Demaçi: Për liri nuk ka çmim të lartë
Frankfuter Rundschau: Dimri ndodhet para dere. Duke marrë parasysh që mijëra të arratisur jetojnë nën qiellin e hapur, në Kosovë kërcënohet një katastrofë humanitare. A nuk do të ishte e mundur që UÇK-ja të jepte një pëlqim të shpejtë për bisedime?
Demaçi: Regjimi serb kërkon që me fatin e të arratisurve të bëjë shantazh ndaj nesh. Ky është një problem i madh për ne, ngaqë kundrejt këtyre njerëzve nuk mund të jemi indiferentë. Mirëpo, unë nuk nisem prej asaj që për këtë ne do të mund të bënim koncesione. Këto vuajtje, kjo tragjedi, është çmim që populli ynë është i gatshëm të paguajë për dinjitetin e vet.
Frankfuter Rundschau: Me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Christofer Hill, Beogradi ka propozuar bazat për dialog, sipas të cilit një zgjidhje definitive do të duhej të arrihej pas tre vjetësh.
Demaçi: Këtë propozim e shoh si joserioz. Unë nuk i besoj Millosheviqit. Ai e gënjeu tërë botën. Si mundet ai të flasë për dialog dhe njëkohësisht t’i bombardojë fshatrat shqiptare? Ai, si në rastin e Bosnjës, po përpiqet të luajë lojë të dyfishtë. Atje ai për tre vjet gjoja bënte bisedime dhe e pat… vazhduan luftën më tej.
Frankfuter Rundschau: Lideri i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, duket i gatshëm ta pranojë këtë ofertë. A janë shqiptarët ende të përçarë?
Demaçi: Po, ne jemi të përçarë. Një pjesë e shqiptarëve e di se pa viktima s’fitojnë gjë. Pjesa tjetër dëshiron të arrijë diç më shpejt, sepse brenda disa ditëve në male do të jetë ftohtë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Rugovën nëse ai i fiton të drejtat tona nga regjimi serb, që të vendosë për të ardhmen e vet dhe t’i ndërtojë institucionet tona. Sidoqoftë, për ne si bazë është referendumi i vitit 1991.
Frankfuter Rundschau: Domethënë ju jeni për pavarësi të Kosovës?
Demaçi: Për pavarësi dhe sovranitet ka vendosur populli i Kosovës në vitin 1991. Ne jemi të gatshëm që me republikat e tjera jugosllave të bisedojmë si faktor sovran.
Frankfuter Rundschau: Mirëpo, duke marrë parasysh afrimin e dimrit dhe katastrofën humanitare nuk do të ishte koha për bisedime pa kushte paraprake?
Demaçi: Mendoj se nuk është serioze nëse ne futemi në bisedime pa kushte paraprake. Për Serbinë do të ishte avantazh, kurse për shqiptarët disavantazh. Ne jemi të okupuar dhe të skllavëruar. Çfarë të drejtash kemi sot dhe kush mund të na garantojë të ardhmen?
Frankfuter Rundschau: Çfarë propozoni si alternativë?
Demaçi: Regjimi serb duhet t’i ndërpresë luftimet, ta tërheqë policinë dhe të gjithë t’i sjellë para gjyqit, domethënë ata që i kanë atakuar dhe vrarë shqiptarët. Ne kërkojmë kompensim për fshatrat dhe shtëpitë e shkatërruara e të rrënuara dhe kërkojmë njohjen e referendumit të vitit 1991, të drejtën që shqiptarët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Tek pastaj mund të ketë bisedime serioze. Mirëpo, Millosheviqi dëshiron vetëm të fitojë kohë (…) Ai dëshiron që popullin shqiptar ta shpjerë në kapitullim.
Frankfuter Rundschau: Millosheviqi vështirë se do të lëvizë nga pozicioni i tij. Në këtë sfond, çfarë strategjie do të ndjekë Ushtria Çlirimtare e Kosovës?
Demaçi: Njerëzit të cilët e kanë udhëhequr rezistencën nuk janë të gatshëm për të kapitulluar ose për të nënshkruar në letër, që barazohet me kapitullim. Ne këtu duhet të gjejmë një rrugëdalje. Ndryshe do të ketë një masakër që do të zgjasë dy vjet. Atëherë amerikanët do ta kuptojnë se Millosheviqi punon vetëm me gënjeshtra.
Frankfuter Rundschau: Në emër të UÇK-së ju keni shpallur luftën guerile. Çfarë domethënë kjo konkretisht?
Demaçi: UÇK-ja nuk do të vazhdojë më luftë frontale… Luftëtarët e UÇK-së do të sulmojnë gjithnjë dhe do të tërhiqen. Ata… do ta mbajnë trysninë në fuqi.
Frankfuter Rundschau: Kjo domethënë se popullata do ta paguajë çmimin dhe në të ardhmen?
Demaçi: Po, për fat të keq. Ky popull dëshiron lirinë dhe pavarësinë. Dhe, populli është i gatshëm ta paguajë çmimin. Unë frikësohem se regjimi serb do të na detyrojë edhe më tej ta paguajmë këtë çmim, sepse amerikanët dhe europianët mendojnë se shqiptarët do të kapitullojnë. Ky është gabim. Ata nuk e shohin se shqiptarët seriozisht janë të vendosur të jenë të lirë. Shqiptarët janë të gatshëm ta paguajnë çdo çmim, sepse për liri nuk ka çmim të lartë.
Frankfuter Rundschau: Edhe një herë, çfarë mund të bëni për ta lehtësuar fatin e të arratisurve?
Demaçi: Kjo varet vetëm nga amerikanët dhe europianët. Unë frikësohem se Hill- dhe Holbrooke-u nuk e kuptojnë mirë natyrën e regjimit serb. Nuk është hera e parë që regjimi serb kryen krime. Ne i njohim këto edhe nga Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja. Ata duhet ta detyrojnë Beogradin që t’i lejojë të arratisurit të kthehen, në vend se policët serbë… t’i djegin shtëpitë e tyre. Besoj se ata (Amerika dhe Europa – shën. S.U.) zotërojnë mjaft forcë për ta detyruar regjimin serb. Ndryshe nuk e di se për ç’arsye ekzistojnë OKB-ja, NATO-ja ose OSBE-ja, nëse ato tani nuk janë të afta për të reaguar.
Frankfuter Rundschau: A do të mund UÇK-ja së paku për dimër të akceptojë një armëpushim?
Demaçi: Një armëpushim këtu nuk do të ndihmonte. Regjimi serb i ka shtyrë njerëzit që të arratisen, UÇK-ja dëshiron që të dëbuarit të shkojnë në shtëpitë e tyre. Megjithatë, këtu të dëbuarit provojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Atëherë pengohen nga snajperët serbë. Sapo të tërhiqej policia, edhe të dëbuarit do të ktheheshin sigurt.
Përgatiti nga gjermanishtja: Sylë Ukshini