loader image
March 14, 2025

Si do jenë shqiptarët e vitit 2050?

Një guidë parashikuese për shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e Luginës së Preshevës, shqiptarët e Malit të Zi, por edhe shqiptarët e diasporës. Si do të jenë ata pas një çerek shekulli? Si do të jenë dy shtetet e shqiptarëve në Ballkan dhe raportet me fqinjët? Një prognozë bazuar në parashikimet që bëri në vitin 1899 ideologu i Rilindjes, Sami Frashëri, por edhe futurologistët amerikanë, George Friedman, dhe akademiku britanik, Halford John Mackinder.

Roland QAFOKU, Tiranë

Nuk ka nevojë të kesh në dorë një sferë të kristaltë falli për të parashikuar se si do të jenë shqiptarët në vitin 2050. Në rrëmujën që është mbërthyer bota mjafton të vështrosh me kujdes rregullin që na ka ndjekur: ta njohim dhe ta kuptojmë të kaluarën, për ta parashikuar të ardhmen, tendencat dhe teknologjinë. Në ndihmë na vjen ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri. Parafytyrojmë për një moment sikur po jetojmë në vitin 1899, kur ai si një nga etërit themelues të kombit shqiptar e shkroi me gërma të arta në gjuhën shqipe kryeveprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë”, që ishte njëkohësisht edhe një manifest i Rilindjes Kombëtare.

Sami Frashëri në kryeveprën e tij shkroi: “Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë, kemi të drejtë në dhet t’Evropës më teprë se çdo komp. Këtë të drejtë të shënjtuarë shqiptarëtë janë të zotë ta ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë. Kur përzjehetë e drejta me fuqit, merr forcë. Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorë të të shqipatërvet”. (faqe 72).

E vërteta është se kjo u arrit. Shqiptarët e shpëtuan kombin e tyre dhe e themeluan shtetin shqiptar. Por, ama kjo u arrit duke lënë jashtë gati gjysmën e territoreve. Shteti shqiptar, i themeluar më 28 nëntor 1912 dhe i konfirmuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913, nuk e realizoi të plotë ëndrrën e shqiptarëve.

E si do jenë shqiptarët në vitin 2050-të?

Në vijojmë të kemi si armën më të fortë se jemi kombi më i vjetër në Europë dhe kombi më properëndimor në të gjithë kontinentin. I kemi krijuar dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe në dy dekadat e fundit fuqia specifike e shqiptarëve në Ballkan është rritur ndjeshëm. Por, a është zgjidhur një herë e përgjithmonë çështja shqiptare me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008? Gjasat janë që në vitin 2050 Shqipëria do të jetë bërë anëtare e BE-së. Duke i atashuar asaj edhe anëtarësimin në NATO, të arritur në 1 prill 2009, bëjnë që pas kaq e kaq vitesh, dekadash dhe shekujsh, shteti amë të jetë i barabartë mes kombeve të Europës. Por, a do të jetë në të njëjtin hap edhe shteti i Kosovës? A do të jetë pranuar edhe Kosova në familjen europiane? Besohet se edhe kjo mund të jetë arritur. Përpjekjet e shqiptarëve në shtetin e dytë do të jenë të tilla që të rendë pas shtetit amë dhe kjo do ta bëjë Kosovën në një të ardhme të jetë në të njëjtën familje ku ndodhet edhe Shqipëria.

Parashkimi i dytë i Sami Frashërit lidhej me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për atë që quhet rreziku i asimilimit. Sami Frashëri në kryeveprën e tij shkroi: “Mëmëdheu yn’ i dashur nuk ron dot edhe shumë kohë kështu si është sot; A do të humbasë për jetë e nukë do të mbesë as shqiptar e as Shqiëpri, a do të shpëtonjë e të ndërtohetë me një mëndyrë që të mos ketë shëmbëllë në jetët e ti kenë zili gjithë kombet e dheut. Të shpëtuarit a të humburit e Shqipërisë është në dorë të shqiptarëvetë, në daçinë, a do të shpëtojnbë në daçinë do ta humbasinë”. (faqe 73)

Edhe pse gjatë shekullit të 19-të dhe 20-të shqiptarët u larguan vargje-vargje nga toka mëmë për t’i shpëtuar represionit dhe skamjes, madje më keq akoma, një pjesë e madhe u dëbuan, një pjesë e u shkëmbyen mes Greqisë dhe Turqisë dhe një pjesë u asimiluan, megjithatë përsëri shqiptarët mbijetuan dhe nuk u zhdukën.

Tashmë edhe pas më shumë se një shekulli përsëri ka dalë si rrezik kombëtar një formë e re asimilimi. Armiku më i madh i shqiptarëve në të dy shtete do të jetë largimi dhe emigrimi për në shtetet perëndimore të Europës, kryesisht në Gjermani dhe në SHBA. Një plagë që nisi një dekadë më parë dhe do të vijojë të kullojë gjak, duke boshatisur trojet e kombit dhe duke bërë që, ashtu si Shqipëria, edhe dhe Kosova t’i ngjajnë orës me rërë.

Por si do të jenë shqiptarët në vitin 2050?

Historia me shqiptarët e përsërit veten. Zgjidhja dhe shpëtimi do të vijë përsëri nga diaspora. Parashikimi është se vargjet e shqiptarëve, që u larguan nga tokat e tyre, do të kthehen në shtëpitë e tyre. Në vitin 2050 do të ketë përfunduar procesi i ngopjes nga turistët e huaj që e zbuluan parajsën në tokë, ndërsa shqiptarët do ta kenë kuptuar se janë ata dhe vetëm ata zotër të bukurisë natyrore që na e ka falur Zoti. Bregdeti dhe riviera, por edhe turizmi malor, do të jenë të banuar nga bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e atyre që u larguan për një jetë më të mirë, që e lanë pas në deje dashurinë për tokën e të parëve. A nuk ndodhi kështu edhe me shqiptarët e Amerikës në fillim të shekullit të kaluar?! Vetëm në momentin kur Fan Noli në qershor 1924 u bë kryeministër, Amerikën e braktisën 6 mijë shqiptarë dhe u kthyen në atdhe. Kjo kërkon që në krye të vendit të ketë njerëz që frymëzojnë, të ditur, të arsimuar në universitetet më të mira botërore, si Harvardi i Fan Nolit. Dhe, doemos kjo do të ndodhë.

Po si do jetë raporti i shqiptarëve me fqinjët? Si do të jetë raporti i shqiptarëve me serbët, grekët, malazezët, maqedonasit? Për fat të keq, gjeografikisht, shqiptarët janë të paketuar mes grekëve në jug, serbëve në veri, malazezëve në veriperëndim dhe maqedonasve në verilindje. Të gjithë së bashku jo vetëm që kanë treguar armiqësi, por kanë hartuar platforma të mirëfillta për zhdukjen e shqiptarëve. Janë këto shtete që nga rreth 100 mijë kilometra katrorë troje kanë lënë 28 mijë në shtetin shqiptar dhe 11 mijë kilometra katrorë të shtetit të Kosovës. Pjesën tjetër të trojeve shqiptarët e kanë bërë të tyre, i kanë asimiluar në masë popullsitë e atyre dhe prej më shumë se një shekulli “ngrohen” nën rregullin modern të mosndryshimit të kufijve. Megjithatë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mbijetuan duke patur për bazë familjen dhe flamurin kuq e zi.

Sami Frashëri në kryeveprën e tij shkroi: “Qëllim i vetëm i shqiptarëvet është të ruajnë Shqiëprinë të mos copëtohetë prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigavet t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e të mendimevet të Greqet e të Shqehet, të cilat po i rëmojnë themelet e po i nxjerinë rënjëtë Shqipërisë dhe shqiptarisë”. (faqe 77)

Po si arrihej kjo? Sami Frashëri në kryeveprën e tij shkroi: “Më parë e këtyre është gjuha: s’mund të ketë Shqëiëpri pa shqiptar, smund të ketë shqiptar pa gjuhë shqip, pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat mësohet shqipja. Çdo shqiptar të mësonjë më aprë të shkruanj’ er të këndojë shqip, pa pastaj gjuhër atë tjera. E dyrta është kisha, të shpëtohenë shqiptarëtë nga xgjedha e priftëriusë së Greqet, të bullgarëvetë e të serbëvetë e të kenë kishën e tyr eme priftër shqiptarë e me ungjill shqip, se Krishti s’ish as grek as shqah.” (faqe 77)

Po shqiptarët e vitit 2050?

Është e çuditshme, por edhe pas më shumë se 100 vitesh përsëri gjuha shqipe del si një imperativ kombëtar. Sipas një raporti të fundit të revistës “Monitor”, pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare nuk është në gjendje të lexojë ose shkruajë një deklaratë të thjeshtë dhe ta kuptojë. Prandaj, së pari për mësimin dhe perfeksionimin e saj në shkollat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Lugina e Preshevës, por edhe më shumë në diasporë, shqiptarët duhet ta trashëgojnë gjuhën shqipe si thesarin e tyre më të madh dhe si elementin më bashkues në histori. Vetëm kështu ata do ta mbajnë të ndezur flakën e patriotizmit. Gjasat janë që ajo që është kthyer në traditë ndër shekuj do të vijojë të jetë përsëri kështu dhe fëmijët e fëmijëve të brezit të sotëm do të vijojnë ta mësojnë shqipen, “këtë gjuhë hyjnore që e flisnin perënditë”, siç e përcaktonte Naim Frashëri. Por, edhe si një testament të të parëve, të shprehur aq bukur nga Gjergj Fishta: Mallkue qoftë njai bir shqiptari/Qi ktë gjuhë të perëndisë/Trashëgim që na la i pari/Trashëgim s’ia len ai fëmisë.

Si arrihen të gjitha këto?

Ideologu Sami Frashëri kishte përherë një zgjidhje në testamentin e tij. Ai e shikonte qeverisjen si nënën e të gjitha zgjidhjeve.

Sami Frashëri në kryeveprën e tij shkroi: “Po për të bërë këto, duhetë të qendronjë qeveri e sotme, e të vihet në qeveri mëmëdhetare, një qeveriqë të punojë pas nevojës e pas të drejtave të shqipëtarëve. Një qeveri shqipëtare me sy hapurë, jo qeverie huaj e verbërë si kjo që është sot. Të jetë një qeveri si duhetë, pa le të ketë çemër të dojë. Kjo është qëllimi i shqiptarëvet”. (faqe 78)

Dhe, duhet të parashikojmë në 2050? SHBA-ja po krijon rrëmujë në të gjithë botën, por ky duket si një kaos kalimtar. Duket sikur SHBA-ja po i braktis shqiptarët, por sa e sa herë është thënë kështu në shekullin e fundit dhe përsëri amerikanët kanë qenë këtu? Fjalët e dala nga goja e Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, më 1 nëntor 2012 mbeten profeci: “SHBA-ja ka qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”.

Si do të jenë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Si do të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës? Si do të jenë shqiptarët e Malit të Zi? Këtu e ardhmja pak lidhet me ato që kishte shkruar Sami Frashëri. Ideologu e shkroi librin kur SHBA-ja ishte izolacioniste, kur nuk kishte dalë nga kufijtë e saj dhe nuk i interesonte Europa. Por, shekulli i 20-të e solli mrekullinë që SHBA-ja u bë jo vetëm e interesuar, por ishte ajo që diktoi dhe ndikoi në zgjidhjen e çështjeve të Europës dhe gjithë globit. Fati ynë ishte që edhe shtetin shqiptar e konfirmoi në Konferencën e Paqes më 1919, por edhe shtetin e Kosovës në 2008 e themeloi ajo. Ndonëse është duke kaluar tallaze të forta me administratën e presidentit Donald Trump, pak besohet se qëndrimi i SHBA-së do të ndryshojë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. SHBA-ja mbeten ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht vendi më i fuqishëm në botë dhe nuk ka asnjë sfidues të vërtetë kundrejt kësaj fuqie. Akademiku Britanik Halford John Mackinder, një nga baballarët themelues të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë, ka thënë: “Kush sundon Europën Lindore (Europën ruse), e komandon qendrën e Europës. Kush e sundon Qendrën, e komandon Botën-Ishull (Euroazinë). Kush e komandon Botën-Ishull, e komandon gjithë botën”. Dhe, SHBA-ja e madhe i zotëron të gjitha këto. Kontrolli mbi detin është i barabartë me komandimin e botës dhe pozita gjeografike e Shqipërisë mbetet përherë mikluese. Një parashikim në formë studimi vjen nga futurologisti amerikan, George Friedman, me librin bestseller “100 vitet e ardhshme”, që parashikoi tendencën e shumë ngjarjeve të shekullit 21. Duke parashikuar një luftë që në fakt ndodhi në Ukrainë, Friedman-i rezulton nga më të saktët në këtë fushë.

George Friedman-i shkroi: “Jugosllavia ka qenë një kafaz për rivalitete e vjetra në Europë. Ballkani përherë ka qenë një vatër zjarri. Ballkani ka qenë rruga e romakëve për të shkuar në Lindjen e Mesme dhe rruga e turqve për në Europë”. (faqe 66)

Shqiptarët, si pjesë e dy klubeve më të mëdha, ai ushtarak NATO dhe ai i BE, nuk rrezikojnë të dalin jashtë orbitës amerikane dhe Europës Perëndimore.

Pas kësaj tallazie është po Friedman-i që parashikon se mesi i shekullit të 21 do të jetë ajo që ai e quan “epoka e artë”. Konflikti dhe gara mes fuqive të mëdha ka mbaruar dhe bota do të shkojë në një qetësi. Nuk bëjnë përjashtim edhe shqiptarët. Pas tallazeve që kaluan ndër shekull dhe, veçanërisht, në shekullin e 20-të, mesi i shekullit 21 do të jetë edhe për ata epoka e artë.

Sami Frashëri nuk pati fat ta shijonte themelimin e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912. Ai vdiq 8 vjet përpara asaj që ai e parashikoi si hedhjen e rrënjëve të shtetit shqiptar. Dhe, ajo nuk rezultoi një ëndërr në diell. Vëllai i tij, Naim Frashëri, e shkroi atë që ne sot e quajmë më shumë se sa një profeci: Lum kush të rronjë, ta shohë zonjë. Shqiptarët po e jetojnë epokën e tyre.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X