loader image
September 28, 2025

Mbreti i Shqiptarëve VS Mbreti i Shqipërisë!

Zogut i takon merita kryesore për stabilizimin dhe njohjen e shtetit shqiptar brenda kufijve të përcaktuar ndërkombëtarisht, për forcimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe për orientimin properëndimor të Shqipërisë. Megjithatë, ai nuk ishte i dërguar i Zotit për të ofruar zgjidhje të drejta për çdo problem, prandaj edhe mbi të rëndojnë gjynahe të cilat pa dyshim që lanë pasoja të dukshme në ecurinë e forcimit të kombit shqiptar.

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Ende pa i mbushur motet e pjekurisë, filiz i ri, i përfshirë në luftëra të drejtpërdrejta për mbrojtjen e tokave shqiptare, madje edhe i deleguar i Kuvendit të Vlorës së Ismail Qemalit (1912), Ahmet Zogu përfaqëson një nga figurat më komplekse të historisë kombëtare shqiptare, veprimtaria e të cilit shtrihet në periudha shumë turbulente nëpër të cilat kaloi Shqipëria.

Një karakter që ndryshonte varësisht nga interesat e tij të ngushta politike personale, i ashpër tejmase me kundërshtarët e tij politikë shqiptarë dhe goxha i përshtatshëm për bashkëpunim me fqinjët, Ahmet Zogu paraqet tipin e politikanit pragmatik, që di të bëjë kthesa të paparashikueshme. Ai i ngjante një fëmije arrogant dhe grindavec në shtëpi, por i urtë e i sjellshëm me fëmijët e tjerë të lagjes!

Real-politika e Ahmet Zogut

Ndryshe nga shumë politikanë që po përpiqeshin t’u përshtaten sistemeve normale qeverisëse, Zogu autoritar do të bënte ndryshime radikale në udhëheqje, duke e dominuar plotësisht jetën politike dhe publike shqiptare për rreth 17 vjet (1922–1939). Prandaj, me emrin e tij lidhet konsolidimi e modernizimi i shtetit shqiptar, krijimi i Republikës e i Mbretërisë Shqiptare, si dhe një sërë reformash e përpjekjesh për ta nxjerrë Shqipërinë nga mjerimi i madh që e kishte kapluar nga luftërat ballkanike, Lufta e Parë Botërore dhe luftërat rivale mes vetë shqiptarëve për dominim.

Zogut i takon merita kryesore për stabilizimin dhe njohjen e shtetit shqiptar brenda kufijve të përcaktuar ndërkombëtarisht, për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në parimet e Rilindjes Kombëtare dhe për orientimin properëndimor të Shqipërisë. Kundërshtarët e tij politikë, sidomos komunistët që erdhën në pushtet në Shqipëri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, u munduan ta nxijnë deri në palcë gjithë figurën dhe veprimtarinë e tij shumëvjeçare politike, duke mos i njohur asnjë meritë dhe duke e renditur atë në mesin e tradhtarëve më të mëdhenj të kombit! Por, është fakt i pamohueshëm se ai nuk ishte një figurë skajshmërisht e zezë, prandaj shqiptarët nuk e kishin harruar, madje e kishin admiruar në masë të konsiderueshme. Me mbarimin e periudhës komuniste, sistemi demokratik e riktheu figurën e Zogut, ndërsa në referendumin e vitit 1997 për formën e qeverisjes së Shqipërisë (“Republikë” ose “Monarki Kushtetuese”), për pak sa nuk fitoi opsioni monarkik, i cili do ta kthente Leka Zogun I, birin e Ahmet Zogut, në krye të Mbretërisë Shqiptare.

Megjithatë, Zogu nuk ishte i dërguar i Zotit për të ofruar zgjidhje të drejta për çdo problem, prandaj edhe mbi të rëndojnë gjynahe të cilat pa dyshim që lanë pasoja të dukshme në ecurinë e forcimit të kombit shqiptar. Pa dyshim, përskaj njëlloj lojaliteti të dukshëm që kishte ndaj Jugosllavisë (Serbisë) dhe me luftimin e hapur të elementit kosovar, gabimi i tij jetësor ishte ikja nga Shqipëria në momentin më kyç me gjithë suitën e tij (7 prill 1939), pa asnjë rezistencë ndaj trupave të Italisë fashiste.

Fqinjët grabitqarë si aleatë

Fati i keq i popujve ballkanikë është se shpeshherë janë detyruar të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin edhe duke qenë në hasmëri të skajshme. Historia njeh shembuj të pafund të këtij bashkëpunimi e që vijojnë deri në ditët e sotme, ta zëmë, siç bashkëpunon tani kryeministri shqiptar Edi Rama me Serbinë, me Greqinë a Italinë! Në këtë kontekst duhet parë edhe veprimtarinë politike të Zogut, i cili në kohën që Shqipëria po vuante për bukën e gojës, bashkëpunimi i tij me fqinjët dhe aleatët e kohës ishte i domosdoshëm.

Në fazën e parë të veprimtarisë së tij politike, Ahmet Zogu do të shfrytëzonte ndihmën e Serbisë për të ardhur në pushtet (1924), që më pas t’ia shpaguajë atë ndihmë duke e luftuar elementin kosovar brenda Shqipërisë! Largimi i deputetëve kosovarë nga parlamenti shqiptar, shtypja e Lëvizjes Kaçake me luftimin dhe eliminimin fizik të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (Hasan Prishtina, Bajram Curri e shumë të tjerë) përcaktuan fatin tragjik të Kosovës për të mbetur nën Jugosllavi. Në këtë vështrim, gati se u shua vizioni i nacionalizmit shqiptar për bashkimin e trojeve shqiptare me shtetin amë – Shqipërinë, një amanet i papërmbushur që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Zogu, si një real-politikan që ishte, u vetëmjaftua me konsolidimin e shtetit shqiptar brenda kufijve londinezë dhe nuk shfaqte ndonjë interes të veçantë për fatin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përpos me deklarata simbolike. Madje, ai nuk hezitoi ta nënshkruajë edhe marrëveshjen që Manastiri i Shën Naumit dhe një pjesë perëndimore e Vermoshit t’i takojë Mbretërisë SKS (1926), për të siguruar rehati në kufijtë e vetë shtetërorë të garantuar ndërkombëtarisht. Ai kishte deklaruar publikisht, në cilësinë e kryeministrit (1922), se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”! Me këtë diskurs, që e kishte përsëritur edhe më vonë në cilësinë e mbretit, ai pajtohej me forcën reale të vendit të tij dhe nuk pretendonte ndonjë veprim konkret ushtarak për bashkim kombëtar ose për t’i mbrojtur shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë.

Me këto (mos)veprime politike, titulli i Zogut si “Mbret i Shqiptarëve” (pra jo vetëm i Shqipërisë) në realitet nuk i shpërfaqte karakteristikat e duhura të epitetit të madh që bartte!?

Në fazën e dytë dhe të fundit të veprimtarisë së tij politike në Shqipëri, Mbreti Zog u afrua më shumë me Italinë, e cila asokohe ishte një shtet i fuqishëm, që po vazhdonte ta shtrinte ndikimin e vet politik, ekonomik dhe kulturor në Shqipëri dhe dalëngadalë kishte filluar ta cenonte dhe sovranitetin e saj. Gjatë kohës së qeverisjes së Zogut, Italia bëri investime të mëdha në ekonominë dhe infrastrukturën e shtetit shqiptar. Prandaj edhe sot e kësaj dite kryeqytetin shqiptar e zbukurojnë ndërtimet arkitekturore italiane, që përfshijnë institucionet kryesore të shtetit, si: godina ministrore, banka, sheshe, rrugë, salla e stadiume. Mbase, nevoja e madhe e Mbretërisë Shqiptare për të përfituar materialisht nga investimet italiane, kishte krijuar një lloj vasaliteti dhe pamundësie morale për t’ia kthyer pushkën në momentet vendimtare. I gjendur mes të frikës së dështimit dhe ndërgjegjes së lojalitetit, ai kishte zgjedhur ikjen para ballafaqimit.

Po edhe sundimtari tjetër më jetëgjatë i Shqipërisë, Enver Hoxha, nuk ishte më i mirë se Zogu. Edhe Hoxha i ndoqi hapat e njëjtë, veçse në një kontekst të ri historik – erdhi në pushtet me ndihmën e Serbisë, i vrau të gjithë kundërshtarët politikë, e izoloi atë copë Shqipërie që e kishte trashëguar dhe as që u interesua për fatin e tokave shqiptare që ishin rrëmbyer nga fqinjët.

Sidoqoftë, në mesin e shumë dritë-hijeve që rëndojnë mbi figurën e Ahmet Zogut, duhet vlerësuar kontributi i tij në shumë sfera që u përmendën më lart, sikurse janë për dënim edhe dëmet që u la pas shqiptarëve. Por, ne si shqiptarë duhet të jemi krenarë se e patëm një Mbret, një privilegj që na e dha Zogu, kur kemi parasysh faktin që kemi popuj ballkanikë të cilët nuk mund të mburren me një vlerë të tillë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X