loader image
April 24, 2025

Efekti i interpretimeve ekstreme ideologjike në legjislacion dhe drejtësi

Kthimi i fashizmit në truallin europian alarmon për rrezik real të bashkëjetesës së komuniteteve dhe kulturave të ndryshme, paraqet krizë morale, si dhe përbën shkelje të akteve juridike ndërkombëtare. Në këtë drejtim, duhet pasur parasysh se pa ndërmarrjen e masave efektive juridike dhe edukimit të hershëm, situata sa vjen e përshkallëzohet. Rast konkret demonstron edhe katrahura humane që nga viti 2024 në Gaza, ku sulmet në zonat civile janë raportuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe posaçërisht e të drejtave të njeriut dhe janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

 Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren  

Çdo interpretim i skajshëm i ideologjive bart me vete pasoja, qofshin ato socio-ekonomike, politike a juridike. Kjo vlen edhe për të ashtuquajturën “e djathta ekstreme”, rritja e së cilës në shkallë globale përgjatë viteve të fundit ka afektuar seriozisht regjimet demokratike. Me prirjet për zhvillimin e politikave reduktuese ndaj të drejtave dhe lirive individuale, e djathta ekstreme nuk është thjesht një çështje politike dhe shoqërore. Dukuria e përhapjes së saj ka përftuar debate lidhur me legjislacionin, jurisprudencën e përgjithësisht shtetin e së drejtës.

Cenuese e të drejtave dhe lirive nuk është vetëm e djathta ekstreme. Edhe regjimet komuniste, gjatë pjesës së dytë të shek. XX, i kanë ngulfatur popujt e vet, por në forma të tjera nga ekstremizmi i sotëm racist. Duke e reduktuar të drejtën në produkt ligjor të dëshirës së klasës sunduese, sipas devizës marksiste, disa nga vendet ku aplikohej një interpretim më i mprehtë i komunizmit, mëtonin shoqëri “robotike”, jo në kuptimin e zhvillimit teknologjik, por në mekanizim të vetë individit, vullneti i të cilit duhej të ishte në doemos në përputhje me botëkuptimin zyrtar ideologjik. Liria e besimit, liria e shprehjes, e drejta në pronë etj. ndaloheshin ose ngushtoheshin aq sa e humbnin peshën e kategorisë juridike.

Në logjikë të përafërt, por në forma të tjera, paraqiten edhe regjimet me pretendime të aplikimit të së drejtës fetare, ku në emër të doktrinave të caktuara fetare është paralizuar jeta publike, si në rrafshin e sjelljeve shoqërore, ashtu edhe në qarkullimin ekonomik. Historia ka dëshmuar për raste të shumta të regjimeve autokratike në emër të besimit, pavarësisht cilës fe. Emërues i përbashkët i të gjithave ka qenë ngushtimi i hapësirës së lirisë së mendimit e të veprimit.

Pra, gjersa e djathta ekstreme i krijon standardet e së drejtës mbi baza etnike, racore e kulturore; e majta ekstreme – mbi statusin social; fetaria ekstreme e bën këtë mbi fondament fetar e, madje, sektar. Gjithsesi, standardet e këtyre botëkuptimeve janë larg standardeve demokratike.

Tutje do të analizohen pasojat e mendimeve ekstreme mbi të drejtën dhe organizimin shoqëror.

Pakësimi i të drejtave dhe erozioni i pavarësisë së gjyqësorit

Gjëja e parë që kundrohet kur një qeverisje me tendencë të nacionalizmit ekstrem merr pushtetin qeverisës është qasja e saj diskriminuese ndaj emigrantëve dhe komuniteteve joshumicë. Për shembull, përhapja e partive të ekstremit të djathtë në Belgjikë i ka dëmtuar konceptet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të mirëqenies. Këto parti e kanë rritur polarizimin social me retorikën e tyre kundër të huajve dhe kanë hapur rrugën për miratimin e politikave që i cenojnë të drejtat e emigrantëve. Partia Vlaams Belang në Belgjikë ka shpalosur bindjet kundër emigrantëve. Ky subjekt flaman i ka vënë në shënjestër të huajt. Gjatë fushatës zgjedhore më 2019, ai ka premtuar realizim politikash, si: ndalim të migracionit,[1] kufizim të asistencës sociale për emigrantët, lehtësim të procedurave të dëbimit, kufizim të së drejtës për bashkim familjar etj.

Një dimension shqetësues është ndikimi partiak në sferën e drejtësisë. Zbatimi i paanshëm dhe objektiv i ligjit mund ta humbasë kuptimin kur sistemi gjyqësor drejtohet me tendenca më ekstreme. Ta zëmë, fuqizimi i pushtetit të Viktor Orbán-it në Hungari është shoqëruar me një sërë rregullimesh ligjore që e tronditin pavarësinë e gjyqësorit. Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë kufizuar dhe janë vendosur kufizime serioze për lirinë e shtypit. Bashkimi Europian ka konstatuar se këto zhvillime ishin në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit dhe ka iniciuar procedurat e shkeljes kundër Hungarisë.

Liritë midis diskursit ekstremist dhe kufizimit legjitim

Megjithëse garantohen dhe mbrohen me akte juridike bashkëkohore, demokracitë moderne parashohin edhe kufizime (kuptohet: si raste që përbëjnë përjashtim) për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit. Arsyetimi i kufizimit të tyre qëndron në argumentimin se këto liri nuk mund të shndërrohen në mjete për të penguar të drejtat e të tjerëve ose rendin publik.

Shikuar në rrafshin botëror, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i OKB-së parasheh se liria e shprehjes mund t’u nënshtrohet disa kufizimeve të cilat duhet të përcaktohen shprehimisht me ligj dhe të jenë të domosdoshme për respektimin e të drejtave ose të reputacionit të të tjerëve; dhe/ose për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, të rendit publik, të shëndetit ose të moralit publik (neni 19). Gjithashtu, ky akt ndërkombëtar përcakton se çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore ose fetare, që përbën nxitjen për diskriminim, armiqësi dhe dhunë ndalohet me ligj (neni 20).

Rregullime të ngjashme ekzistojnë veçmas edhe në kontinentin europian. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut e normon kufizimin e lirisë së shprehjes, duke afirmuar se kjo mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor (neni 10).

Çfarë mund të konsiderohet si diskurs që nuk përkon me lirinë e shprehjes?

Një orientim për përgjigje të kësaj pyetjeje na jep Konventa Ndërkombëtare e OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor. Kjo konventë gjithashtu ndalon propagandën dhe aktivitetet raciste, duke përkufizuar që në nenin 1 se diskriminimi racor nënkupton “…çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferencë që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, që ka për qëllim apo për efekt të shkatërrojë ose të komprometojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushte barazie, të të drejtave dhe të lirive themelore tё njeriut në fushat politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore ose në çdo fushë tjetër të jetës publike”. Për më tepër, ky dokument kërkon nga shtetet palë që, me të gjitha mjetet e përshtatshme, duke përfshirë – kur e kërkojnë rrethanat – edhe legjislacionin, të ndalojë diskriminimin racial që zbatohet nga çfarëdo personi, grupi personash apo organizate dhe t’i japë fund atij (neni 2/1(ç)).

Efekti i interpretimeve ekstreme në demokraci sociale

Në vendet ku pushtetin e merr e djathta ekstreme ose kur ajo ndikon në njërën mënyrë a tjetër në politikë (përmes koalicioneve, burokracisë, akademisë, etj.), vihet re që trasohet rruga e kufizimit më të lehtë të të drejtave themelore, siç janë: liria e shprehjes, liria e shtypit, e drejta për tubim e kështu me radhë.

Për ilustrim, në vitin 2017, në qytetin Charlottesville të SHBA-ve ndodhën protesta dhe përplasje, të cilat u shkaktuan nga vendimi për heqjen e statujës së një ish gjenerali. Protesta e organizuar nga grupet e ekstremit të djathtë, ku supremacistët e bardhë, neonazistët dhe grupime të tjera ekstremiste marshuan me slogane plot urrejtje, zbuluan rritjen e racizmit dhe krimeve të urrejtjes në SHBA, duke u shndërruar në një pikë kthese historike. Gjatë përleshjeve të dhunshme me kundër-protestuesit, një person ka vdekur dhe janë plagosur shumë të tjerë. Kjo ngjarje u bë një simbol i ndasive shoqërore dhe tensioneve të krijuara nga simbolet historike.

E djathta ekstreme me elemente fashiste e shoviniste sot, sikur edhe e majta ekstreme komuniste gjatë shekullit XX, e vendosin në shënjestër shoqërinë pluraliste. Perceptime të tilla ideologjike synojnë t’i shohin të gjithë njerëzit njësoj, të krijojnë uniformizim në mendim dhe dukje, pra të ketë një tip njeriu. Qasjet e tilla bien në kundërshti me natyrshmërinë njerëzore dhe sociale, por edhe me pikëpamjet më liberale në legjislacion, që e kanë shtrirë ndikimin dekadave të fundit, fillimisht në Perëndim dhe, pastaj, pjesërisht gjithandej globit. Kthimi i fashizmit në truallin europian alarmon për rrezik real të bashkëjetesës së komuniteteve dhe kulturave të ndryshme, paraqet krizë morale, si dhe përbën shkelje të akteve juridike ndërkombëtare. Në këtë drejtim, duhet pasur parasysh se pa ndërmarrjen e masave efektive juridike dhe edukimit të hershëm, situata sa vjen e përshkallëzohet. Rast konkret demonstron edhe katrahura humane që nga viti 2024 në Gaza, ku sulmet në zonat civile janë raportuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe posaçërisht e të drejtave të njeriut dhe janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.[2]

Pa mëdyshje pranohet se liritë janë parakusht i domosdoshëm i demokracisë. Porse, paralelisht me këtë, duhet pohuar se nuk mund të lejohet që ato të kthehen në kërcënim për pluralizmin dhe bashkëjetesën në epokën e globalizmit. Në të kundërtën zhvleftësohet vetë qëllimi primar i demokracisë. Andaj, nga ky këndvështrim justifikohen kufizimet juridike dhe fyerjet, përçmimet, stigmatizimet dhe përjashtimet e elementeve të tjera kulturore duhen konsideruar atak ndaj diversitetit social dhe shtetit të së drejtës.

 

[1] Shih: https://www.vlaamsbelang.org/nieuws/bescherm-onze-mensen (qasur më 20.3.2025).

[2] Shih: https://news.un.org/en/story/2024/12/1158116 (qasur më 22.3.2025).

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X