Figura e Ahmet Zogut në historiografinë shqiptare shpesh është trajtuar në mënyrë reduktive, e mbërthyer brenda disa klisheve të përsëritura: “Revolucioni i Qershorit”, “tradhëtia kombëtare” e Zogut që braktisi vendin me rastin e zbarkimit të forcave italiane ose fraza të tipit “rikthimi i Ahmet Zogut mbetet një mister për historinë shqiptare të shekullit XX”. Këto formulime, të shndërruara pothuajse në refrene të historisë zyrtare, kanë dominuar tekstet shkollore të ciklit fillor dhe të mesëm për dekada.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Një mbasditeje qershori, kur njerëzia turrej për t’i vu qepenin dyqaneve buzë detit, ne kishim ngjitur maloren e sertë që të çonte në kodrën ku nusnohej ajo vila bojë pembe, ndërmendëse e panoramave që kahera dërgonim tok me uratat e dëshirat në ndrrim të motmoteve.
Vila prej larg diftonte një madhështi të pashoqe. Si e larë në flori, stoike, i rrinte përballë një deti të tanë; i cili, siç thonë legjendat, dikur kish përpi qytetin me gjithë katandi.
Teksa po i aviteshim asaj rezidence mretnore, bashkë me jodin që përhapej valë-valë prej ernave të pranverës, në krahnor u përvesh një tis trishtimi, i papërthekueshëm për fjalët. Një heshtje verbëruese po derdhej grumbuj-grumbuj në të gjitha anët… një heshtje rrëmihëse qe ngjizur në muret e nalta të asaj vile braktisun pamëshirë, në tallazet e furtunave stinore. Dukej se ai vend ish shkrentuar prej braktisjes së kahmotshme.
Natyrisht, nuk e kapërcyem gardhin për ta kundruar prej së brendshmi. As na vajti mendja matanë. Mjaftonte e tepronte hidhërimi që të falte fantazma sorollatëse okolla vilës. Ndaj, zumë vend, diku aty pranë, mbi një shkëmb. Në pëllëmbë dore, ravijëzoheshin qyteti dhe deti. Fëshfërimat buzëmbremjes ishin dehëse. Përplasjet e dallgëve ndjeheshin deri aty lart ndërkaq të fundit rreze djellnore shtriheshin paq mbi ujin e kripur të Adriatikut. Perëndimi, ëndërrimtar në dukje, ta kujtonte flladshëm përkohshmërinë e panegociueshme të Frymës.
Harlisjet e jetës, me gjasë, i paskan të përcaktuara, detyrimisht edhe vjeshtat e fatit të tyre. Dhe jo, nuk qenkan vyshkjet ato që i ndjellin sosjen një Fillimi. Dro, nxitimi kuturu dhe harresa janë qefini i një qytetërimi. Edhe mundet!
“Një pasqyrë e pushtetit, shpresave dhe rrënimeve”
Rrathët e territ shtoheshin ndërkohë që u shtrua një sofër muhabeti.
“Kur shfletoj dokumentet e kohës dhe i krahasoj me gjurmët që kanë mbetur nga ndërtimi i Vilës së Durrësit, më bën goxha përshtypje shuma e jashtëzakonshme e investuar aty. Imagjinojeni: mbi një milion e gjysmë franga ar janë derdhur në këtë godinë. Një shumë që, për ta vendosur në peshoren e kohës, barazohej me koston e ndërtimit të secilës prej godinave të ministrive në Tiranë, të gjitha po aq monumentale, të ngritura në të njëjtën periudhë dhe të mbështetura nga e njëjta kredi që shteti ynë kishte marrë atij vakti. Në faqet e para të dokumenteve, vila përshkruhej si “Vila Presidenciale”, në përputhje me titullin që mbante Ahmet Zogu asokohe. Pas vitit 1928, kur vendi hyri në epokën e Monarkisë, emërtimi ndryshoi natyrshëm nga “Vila Presidenciale” në “Vila Mbretnore”. Dhe, ja, mu kështu, edhe vetë ndërtesa, përveçse një hapësirë banimi, u shndërrua në një dëshmi të heshtur të transformimit të pushtetit.” – tregon Sovjana, inxhinierja e açikume mes nesh, gjeniu i numrave, e magjepsur nga infrastruktura urbane, që di të shohë përtej mureve dhe t’i lexojë shifrat si gurë themeli.
Unë, ndërsa e dëgjoj, e kam të vështirë ta përfytyroj. Më duket e pabesueshme, por, fundja, të tilla kohë nuk pyesin për imagjinatën tonë, madje as për ne që vijmë thuajse një shekull më pas.
Kur e pyesim Sovjanën se ç’u bë me thesaret që dikur stolisnin Vilën, ajo përgjigjet me një hije pezmatimi nën zë. “Llambadarët prej kristali e smeraldi, që në vitet ’30 ndriçonin sallonet e Ahmet Zogut në Durrës e në Tiranë, qyshkur janë zhdukur pa lënë gjurmë. Dekoret e ndërtesave, të frymëzuara herë nga romantizmi italian, herë nga motivet kombëtare, pas viteve ’40 ranë pre e mendësisë primitive që solli më vete shkatërrimin me themel të çdo gjëje me vlerë. Ky rrënim nisi jo vetëm si pasojë e harresës, por mbi të gjitha nga transformimi i dhunshëm i identitetit të tyre gjatë diktaturës komuniste, në vitet kur çdo shenjë luksi apo bukurie shihej si armike e ideologjisë, ndaj duhej të zvetnohej e tëhuajsohej.”
Para nesh, tashmë muzgu ia ka zënë dritën agut. Një brez pallatesh të ndërtuara keq krekosen poshtë shkëlqimit të hënës. Banesa pa shije, të ftohta dhe të huaja. Ca më poshtë, një brez i dytë rrokaqiejsh nxjerr në pah luftën e humbur me jodin e detit; ndryshku që ka gërryer katet e brishta nxjerr lakuriq grykësinë e një epoke që, në përpjekje për t’i ikur së kaluarës, lëshoi rrapëllimën e padijes, urisë, izolimit dhe varfërisë.
Ndërsa historia e Vilës që rri mbrapa krahëve tanë nuk është vetëm histori gurësh, dekorimesh apo shifrash marramendëse. Ajo është si një pasqyrë e ambicieve për madhështi, e transformimeve politike dhe e rrënimeve ideologjike që pasuan… një rrëfenjë shpresash të mbetura përgjysmë. Diçka më shumë se një ndërtesë e dëmtuar, mbase një kujtesë e gjallë mbi lehtësinë me të cilën humbet vlera, jeta dhe shpresa, kur pushteti ngre mure mbi Shpirtin.
“Vila panoramike”, në piskamën e mohuar edhe sot ruan lehtësinë e frikshme të një vdekjeje pa mbarim. Dhe, ndoshta, tej dritës së zbehur të atyre llambadarëve tashmë të zhdukur, lexohen ende turbullt fijet e rrënjëve, pa të cilat kombet rrezikojnë të humbasin vetveten.
Simboli i një epoke të trazuar: kujtesa dhe harresa e Mbretërisë Shqiptare
“ … në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër.
Por kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata: Ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’i shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij.” (Eqrem bej Vlora)
Figura e Ahmet Zogut në historiografinë shqiptare shpesh është trajtuar në mënyrë reduktive, e mbërthyer brenda disa klisheve të përsëritura: “Revolucioni i Qershorit”, “tradhëtia kombëtare” e Zogut që braktisi vendin me rastin e zbarkimit të forcave italiane ose fraza të tipit “rikthimi i Ahmet Zogut mbetet një mister për historinë shqiptare të shekullit XX”. Këto formulime, të shndërruara pothuajse në refrene të historisë zyrtare, kanë dominuar tekstet shkollore të ciklit fillor dhe të mesëm për dekada. Nën diktatin e historiografisë komuniste, narrativa u ngarkua qëllimisht me akuza, dyshime dhe interpretime mbi “tradhtitë zogiane”, të cilat edhe sot mund të lexohen në rreshtat e literaturës shkollore.
Megjithatë, kjo qasje e ngushtë i ka lënë shpesh në hije kontributet reale të periudhës së Zogut në ndërtimin e institucioneve shtetërore. Një ndër prurjet më të rëndësishme të kësaj kohe lidhet me fushën e jurisprudencës. Shumë studiues vlerësojnë se reformat ligjore të ndërmarra gjatë mbretërimit të Zogut i vendosën themelet e para të një sistemi juridik modern shqiptar dhe kontribuuan ndjeshëm në konsolidimin e shtetit.
Në mënyrë të ngjashme, edhe fusha e arsimit shpesh është trajtuar vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Në fakt, politika arsimore e kohës nuk ishte një proces i rastësishëm ose i improvizuar. Përkundrazi, ajo u shënjua nga një vëmendje e posaçme për organizimin dhe fuqizimin e shkollave kombëtare. Përkushtimi i Zogut dhe i administratës së tij ndaj arsimit arriti të sfidonte edhe paragjykimet e forta të qarqeve kundërshtare, duke shënuar një hap goxha të rëndësishëm në emancipimin shoqëror, nën ndikimin e rrymave perëndimore.
Për ironi, një element tjetër që lidhet me procesin e transformimit shoqëror e që trumbetohet hera-herës mbetet fushata e vitit 1937 kundër përdorimit të ferexhesë dhe mbulimit të detyrueshëm të fytyrës nga gratë. Kjo nismë, e ndërmarrë nga vetë Ahmet Zogu në bashkëpunim me motrat e tij Myzejenin, Ruhijen dhe Maxhiden, përbënte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në normat kulturore e fetare të kohës, duke synuar modernizimin e rolit të gruas shqiptare në shoqëri, pa cenuar dinjitetin e tyre.
Farkëtimi i Rrënjëve
‘ … po a ishte për t’u çuditur me këtë plan vrasjeje kur, vrasësi i Esat Pashë Toptanit, Avni Rustemi, të cilin drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxorri të pafajshëm dhe që Qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej nëpër Tiranë dhe brohoritej ngado si një shpëtimtar i atdheut? Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë sesi me anë të një plumbi të shkrepur nga prapa shpinës, si burracakët, mund të bëheshe ‘njeri i madh’ (Eqrem bej Vlora)
Duhet guxim i epërm për t’u vënë në krye të shqiptarëve; një populli të farkëtuar prej dhimbjesh, përplasjesh ndërfisnore, kapadaillëkut e brishtësisë; prej durimit, përbuzjes e përvuajtnisë; prej besës dhe faljes, kanunit, harresës e të tjera tallazesh si këto.
Zogu, me gjithë dritëhijet e tij, mbetet një personazh kompleks dhe, pa dyshim, me peshë në qitapët e historisë së këtij populli, anise ashtu si “Vila” edhe Mbreti qëndrojnë akoma të mbuluar nga pluhuri i shpërfilljes së një shoqërie që prej kohësh nuk pati më as kohë, as guxim, të rrëmonte rrënjët e veta.
Besa, braktisja e një “Vile” që në kërthizë ruan ca histori e trashëgimi të kujton shqiptarin teksa largohet kokulur dhe pa shpresa nga Toka e tij.