Si tradicionalistët, edhe modernistët, e ndajnë të njëjtën hapësirë jetese? Përballë tyre qëndrojnë të njëjtat sfida, të njëjtat dëshira, i njëjti qiell, i njëjti diell, e njëjta hënë e njëjta botë. Bota është e larmishme dhe nuk mund të jetë e njëtrajtshme. Në të kundërtët sistemi binar nuk do të kishte vend dhe diskutimi, kundërvënia ose dialogu mes tradicionales dhe modernes as që do të ishte prezent.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Mënyra e të jetuarit është shqetësimi i vazhdueshëm i njeriut mbi sipërfaqen e tokës. Ajo merr hapësirën kohore mes lindjes dhe vdekjes dhe i jep mundësi njeriut të përbrendësojë vlera, principe, virtyte ose të kundërtat e tyre dhe t’i shpërfaqë nëpërmjet fjalëve dhe veprave. Kohezioni mes ideve, koncepteve që e orientojnë të menduarit dhe u japin formë e përmbajtje fjalëve dhe veprimeve është boshti rreth të cilit njerëzit qëndrojnë ulur dhe bëjnë zgjedhjen e tyre mes tradicionales dhe modernes.
Tradicionalja dhe modernia janë krejt të kundërta me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë njëra pa tjetrën nuk mund të kuptohet. Bota është binare. Njeriu është i tillë. Gjallesat janë të tilla. Sistemi binar është krejt natyror, çka do të thotë që nuk mund të kemi një botë me njëtrajtësi zgjedhje, mendimi e veprimi.
Tradicionalizmi nuk është thjesht dhe vetëm ajo çfarë brezat krijojnë që nga thellësia e kohës. Tradicionalizmi i kuptuar në këtë mënyrë është i keqkuptuar dhe, rrjedhimisht, krijon pështjellim kur ne duam të zgjedhim të jetojmë si tradicionalistë, përballë një bote gjithmonë e më tepër të modernizuar. Tradicionalizmi është kryekëput i lidhur më hyjnitetin e principeve që shënjojnë qartë mënyrën e të jetuarit. Ndërkaq modernia, që zë e ngjizet qysh me krizën brenda katolicizmit, kur individë të caktuar pa ndonjë lidhje të qenësishme shpirtërore me çka predikonin përmbushnin interesat meskinë, filluan të fitojnë terren dhe u zgjeruan gjithmonë e më shumë me Rilindjen dhe Humanizmin, duke u bërë themeli mbi të cilin ngrihet mënyra moderne e të jetuarit, që sido që të emërtohet, laike apo shekullare, është kundër traditës në tërësi, pasi e zhvendos Hyun nga qendra dhe vendos në të njeriun që i kthen krahët Qiellit dhe kërkon të sundojë tokën, ku shpirtërorja i lë vendin materiales. (Shih më gjerësisht, Guenon. R. (2009) Kriza e botës moderne. Tiranë: Logokron).
Në realitetin shqiptar dhe jo vetëm, lëvrimi i këtyre koncepteve ka qenë tokë djerrë, për shkak të dhunës komuniste në lëmin e filozofisë dhe jo vetëm, e cila fokusohej tek filozofia marksiste – leniniste. Edhe nëse trajtoheshin tema të tjera jashtë kësaj filozofie, ato i nënshtroheshin interpretimit ideologjik e politik, duke kritikuar deri në zhbërje terma e koncepte që janë të qenësishëm për të drejtpeshuar jetën e njeriut. Kjo kahe shkaktoi pështjellim e turbulli, duke sjellë në ekzistencë një realitet të mbindotur me urrejtje përkundrejt çdo gjurme të tradicionalizmit. Mbyllja e ciklit komunist në variantin enverist nuk do të thoshte që ajo çfarë mbolli komunizmi për katër dekada e gjysmë u vyshk e humbi. Përkundrazi, farat e mbjella asokohe japin fryte sot e gjithë ditën.
Në realitetin e pas 1991-shit, hapja ndaj trashëgimisë fetare të popullit shqiptar, hapja ndaj botës krijoi mundësi të reja për t’u rikthyer tek tradicionalizmi me të cilin kishte bashkëjetuar ndër shekuj, tashmë në rrethana krejt të tjera (ishte ndërprerë lidhja me të shkuarën tradicionaliste prej dhunës ateiste, ishin rrënuar burimet ekonomike të institucioneve fetare, ishte ndërprerë shkollimi teologjik, ishte propaganduar tallja, përçmimi, fyerja, urrejtja ndaj tradicionalizmit, ishin rrënuar me qindra objekte të kultit dhe ishin tjetërsuar në funksion pjesa tjetër). Trashëgiminë tradicionaliste e kishte mbuluar pluhuri. Ndikimet nga jashtë erdhën e u bënë më të forta në të gjitha drejtimet. Modernizimi i jetës, gjithmonë në kuptimin e progresit material, ishte ëndrra e shumë syresh. Në përmbushje të saj u shkrinë energji pa fund në fonderinë e dëshirave tokësore, duke mos patur interes për kufirin mes së drejtës dhe së padrejtës, mes së mirës dhe së keqes, mes vlerave e principeve dhe kundërvlerave. Mes pështjellimeve në vorbullat e këtij realiteti dilema që qëndron gjithnjë përballë është të jetojmë si tradicionalistë apo si modernistë?
Si tradicionalistët, edhe modernistët, e ndajnë të njëjtën hapësirë jetese? Përballë tyre qëndrojnë të njëjtat sfida, të njëjtat dëshira, i njëjti qiell, i njëjti diell, e njëjta hënë e njëjta botë. Bota është e larmishme dhe nuk mund të jetë e njëtrajtshme. Në të kundërtët sistemi binar nuk do të kishte vend dhe diskutimi, kundërvënia ose dialogu mes tradicionales dhe modernes as që do të ishte prezent. Në një realitet të larmishëm teprimi dhe mangësia nuk do të na çonin askund nëse synojmë të kemi jo vetëm një jetë më të mirë, jo thjesht në kuptimin material, po edhe një shoqëri më të paqtë. Ecja mes të kundërtave është vetë jeta. Të kalosh mes shkëmbinjve duhet të kalosh nëpër “portën e ngushtë” ose “vrimën e gjilpërës” midis palëve të kundërta, përkarshi dhe përtej dyzimit që detyrimisht karakterizon botën e kushtëzuar. Ajo duhet të udhëhiqet nga llamba “e ndezur nga një pemë e bekuar një pemë ulliri, e cila nuk është as e lindjes, as e perëndimit” (Kurani, 24:35). (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. (2022) Rivlerësimi i reformës në arsimin e lartë. Tiranë: AIITC), faqe 207).
Nuk mund të jemi shpërfillës ndaj periudhës që po jetojmë. Nuk kemi as pse të mbyllemi në guaskë, as pse ta thyejmë atë. Tradicionalistët kanë për detyrë të jetojnë me kohën kur jetojnë. Sidoqoftë mund të arsyetohet, se pikërisht duke njohur dhe kuptuar gjendjen e botës në këtë kohë të veçantë, ne mund të përmbushim sfidën e pluralizmit fetar dhe kulturor. Kjo nuk ka për të dhënë përparësi në botën e përkohshme mbi botën shpirtërore, as për ta vendosur njërën kundër tjetrës, por për të kuptuar që mendjet njerëzore kushtëzohen ndryshe në çdo periudhë, dhe se tradita duhet të jetë vetëpërtëritëse gjallëruese dhe të përgjigjet ndaj kushteve të reja dhe pyetjeve të reja, nëse do të mbetet një traditë e gjallë. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J, 171).
Tradicionalistët duhet t’i shpërfaqin vlerat më të qenësishme të traditës dhe t’ia tregojnë njeriut dhe shoqërisë rrugën e lirisë, rrugën e çlirimit nga pesha e përmasës fizike jo në kuptimin e asgjësimit të saj, por në gjetjen e drejtpeshimit mes shpirtërores dhe materiales. Detyra për ata që e vlerësojnë lirinë është ta ripërfytyrojnë atë, përmes një etike të thellë të ndërthurur me dhembshuri dhe vetëdije të pandërprerë, në shoqëritë tona të përziera, shumë të pabarabarta dhe në botën më të madhe të ndërvarur. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J, 171).