën agrare, por mbetëm në pakicë kur erdhi puna për ta zbatuar atë”. Me përkeqësimin e gjendjes ekonomike, një numër gjithnjë e më i madh i mbështetësve fillestarë u shkëputën prej qeverisë së tij. Me zvogëlimin e bazës mbështetëse dhe shpërbërjen e autoritetit qendror, i ashtuquajturi regjim demokratik “e humbi dhe atë pak kontroll që kishte, duke u bërë gjithnjë e më shtypës me shtimin e fushatës së konfiskimeve dhe gjyqeve politike” (Bernd J Fischer, “Mbreti Zog dhe Përpjekja për Stabilitet në Shqipëri”, Tiranë: 2000, f. 79). Në aspektin ndërkombëtar, në mungesë së njohjes nga shtetet perëndimore dhe me nevojën e vazhdueshme ekonomike për ndihma financiare, qeveria e Nolit u afrua me Bashkimin Sovjetik, duke nxitur kështu akuzat e shteteve fqinje, por edhe të Perëndimit, si një qeveri bolshevike. Në një takim në fillim të dhjetorit të vitit 1924, Fan Noli e pyeste ambasadorin britanik Eyers se: “Si mundet që Shqipëria të mos e njohë qeverinë sovjetike kur këtë gjë e kishin bërë edhe fuqitë e mëdha?”, por të tilla çështjeve Eyers-i u përgjigjej duke ritheksuar kërkesën për zgjedhje të reja për legalizimin e ardhjes në pushtet. Megjithatë, pavarësisht njohjes së ndërsjellë me BRSS-në, qeveria e Nolit nuk pranoi të shkëmbente përfaqësitë diplomatike me sovjetikët me qëllim që të shmangnin “vënien e një arme në dorën” e kundërshtarëve politikë. Afrimi me BRSS-në simbolizon gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej Noli, tashmë i izoluar politikisht, si nga aleatët e tij të brendshëm, ashtu edhe nga aleatët e tij perëndimorë. Kësisoj, gjashtë muaj pas marrjes së pushtetit, më 23 dhjetor 1924 Noli largohet nga Tirana dhe të nesërmen Zogu bën parakalimin e tij në kryeqytet pas një rezistence shumë të ulët nga ana e trupave qeveritare. Interesant është fakti se, njësoj si në qershor, popullsia i mirëpriti me entuziazëm kryengritësit. Noli nuk arriti ta krijojë unitetin e shumëkërkuar për ndërtimin e një qeverisjeje republikane, duke zbatuar modelet demokratike të Perëndimit. Fragmentimet e brendshme, që ishin shkaku kryesor në përmbysjen e qeverisë së Vrionit në qershor, rezultuan vendimtare edhe në disfatën e qeverisë së Nolit. Menjëherë pas rikthimit në pushtet, Zogu e tërhoqi zyrtarisht thirrjen për ndihmë në Lidhjen e Kombeve, gjithashtu nxitoi të bënte zgjedhjet vetëm pak muaj më vonë, duke u kthyer kështu në një udhëheqës të ligjshëm në sytë e Perëndimit. Ndryshe nga Noli, Zogu nuk tregoi prioritet në krijimin e një vendi të bashkuar dhe të reformuar, por më tepër në përdorimin e mungesës së unitetit për forcimin e një autokracie që e shihte si një mjet të domosdoshëm për krijimin e stabilitetit dhe konsolidimin e shtetit. Pavarësisht se forcimi i pushtetit të Zogut që nga viti 1925 është në përpjesëtim të drejtë me bashkimin administrativ të vendit, po ta gjykojmë përvojën e Shqipërisë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe nën regjimin komunist, në vitet mes dy luftërave u bë shumë pak për zbutjen e përçarjeve krahinore dhe shoqërore që e karakterizonin vendin. Pavarësisht se përfaqësojnë dy lloje krejtësisht të ndryshëm politikanësh, duke u ngarkuar nga perspektiva ideologjike e periudhës komuniste që ka ditur përherë të ndërtojë një mur të pakapërcyeshëm ndërmjet tyre me ngritjen e simbolikës binare hero/tradhtar, Noli dhe Zogu ishin pjesë e të njëjtit realitet dhe janë përpjekur në mënyra të ndryshme që ta modernizojnë Shqipërinë, për ta kthyer vendin kah modelet perëndimore. Ndonëse sipas historiografisë komuniste, viti 1924 shënon thyerjen përfundimtare mes tyre me largimin e Nolit nga Shqipëria, historiani Bernd Fischer na kujton se në vitin 1942, në kohën kur Mbreti Zog qëndronte në Angli, organizata shqiptare “Vatra”, nën drejtimin e Nolit, kishte “votuar një rezolutë që bënte thirrje për krijimin e një qeverie të përbashkët në mërgim. Pavarësisht se ky plan nuk arriti të vihej në zbatim për shkak të rrethanave gjeopolitike të kohës, Noli u tregua i gatshëm të bashkëpunonte me Zogun në emër të mbrojtjes së vendit” (Bernd Fischer, “Mbreti Zog dhe Përpjekja për Stabilitet në Shqipëri”, Tiranë: 2000, f. 315). Në lidhje me “eksperimentin demokratik” përgjatë gjashtë muajve të qeverisë së Nolit, bashkëthemeluesi i organizatës “Vatra” dhe ish miku i tij, Faik Konica, i cili pas rikthimit të Zogut në dhjetor 1924, kaloi në krahun e qeverisë së re, në një artikull të gazetës “Dielli” të datës 6 janar 1925, do të shprehej se: “Fan Noli pati disa arritje pozitive si çlirimi i 14 fshatrave të kontestuara në Shqipërinë e Jugut, siguria nga grekët se asnjë shqiptar nuk do të dëbohej më me forcë nga Greqia e Veriut, fitorja në Hagë mbi Shën Naumin dhe ruajtjen e një buxheti shtetëror të balancuar.” Por, nga ana tjetër, Konica shton se “Noli kontribuoi në demoralizimin e ushtrisë që si rrjedhim i ktheu oficerët në kryengritës, la të lirë kriminelët, bëri emërime jo të mira në qeveri, premtoi reforma radikale, por në fund i harroi të gjitha dhe qeverisi pa parlament.
Në përmbyllje, mund të thuhet se idealet e revolucionit të Fan Nolit duhen parë si pasqyrim i kulturës politike shqiptare në një moment tepër delikat të historisë së shtetit shqiptar. Revolucioni i Qershorit na tregon për tensionin mes një elite të re të arsimuar, të ardhur nga emigracioni dhe e frymëzuar nga idealet demokratike perëndimore; dhe një elite politike tradicionale që ishte mësuar ta mbështeste pushtetin mbi rrjetet e patronazhit, marrëdhënieve fisnore dhe pragmatizmit politik. Ky tension vazhdon të rishfaqet në forma të ndryshme edhe në politikën shqiptare të mëvonshme. Përplasja mes idealizmit dhe pragmatizmit, mes reformës dhe stabilitetit, mes shpresave për modernizim dhe integrim në organizatat perëndimore dhe realitetit të strukturave tradicionale. Të gjitha këto kontraste kanë qenë shumë më të theksuara në politikën shqiptare të viteve 1920-30-të, ku ligji përgjithësisht nuk qe veçse një armë në duart e njerëzve të pushtetshëm, kurse demokracia për shumicën e njerëzve ishte veç një fjalë e huaj. Por, siç mund ta konstatojmë, të tilla fenomene vijojnë të mbeten aktuale edhe sot në kontekstin e një shteti më të konsoliduar e njëherësh ende në proces demokratizimi.