Moderniteti rëndom përshkruhet si e kundërta e tradicionales ose ajo që vjen pas saj. Ajo është një frymë e të menduarit, stil i jetesës, artit dhe marrëdhënieve ekonomike që bazohen në racionalitet. Ky racionalitet buron nga vetë njeriu (humanizmi), ndërsa në fakt ai e legjitimon veten. Normë legjitime nuk është më tradita e religjioni (që bazohet në shenjtërinë, hyjnoren), por racionaliteti si produkt dhe konstrukt i humanizmit.
Blerim HALILI, Prishtinë
Modernizmi është një koncept i cili së bashku me termat e lidhur me të, siç janë moderniteti dhe modernizimi, shënon një proces, epokë, stil, mbase edhe ideologji, e cila i përket të resë dhe shkëputjes nga bota e vjetër. Ndonëse në aspektin historik dhe sociologjik modernizmi lidhet me procesin e industrializimit, ndarjen e punës dhe me lindjen e mënyrës së re të jetesës, e bazuar në racionalitet, individualizëm, liri dhe pragmatizëm, ndryshe nga ajo tradicionale, që bazohej në doke, zakone, besime, mbizotërim të interesit kolektiv dhe lidhje të forta shoqërore, në aspektin ideologjik modernes/modernitetit i jepen atribute vlerore, duke e vendosur atë në majë të procesit progresiv, ku e reja është e bukur, e rëndësishme dhe e vetmja mënyrë e duhur e të menduarit dhe të jetuarit.
Dallojnë në masë të madhe përvojat e shoqërive dhe popujve gjatë kalimit nga epoka tradicionale në atë moderne. Për disa ky kalim ishte më i natyrshëm, ndonëse mund të ketë lëvizur nga vendi marrëdhënie socio-politike dhe ekonomike të vendosura ndër shekuj. Për disa të tjerë ai përbën një proces problematik dhe mbase traumatik, epilogun e të cilit ende nuk e ka të qartë, ndonëse pjesa tjetër e botës tani e jeton postmodernizmin, mbase metamodernizmin. Janë faktorët shoqërorë dhe ekonomikë, si dhe ata historikë, të cilët e përcaktojnë këtë mënyrë të kalimit në modernitet.
Moderniteti rëndom përshkruhet si e kundërta e tradicionales ose ajo që vjen pas saj. Ajo është një frymë e të menduarit, stil i jetesës, artit dhe marrëdhënieve ekonomike që bazohen në racionalitet. Ky racionalitet buron nga vetë njeriu (humanizmi), ndërsa në fakt ai e legjitimon veten. Normë legjitime nuk është më tradita e religjioni (që bazohet në shenjtërinë, hyjnoren), por racionaliteti si produkt dhe konstrukt i humanizmit. Kjo nënkupton edhe rivendosjen e burimeve të legjitimitetit në politikë/pushtet. Shteti është i ndarë nga religjioni, sundimi i takon popullit, legjitimiteti vjen nga populli e jo nga shenjtëria. Laiciteti dhe sekularizmi prandaj janë derivate të një opusi të tillë mendimi. Racionaliteti hyn edhe në marrëdhëniet e prodhimit, të cilat shquhen nga minimalizimi i kostos, rritja e prodhimit serik, ndarja e punës dhe profilizimi. Individualizmi dhe liria, pra jo mbizotërimi i vlerave kolektive, përbëjnë një parim tjetër të mendimit modern.
Moderniteti shqiptar, burimet e të cilit duhet kërkuar në kontekstin e modernizmit osman, por jo vetëm, përbën një çështje delikate për t’u trajtuar. Për sa kohë që përvoja shqiptare me modernizmin nuk është lineare, janë disa momente, regjime dhe ide politike, rryma letrare dhe projekte të tjera që bazohen në principet a ideologjinë moderne, të cilat kanë imponuar mënyra të të menduarit dhe jetesës sipas një modeli “të paprekshëm”. Perceptimi i përgjithshëm mbi modernizmin në diskursin publik shqiptar ka nuanca më shumë ideologjike dhe vlerore sesa praktike (që lidhen me dimensionin e zhvillimit). Arsyet për këtë janë të natyrës historike e shoqërore, por edhe kulturore. Moderniteti shpesh nënkuptohet si perëndimorizim, një përshtatje, përvetësim dhe adaptim i vlerave, mendimeve dhe sistemeve të botës perëndimore në kontekstin ballkanik, përkatësisht shqiptar. Në kuadër të kësaj narrative shpesh flitet për braktisjen e çdo vlere a mendimi që buron nga e kaluara “e errët” dhe të kompensohen vitet e humbura me një “vrap” të verbër përpara. Ky perceptim i modernitetit në hapësirat shqiptare është kundërthënës dhe më shumë ngjan në një princip a betim doktrinar sesa në mendim liberal. Projekti politik për integrim në institucionet euro-atlantike është njëra nga arsyet e fuqishme të këtij diskursi dominant. Vendosja e paraleles ndërmjet modernitetit dhe botës perëndimore, ndonëse i ka arsyet e veta faktike historike, përbën një nuancë ideologjike në perceptimin e tij, duke e reduktuar atë në kopjimin e modeleve të gatshme që duhet aplikuar ashtu si janë. Përcaktimi gjeopolitik i hapësirave shqiptare drejt projektit perëndimor, ndonëse është i domosdoshëm dhe i paalternativë, nuk është i mjaftueshëm në vetvete, ngase mund ta krijojë zonën e rehatisë që buron nga ndjesia dhe mendimi se je orientuar në “anën e duhur”. Shmangia, në emër të emancipimit, e çdo fryme, nuance, vlere a norme, që burojnë nga shpirti historik i komunitetit, mund ta tëhuajësojë aq shumë atë komunitet shoqëror, saqë projektin modernist ta përjetojë në mënyrë traumatike, të vrazhdë, të imponuar nga lart-poshtë, mbase nga jashtë-brenda. Prandaj një vlerësim kritik, i bazuar në arsyen dhe në kulturën lokale do të përbënte një proces më frytdhënës dhe më përmbajtësor në zhvillimin shoqëror dhe shtetëror në hapësirat shqiptare, e mbi të gjitha në etablimin e konceptit të një moderniteti alternativ, të një “demokracie autentike”, siç do ta quante profesori Ukshin Hoti në aspektin politik. Modeli japonez i perceptimit të zhvillimit dhe aplikimit të principeve moderniste, duke i integruar ato në sistemin e vlerave lokale/tradicionale është një model që takon frymën historike të një populli me imperativin për zhvillim modern.
Modernizimi, si proces, është i pashmangshëm në aspektin historik dhe sociologjik, ndërsa vlerat dhe paradigma e tij janë pothuajse të pasfidueshme dhe nevoja e shoqërive për përvetësimin e atyre modeleve që i shërbejnë lirisë, mirëqenies dhe ruajtjes së jetës njerëzore është e patjetërsueshme. Nga ana tjetër, një vështrim kritik mbi mënyrën e të kuptuarit të tij dhe mënyrën e jetësimit të tij përgjatë procesit historik në hapësirat shqiptare është i domosdoshëm.