loader image
November 21, 2024

Rruga për tek Vetja

Shtegtimi shpirtnor është udha më e vështirë drejt së cilës është nisur ndonjëherë Qenia njerëzore; një shteg zigzag që kurrë s’pushon së qenuri sfidues, sfilitës e reformues. Udha Shpirtnore në kërkim së të Vërtetës në realitet është Përpjekja më e paqtë për t’u çliruar nga zinxhirët e robnisë.

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Isuf aga ish burrë i pashëm sa më s’thuhej. Veshun gjithnjë me kostum bojënate e këmisha t’bardha sa bora, ai përcillte ndër breza përvujtninë e muhaxhirit fisnik dhe esnafllëkun e njeriut mistik, që Toka i qe bërë e gjerë për lëvrim e kuvendim. Isufin unë e mendoja shpesh si gjyshin e prrallave! Ai, ndonëse në realitet qe saldator pranë metalurgjisë së Plumbit në Zveçan, në kujtimet dhe frymimet tona vinte lehtë-lehtë përmes siluetës së njeriut të përkorë që, açik kohës, arnonte Dekikun e zemrës t’vet! Tek ai kam parë shkëndizat e dashnisë Tjetër; teksa shkruante letra dhe i paloste ato në zarfa si tamli, anash vijëzuar me nyje të kaltra.
Aga, siç e thërrisnin të gjashtë fëmijët e vet, kishte pasur fat sa me shkelun Europën e qëmotit, veçmas në vitet kur Jugosllavia zuri të trandej fort dhe ernat e serta të nacionalizmit gjenocidial që frynin ngadalë, por pa pushim flisnin me dhëmbë për stuhitë e errta që po i përthekoheshin si kollan i ndryshkun, Kosovës. Ku me zë e ku në heshtje, plaku i urtë paralajmëronte nahijen e vet për piskamën që e pret! Ndërkaq, ashtu pa zhurmë, ai mbeti, në mos i vetmi i anëve të tija, kërkuesi i paepun i Faljes hyjnore. Një Nishan pa cen, që paqtonte gjymtyrët pesë herë në ditë, duke e puqur ballin me Tokën; në kërkim e dorëzim; me maturi e përkushtim.
Ndonëse të shkurtër e pat udhën e gjallërimit, qenien e tij e përshkoi madhnueshëm nuri i udhëtarit shpresëpasosur dhe hija e besimtarit të brengosur për Fundin; shtegtimin dhe Kthimin.
Isufi qe Jusuf. Një burrë që i çeli andrrat mes fushash n’katundin e vet, aty ku meremetoj qytet – për brezat që më nuk i pret, anise me ta flet, përmes Fjalësh e Kujtimesh! Ai ishte besimtari, njeriu që veç fali dhe në ish i fundit, doemos ndrinte i pari!

• Këmbanat. Ezani. Dhe një koncert për Paqe

Thonë se nuk është aspak e lehtë për një burrë të rritur në Uells – përfytyrimi i luftës – imagjinata mbi atë tablonë gri që përçartet diku atje, matanë, shumë larg partiturave. Ndaj, them, se për Karl Jenkins-in zahmet i rëndë do ketë qenë, në krye të herës, kërkesa e Muzeut Mbretëror të Armëve për të kompozuar një pjesë dedikuar viktimave të luftës në Kosovë.
Megjithatë, Karl Jenkins, duke projektuar dhembjen si përkufizimin më të trishtë, por më afër së vërtetës ngjizi në partiturë përmes notash e shprehish shpirtnore, një kryevepër që dëfton histori plot shpresë e dëshpërim; një vepër që dëshmon luftën dhe paqen; një histori që kallxon se shkatërrimi është gjithnjë kaq afër përsa kohë njeriu i armatosur rri aty, mes njerëzish.

“Zoti do t’i fshijë gjithë lotët.”

Jenkins-i, në “Meshën për Paqe”, pa teklif i ka thirrun t’Përtejmes Frymë për të “shpëtuar nga njeriu i përgjakur.” Thirrja e tejkalon fajsinë dhe thyerjen e shpirtit, me thjeshtësinë rrëzëllitëse të përuljes, besimit dhe shpresës se vetëm paqja është më e Larta, mbi dhe!

“Gjatë koncertit për Paqen, një pikë e Filharmonisë fillon me thirrjen e ezanit.” RTK

Në Prishtinë, Filharmonia e Kosovës më 6 korrik në sheshin “Skënderbeu” mbajti “Koncertin për Paqe” në shënim të dy përvjetorëve; 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përnderim të simbolikës së këtyre datave, u interpretua pikërisht “Njeriu me Armë: Meshë për Paqe” nga Karl Jenkins-i dhe dy vepra nga John Philip Sousa “The Washington Post” dhe “The Stars and Stripes Forever”.
Të mos ishte për histerinë kolektive, së cilës i priu “një lëshim teknik” i Radio Televizionit të Kosovës ajo mbrëmje do mbetej në memorien e qytetit të kalamendun si requiem veror për shpirtat që shtegtuan në kërkim të Lirisë. Por, jo! Piskama lemeritëse e ca “revolucionarëve të vonuar” se paskëshin dëgjuar thirrjen e ezanit në mes të shehrit laik i shkrumboj flatrat e një nate në zjarmi. Qe prushi i zjarrit të një grushti mendjesh idhnake që “Meshën e Paqesë” e përbaltën me hi dredhnak. Fundja, tymnaja e korit hatërues nxori sheshit tolerancën e paqenë fetare mes shqiptarëve – udhëhumbur.

7 sixhade të dalunaboje dhe 7 palë inxhi që nuk u bën dot tespih

Mexhnuni kur humbi vetën në Dashni, as u plak e as u nxi. Në sixhadet ku vinte ballin veç Dashnisë, ja dëftonte hallin. Mexhnuni as mërzitej as trishtohej sa me ashkun e vet, zuni të mjaftohej. As krekosej kur marrosej, as ankohej kur rrëzohej. Dert i tij nuk qe dynjaja ndaj se theu kurrë tahmaja. Malli i tij parfum prej gjyli, tana portat me durim i mbylli.
Po Lejla!? AH, Lejla! Lejla ish Melhem – krejt me Nur mbuluar, për zemrën e Mexhnunit si sexhade e praruar! Lejla ish Udhë që ta kujtonte Vetminë; Lejla ish kandari që maste Dashninë!

• Si matet Dashnia?

Në tërësinë e përsosur të krijimit asgjë nuk duket më magjepsëse sesa Përsosuria e Përcaktimit, si dhe Forca Ndriçuese e Përunjësisë dhe Dorëzimit. Në thelb, këto të gjitha flasin për dimensione të pakornizuara, prej së cilave rrjedhin lumenjtë e kulluar të Dashnisë së çiltër, Dashni kjo që i kapërcen kufijtë e përbotnave të ngurta. Një Frymëzim i atillë rrnon për me tregu se Njeriu mbetet Njeriu duke Falur e Kërku! Fundja, të gjitha sixhadet për Njeriun janë arnuar, për t’u shkëputur ai e për të fluturuar Andej; nga ku Shpirti kacavjeret në direk shprese! Pa njeriun, sixhadeve u dalin bojnat. Zverdhohen. Tjetërsohen! Vjetërsohen.

Zaten, në asht, njeriu ngjason me inxhitë a kokrrat e sedefit që derdhen në fill për t’i falur jetës tespih. Njeriu, kokërr m’kokërr është brumosur asisojshëm për t’u lartësuar përmes Përmendjes dhe Mendimit; të dyja këto, rruazore të florinit për maturinë dhe rritjen shpirtnore! Për t’i lidhur mirë inxhitë, lypset fill as tepër i fort (se dro bëhet kallkan) dhe as krejt i butë (se druaj këputet e humbet filli), pra diçka të mesme, sa për t’i ruajtur hirshëm goglat që derdhen gishtërinjëve si përkujtim për 7 ditët që mbyllen nxitimthi akoma pa u çelur mirë; si 7 nota pentagrami që mbërthejnë Lindjen dhe Perëndimin, duke e sosur të huajën, kufirin dhe dallimin. Tespihet e masin Dashninë! Ashtu, mendueshëm, nën zë, në kopshtnaje që blerohen mu në thelb të loçkës. Po, po, ashtu! E masin Dashninë tespihet dhe sixhadet me përpjekjen e paepun për t’u bë më të mirë e më të Lirë.
Po në mos pastë më përpjekje? Atëherë, sixhadeve u këputet fija e tjerrë dhe rruzoret s’rriten dot për t’u ba tespih, ngelin veç xhingla pa farë e pa Dashni!

• Shtegtimi shpirtnor si paqe e mallëngjim

Shtegtimi shpirtnor është udha më e vështirë drejt së cilës është nisur ndonjëherë Qenia njerëzore; një shteg zigzag që kurrë s’pushon së qenuri sfidues, sfilitës e reformues. Udha Shpirtnore në kërkim së të Vërtetës në realitet është Përpjekja më e paqtë për t’u çliruar nga zinxhirët e robnisë; Vula açik për kërkonjësin e Lirisë! Andaj vegimet shpirtnore janë kryekëput shkëndijë hyjnore si ftesë për të përmalluarit që t’i mëkojnë brengat e zemrës duke u thelluar në vetnjohje e vet*takim. Në brigjet e thepisura që përcëllohen prej diellit; këmbëzbathur ecin veç ata që u është bërë hall derti i vetvetës dhe njohja e të Përtejmes. Kjo Qenie në shtegtim, ngado lëviz, le pas paqe e mallëngjim.
Ndërkaq, zhurma e zallahia alla “konvertim në fenë e të parëve” dhe “shkëputja prej fesë së armikut” në fakt përdëfton gjendjen sociale, kulturore, ekonomike e politike të një populli që nuk e ka kapërcyer kurrë pragun e ngushtë dhe kompleks të inferioritetit dhe paditurisë. Njëmend, faltoret e kohës sonë nuk janë më sofrat e muhabetit e sohbetit si kaherë dhe gjithsesi, tëhuajësimi i traditës dhe zhveshja e shpirtit nga çdo ritual ka bërë që njeriu, në masë, ta ndjejë boshllëkun dhe acarin drithnues që kullon prej busullës së humbur. Ndërhyrjet nga jashtë; mohimi i Lirisë, Ditunisë e Lumturisë, si dhe kanonizimi i Dashnisë, përqendrimi i pushtetit dhe privatizimi i çelësave të Parajsës në duart e ca “gjykatësve zemërgur”, do a s’do, kanë bërë që njeriu ta shkëpusë veten prej bashkësisë. Tek e fundit, kush e do një Hyjni dorështrënguar që as fal as ka për të Mëshiruar? Pra, njeriu që e ka projektuar imazhin e Dashnisë mbi siluetën e tij të vrazhdë; duke lënë mënjanë forcën rrëzëllitëse të ndjesinave që rrotullojnë krahnorin; ai e ka privuar Shpirtin prej Fluturimit drejt Pafundësisë; ai as e ka shijuar ndonjëherë peshën e Dashnisë!
Dashnia, pos tjerash, do të thotë të dorëzohesh, pa fjalë e pa piskamë; ashtu me përunjësi; pa frikë e pa kryeneçësi, sepse çdo gjë tjetër bëhet pluhur e hi, përveç Frymës që është ngjizur me Dashni.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X