loader image
June 18, 2025

Shqipëria ndërmjet kujtesës së hebrenjve dhe qëndrimit ndaj Palestinës

Ironia qëndron në faktin se Shqipëria – vendi që dikur i shpëtoi hebrenjtë nga shfarosja, ndonëse edhe vetë qe e pushtuar – sot nuk arrin të artikulojë as një qëndrim etik përballë dhunës ekstreme ndaj një populli të shtypur. Ajo që dikur ishte një sjellje e bazuar në moralin tradicional, sot është zëvendësuar me një realpolitikë të heshtur ose pozicionim asnjanës që nuk lë hapësirë për humanizëm ose solidaritet me mijëra civilët e vrarë.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Kujtesa e nderit – kur shqiptarët shpëtuan hebrenjtë

Në kapitujt më të errët të historisë europiane të shekullit të njëzetë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë vende e kthyen shikimin nga ana tjetër, ndërsa hebrenjtë përndiqeshin dhe shfaroseshin sistematikisht nga regjimi nazist. Por, Shqipëria zgjodhi një rrugë tjetër, atë të humanizmit dhe mikpritjes së viktimave të persekutimit të një regjimi kriminal.

Shifrat janë domethënëse. Në fund të luftës, numri i hebrenjve në Shqipëri ishte gati 10-fish më tepër sesa në fillim të saj, që është i vetmi rast i tillë në Europë. Shumë familje shqiptare, myslimane dhe të krishtera, i mbajtën të fshehur hebrenjtë për muaj e vite të tëra. Jo si pjesë e një përjashtimi vetëm për hebrenjtë, por si një normë morale që mbështetej në traditat e trashëguara brez pas brezi, bazuar, ndër të tjera, mbi traditën e Besës, që u transformua në një lloj mekanizmi rezistence nga ana e shoqërisë ndaj okupacionit nazist.

Besa është një parim themelor në organizimin e shoqërisë tradicionale shqiptare, që lidhet me përgjegjësinë e mikpritësit për ta strehuar mysafirin, të konsideruar jo si i huaj ose si “Tjetri” – pavarësisht prej vendit nga vjen – por si pjesë e bashkësisë së komunitetit pritës. Në librin e tij, “Shpëtimi në Shqipëri”, Harvey Sarner-i shkruan se në Kanun nuk ekziston koncepti modern perëndimor për “të huajin”, ndërsa flitet për një koncept tjetër, atë të “mysafirit”. Prandaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nuk kishte hebrenj “të huaj”, por vetëm hebrenj “mysafirë”, që duhej të strehoheshin dhe mbroheshin duke e rrezikuar edhe vetë jetën. Bazuar në parimet themelore të këtij Kodi Nderi, shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut në çdo orë të ditës dhe të natës. Në mungesë të një autoriteti shtetëror, Besa funksiononte si një kontratë shoqërore që i rregullonte ndërveprimet sociale, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e raporteve me Tjetrin, në formën e një institucioni parapolitik, sidomos në momentet kur institucionet politike zyrtare nuk kishin legjitimitet në shoqëri. Në këtë kuptim, mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët nuk ishte një akt diplomatik ose pjesë e një strategjie gjeopolitike shtetërore, por shprehje e karakterit kolektiv të një populli të vogël që e zgjodhi anën e drejtë të historisë nën udhëheqjen e Kodit tradicional të Nderit, i cili në Shqipëri ende qe një mekanizëm i rëndësishëm në organizimin e jetës shoqërore në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, krejt ndryshe nga pragmatizmi gjeopolitik i periudhës bashkëkohore. Gjithashtu, veç ndikimit të kësaj norme tradicionale, politikisht, strehimi i hebrenjve mund të konceptohet si një formë reagimi nga shoqëria shqiptare kundër pushtimit nazist, të cilët morën kontrollin e vendit vetëm pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe nuk arritën ta ndërtonin atë shkallë legjitimiteti në popullsi, siç ndodhi në vendet e tjera që u aneksuan më herët nga Gjermania dhe dhanë kontributin e tyre në deportimin e hebrenjve.

Qëndrimi ndaj Holokaustit ka qenë një ndër simbolet më të fuqishme të identitetit moral të Shqipërisë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Emrat e shumë familjeve shqiptare nga Vlora, Berati, Tirana, Kavaja, Kruja, Prishtina etj., të shpallur si “Të drejtë midis popujve”, nga Qendra Botërore e Kujtesës së Holokaustit “Yad Vashem”, janë dëshmi e këtij akti historik për vendin tonë. Por, nëse e kthejmë vështrimin nga ky akt i pashembullt humanizmi dhe dinjiteti njerëzor drejt së tashmes, përballemi me një kontrast të thekshëm.

Shqipëria dhe qëndrimi i saj ndaj terrorit në Gaza

Pas më shumë se shtatë dekadash që nga fundi i Holokaustit, bota është dëshmitare e një tjetër konflikti të përgjakshëm – atij mes Izraelit dhe palestinezëve. Që nga fillimi i bombardimeve masive në Rripin e Gazës, në tetor 2023, janë vrarë dhjetëra mijëra civilë, përfshirë mijëra fëmijë. Shtëpi, spitale, shkolla dhe infrastrukturë jetike janë shkatërruar sistematikisht. Organizata ndërkombëtare, si “Amnesty International”, “Human Rights Watch” dhe vetë Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për krime lufte dhe për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Në lidhje me këtë ngjarje çnjerëzore, qëndrimi i shtetit shqiptar ka qenë i qartë – mbështetje e pakushtëzuar për Izraelin. Qeveria shqiptare është rreshtuar politikisht me Shtetet e Bashkuara dhe një numër të kufizuar aleatësh që e kanë legjitimuar veprimin izraelit si “vetëmbrojtje”, pa marrë parasysh disproporcionin e skajshëm në viktima dhe dëme.

Qëndrimet e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare, si OKB ose Këshilli i të Drejtave të Njeriut, kanë reflektuar këtë aleancë të verbër që shkon në kufijtë e vasalitetit. Edhe kur janë paraqitur rezoluta për ndalimin e luftimeve, për armëpushim humanitar ose për hetim të pavarur ndërkombëtar mbi krimet në Gaza, Shqipëria ka votuar kundër ose ka abstenuar, madje edhe kur votoi pro rezolutës për armëpushim më dhjetor 2023, sërish shteti shqiptar shprehu keqardhjen pse Këshilli i Sigurimit nuk e dënoi sulmin terrorist të 7 tetorit të kryer nga Hamasi. Ky pozicion, në dukje diplomatik, e ka vendosur Shqipërinë përkrah vendeve që ua mohojnë palestinezëve të drejtën për të jetuar në vendin e tyre.

Ironia qëndron në faktin se Shqipëria – vendi që dikur i shpëtoi hebrenjtë nga shfarosja, ndonëse edhe vetë qe e pushtuar – sot nuk arrin ta artikulojë asnjë qëndrim etik përballë dhunës ekstreme ndaj një populli të shtypur. Ajo që dikur ishte një sjellje e bazuar në moralin tradicional, sot është zëvendësuar me një realpolitikë të heshtur ose pozicionim asnjanës që nuk lë hapësirë për humanizëm apo solidaritet me mijëra civilët e vrarë.

 Qëndrimi parimor në politikën e jashtme – një luks për vendet e Ballkanit?

Sot, në një rend botëror gjithnjë e më të polarizuar, qëndrimet morale në politikën e jashtme duket se janë kthyer në privilegj të vendeve të fuqishme. Për vende të vogla si Shqipëria, presioni për ta ndjekur vijën e aleatëve strategjikë – në këtë rast SHBA-së – është aq i madh, sa nuk lë hapësirë për shprehje të një zëri të pavarur, e aq më pak për një zë kritik.

Në fakt, në diskursin ndërkombëtar nuk ekziston më pritshmëria që vende si Shqipëria të mbajnë qëndrime etike përkundër përmasave të masakrës në Gaza. Kjo e bën edhe më të thellë kontrastin me të kaluarën e saj: atëherë kur nuk kishte aleatë të mëdhenj për t’u ndjekur dhe kur nuk kishte institucione ndërkombëtare për t’u përkrahur, shqiptarët zgjodhën vetë të ishin në krahun e viktimave të gjenocidit.

Ndërkohë, në Ballkanin Perëndimor qëndrimet ndaj konfliktit në Gaza kanë qenë të ndryshme. Serbia, për shembull, e ka ruajtur një pozicion më të kujdesshëm, duke shmangur deklarata të forta politike, në përputhje me pozicionin e saj neutral në raport me njohjen e Palestinës dhe mbështetjen tradicionale për të drejtën izraelite për ekzistencë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë ndjekur përgjithësisht vijën perëndimore, por në mënyrë më të balancuar, duke bërë thirrje për paqe dhe ndalje të dhunës, pa përjashtuar të drejtën e palestinezëve për një shtet të pavarur. Kosova, për shkak të pozitës së saj të ndjeshme në arenën ndërkombëtare, ka mbajtur një pozicion të heshtur në lidhje me gjendjen në Gaza, teksa ka mbështetur Izraelin në sulmin e Hamasit në 7 tetor të vitit 2023 dhe e ka dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit në prill 2024. Hezitimi për t’i dënuar krimet kundër palestinezëve mund të jetë i kushtëzuar nga fakti se vendet e Lidhjes Arabe ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Megjithatë, pavarësisht kushtëzimeve, Kosova deri më sot nuk ka dalë për asnjë moment haptazi në mbrojtje të Izraelit në lidhje me agresionin në Gaza. Në anën tjetër, vendosja e Shqipërisë në krah të Izraelit pa asnjë lloj nuancimi dhe pa asnjë kushtëzim, e ka diferencuar edhe nga fqinjët e saj. Në vend të një diplomacie të kujdesshme, Shqipëria ka zgjedhur një vijë politike që ndonjëherë e tejkalon edhe vetë entuziazmin e aleatëve më të mëdhenj të Izraelit. Kryeministri Rama, vetëm 1 muaj nga data e votimeve në Shqipëri, për habinë e të gjithë atyre që e konsideronin si asnjanës qëndrimin e shtetit shqiptar në lidhje me masakrën e fundit të Izraelit, shkon për vizitë pikërisht në vendin që ka kryer gjenocidin, në kohën e gjenocidit, duke i shprehur presidentit izraelit Herzog se: “Për hebrenjtë Shqipëria do të jetë përherë një shtëpi e dytë”. Nëse qëndrimi i Kosovës mbetet i kushtëzuar nga mosnjohja e pavarësisë nga afërsisht 1/3 e vendeve të OKB-së, pozita ndërkombëtare e Shqipërisë nuk ka kufizime të tilla, e megjithatë pas vizitës së Ramës në Izrael, duket se shteti shqiptar është përkrahësi më i afërt i Izraelit jo vetëm në rajon, por ndoshta aleati i dytë më i përkushtuar i Izraelit në botë pas SHBA-së. Ky qëndrim e largon Shqipërinë nga shumë prej vendeve të BE-së, që kanë treguar solidaritet ndaj civilëve palestinezë. Franca, për shembull, e ka dënuar haptazi përdorimin disproporcional të forcës nga ana e Izraelit dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, madje edhe duke planifikuar ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez brenda pak muajsh. Spanja ka paralajmëruar për sanksione të mundshme ndaj Izraelit në rast të vazhdimit të masakrave. Irlanda, nga ana tjetër, ka qenë ndër zërat më të fuqishëm pro të drejtës së palestinezëve për vetëvendosje. Madje, edhe Gjermania, një nga aleatët më të ngushtë të Izraelit, ka shprehur shqetësim për krizën humanitare në Gaza.

Për dallim nga vendet e BE-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vijuar ta furnizojnë Izraelin me ndihma ushtarake dhe t’i mbrojnë veprimet e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke bllokuar disa rezoluta për armëpushim. Pikërisht ky qëndrim i SHBA-së ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në formësimin e pozitave gjeopolitike të shtetit shqiptar, që ndonëse e rreshtuar kah Perëndimit, e ka humbur shpesh busullën e orientimit në politikën e jashtme, siç ka ndodhur pak kohë më parë kur mëtonte të përfshihej në rolin e negociatorit për dialogun e Kosovës me Serbinë, kinse për të qenë pjesë e narrativës europiane të neutralitetit.

Gjithë kjo e çon Shqipërinë përballë një pasqyre të turpshme: vendi që dikur mori lavdi për aktet e tij të guximshme në mbrojtje të një populli të përndjekur, sot nuk e ka as vullnetin, as guximin ta dënojë padrejtësinë, as aftësinë për t’i mbrojtur vlerat universale të njerëzimit dhe as strategjinë e duhur gjeopolitike për të mbajtur një qëndrim solidariteti me viktimat e gjenocidit, pa ndikuar raportin me aleatët strategjikë, siç kanë bërë edhe vende të tjera të Europës. Gjithashtu, duke qenë se shteti shqiptar gjatë kësaj periudhe ishte nën pushtim, shqiptarët që i mbrojtën hebrenjtë rrezikonin shumë më tepër sesa sot, që në skenën ndërkombëtare mund të mbajë qëndrimin e një shteti të pavarur, duke u pozicionuar në mënyrë të pavarur. Por, si mund të shpjegohet që në kushtet e pushtimit një vend shfaq tipare solidariteti kundrejt viktimave të gjenocidit, teksa në gjendjen e vet të pavarur e mbështet persekutorin?

Ky ndryshim i thellë në qëndrimin e Shqipërisë – nga një politikë morale dhe njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore në një qasje të sotme të drejtuar nga vasaliteti gjeopolitik – është më shumë se një evolucion i brendshëm. Ai pasqyron edhe një transformim më të gjerë të rendit ndërkombëtar, ku idealet e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut shpesh dorëzohen përballë interesave gjeopolitike dhe rreshtimeve en bloc. Ajo që dikur ishte një sjellje politike e udhëhequr nga morali tradicional – edhe në kushtet më të vështira – sot është zëvendësuar me një realpolitikë, që ngjan më shumë me përshtatje me gjendjen ose nxjerrjen e përfitimeve diplomatike në kushtet e një tragjedie njerëzore sesa me qëndrimet politike të një shteti.

Nga qëndrimi moral në rreshtim strategjik

Pavarësisht hendekut në qëndrimet e Shqipërisë në këto dy periudha, ajo nuk duhet parë si një rast i veçuar në këtë rrjedhë të re globale, por një rast domethënës: nëse dikur shoqëria shqiptare i bënte rezistencë, qoftë edhe përmes rrugëve informale, superfuqisë së kohës, sot shteti shqiptar jo vetëm që hesht përballë një mizorie, por haptazi shpreh mbështetje për Izraelin në momentin kur kryeministri i vendit shkon për vizitë zyrtare në Izrael për ta rikujtuar miqësinë mes dy vendeve, menjëherë pasi shteti izraelit ka kryer masakrën e radhës në Gaza.

Për ta kuptuar kontrastin dramatik mes qëndrimit të Shqipërisë ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mbështetjes aktuale për Izraelin në konfliktin në Gaza, është e domosdoshme të kuptojmë ndryshimet themelore në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare mes dy epokave. Shqipëria e viteve 1940-të, edhe pse një vend i vogël, u orientua nga një ndjeshmëri universale që përfshinte ndjenjën e solidaritetit me viktimat. Vendi ynë, asokohe, nuk ishte pjesë aktive e sistemit ndërkombëtar, siç është sot, dhe, në shumë raste, sjellja politike e shoqërisë buronte më tepër nga morali tradicional sesa nga interesat dhe kalkulimet e botës bashkëkohore, aq më tepër që vendi në atë kohë ishte nën pushtim dhe shteti nuk mund të vendoste vetë mbi orientimin e politikës së jashtme, kështu që sjellja politike e shoqërisë mund të trajtohet si e veçuar nga ajo e shtetit.

Në periudhën e sotme, në një kontekst më të gjerë global, shtetet e vogla, si Shqipëria, janë shumë më të integruara në arkitekturën ndërkombëtare se në të shkuarën, sidomos përmes organizatave, si NATO, OKB dhe partneritetet me SHBA-në dhe Bashkimin Europian. Për këtë arsye qëndrimet politike të shtetit shqiptar janë më pak të pavarura përkundrejt interesave gjeopolitike. Politika e jashtme e Shqipërisë sot ka për objektiv anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e rolit të shtetit në politikën e jashtme përmes rreshtimeve gjeopolitike, e jo përmes qëndrimeve parimore. Në vend që të reflektojë mbi padrejtësitë globale, ajo e përqafon diskursin e aleatëve të saj më të fuqishëm. Në këtë mënyrë, qëndrimi i shtetit shqiptar sot nuk është si reagim ndaj një tragjedie njerëzore, por si pjesë e një blloku gjeopolitik që kërkon stabilitet dhe përfitime strategjike.

Nëse gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte më e izoluar nga politika e madhe dhe veproi përmes parimeve të normave lokale, sot ajo është më tepër e integruar në sistemin ndërkombëtar dhe e ka zëvendësuar qëndrimin moral me aleancat, moralin tradicional me pragmatizmin postmodern, rezistencën informale të shoqërisë me oportunizmin shtetëror dhe mikpritjen e “mysafirit” me rreshtimin gjeopolitik krah shteteve të fuqishme. Kësisoj, mbështetja për Izraelin – shpesh pa kushte – nuk buron nga perspektiva e shoqërisë, por nga objektivat shtetërorë për t’u shfaqur përherë si aleatë të SHBA-së, krejt pavarësisht aspektit moral.

Në këtë klimë, pritshmëritë që shtetet si Shqipëria të mbajnë qëndrime morale në arenën ndërkombëtare janë minimizuar. Në përgjithësi, shtetet e Ballkanit nuk shihen si aktorë që mund të parashtrojnë ndërkombëtarisht alternativa morale, por më së shumti si satelitë diplomatikë të shteteve të fuqishme. Heshtja e Shqipërisë përballë dhunës së Izraelit në Gaza nuk është thjesht një zgjedhje politike, por simptomë e një bote ku realpolitika ka prioritet ndaj humanizmit dhe drejtësia në arenën ndërkombëtare nuk është gjë tjetër, veçse një armë në duart e shteteve të fuqishme.

 

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X