Për ne shqiptaret, mungesa e SHBA-së, më shumë sesa për SPAK-un në Shqipëri, duhet të jetë një shqetësim i fortë në ndikimin që mund ta ketë për Kosovën. Një rikthim i Rusisë pa pengesa amerikane në Ballkan mund ta bëjë më të fortë Serbinë. Kjo prespektivë e re politike ka nevojë që Tirana e Prishtina, mazhorancë e opozitë, të ideojnë një qëndrim dhe një përgjigje të përbashkët, një sjellje të përbashkët. Të paktën, ne nuk mund dhe nuk duhet t’i fshihemi një pyetjeje: a ka Shqipëria ndonjë plan reagimi në rast se Serbia e sulmon Kosovën? A ka mes Shqipërisë dhe Kosovës ndonjë manual veprimi dhe bashkëveprimi në një skenar të tillë?
Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë
“Natyra njerëzore tenton të jetë optimiste… Në fillim të 1992 askush nuk e besonte në Sarajevë se do të ndodhte ajo luftë që ndodhi. Në fillim të 2022 askush nuk e besonte se Rusia do të sulmonte Ukrainën. Në Afgansistan në vitin 2011 diplomatët më treguan në mirëbesim se disfata e talebanëve ishte çështje kohe. Unë nuk jam jam ndjellakeq, përkundrazi, por disa realitete po shpërfaqen përballë nesh me forcë. Ne duhet t’i shohim ato me kurajo dhe jo të fshihemi”. Kështu shkruante disa ditë më parë, në revistën “The Spectator”, Julius Strauss, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare. “The Spectator” është një prej revistave më të mira konservatore në botë, por paralajmërimet e Strauss-it duket se janë në kah të kundërt me atë që thotë presidenti amerikan. Sipas tij, presidenca Trump do t’i përkrahë forcat euroskeptike, forcat ksenofobe dhe islamofobe, si AFD në Gjermani, Fronti Kombëtar në Francë, Calin Georgiescu-n në Rumani, Gert Wilders-in në Holandë ose edhe çdo grupim a parti me këtë qasje.
E në fakt, kjo po ndodh, duke shkaktuar një tërmet të fortë të reagimeve, sidomos pas fjalimit të Nënpresidentit Amerikan, JD Vance, në Munih, teksa paralajmëroi ndryshimin e kursit amerikan lidhur me forcat politike europiane që do të mbështesë “Administrata Trump” ose edhe qëndrimit të Sekretarit të Mbrojtjes, Hegseth, teksa tha se territoret e marra nga Rusia, katër rajonet e pushtuara ukraniase, nuk mund të kthehen.
Qëndrimet e JD Vance-t dhe Hegseth-it duket se i dhanë të drejtë paralajmërimit të Julius Strauss, i cili shkroi se administrata e re Trump mund të mos i ketë sytë aspak nga Europa. Sekretari i Mbrojtjes, Hegseth, tha se katër rajonet ukrainase të pushtuara nga Moska nuk mund të kthehen. Anëtarësimi në NATO i Ukrainës, minimalisht, nuk do të jetë në tryezë as për dhjetë vjet të tjera. Ndërkohë që trupat paqësore, sipas Hegseth-it, duhet të jenë europiane dhe në qoftë se ato sulmohen nga Rusia, SHBA-ja nuk do të përfshihet.
Strauss-i thotë se kjo është presidenca e parë në histori që e nis duke iu kërkuar “llogari viktimave”, duke e nisur me kërkesa për viktimat. Ndaj agresorëve ka patur veç përkëdheli. Ajo iu kërkoi palestinezëve të ikin nga Gaza dhe Gaza të kthehet në një vend zhvillimi i pasurive të paluajtshme amerikane. Ajo i kërkoi Ukrainës të japë mineralet e saj të rëndësishme. Trump-i dërgoi sekretarin e Thesarit, Besent, në Kiev, duke i kërkuar shfrytëzimin e këtyre pasurive në këmbim të mbështetjes. Ndërkohë që deklaratat e tij se “Zelenski nuk ka asnjë kartë në dorë për të qenë në tryezë bisedimesh”, e vuri Ukraninën në një situatë që mund të humbë edhe më shumë. Madje, edhe reagimi europian, që e kundërshton Trump-in, i cili e fajëson Ukraninën për nisjen e luftës, është një zë që mund të mos mbërrijë në asnjë tryezë vendimarrjeje për të ardhmen Rusi-Ukrainë, ashtu siç BE-ja nuk arriti dot të ishte as në Riad, ku SHBA-ja e Rusia u takuan përballë.
“Mëhalla shqiptare” përballë “Botës së re”
Për ne shqiptaret, mungesa e SHBA-së, më shumë sesa për SPAK-un në Shqipëri, duhet të jetë një shqetësim i fortë në ndikimin që mund ta ketë për Kosovën. Një rikthim i Rusisë pa pengesa amerikane në Ballkan mund ta bëjë më të fortë Serbinë. Kjo prespektivë e re politike ka nevojë që Tirana e Prishtina, mazhorancë e opozitë, të ideojnë një qëndrim dhe një përgjigje të përbashkët, një sjellje të përbashkët. Të paktën, ne nuk mund dhe nuk duhet t’i fshihemi një pyetjeje: a ka Shqipëria ndonjë plan reagimi në rast se Serbia e sulmon Kosovën? A ka mes Shqipërisë dhe Kosovës ndonjë manual veprimi dhe bashkëveprimi në një skenar të tillë? A duhet të kemi sa më parë një mbledhje kuvendesh e qeverish për të diskutuar se si do të ruhet tërësia territoriale e Kosovës?
Modeli i deritanishëm amerikan i hedhur për Ukrainën dhe Gazën nuk e përjashton aspak një ndryshim politikash për marrëdhënien Beograd-Prishtinë, duke e nisur nga dalja prej sirtarit e planit që u njoh pesë vjet më parë si “shkëmbim territoresh”. Sekretari aktual i NATO-s deklaroi se do vijojë “një përgjegjësi e fortë e Aleancës ndaj gjendjes në Kosovë”. Por, tashmë ne duhet të ulemi me këmbë në tokë. Le të mos na gënjejë më mendja siç na kanë gënjyer deri sot se “s’kanë ç’na duhen armët e ushtarët, sepse na mbron NATO”. Ndryshimi i fortë politik dhe “dimri” SHBA-BE, mund të sjellë një ndryshim me pasoja. Madje, mund të gjendemi përballë një situatë ku askush nga NATO nuk do ta lëvizë gishtin nëse nuk e lëviz SHBA-ja për ta mbrojtur Kosovën.
Politika shqiptare ka humbur boll kohë duke mos pasur një koordinim lidhur me të ardhmen pas 2, 5 apo 10 vjetësh në Kosovë. Kjo neglizhencë Tiranë-Prishtinë mund ta rikthejë Serbinë në një fushatë të paimagjinueshme, të nisë një fushatë për sulmin, sipas saj, të padrejtë, që i është bërë Serbisë nga NATO, e më pas edhe “për shkëputjen e padrejtë që iu bë Kosovës”. Po të mendojmë se një përplasje të tillë mund ta ndalë vetëm Turqia, mund të jemi edhe më naivë.
Paradokset e reagimeve
Udhëheqësit politikë nuk mund të bëjnë hapa në dëm të vendeve të tyre. Por, tashmë, në një politikë ku nuk fshihet aspak se peshorja do të anojë nga fuqia e ku diplomacia nuk mbështetet vetëm në vlera, por në interes, ne duhet të kërkojmë me ngulm që kanalet e komunikimit Tiranë-Prishtinë të jenë sa më intensive, pa nevojën që egoja e individëve në qeverisje ta minojë të ardhmen. Pra, në një botë që po ndryshon me shpejtësi përpara syve tanë, në një realitet ku Serbia ka sfiduar SHBA-në e BE-në me miqësinë me Rusinë, ne duhet ta shohim atë që është më e rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës.
E nëse nuk lëviz dot politika, akademitë duhet ta propozojnë atë që na duhet, duke ia adresuar politikës, që ta ketë më të lehtë uljen në tryezë. Institucionet e sigurisë duhet të rindërtojnë një dialog sa më të shpejtë me NATO-në e BE-në. Vetë kreu i NATO-s, Mark Rutte, edhe pse garantoi vëmendje ndaj Ballkanit, sërish pranoi se diçka po ndryshon. “Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve.”, u përgjigj Rutte gjatë vizitës në Sllovaki teksa u pyet atje nga studentët për një mundësi rifillimi konflikti në Kosovë.
E, megjithatë, edhe pse kjo pyetje bëhet tashmë në NATO, në kancelaritë e BE-së, Tirana e Prishtina ende nuk kanë bërë asnjë hap, të paktën simbolik, për të parë se si Kosova e Shqipëria po e lexojnë situatën e re politike, me “sherifin e ri në qytet”, ku asgjë nuk fshihet e gjithçka thuhet fare hapur.
Ne nuk jemi qendra e botës. As nuk mund ta gënjejmë veten se në sallonet e Uashingtonit debatohet për shqiptarët çdo ditë, në mos disa herë në ditë. Por, ne duhet të dimë se në sallonet e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe me aktorët shqiptarë në Shkup e Ulqin, duhet ta lexojmë atë që tashmë mund të na shfaqet si emergjente, si një rrugë që duhet ta bëjmë. Mbi 100 vjet më parë, shqiptarë të mençur e të shqetësuar për të ardhmen kombëtare u mblodhën dhe pyetën për të ardhmen dhe ditën se çfarë të shkruanin e ku të troksinin. Sot mundësia për të komunikuar është pa asnjë dyshim më e madhe…