loader image
November 21, 2024

Ekstremistët fetarë të vërtetë mes shqiptarëve

Duke shfrytëzuar ideologjinë perëndimore të “rrezikut ekstremist islamik”, një grup ekstemistësh në Kosovë punojnë për mbjelljen e përçarjes fetare. Nga njëra anë përdorin retorikë antimyslimane, nga ana tjetër organizojnë skena propagandistike “konvertimi” të myslimanëve në katolikë, me pretendimin se gjoja po kthehen në fenë e të parëve. Ky pretendim e ka farën të mbjellë me ligjërimin e ish-presidentit Alfred Moisiu në Oksford, më 2005.

Çelo HOXHA, Tiranë

Më 5 nëntor 2005, ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu (në detyrë 2002-2007) mbajti një ligjëratë, në Universitetin e Oksfordit, me titull “Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar”, e cila ishte e mbushur me farën e tezave përçarëse të kombit.

Moisiu, një ish-ushtarak i regjimit komunist, nuk ishte kapacitet për ligjërata të tilla, por, si president, me burime të bollshme përgatitur një material të caktuar ligjërimor, përdori autoritetin e presidentit për të dhënë një mesazh përçarës, mbushur me ligësi.

Ish-presidenti i tha audienës së Oksfordit se në historinë e shqiptarëve ka pasur dy valë emigracioni të mëdha në 50 shekujt e fundit: e para në shekullin e 15-të dhe tjera në fundin e shekullit të 20-të; në të dyja rastet emigrimi kishte ndodhur drejt Perëndimit. Shqiptarët që emigruan në shekullin e 15-të ishin, sipas tij, të pasur e të shquar dhe çuan në Perëndim një mesazh të mirë, ndërsa mërgimtarët në fund të shekullit të 20-të “përcollën në Perëndim një imazh të një Shqipërie të dhunshme, të vrazhdë, rrezikuese”. Në këtë krahasim ai dha vetëm shkakun e emigracionit të parë, që kishte qenë, sipas tij, “rreziku osman”. Për shkaqet e emigracionit të dytë nuk tha asnjë fjalë, ndërsa emigracionin shqiptar në mesin e shekullit 20-të (pas Luftës së Dytë Botërore) e kishte hequr fare nga pamja.

Qëndrimi i ish-presidentit kishte arsye gjeopolitike dhe personale. Në planin gjeopolitik nuk ishte e përshtatshme që ai thoshte se shkaku i dy emigracioneve masive në shekullin e 20-të ishte komunizmi, një ideologji e prodhuar në Perëndim, përkrahësit e së cilës morën pushtetin në Shqipëri me ndihmën politike dhe financiare të vendeve perëndimore. Në planin personal, babai i tij, Spiro Moisiu, kishte qenë një nga drejtuesit e lartë të ushtrisë partizane që solli komunistët në pushtet. Dhe, pasi hynë në Tiranë në nëntor 1944, shumica e drejtuesve komunistë zaptuan shtëpitë e të pasurve dhe të shquarve të kohës, të cilët u vranë, burgosën, ose emigruan. Spiro Moisiu, për shembull, zaptoi shtëpinë e ish-kryeministrit dhe firmëtarit të pavarësisë, Mustafa Krujës.

Ata shqiptarë që emigruan në fund të Luftës së Dytë Botërore ishin të pasur e të shquar, si ata bashkëkohësit e Skënderbeut që emigruan pas vdekjes së tij, por shkaqet e emigrimit dhe përkatësia fetare e emigrantëve nuk i përshtatej narrativës që ish-presidenti shqiptar dëshironte t’i përcillte botës nga foltorja në Oksford.

Ish-presidenti Moisiu foli për “rastin shqiptar… si një rast shembullor i bashkëjetesës së besimeve në rrugën e gjatë të historisë”, duke krijuar përshtypjen se po fliste vërtetë për një cilësi të veçantë të identitetit shqiptar, ndërkohë që, në realitet, bënte të kundërtën. Ai goditi faktin që bashkëjetesa fetare në Shqipëri ishte rezultat i tolerancës së pjesës myslimane të popullsisë. “Një prej gabimeve më të rëndomta që bëhen zakonisht kur trajtohet kjo çështje, – tha ai, – është se toleranca lindi tek shqiptarët pas mbërritjes së faktorit politik dhe fetar osman, domethënë pas shekullit të 15-të. Kjo është në kundërshtim me faktet historike. Toleranca fetare tek shqiptarët ka ekzistuar para shfaqjes së këtij faktori. Duhet ditur se Shqipëria ka qenë zona ku takoheshin dhe ndaheshin dy perandoritë më të mëdha të mesjetës: Roma dhe Bizanti.”

Me këtë tezë, Alfred Moisiu e pozicionoi veten në krah të vendeve që ishin kundër Lidhjes së Prizrenit dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai nguli një thikë në kurmin e bashkimit kombëtar, duke shfrytëzuar situatën gjeopolitike. Në kohën që ai mbajti ligjëratën ishte në modë të flisje kundër myslimanëve, sepse katër vjet më herët (2001) në SHBA kishte ndodhur një akt terrorist shumë i mediatizuar, për të cilin u akuzua ekstremizmi islamik: shembja e kullave binjake në Nju Jork.

Në kushte normale, Alfred Moisiun nuk do ta dëgjonte kush nëse ai do të fliste për çështje fetare, por ai e shfrytëzoi pozicionin e presidentit, i cili është një pozicion që gjeneron vëmendje, për të bërë publike idetë e ca qarqeve të caktuara që kanë ide sektare brenda shoqërisë shqiptare.

Të gjitha ato që i tha ish-presidenti për origjinën e tolerancës fetare të shqiptarëve te krishterimi janë pallavra, përfshi edhe pretendimin që krishterimi në Shqipëri është apostolik. Është e vërtetë që janë gjetur gjurmë të apostujve në Ballkan, por ato nuk janë dëshmi që ata e përhapën krishterimin sa hap e mbyll sytë në gjithë Ballkanin. Fakt i vërtetueshëm është që krishterimi u përhap në gjithë Perandorinë Romake brenda natës, me dekret perandorak (në vitin 380). Dekreti është një nga format më të larta të dhunës.

Fjala e ish-presidentit nuk u shoqërua me kundërshtime serioze. Asnjë institucion nuk reagoi kundër tij. Institucionet e kaluan me indiferencë atë fjalim sektar, përçarës dhe ekstremist, ndoshta dhe pa dashje nuk iu dha reagimi i duhur, por, gati dy dekada më vonë, shohim që po zbatohen në terren tezat e përcjella nga Alfred Moisiu në ligjëratën e Oksfordit.

Duke shfrytëzuar ideologjinë perëndimore të “rrezikut ekstremist islamik”, një grup ekstemistësh në Kosovë punojnë për mbjelljen e përçarjes fetare. Nga njëra anë përdorin retorikë antimyslimane, nga ana tjetër organizojnë skena propagandistike “konvertimi” të myslimanëve në katolikë, me pretendimin se gjoja po kthehen në fenë e të parëve. Ky pretendim e ka farën të mbjellë me ligjërimin e ish-presidentit shqiptar në Oksford, më 2005, kur tha se: “Nga fundi i mesjetës filloi islamizimi i një pjese të shqiptarëve. Me këtë zhvillim të ri ka pasur abuzime, sidomos në politikë. Shpesh shqiptarët quhen një popull musliman, ose me shumicë muslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane. Si rregull, është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë. Shumica e familjeve shqiptare e mbajnë mend se në cilin brez ka ndodhur konvertimi. Shumica e familjeve shqiptare që u islamizuan edhe sot mbajnë mbiemra të krishterë (vetëm emrat kanë ndërruar). Një pjesë e mirë e tyre deri vonë kanë ruajtur besimin e të parëve, në formën e kripto-krishterimit ose, më saktë, islamikë në shfaqje dhe të krishterë në përmbajtje. Historia e besimit në Shqipëri njeh zona të tëra ku popullsia i ushtronte paralelisht të dyja besimet. Ashtu sikurse njeh zona të tjera ku e njëjta faltore të premten shërbente për liturgjinë islamike dhe të dielën për liturgjinë e krishterë. Besimtari mysliman shqiptar vërtet betohet në emër të Kur’anit, por njëkohësisht feston Shën Mërinë e Gushtit, Shën Gjergjin e Majit, Shën Kollin e vjeshtës dhe Krishtlindjet. Kjo do të thotë se brenda njeriut shqiptar, pavarësisht se si e përcakton ai veten sot, ka një faktor homogjenizues dhe ky faktor homogjenizues është pikërisht periudha prej 15 shekujsh krishterim që ka secili prej tyre në traditën e paraardhësve të vet”.

Çdo tentativë për konflikt fetar mes shqiptarëve çon ujë në mulli të armiqve tradicionalë të tyre, pavarësisht nëse ata që punojnë për këtë besojnë në mënyrë të sinqertë në ato që thonë apo ngaqë nuk e kanë problem ta shkëmbejnë çështjen kombëtare për pesë aspra.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X