Shkruan: Ismail SINANI
Përcaktimi fetar që në fillim e ka ndjekur homo sapiensin. Historia na mëson se ashtu siç është zhvilluar dialektika, ashtu edhe feja, si koncept më vete, dhe përcaktimi për të ka pësuar ndryshime.
Po kështu, historia na tregon se homo sapiensi shumë herë është përcaktuar apo/dhe distancuar nga një besim për shkak të rrethanave që e kanë detyruar për një gjë të tillë.
Duke e marrë si arsye prirjen për konvertim kolektiv të religjionit në disa pika të gjeografisë sonë, revista “Shenja” ka vendosur që një numër të saj t’ia kushtojë pikërisht fenomenit të konvertimit, që mund të trajtohet dhe analizohet jo vetëm si fenomen religjioz, por edhe si fenomen social, kulturor, por edhe ekonomik e politik.
Shembuj të këtillë historia jonë ka plot, që nga kalimi i shqiptarëve në Krishterim në Mesjetë, te Skënderbeu e konvertimi masovik në Islam, e deri në ndalimin e lejimin e fesë në Shqipëri dhe pastaj përhapjen e dhjetëra riteve e sekteve fetare, duke ardhur deri në thirrjet “të kthehemi në fenë e të parëve”, që ndodh sot dhe që bëhet në mënyrë publike dhe kolektive.
Si revistë që synon të bëjë analiza të esëllta dhe pa mbajtur anë e pa bërë tifozeri, duam që ta analizojmë dukurinë e konvertimit, arsyet (teologjike, sociale, shpirtërore etj.) që e shkaktojnë atë, përfitimet dhe përfituesit që burojnë nga ajo, mbështetësit e saj, pasojat që vijojnë prej saj, e deri në temat se a e ndihmojnë ato avancimin e statusit të kombit ose e dëmtojnë kohezionin kombëtar në rrethana edhe ashtu të trazuara politike.
Më saktë, duke iu përmbajtur parimit akademik të “zbulimit të së vërtetës”, deshëm të bëjmë një shpjegim për besimin e shqiptarëve qoftë në kontekst historik, qoftë në atë rajonal, qoftë në frymën e aktualitetit. Kur jemi këtu, nuk duam të futemi në debatin shterpë “feja apo kombi”, pasi që kjo sintagmë, nuk i shërben deduksionit.
Hannah Arendt, në librin e saj “Origjinat e totalitarizmit”, një grua që në lëkurë të saj e ka përjetuar se deri në ç’derexhe mund ta shpjerë individin apo shoqërinë miti për “pastërtinë e lashtë”, ngre alarmin se një diskurs i tillë, pa dyshim që një ditë do të provokojë shkakun, e që vetvetiu nxit pasojën. Duke qenë vetë hebreje, ajo i ka bërë një analizë të thellë elementit të saj etnik të shtrirë nëpër vise të ndryshme të Europës në 2000 vjetët e fundit, me theks të veçantë në Francë, Austri dhe Gjermani. S’do mend se analizën e saj ajo e përçon deri në tokat e sotme në Palestinë, ku gjaku është duke shkuar lumë.
Parë nga prizmi human/intelektual, Arendt-i është shembull se si një intelektual, në këtë rast intelektuale, arrin qysh në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar të ngrihet aq lart mbi çështjen, sa ta pranojë se ishte pikërisht pakica hebreje ajo që në 200-300 vitet e fundit e kontrollonte gjithë sistemin bankar dhe ekonomik në Europë, e posaçërisht në Gjermani. Ajo shkruan se si “hebrenjtë e saj” ishin ata që, përmes sistemit të kamatës, krijonin një varësi ekonomike te njerëzit dhe bizneset. Duke mos qenë tema për hebrenjtë, emri i saj në këtë rast u përfol vetëm si një lajtmotiv se si duhet ne si shoqëri t’i qasemi problemit tonë me fenë, qofshin ata të besimit islam, të krishterë apo edhe ateistë.
“Pan-lëvizjet predikuan origjinën hyjnore të popullit të vet. Sipas tyre, njeriu, duke i takuar në mënyrë të paevitueshme ndonjë populli, e mori origjinën e tij hyjnore vetëm drejtpërdrejt përmes anëtarësisë në një popull. Individi, pra, ka vlerën e tij hyjnore vetëm sa kohë që ai i përket popullit të dalluar për origjinën hyjnore. Pasaktësia e kësaj teorie është aq e spikatur sa edhe dobësia e saj politike”. Ndoshta do të mjaftonte vetëm fjala e parë dhe e fundit e Arendt-it që ne të esëlloheshim dhe ta kuptonim se qasja e “origjinës pan” shpie në humnerë kolektive.
Se Europa po rrëshqet me shpejtësi në një drejtim nacionalist, këtë e ka thënë prej kohësh edhe Tim Winter-i. Madje, ai ka shtuar se “muslimanët shihen nga një numër i madh zërash si Tjetri i Errët, që është i përshtatshëm për t’u sekuritizuar (një formë e trajtimit të pranisë muslimane si çështje policore dhe e shërbimeve inteligjente, pra jo si çështje fetare apo diskursive) e stigmatizuar dhe, ndoshta, në ëndrrat e disa prej tyre, për t’u dëbuar nga kopshti i murosur i Europës”.
Sot, në Kosovë, po shfaqet pikërisht ky nacionalizëm, që është antiislam, por prokatolik, që në fakt siç i quan Winter-i, drejtohet dhe stimulohet nga “populistë europiano-perëndimorë që mbrojnë ‘civilizimin judeo-krishterë’ pa pasur vetë dëshirën që të praktikojnë ndonjërën prej këtyre dy feve”.
Në fakt, shumë intervista të zhvilluara me të sapo të kthyerit në “fenë e të parëve” e përdëftuan këtë populizëm, pasi që asnjëri nuk kishte ose, thënë më saktë, nuk reflektonte ndonjë arsyetim dhe bindje se pse hoqi dorë “nga feja e pushtuesit”.
E kur jemi te pushtuesit, historia na mëson se duhet t’i dëgjojmë faktet. As ilirët nuk kanë jetuar në Jerusalem, e as profeti Isa (Jezusi) nuk ka qenë shqiptar, pellazg apo ilir. Madje, ai nuk ka folur as latinisht, as anglisht, as gjermanisht, madje nuk ka folur as arabisht e hebraisht, por aramaisht, një gjuhë tashmë e vdekur. Profeti Isa nuk ka ditur gjë për “zemrën e shqiptarisë”, ndërsa – përpos persekutimit që e ka përjetuar prej romakëve – nuk ka parë “dritë t’bardhë n’kohën e tyne”. Ditë të mirë nga romakët nuk kanë parë edhe ilirët, që kanë jetuar në këto vise…
Ata që ne sot i quajmë stërgjyshër, pra ata që kanë jetuar para 1500-1800 vjetëve, në gjithë trojet tona “deri te molla e kuqe”, në bazë të të gjitha analizave, nuk kanë qenë më shumë se njëqind mijë deri në 150 mijë. Pra, ne “nuk kemi qenë 9 milionë atëherë”. Kemi qenë një grusht njerëz. Zaten gjithë rruzulli tokësor në atë kohë, siç na tregojnë gjithë antropologët, zor se ka numëruar mbi 200 milionë njerëz.
Ata, stërgjyshërit tanë, nuk kanë qenë as akademikë, as profesorë, as eruditë. E shumta që kanë mundur të jenë, kanë qenë hallexhinj që kanë dashur ta ngopin barkun me bukë. E, pushtuesit, qofshin ata romakët, serbët, bullgarët, osmanët… e përsëri serbët… vetëmse kanë kaluar mbi këto treva.
Po kështu, ia vlen të përmendet se edhe “xhemati” i kishave e pastaj edhe i xhamive, nuk është se i ka njohur normat e besimit të krishterë e pastaj të atij islam. Ata njerëz, thjesht, janë orientuar andej nga kanë shkuar prijësit. E, prijësit, sikurse atëherë, ashtu edhe sot, e përqafojnë oportunizmin. Sot është në modë të jesh proamerikan, dje ka qenë në modë të jesh proosman e prosovjetik, e nuk e dimë se çfarë pro-je do të bëhen nesër?
“Botëkuptimi se pushteti turk e ka shtypur identitetin kombëtar në këtë periudhë të hershme (1450-1580) është pothuajse i pakuptimtë, sepse koncepti ynë modern i identitetit ‘kombëtar’ ende nuk ishte shfaqur në këtë pjesë të Europës….”, kështu na mëson Noel Malcolm-i në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”. Malcolm-i, duke mos qenë shqiptar e aq më pak i besimit islam, përpiqet të na nxjerrë nga rrethi ynë vicioz që jemi futur për lashtësinë tonë kombëtare. Ndonëse është botërisht e ditur, ai përpiqet edhe një herë të na tregojë se “koncepti kombëtar” nuk ka ekzistuar në kohën kur kanë ardhur osmanlinjtë.
Në librin në fjalë ai flet shumë edhe për braktisjen që ua ka bërë kisha katolike e Vatikanit “katolikëve të paktë” që kishin ngelur në Kosovë. Natyrisht, për më tepër duhet lexuar librin, por duke e shtuar edhe këtë citim nga kjo vepër tepër e çmueshme e tij: “Kishave vendëse ortodokse, iu lejua që të vazhdonin udhëheqjen e besimtarëve të tyre. Ishin imponuar disa restrikcione dhe të krishterët në përgjithësi, padyshim, morën statusin e një popullate të dorës së dytë, porse, kalimet me dhunë në fenë islame, ishin mjaft të rralla.” Pra, siç shihet, ai nuk e ekzagjeron Perandorinë Osmane, siç parapëlqejnë osmanofilët, por njëkohësisht ai nuk shfaqet si një osmanofob. Flet me gjuhën e fakteve.
Dhe vijmë deri te Karl R. Poper-i me veprën e tij “Mendime për historinë dhe politikën”. Ai na thotë se, “është e pamundur për ne njerëzit që ta kuptojmë sensin e historisë, nëse përpiqemi që ta kuptojmë atë si veprën e drejtpërdrejtë të Zotit.” Kur shohim se si flitet sot me terma absolutë për çështje relative, njeriu e kupton edhe më mirë se sa janë zhytur në llum ata që flasin me kaq urrejtje. Prandaj ai e ka edhe një këshillë: “Mençuria e poetëve dhe filozofëve për jetën na ka mësuar se duhet ta kuptojmë në një mënyrë tjetër frazën ‘sensi i jetës’: Sensi i jetës nuk është diçka e fshehur, që ne mund ta gjejmë apo zbulojmë, por është diçka që vetë ne mund t’ia japim jetës sonë. Ne mund t’i japim jetës sonë, nëpërmjet mënyrës sonë të jetesës, nëpërmjet punës sonë dhe veprimit tonë, nëpërmjet qëndrimit tonë ndaj jetës, ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj botës.”
Duke qenë bota në prag të një katrahure shumë të madhe, që me siguri nëse vazhdon kështu “nuk do të lë derë pa prekur”, neve na bie në hise të shfaqim pak empati dhe të mësojmë nga gabimet e popujve tjerë. Priftërinjtë, sidomos ata në Kosovë, kuptohet jo të gjithë, nuk duhet ta bëjnë strucin e të mos shohin se janë duke e provokuar gjendjen. Hoxhallarët, kuptohet jo të gjithë, duhet ta ngrenë diskursin e temave. E, bashkërisht, hoxhallarë e priftërinj, nuk duhet të shtyhen se kush janë më patriotë e nacionalistë, sepse feja, si e tillë, e do njeriun, dhe jo kombin. Feja flet për dashurinë e Zotit që e ka ndaj krijesave të tij pa dallim race ose gjuhe.
Dhe, në vend të përmbylljes. “Nëse do duhej dhënë përgjigje për pyetjen se çfarë është Islami?, duke treguar një prej kryeveprave të artit islam, si, fjala vjen, Xhamia e Kordobës, apo ajo e Ibn Tulun në Kajro, ose një nga medresetë e Samarkandit apo edhe Taxh Mahallin, ajo përgjigje, si çdo përmbledhje, do të ishte plotësisht e vlefshme”, thotë Titus Burckhard, një autor i 20 librave mbi artin, religjionin dhe spiritualitetin.
Bota është shumë më e bukur se debati i “partizanëve të fesë”. Vetëmse duhet ta heqim mllefin nga shpirti.