loader image
March 12, 2025

A kanë shqiptarët kobalt e litium?

Shkruan: Ismail SINANI

Kobalti, zinku, litiumi, nikeli… janë vetëm disa nga mineralet e rralla për të cilat sot po lufton e gjithë bota. Shumica e brezave të rinj, që “nuk ia kanë haberin” sistemit periodik të elementeve, e atyre që nuk e njohin fort kiminë, nuk e dinë se çfarë do të thotë sot, në këtë shekull, të jesh pronar i këtyre katër elementeve, e sa keq është mos t’i kesh, e gjithsesi se sa e dhimbshme është t’i kesh e mos të kesh fuqi t’i mbrosh.

Që prej fillimit të pandemisë së kovidit, disi nën vetëdije ndjehej se bota do të përballet me një stuhi. Të gjithë prisnin lëvizje të “pllakave tektonike” në (gjeo)politikë, por kanë qenë të rrallë ata që kanë besuar se përnjëherësh do t’i shohim të gjitha këto zhvillime dramatike pas ardhjes së Trampit “të dytë” në pushtet.

Aktualisht gjithë ajo teori politike, e botuar dhe prodhuar në këto 80 vjet, me një të goditur politike po bie në ujë. Konceptet demokratike, si liria, barazia dhe vëllazëria… të promovuara si adutë nga Revolucioni Francez e këndej, kanë rënë në ujë. Sot bota është zgjuar sikurse në filmat apokaliptikë, ku të mbijetuarit nuk arrijnë dot ta perceptojnë realitetin e ri të krijuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që për gjithë Europën, e realisht edhe për shqiptarët, ishin model i lirisë, tanimë po lëkunden si vlerë në sytë e vdekatarëve të rëndomtë. Aleanca Tramp-Putin e ka befasuar shumicën e liderëve europianë, të cilët prej Planit të Mareshalit pas Luftës së Dytë Botërore, kur Europës, kuptohet shteteve perëndimore, u dha një ndihmë prej 96 miliardë dollarëve për t’u rimëkëmbur, SHBA-në e shihnin si vëllai i madh që del në ndihmë saherë që do ta kërkojë nevoja.

Dhe, vërtet, ashtu edhe ishte… në këto 80 vjet, derisa një ditë dikujt atje në Uashington iu kujtua se gjithçka ka çmim… e çmim ka edhe liria.

Shikuar nga prizmi i esëllt, pak a shumë bota gjithmonë ka funksionuar kështu, por ne nuk kemi dashur ta kuptojmë. Ndërsa masave të gjera, atyre që kanë konsumuar “çipsa” e kanë pirë coca-cola, u është thënë se bota funksionon në harmoni, në paqe, kurse Perëndimi eksporton demokraci në Afrikë, ku këto 100 vitet e fundit janë vrarë me dhjetëra milionë njerëz të pafajshëm, pastaj në Lindje të Mesme, ku gjatë “eksportimit të demokracisë” Iraku është kthyer në Mesjetë, e mos të flasim për Afganistanin, i cili nga ky “eksport vlerash” që prej vitit 1978 ende ecë me shapka, sepse këpucët janë luksi më i madh mbi dhé. Ndërkohë, gjithsesi nuk duhet harruar “eksportin e vlerave” në Vietnam… e pa dyshim Palestinën, e cila nga viti 1917, si rezultat i “marrëveshjeve”, po përjeton gjenocid e pastrim etnik njëshekullor.

Dhe, ku jemi ne? A jemi ne ata që shtiremi që jemi? Apo ne jemi njëjtë sikurse gjithë popujt e tjerë të vegjël, që përpëliten në qilimin e madh të gjeopolitikës, pa arritur t’i gjejnë vetes një qoshe për t’u ulur?

Shtetet e Bashkuara po shihet se “nuk njohin normë” për të arritur paqe aty ku mendojnë se humbin energji, e cila tashmë është më se e qartë se do t’i nevojitet për t’u përballur me Kinën.

Edhe injorantët më të mëdhenj tani duhet ta kuptojnë se SHBA-ja “territorin e dhimbshëm të larë me gjak” në hartë e shohin si një “pjesë gjeografike” që meriton zgjidhje të shpejtë, sepse, ndryshe nga këto 2000 vjetët e fundit, kur “koha ecte ngadalë”, tani ajo ecë me “shpejtësinë e dritës”. Këtë shpejtësi duket se tashmë prej dy dekadash e ka rrokur Kina, por edhe disa fuqi të tjera, që ne shqiptarët, viktima të indoktrinimeve historike-politike, nuk kemi dëshirë t’i përmendim, e ato janë edhe Turqia, por edhe Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari, të cilat, pavarësisht mungesës së teknologjive të tyre autoktone, janë bërë investueset më të mëdha në gjithë globin në këtë fushë.

Pa kurrfarë diplomacie, SHBA-ja tashmë po ofron “zgjidhje me dhunë” për Ukrainën dhe Gazën për t’i ngelur kohë që të merret me Kinën, e cila në bashkërendim me Rusinë, si dy fuqi supernukleare, me teknologji dhe pasuri tejet të madhe të metaleve të përmendura në fillim, por edhe me gaz dhe naftë, mund ta rrezikojnë “rendin amerikan” të vendosur nga 1945 e këndej.

Dhe, kthehemi sërish te ne.

Dy muaj më parë askush nuk ka besuar se Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër kaq të afërt me administratën e Trampit. Madje, edhe analistët dhe ekspertët më të regjur, një vlerësim të tillë për Mickoskin, do ta merrnin me përbuzje e tallje. Sot po del e kundërta. Mickoski “po hy e del në Amerikë si n’shpi t’vet’.

Serbia… Vuçiqi, edhe pse i lidhtë fort me Grenellin, ende nuk e ka të qartë se si do t’i ndërtojë raportet me amerikanët. Për të, marrëveshja amerikane me rusët mund të krijojë favore jashtëzakonisht të mëdha, pasi që për herë të parë serbëve do t’u plotësohet ëndrra që të jenë edhe me Rusinë edhe të duken proamerikanë.

E ne… ne sot kemi një kryeministër shqiptar, të cilit nuk mund t’i mohohen aftësitë “akrobacionuese”, ama po duket se edhe ai nuk arrin ta kuptojë se miku i tij, Sorosi, politikisht është i vdekur. Madje, sot të jesh mik me të është sikur të lidhësh gur në këmbë në mes të detit. Ndërkohë, çuditërisht, përnjëherësh kanë filluar t’ia arrestojnë të gjithë bashkëpunëtorët edhe atë në prag të zgjedhjeve të majit.

Pa dyshim vijmë te pika më nevralgjike, Kosova. Ata që e kanë lexuar Noel Malkolmin, librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, e mbajnë mend atë pjesën ku ai flet për katolikët e parë në Kosovë, që janë “zbuluar” për herë të parë aty ku sot gjendet miniera e Trepçës. Detaji më interesant është se ata nuk kanë qenë me “gjak shqiptari”, por gjermanë, sepse në atë kohë shqiptarët e krishterë kanë qenë të ritit ortodoks. Kjo histori i ka të paktën nja 700 vjet, pra shumë para zhvillimit të “industrisë moderne”. Gjermanët në Trepçë?!

Sot Kosova nuk është më çështje që mund të gjejë zgjidhje vetëm përmes një përplasjeje apo edhe dialogu shqiptaro-serb. Sot, Kosova duhet parë të paktën nga prizmi i Ukrainës.

Nëse “miku i përjetshëm” i shqiptarëve me një “alo” ia falë Rusisë një të pestën e Ukrainës që është ekuivalente me 12 Kosova e gjysmë, edhe atë për shkak të kobaltit e litiumit, atëherë çdo njeri me dy fije mend duhet ta analizojë e mendojë se çfarë mund të na ndodhë neve, popujve tjerë.

E teksa situata në kontinent dhe botë “vlon”, në Kosovë shpatat mes taborëve janë mprehur si kurrë më parë. Pushteti, edhe pse me fitore shumë fragjile, nuk lëshon pe për asgjë, kurse opozita, për ta fituar pushtetin, nuk e ka problem të lidhet edhe me oligarkët me “origjinë” serbe, që të vijë në pushtet e për ta sunduar sërish Kosovën.

E pastaj çështjen e shtrojmë edhe në një nivel tjetër: A kanë agjendë shqiptarët në përgjithësi se ku e shohin veten në këtë dinamikë të re globale? Shkollat tona a kultivojnë breza të rinj që do ta mbajnë ritmin teknologjik? A jemi duke e parë se koncepti liberalo-LGBT-ist e ka dëmtuar rëndë indin familjar shqiptar, duke na shkaktuar dëme të pariparueshme demografike? A po përgatitemi për t’u përballur me sfidat e reja që na vijnë me inteligjencën artificiale, e cila shkencës i ka dhënë një dimension krejt të ri? A po e dimë se me këtë ritëm tekniko-teknologjik, homo albanicusi i ri, lëre që pas 50 e 70 vjetëve nuk do të flasë shqip, por edhe nuk do të dihet nëse do të jetë i lidhur me këtë “tokë arbërore”? A po e kupton lidershipi ynë se sot, krahas patriotizmit folklorik, “ne kemi dinjitetin tonë”, këtij populli i duhet dhënë siguri se “nuk e kemi huqur dhe nuk do ta huqim anën gjeopolitike”, e do të shkojmë të kërkojmë para tek ata që i kanë me bollëk, e që janë vendet e Gjirit, ndërsa sigurinë, pas Amerikës, mund t’ia kërkojmë Turqisë? A po e kuptojmë se Europa (lexo: Franca, Gjermania e Britania e Madhe), teksa e kanë dertin e vet me Rusinë dhe lënien pas dore nga SHBA-ja, nuk kanë kohë të merren me ne?

Dhe, krejt në fund, a kanë trojet shqiptare litium, kobalt e minerale të tjera të rralla që do ta ndihmojnë teknologjinë e këtij shekulli?

Para më shumë se një shekulli, rilindësit e kishin një hall – ta shpëtonin kombin nga zvetënimi dhe copëtimi e asimilimi. Pas një shekulli a jemi ende në rrezik?

(Editoriali i revistës “Shenja”)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X