Shoqëritë kanë kaluar përmes një udhëtimi historik kompleks, ku periudha e renesancës dhe lëvizjet e reformës hodhën themelet për një epokë të re revolucionare. Në përfundim të kësaj periudhe, kombet dhe popujt u ndeshën me Revolucionin Industrial. Në atë kohë, Revolucioni Industrial shënonte një kthesë të madhe me nevojë për ndryshime, duke ofruar mundësinë për avancim të teknologjisë dhe një qytetërim të ri. Megjithatë, shumë shtete mbetën prapa në këtë proces transformimi, përfshirë edhe trojet shqiptare.
Jyxhel SPAHI, Prizren
Modernizmi, përfaqëson kalimin nga e vjetra në të renë, e që përfshin ndryshimin e mënyrave të jetesës dhe një rend shoqëror që nuk mbështetet në traditën ose në të kaluarën. Ky proces reflekton në marrëdhëniet ndërmjet individit, shoqërisë dhe shtetit nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe politike. Reflektimet e modernizmit janë shfaqur edhe në ekonomi, përmes revolucionit industrial, i cili e ka transformuar rrënjësisht jetën e individit dhe shoqërisë. Këto ndikime janë të ndërsjella: nga njëra anë, industritë mund të modernizohen në varësi të vizionit shtetëror dhe investimeve për avancim; nga ana tjetër, vetë industritë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përparimin e modernizmit. Me fjalë të tjera, modernizmi dhe industrializimi janë të ndërlidhur ngushtë, duke ndikuar dhe formësuar njëra-tjetrën në mënyrë reciproke.
Revolucioni Industrial filloi në mesin e shekullit të 18-të, fillimisht në Angli, e cila konsiderohet si vendlindja e kësaj lëvizjeje. Më pas, ai u përhap edhe në shtetet tjera të Europës, duke arritur deri te përpjekjet në vendet periferike, ndërsa në Ballkan erdhi më vonë, me një vonesë të konsiderueshme. Ky revolucion mund të përshkruhet si një proces i lidhur me zhvillimin e makinerive, fabrikave dhe me një rend të ri ekonomik, i cili solli ndryshime thelbësore në jetën e njeriut. Ky koncept, gjithashtu, paraqet një mënyrë të re të shikimit të botës, që lejon ndryshimin e ideve dhe bindjeve të vjetra. Ai kërkon që institucionet ekonomike të ndërtojnë sisteme më komplekse, sidomos në fushën e prodhimit, në fabrika dhe në ekonominë e tregut.
Industrializimi në vendet me popullsi shqiptare filloi relativisht vonë në krahasim me Europën Perëndimore. Procesi i industrializimit në Shqipëri filloi pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë regjimit komunist, si një iniciativë e organizuar nga shteti, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës. Në fazat e para të këtij procesi, Shqipëria u mbështet kryesisht nga ndihma financiare dhe teknike e Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë, Maqedonia e atëhershme, si pjesë e Jugosllavisë, përjetoi një proces të shpejtë industrializimi, veçanërisht duke filluar nga viti 1947 e tutje. Nga ana tjetër, industrializimi i Kosovës, krahasuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, filloi më vonë, pas viteve 1960-të, si pjesë e periudhës socialiste të Jugosllavisë. Pra, kur krahasohen me vendet e Europës, vendet me popullsi shqiptare kanë një hendek të madh kohor në aspektin e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në avancimin dhe modernizimin e industrisë.
Forca e një vendi matet përmes disa indikatorëve, ndër të cilët një nga më të rëndësishmit është fuqia ekonomike. Kjo e fundit konsiderohet një faktor kyç për stabilitetin dhe ndikimin e një shteti. Zhvillimi ekonomik, nga ana tjetër, është i lidhur ngushtë me industrinë, e cila jo vetëm krijon përparësi konkurruese në tregun ndërkombëtar, por edhe e forcon pozicionin politik të vendit. Duke marrë parasysh pozitën e dobët politike të shqiptarëve në Kosovë, mund të konkludojmë se një nga faktorët kryesorë këtu është edhe zhvillimi i kufizuar ekonomik i vendit.
Nisur nga ky kontekst, në këtë shkrim do t’i analizojmë arsyet që kanë çuar në stagnimin industrial të Kosovës, duke përfshirë referenca historike nga periudha e ish-Jugosllavisë. Përveç kësaj, do t’i shqyrtojmë pengesat që e kanë parandaluar krijimin e një baze industriale të re, e cila mund të kishte shërbyer si një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike në Kosovën e pasluftës.
Në fund, do të diskutojmë edhe për rolin e arsimit në modernizimin e industrisë, si dhe praktikat që mund të kontribuojnë në stimulimin e investimeve dhe në sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të sektorit industrial në Kosovë.
Modeli jugosllav i industrializimit dhe qasja ndaj Kosovës
Shoqëritë kanë kaluar përmes një udhëtimi historik kompleks, ku periudha e renesancës dhe lëvizjet e reformës hodhën themelet për një epokë të re revolucionare. Në përfundim të kësaj periudhe, kombet dhe popujt u ndeshën me Revolucionin Industrial. Në atë kohë, Revolucioni Industrial shënonte një kthesë të madhe me nevojë për ndryshime, duke ofruar mundësinë për avancim të teknologjisë dhe një qytetërim të ri. Megjithatë, shumë shtete mbetën prapa në këtë proces të transformimi, përfshirë edhe trojet shqiptare, që ishte një shembull i qartë i këtij vonimi, ku industrializimi nisi vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe me shumë pengesa e vështirësi.
Pavarësisht se në kohën e Jugosllavisë socialiste Kosova përjetoi një fillim të ri industrializimi, ajo u përball që në fillim me pengesa dhe vështirësi të mëdha. Kjo ndodhi sepse Kosova nuk ishte prioritet në politikën zhvillimore të federatës, gjë që reflektohet qartë në ndryshimet socio-ekonomike në krahasim me rajonet e tjera të Jugosllavisë, veçanërisht Serbinë dhe Vojvodinën. Pas lirimit të politikës ekonomike në vitet 1970, Kosova fitoi më shumë autonomi, por investimet në vitet 1980-të mbetën minimale – vetëm 4 për qind më 1980 dhe 3.3 për qind më 1982, krahasuar me republikat më të zhvilluara si Sllovenia dhe Kroacia. Për më tepër, infrastruktura industriale ishte e prapambetur teknologjikisht, që ndikoi drejtpërdrejt në uljen e prodhimit. Faktorët politikë dhe socialë, përfshirë ndërhyrjet etnike dhe pengesat që shqiptarët hasën për të marrë pozita udhëheqëse, e penguan progresin ekonomik. Nga ana tjetër, mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara, si inxhinierë dhe gjeologë, e rëndoi më tej funksionimin e dobët të industrisë, duke e bërë atë më pak efikase dhe konkurruese (Schmitt, 2012, fq. 94-201).
Po ashtu, burime të tjera dëshmojnë se Kosova, gjatë periudhës socialiste, u neglizhua sistematikisht, jo vetëm për shkak të mungesës së investimeve, por edhe për arsye politike. Në fakt, industrializimi nuk filloi në shkallë të gjerë deri në vitet 1960-të, gjë që vërteton se zhvillimi ekonomik i rajonit nuk ishte prioritet (De-industrialisation And Its Consequences – A Kosovo Story, 2002). Ky industrializim u realizua kryesisht përmes themelimit të filialeve të konglomerateve të mëdha industriale me seli në pjesë të tjera të Jugosllavisë. Kosova, duke qenë një rajon i varfër dhe me shumë pengesa të brendshme, përballoi një zhvillim të kufizuar krahasuar me republikat më të zhvilluara. Ky nivel i ulët i investimeve kontribuoi në ruajtjen e një diference të madhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe republikave më të zhvilluara të Jugosllavisë (Sancaktar, 2009). Me fjalë të thjeshta, industrializimi në Kosovë ishte penguar nga faktorë të ndryshëm, përfshirë investime të ulëta, diskriminim politik dhe etnik, si dhe një infrastrukturë të prapambetur. Si pasojë, pabarazitë ndërrajonale dhe mungesa e investimeve të qëndrueshme e vonuan modernizimin industrial, duke e lënë Kosovën në një pozitë të dobët krahasuar me pjesën tjetër të Jugosllavisë dhe Europën (Cichock, 1985; Pettifer, 2002).
Në periudhën e fundit të Jugosllavisë socialiste, Kosova përjetoi një krizë ekonomike të thellë, e cila ndikoi në aspekte të ndryshme të jetës sociale dhe politike. Shkaktarët kryesorë të krizës përfshinin largimin masiv të punonjësve nga sektori publik, rënien e prodhimit në miniera pas vitit 1989 dhe ndarjet etnike, që çuan në përjashtimin e shqiptarëve nga sektori shtetëror, duke i detyruar ata të mbijetonin përmes ekonomisë së zezë. Situata politike e pasigurt i pengoi investimet dhe krijoi një mungesë kapitali, duke shkaktuar rritjen e ndërmarrjeve të vogla familjare për shkak të falimentimit të bizneseve më të mëdha. Pos këtyre sfidave, shqiptarët u përballën edhe me papunësi masive, që arriti në 29 për qind në vitin 1981, ndërsa shifrat e papunësisë reale ishin shumë më të larta, duke theksuar pabarazinë ekonomike dhe sociale në këtë periudhë. Edhe pse Kosova ndoqi një evolucion politik shumë të ndryshëm, kolapsi i sektorit të saj industrial ishte një komponent i krizës më të gjerë jugosllave (Sancaktar, 2009).
Kështu, në aspektin e zhvillimit ekonomik, fati i Kosovës nuk ndryshoi as pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Edhe pse bizneset patën më shumë hapësirë për të vepruar lirshëm, ato u përballën me sfida të rëndësishme, si konkurrenca e tregut të lirë, për të cilën nuk ishin shumë të përgatitur, si dhe probleme të tjera të ngjashme. Nga ana tjetër, mangësitë në sistemin arsimor të Kosovës nuk arritën të përgatisin mjaftueshëm profesionistë të kualifikuar që të plotësonin nevojat e bizneseve. Kjo mungesë e punonjësve të kualifikuar ndikoi në nivelin e menaxhimit profesional të bizneseve, duke bërë që ato të drejtoheshin në mënyrë më pak të strukturuar dhe duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tyre (Spahi, 2019).
Sfidat e industrializimit në Kosovë dhe rindërtimi ekonomik
Nga ajo që u pa më lart, mund të konkludojmë se Kosova e ka filluar procesin e industrializimit me një vonesë të dukshme. Sidoqoftë, Kosova ka përballur sfida edhe më të mëdha dhe pengesa të veçanta. Ndër to janë pasojat e luftës dhe shkatërrimi i infrastrukturës industriale, e cila kërkonte investime të mëdha për rikthim dhe modernizim. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e objekteve industriale ekzistuese ishte jofunksionale dhe, me fillimin e privatizimit, shumë prej tyre u shitën nën çmimin e tyre real, në vend që të përmirësoheshin.
Gjithashtu, pasiguria politike dhe ekonomike në vend ka shkaktuar mosbesim te investitorët, si të huaj ashtu edhe vendas. Një faktor tjetër kufizues është tregu i vogël i Kosovës, i cili e pengon tërheqjen e investimeve të mëdha. Megjithatë, kjo nuk duhet të jetë pengesë absolute, pasi ka shtete të tjera me madhësi dhe popullsi të ngjashme me tonën, por të cilat, falë përparimit teknologjik dhe modernizimit industrial, arrijnë të konkurrojnë edhe në tregjet ndërkombëtare.
Duke qenë se ekziston një hendek i madh zhvillimor industrial dhe modernizues ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, një angazhim aktiv i qeverisë, nëpërmjet arsimit dhe mekanizmave të tjerë, si dhe kontributi i vetë ndërmarrjeve private, mund të nxisin zhvillimin e industrive vendase. Thënë ndryshe, nevojitet një strategji përmbledhëse që përfshin si qeverinë, ashtu edhe ndërmarrjet. Në këtë kontekst, duke njohur fuqinë e pushtetit, qeveria mund të luajë një rol kyç në krijimin e një ambienti të favorshëm për modernizimin e industrisë.
Në radhë të parë, kjo mund të realizohet duke shtuar zonat e lira ekonomike, të cilat do të ishin të favorshme për prodhuesit dhe investitorët përmes taksave të ulëta. Gjithashtu, duhet mbështetur ndërmarrjet e reja, me theks të veçantë ato me qasje inovative dhe teknologji të modernizuar. Këtu mund të përfshihen strategji të ndryshme, si krijimi i infrastrukturës së nevojshme, lehtësimi i procedurave të investimit dhe ofrimi i sigurisë për investitorët. Ndër të tjera, mund të ofrohet mbështetje financiare për ndërmarrjet që investojnë në teknologji dhe automatizim.
Megjithatë, ndoshta më e rëndësishmja është zbatimi i sistemit të arsimit dual, i cili synon ta lidhë direkt arsimin profesional me nevojat e tregut të punës. Një shembull i suksesshëm në këtë drejtim është modeli gjerman, ku nxënësit kombinojnë trajnimin teorik në shkollë me praktikën në ndërmarrje, duke fituar aftësi të drejtpërdrejta për punë.
Kosova ka nisur të ndjekë këtë rrugë. Më 4 prill 2022, për herë të parë, u nënshkrua një marrëveshje midis Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat për të mundësuar pjesëmarrjen e nxënësve në trajnime praktike në kompani. Një hap më konkret u bë më 21 maj 2025, kur në Skenderaj u zhvillua ceremonia fillestare për implementimin e shkollimit dual, në prani të kryeministrit Albin Kurti. Kjo iniciativë paraqet një shpresë të re për modernizimin e proceseve industriale në vend, duke ofruar një brez të ri punëtorësh të kualifikuar.
Megjithë iniciativat pozitive për arsimin dual, një fenomen shqetësues ka dalë në pah në të njëjtën periudhë: universitetet publike në Kosovë, përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës, kanë filluar të shpërndajnë fletushka për të tërhequr studentë. Kjo situatë e papritur pasqyron një rënie dramatike të interesit për arsimin e lartë në vitet e fundit, duke treguar një mungesë koordinimi midis ofertës arsimore dhe nevojave reale të tregut të punës. Sidoqoftë, duhet theksuar se në fusha specifike të inxhinierisë, si shkenca kompjuterike dhe programimi, ka pasur një interes më të madh, prandaj, në këtë kontekst, do të ishte e dobishme të ndryshohen politikat e arsimit duke u fokusuar në hapjen e programeve të reja që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthore, mund të kontribuojnë në modernizimin e industrive duke plotësuar më mirë nevojat e tregut. Gjithashtu, mund të mbështetet modernizimi i industrive, duke hapur inkubatorë në kuadër të universiteteve publike, duke mbështetur startup-et në fushën e teknologjisë dhe institutet kërkimore.
Siç u theksua më parë, Kosova nuk ndodhet në një pozicion të favorshëm krahasuar me vendet e zhvilluara. Megjithatë, ekzistojnë raste suksesi të vendeve që kanë arritur t’i tejkalojnë këto sfida. Ndër këto shtete përfshihen Estonia, Lituania, Polonia, Vietnami dhe shumë të tjera. Për shembull, Estonia ka investuar në edukimin digjital dhe sot konsiderohet lidere në Europë në teknologji dhe startup-e. Polonia, duke racionalizuar mbështetjen e BE-së, arriti të bëhet fuqi industriale në sektorin automobilistik dhe elektroteknik. Lituania, duke investuar në fushën e IT-së dhe duke e lidhur atë me arsimin, ka arritur ta rrisë shpejt GDP-në dhe ta ulë papunësinë, veçanërisht tek të rinjtë.
Modernizimi i industrisë pa dyshim nuk është një proces i lehtë, por ka sektorë, veçanërisht sektori i shërbimeve, që mund të jenë atraktivë dhe me më pak investime mund të mbulojnë një pjesë të industrisë. Duke pasur parasysh suksesin e të rinjve shqiptarë në sektorin e teknologjisë informative dhe angazhimin e tyre në kompani të ndryshme ndërkombëtare, mund të fillohet nga ky sektor, duke ruajtur bashkëpunimin me institucionet publike, si Ministria e Arsimit, e cila mund të investojë më shumë për të hapur më tepër programe në këtë fushë. Së këndejmi, mund të merret si shembull rasti i Indisë, e cila sot konsiderohet ndër vendet që eksportojnë më së shumti shërbime në industrinë e teknologjisë informative, madje edhe për shtete të zhvilluara. Në përfundim, them se rruga drejt modernizimit industrial të Kosovës kërkon një qasje strategjike, bashkëpunim ndërinstitucional dhe shfrytëzim të potencialit ekzistues, veçanërisht në sektorët me rritje të shpejtë dhe investim më të vogël.
Referencat:
Cichock, M. A. (1985). Reevaluating a Development Strategy: Policy Implications for Yugoslavia. Comparative Politics, Vol. 17, No. 2, 211-228.
De-industrialisation And Its Consequences – A Kosovo Story. (2002, Maj 13). Gjetur në European Stability Initiative: https://www.esiweb.org/publications/de-industrialisation-and-its-consequences-kosovo-story
Pettifer, J. (2002). Kosovo Economy & Society After 1945 Some Observations. Conflict Studies Research Centre, 1-14.
Remington, R. A. (1981). “Yugoslavia”, Communism in Eastern Europe. Indiana University Press: Bloomington.
Sancaktar, C. (2009). Yugoslavya’da Sosyalizmden Kapitalizme Geçiş: Özyönetim Uygulaması (temë e doktoratës). İstanbul: İstanbul Üniversitesi.
Schmitt, O. J. (2012). Kosova – Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: KOHA.
Spahi, J. (2019). Aile işletmelerinin profesyonelleşmesi: Kosova Cumhuriyeti Örneği (temë e doktoratës). Eskişehir: Eskişehir Osmangazi Üniversitesi.
https://www.poelsan.com/blog/dunden-bugune-sanayi-devrimi-ve-yalin-uretim/
https://www.siskon.com.tr/haberler/endustri-devriminin-tarihsel-gelisimi/