loader image
October 13, 2025

Organizimi shkencor me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Prishtinë

Ngjarja që mori më shumë jehonë mediatike në shtypin shqiptar të kohës në Jugosllavi ishte organizimi i simpoziumit për 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Kjo është edhe njëra ndër arsyet pse kemi dëshiruar t’i bëjmë një vështrim kësaj ngjarjeje, duke u mbështetur në dokumentacionin arkivor të kohës. Organizimi u mbajt në Prishtinë nga 9 deri më 12 maj dhe kumtesat e këtij simpoziumi u botuan nga Instituti Albanologjik si botim i veçantë një vit më pas, më 1969.

Nuridin AHMETI, Prishtinë

Viti 1968, për shqiptarët që jetonin në Jugosllavinë e atëhershme, njihet për ngjarje të rëndësishme që ndodhën në rrafshin politik dhe kulturor.

Në rrafshin politik ky vit mbahet mend për organizimin e demonstratave nga shqiptarët, që filluan në muajin tetor në Prizren dhe vazhduan në nëntor në disa qytete të tjera të Jugosllavisë ku jetonin shqiptarët, si në Tetovë, Ulqin etj. Këto demonstrata kishin për qëllim që Kosovës t’i njihej statusi i republikës në kuadër të federatës jugosllave. Disa nga parullat e ngritura ishin: “Duam Republikë”, “Vetëvendosje deri në shkëputje” etj.

Në rrafshin kulturor, viti 1968 mbahet mend për organizime shkencore në fushën e albanologjisë, të mbajtura në Prishtinë nga Instituti Albanologjik, i cili ishte rithemeluar një vit më parë, më 1967. Në muajin prill u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, në maj simpoziumi me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe në dhjetor sesioni shkencor kushtuar 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të vitit 1908.

Ngjarja që mori më shumë jehonë mediatike në shtypin shqiptar të kohës në Jugosllavi ishte organizimi i simpoziumit për 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Kjo është edhe njëra ndër arsyet pse kemi dëshiruar t’i bëjmë një vështrim kësaj ngjarjeje, duke u mbështetur në dokumentacionin arkivor të kohës. Organizimi u mbajt në Prishtinë, nga 9 deri më 12 maj, dhe kumtesat e këtij simpoziumi u botuan nga Instituti Albanologjik si botim i veçantë një vit më pas, më 1969.

Arsyeja tjetër pse kemi dëshiruar të shqyrtojmë këto materiale është se ato nxjerrin në pah një realitet tjetër të marrëdhënieve kolegiale ndërmjet studiuesve nga Tirana dhe Prishtina.

Vlerësimi i studiuesve nga Tirana për simpoziumin

Në raportin mbi 30 faqe të rrahur me makinë shkrimi dhe i përgatitur nga studiuesit e Tiranës që morën pjesë në këtë simpozium, mes tjerash, thuhet: “Kumtesat e mbajtura nga studiuesit shqiptarë të Jugosllavisë ishin në një nivel shkencor mjaft të ulët.”

Në fund të raportit janë të shënuar emrat e profesorëve: Aleks Buda, Ndreçi Plasari, Bujar Hoxha, Dhorka Dhamo, Mediha Shuteriqi dhe Thoma Murzaku. Raporti mban datën 25 maj 1968 dhe ruhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në dosjen B/VII-2/d-1968.

Në raport, autorët e lavdërojnë pritjen që u bë nga organizatorët dhe kolegët e Prishtinës, për mikpritjen dhe për duartrokitjet gjatë leximit të kumtesave të tyre. Ata shprehen se kumtesat e tyre “kontribuuan në ngritjen e nivelit shkencor të Simpoziumit”.

Por, kur vjen fjala te vlerësimi i kumtesave të kolegëve shqiptarë në Jugosllavi, theksojnë se ato “ishin në një nivel shkencor mjaft të ulët”, të shoqëruara me “frymë patriotike por metodologjikisht të dobëta dhe pa ndonjë rezultat shkencor të veçantë”.

Sipas tyre, kishte edhe studiues që sollën të dhëna me interes, si osmanologët Skender Rizaj dhe Hasan Kaleshi. Megjithatë, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme për periudhën osmane, ata u vlerësuan se Rizaj dhe Kaleshi janë “viktima të historianëve turq dhe gjermano-perëndimorë”.

Për studiuesin Ali Hadri, ata shkruajnë: “Ali Hadri është njeriu i mbështetur nga regjimi titist” dhe kumtesa e tij “është në një nivel shkencor të ulët, më shumë një ritregim faktesh, pa ndonjë material dhe koncept të ri të vetin”.

Në këtë artikull ne nuk dëshirojmë të japim vlerësim me të hollësishëm, sepse një vështrim më të detajuar për këtë raport e ka bërë edhe studiuesja Ana Lalaj (Ana Lalaj, “1968-1969 – shkrirja e akujve në bashkëpunimin kulturor Shqipëri-Kosovë”, Studime historike, nr. 3-4, QSA-IH, Tiranë, 2015, f. 249-273).

Raporti nga Prishtina për Simpoziumin

Ne dëshirojmë t’i vëmë në dispozicion të lexuesit edhe raportin e përgatitur në Prishtinë. Krahasuar me raportin nga Tirana, ky është më i shkurtër, përmbledhës dhe me 8 faqe të daktilografuara në dy gjuhë, shqip dhe serbisht. Nuk ka datë, por përmbajtja sugjeron se është përgatitur nga fundi i majit 1968 dhe mban emrin e Mustafa Shalës si përgatitës.

Nga stili dhe përmbajtja, duket se përgatitësi ka qenë pjesë e strukturave shtetërore të Kosovës, më shumë sesa një figurë akademike. Raporti titullohet: “Disa vërejtje në lidhje me Simpoziumin, kushtuar Skënderbeut.”

Katundarët prishin qetësinë në Simpozium

Raporti përqendrohet më shumë në aspektet politike sesa përmbajtësore. Disa prej vërejtjeve janë:

Prania e të paftuarve – Dyert e sallës ku mbahej Simpoziumi hapeshin e mbylleshin vazhdimisht, duke krijuar përshtypjen se pjesëmarrësit nuk ishin të ftuar zyrtarisht.

Karakteri manifestues – Simpoziumi, sipas raportit, kishte më shumë karakter manifestues sesa shkencor.

Përshëndetjet selektive – Delegacioni nga Shqipëria u përshëndet në këmbë dhe me duartrokitje, ndryshe nga drejtuesit vendorë si Fadil Hoxha, Iljaz Kurteshi e Veli Deva.

Dhënia e luleve – Studiuesi Bujar Hoxha mori buqetë me lule nga një vajzë, ndërsa kjo nuk ndodhi me asnjë studiues vendor.

Referencat politike – Kumtesat nga Tirana përmendnin Enver Hoxhën dhe nënvizonin kontributin e brigadave shqiptare në Luftën Nacionalçlirimtare, duke anashkaluar ato të Jugosllavisë.

Shpërndarja e kumtesave – U përmend shpërndarja e kopjeve të kumtesës nga Bujar Hoxha.

Pa hyrë në analizë të detajuar, ne po botojmë këtë material në tërësinë e tij, ashtu siç është, pasi deri më tani, për aq sa ne jemi në dijeni, nuk është publikuar. “Sikurse dihet, më 9, 10 e 11 maj të këtij vjeti u mbajt Simpoziumi, kushtue 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut. Unë kam marrë pjesë vazhdimisht në këtë Simpozium. Nuk kam ndonjë vërejtje në lidhje me përmbajtjen e Simpoziumit, por kisha me vu në dukje disa gjana, të cilat ndoshta munden me qenë simptomatike nga aspekti i vlerësimit politik të këtij Simpoziumi. Para së gjithash, të tri ditët e punës së Simpoziumit dyert e ndërtesës ku mbahej Simpoziumi ishin vazhdimisht në presionin e qytetarëve të interesuem, të cilët dëshirojshin me hy në sallë. Bie në sy se aty kishte mjaft katundarë, kurse numri më i madh ishin të rij, sigurisht nxënës të shkollave të mesme. Nga ana tjetër, asht shumë interesante edhe përmbajtja e të pranishmëve në Simpozium. Sepse, aty kishte mjaft nxënës, e poashtu edhe katundarë. Asht e sigurtë se këta nuk janë thirrë në Simpozium. Mirëpo, nuk ka ekzistue ndonjë kontroll sa i përket manipulimit me thirrje dhe hymje, kështu që kanë qenë të shumtë ata të cilët i kanë përdorë thirrjet jo vetëm për vedi, por me shti në sallë edhe ndokënd tjetër. Pikërisht sot, ditën e tretë të Simpoziumit, kam pa se si disa djelmosha u hidhshin për dritare hymjet djelmoshave të tjerë, të cilët mandej me ndihmën e tyne hyjshin në sallë. Për këtë arsye, në sallë ishte rrëmujë bukur e madhe, sidomos ditën e fundit të Simpoziumit, kështu që një numër i madh të pranishmish qëndrojshin në kambë, sepse nuk kishin ku me u ulë.

Kisha me vu në dukje disa mendime të mija në lidhje me disa manifestime në sallë. Simbas mendimit tim personal, ky tubim i cili duhet të ketë karakter thjesht shkencor dhe punues, shpeshherë ka pasë edhe karakter manifestativ, gjë që asht në kundërshtim me përmbajtjen e Simpoziumit. Këtë e kam vërejtë ma së shumti me rastin e paraqitjes së përfaqësuesve të Shqipnisë me kumtesat e tyne. Paraqitja e të gjithë delegatëve nga Shqipnia – tue përfshi këtu edhe prof. Aleks Budin, kumtesa e të cilit ka qenë në nivel të naltë – asht përcjellë me aso duertrokitje ritmike e të gjata sa asnji shkencëtar nga vendi ynë, me përjashtim, për shembull, të Nedim Filipoviqit, Rexhep Qosjes etj. Nga ana tjetër, një ndër ata – Bujar Hoxha – ka marrë ditën e fundit edhe një tufë lulesh nga ana e një vajze, çka nuk ka ndodhë me asnji prej shkencëtarëve të Krahinës sonë, të cilët janë paraqitë me kumtesa në Simpozium.

Edhe një gjë asht karakteristike: para se të fillonte dita e tretë e punës së Simpoziumit, Kryesia jepte disa njoftime për delegatët. Në ndërkohë, në sallë hyni Aleks Buda, i cili ishte poashtu anëtar i Kryesisë së punës. Kur hyni ai në sallë, krejt salla ushtoi prej duartrokitjeve ritmike, që zgjatën disa minuta, gjë që nuk u ba as ditën e parë, kur hynë në sallë Veli Deva, Fadil Hoxha, Iljaz Kurteshi e të tjerë. Sipas mendimit tim personal, ky asht një lloj manifestimi politik. Nuk mundem me ba ndonjë vlerësim të këtij fenomeni, por me gjithë këtë mendoj se këtu ka vend pyetja: çfarë qëllimi mund të kenë pasë këto manifestime?

Sa u përket duartrokitjeve, janë dallue sidomos njerëzit e rij – nxënësit – të cilët kanë hy në sallë ashtu si kam përshkrue në fillim të kësaj informate.

Kisha me vu në dukje edhe një gjë. Të gjitha kumtesat e shkencëtarëve tanë nuk kanë pasë kurrfarë primesash politike. Sepse, ata nuk kanë manipuluar me elementet e së tashmes së sistemit tonë shoqnor dhe të zhvillimit etj., por autorët janë kufizue vetëm në materjen të cilën e shqyrtojshin, dmth. në ndriçimin e epokës së Skënderbeut. Mirëpo, te përfaqësuesit e Shqipnisë kemi një gjë krejt tjetër. Sepse, Ndreçi Plasari, i cili foli të premten, në të vërtetë mbajti një fjalim politik propagandisitik, e foli fare pak për materjen e Skenderbeut. Në kumtesën e tij ai shkoi aq larg, sa që e përshkoi gjansisht Luftën nacionalçlirimtare, tue e potencue sidomos pjesëmarrjen e njesive të Shqipnisë në çlirimin e Kosovës dhe Metohisë, tue e përmendë Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnen. Mirëpo, Ndreçi Plasari nuk përmendi me asni fjalë kontributin e Partisë komuniste të Jugosllavisë dhe të aradhave tona partizane për formimin e Partisë dhe të zhvillimit e Lëvizjes në Shqipni. Unë mendoj se kjo asht nji paraqitje tendencioze, megjithse jam i informuem se ka qenë mbërrijtë marrëveshja që paraqitjet e shkenctarëve në këtë tubim të spastrohen prej primesave politike. Në nji vend, Ndreçi Plasari e përmendë edhe Enver Hoxhën, tue i vu në dukje sukseset të cilat po i mbërrin Shqipnia “në krye me Partinë e punës dhe me shokun Enver Hoxha” etj. Poashtu, shoqja që u paraqit dje me kumtesë- e ajo quhet Mediha Shuteriqi-foli për pjesëmarrjen e grave në lëvizjet çlirimtare prej kohës së Skenderbeut e këndej, tue e potencue sidomos emancipimin e femnës në Shqipninë e sotshme.

Gjithashtu, edhe vet profesor Aleks Buda e ka përmendë në dy vende Partinë e punës të Shqipnisë. Ja nji citat: “…  si vazhduese e begatisë se traditës patriotike e revolucionare të popullit tonë, Partia e punës e Shqipërisë qysh prej fillimit të Luftës nacionalçlirimtare, e edhe sot, e ka ba figurën e Skenderbeut si mjet të mobilizimit patriotik dhe revolucionar në shërbim të kauzës së madhe të çlirimit të popullit”.

Asht karakteristike edhe nji gja: ditën e tretë të Simpoziumit, para se të fillonte puna, në sallë- në anë të majtë, mu para tribunës së Kryesisë së punës- u ba nji rrëmujë. Unë shikojsha nga kabina dhe nuk e dijsha se ku ishte puna. Në të vërtetë, puna qëndronte këtu: nji ndër autorët e Shqipnisë – Bujar Hoxha – kishte përgatitë disa ekzemplarë të kumtesës së vet dhe aty u ba gravitje e vërtetë për këtë kumtesë. Nuk dij sa njerëzve u shkoi për dore me marrë nga nji ekzemplar të kësaj kumtese, por kam pa se disa pjesëmarrës në Simpozium shkuen në vende të veta tue mbajtë në duer tekstin e kësaj kumtese të përgatitur të Simpoziumit. Si do që të jetë, jam i bindun se kështu nuk kishte meu veprue po të ishte fjala për kumtesën e ndonji autori tonë. Mustafa Shala”.

Përfundim

Nga materiali i shqyrtuar, mund të thuhet se qëllimi kryesor i organizimit ishte ngritja e nacionalizmit te shqiptarët në Jugosllavi. Ky organizim shënoi edhe një pikënisje për avancimin e të drejtave të tyre dhe për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Ngjarja u pasqyrua gjerësisht në shtypin në gjuhën shqipe, si në gazetat “Rilindja” dhe “Flaka e Vëllazërimit”. Pritja e delegacionit nga Tirana nuk u fsheh as në raportet zyrtare të shkruara nga ta.

Por, rezervat e shprehura nga kolegët e Tiranës për kumtuesit e Prishtinës tregojnë se mbanin qëndrime tjera gjatë takimeve me koleget e tyre ballë për ballë dhe atyre që shfaqnin në raportet për institucionet në Tiranë.

Raporti nga Prishtina shpreh shqetësim për përmendjen e Enver Hoxhës në kumtesa, pavarësisht dakordësisë për t’i shmangur konotacionet politike. Profesorët nga Tirana, sipas këtij raporti, duket se një veprim të tillë e bënin qëllimisht për të provokuar situatën.

Referuesit nga Tirana përpiqeshin ta paraqisnin Luftën Nacionalçlirimtare si vazhdimësi të luftërave të Skënderbeut – një qasje që nuk përkon me logjikën historike, por me ideologjinë e kohës në Shqipëri.

Ajo që del mjaft qesharake nga raporti i Prishtinës është shqetësimi për praninë e “katundarëve” dhe për lëvizjen e derës kryesore – një gjë e pazakontë, veçanërisht në një aktivitet si ky që monitorohej nga UDB-ja.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X