E tutti gli altri che tu vedi qui, seminator di scandalo e di scisma fur vivi, e però son fessi così Ferri, kanto 28
Elton HATIBI, Tiranë
“Nëntori i një kryeqyteti” është ndër të paktat vepra të Ismail Kadaresë që si subjekt ka momentet e luftës partizane, aq të preferuara si temë nga shkrimtarët shqiptarë gjatë periudhës së komunizmit. Ngjarjet zhvillohen në luftimet për çlirimin e Tiranës gjatë Luftës së Dytë Botërore mes forcave partizane dhe gjermanëve në tërheqje. Konteksti është ai i fundnëntorit 1944, kur kryeqyteti u sulmua nga brigadat partizane. Përtej dinamikës së zhvillimeve në teatrin e luftës, në roman përshfaqet konflikti manikeik mes së mirës dhe të keqes. Se kush janë të mirët, kjo kuptohet thjesht nga korniza kohore kur u shkrua vepra, por të këqinjtë, që duhet të jenë gjermanët këmbëngulës në rezistencë ndaj partizanëve, janë vetëm faktori dytësor, biçim mercenarësh të huaj, që luftojnë verbërisht në truallin tonë. Të këqinjtë e vërtetë janë pushtetmbajtësit e vjetër, borgjezia dhe feudalët e konvertuar në aristokraci, bujtësit e pushtuesve të radhës. Një galeri e gjerë personazhesh rrëfejnë gjendjen dhe gjithë kuadrin shpirtëror të momentit historik të këtij konflikti final. Në këtë mes ka edhe personazhe që kanë qëndrime ambige, ata që në gjuhën e kodifikuar politike të kohës quheshin “të lëkundur” ose neutralë. Njëri prej tyre, shkrimtar në zë, flirton në pasivitet me të dy palët, por në momentin kulmor të konfliktit, i kryqëzuar mes dy qëndrimeve, nuk di nga t’ia mbajë, dhe në këtë konfuzion psikologjik përfundon duke vrarë veten. Çuditërisht, puthitja e armës së vogël së zjarrit nuk ndodh në tëmthin e kokës, vendpërcaktimi klasik i vetëvrasjes moderne, por diku poshtë ijes, mes brinjëve, aty ku heshta e romakut biblik i dha fund vuajtjeve të Krishtit. Mbase ky është një përkim i një detaji të papërfillshëm, por me goditjen vdekjeprurëse në brinjë, likuidohet një filozofi e tërë si liberalizmi perëndimor, trashëgimtar në një masë të gjerë të vlerave të sekularizuara të krishtërimit. Paqartësia apatike e liberalizmit të paraluftës, që mundësoi ngjitjen tragjike të fashizmit në Europë, gremiset simbolikisht në një hendek me një plumb të vogël në të majtë të trupit.
Plani i gjerë narrativ i romanit ecën paralelisht bashkë me një njësi luftarake partizane e ngarkuar të marrë në kontroll me çdo çmim ndërtesën e Radiostacionit, vendit ku teknologjia e re do të mundësojë përhapjen masive të mesazhit të komunizmit. Trajektorja e kësaj njësie luftarake para sulmit në Radiostacion, gjatë sulmit dhe pas tij, si dhe reflektimet e personazheve të ndryshëm na mundësojnë të shohim disa skena vrasjesh si dhe përshkrimin e trupave të viktimave, pozicionet ku kanë rënë dhe detaje të plagëve të tyre. Situatat e luftës i lejojnë autorit të përfshijë në tekst këtë numër të lartë skenash të larmishme krimi. Në këtë qerthull dramatik për fatet e vendit gjithashtu mësojmë atmosferën e plotë urbane të një Tirane të vjetër të mbërthyer në një përshkrim kulturor ideologjik. Ky rrugëtim i kësaj trupe partizane, që njëkohësisht po formëson historinë dhe njëkohësisht po e dëshmon atë, i përngjet rrugëtimit të mirënjohur dantesk, në përshkrimin e ngjarjeve dhe të fateve të personazheve të ndryshëm historikë dhe mitikë. Shpesh autori na përball me skenat e vrasjeve dhe të skenave të krimit përmes syve të njësitit partizan gjatë zhvendosjeve të tyre nëpër qytet. Përmasën danteske të kësaj historie e cek vetë dhe autori kur përmend kaosin e kryeqytetit të zhytur në panik si “diçka danteske” ose një “purgator lëvizës”. Sigurisht bëhet fjalë për një udhëtim në një “ferr tokësor”, rrugëtimet në tokat parajsërore autori i rezervon në romane të tjera. Jemi në një përmasë “ferri” urban që preket sa në kollonat e ndërtesës së bankës, në Bulevardin “Musolin”, Rrugën “Mbretërore”, në vilat e këtij trualli dhe në Sheshin “Skënderbej”. Njësitin partizan në këtë udhëtim dantesk e shoqëron vetë autori, një alterego e vetë këtij grupimi misionar. Nuk ka asnjë hyjni tradicionale si gjykues të veprimeve njerëzore, janë vetë partizanët “zotërit” e rinj të fateve të tyre, ata që vendosin drejtësi në këtë “ferr”, për të fituar si lavdi themelimin dhe përjetimin e rendit të ri të komunizmit.
Jemi në ndryshime epokale dhe sërish Kadare e përshkruan në përmasa danteske lëkundjen e intelektualëve “midis Purgatorit dhe … Ferrit, midis Purgatorit dhe… Parajsës”, një realitet si një afresk i copëzuar që formën e tij mund ta rindërtosh aq sa është i mundur rindërtimi i një ëndrre ditën e nesërme të zgjimit. Një nga skenat surreale, që na fut në mjedisin dantesk të përshkrimit të vuajtjeve të ferrit është skena e masakrës së Hotelit “Bristol”, çka tregon se autori ka një njohje të mirë të fakteve dhe ngjarjeve dramatike që ndodhën gjatë luftës për çlirimin e kryeqytetit. Në sytë e partizanëve, që u futën në bodrumet e hotelit, shohim që: “..Të vrarët ishin në tokë, aty-këtu, të rënë në pozat më të papritura. Nuk kuptohej nëse i kishin goditur pas shpine apo nga përpara, bile në përgjithësi nuk kuptohej nëse i kishin qëlluar të tjerë apo ata vetë kishin qëlluar njëri-tjetrin. Më tepër se të rrëzuar nga plumbi, ata dukej sikur i kishte shtrirë përdhe një befasi misterioze. Të vinte të besoje se ishin duke kërcyer një valle makabre dhe befas vdekja i kishte shtrirë përdhe në një nga ato kompozime që mund të sajojë vetëm ajo.” Kjo skenë e paqartë krimi është një metaforë që përkundet mes vrasjes dhe “vetvrasjes”, një përpjekje për të fragmentuar moralisht përgjegjësinë e krimit ndaj intelektualëve viktima, që nuk kishin ditur të pozicionoheshin qartë ideologjikisht në këtë konflikt mes së mirës dhe të keqes. Misteri dhe befasia zgjidh dilemën morale të këtij krimi, që kishte nisur si vetëvrasje dhe kishte përfunduar në një vrasje masive.
Si në rastin e vetëvrasjes me plumb mes brinjëve dhe të “vetëvrasjes” të stilit të sekteve kult bëhet fjalë për intelektualët që kanë zgjedhur ideologjinë e gabuar liberale, një lloj verbërie që pamundëson pamjen e dritës së komunizmit. Megjithatë, fundi i tyre është i ngjashëm me atë të atyre që janë vegla të bindura të pushtuesit gjerman, kuislingë, tregtarë, bejlerë, spekulantë dhe fashistë, vdekja e të cilëve nuk vizatohet me ecejake morale, shpesh rrethanat e këtyre vdekjeve janë thjeshtë groteske. Për të mundësuar këtë kategorizim, Kadarenë e ndihmon “universi osman” i krijimtarisë së tij, i pasur me rrethana, terma dhe një galeri të gjerë karakteresh. Si premisë fillestare që përgatit lexuesin me këtë përballje epike mes së mirës dhe të keqes, Kadareja vendos në kundërshti njësitin partizan dhe gjysmëtankun bunker të vendosur në Sheshin “Skënderbej”. Në avancimin e partizanëve drejt cakut të misioni të tyre, gjysmëtanku bunker ua merr jetën disa prej partizanëve, por nuk mjaftohet me kaq – me furi godet pa mëshirë në vazhdimësi trupat e vdekur të partizanëve të shtrirë në shesh, duke i grirë dhe sakatuar. Këtë sjellje irracionale të një objekti luftarak monstruoz, përmes përjetimeve të partizanit Sherif, Kadareja e shëmbëllen me qenien e Tursun agait, një karakteri ogurzi, banor i së shkuarës në fshatin e partizanit. Dy janë karakteristikat fizike të këtij feudali të perënduar, që përkojnë me sjelljen e gjysmëtankut bunker – qenia ulok dhe i kërrusur, si dhe zotërimi i një shkopi të hekurt të mbishkruar me shkronja turke. Ngjashëm, gjysmëtanku bunker, që veç rrotullohet në vend për të mbjellë vdekje, ka një grykë topi që vjell zjarr, tytë arme me mbishkrime në gjuhën gjermane.
Kadareja bën një mbivendosje palimsestike mes këtij karakteri oriental dhe figurës prej përbindëshi të teknologjisë së gjymtuar ushtarake. Përmes këtyre figurave, e keqja ka shkëmbyer stafetën mes shëmbëllimeve monstruoze të saj. Në truallin shqiptar, klasa sunduese është formësuar në një rrugëtim përkeqësues në kontakt më trupat e huaj që janë shfaqur periodikisht në histori, duke marrë pamjen unike të shëmtisë degjenerative pikërisht në fund të ekzistencës së tyre. Në memorien e Sherifit partizan, agai i tmerrshëm ulok, tashmë i plakur, në pamundësi lëvizje, përmes shkopit të tij të hekurt të shkruar turqisht kishte goditur për vdekje një nuse të shtëpisë. Ky episod i kujtohet partizanit kur hedh sytë tek kolegia e tij e re, të cilën ai gjatë jetës partizane ka ndihmuar ta nxjerrë nga kllapia e vdekjes. Duke u shndërruar në një metaforë të Shqipërisë së re, vrasja e nuses tashmë partizane nuk do të ndodhë për të dytën herë nga tanku ulok gjerman, për këtë garanton Sherifi dhe njësiti i tij partizan. Përputhjen e plotë fizike të shndërruar në një metaforë orientaliste, Tursun agai dhe gjysmëtanku bunker e mbërrin kur përshkruhet varrimi i këtij përbindëshi human. Për shkak të përçudnimit fizik dhe moral të plakut ulok, arkivoli i tij i pazakontë ishte porositur në formë katrore, ndërsa për ta përmbyllur të plotë metaforën, për gungën e tij, që dilte jashtë arkivolit, ishte gatitur një kubé, si një mauzoleum i stilit arkitekturor mysliman. Me groposjen e pazakontë të Tursun Beut kuptohet edhe fundi i makinerisë së ngecur luftarake gjermane dhe triumfi i së “mirës”.
Gjatë kohës që partizanët përleshen me gjysmëtankun bunker gjerman, bashkëpunëtorët e tyre vendorë, duke ndjerë drejtpërdrejt fundin e tyre epokal, e nisin eksodin e tyre banal. Nga automjetet në lëvizje të çrregullt shihen të ngarkuara mobilje, qelqurina, objekte luksi, llampadarë dhe, sidomos, sixhade dhe qilima. Me dukjen e shpeshtë sipër autoveturave dhe kamionëve në ikje, “sixhadet” dhe “qilimat” shndërrohen në sfondin estetik dhe simbolik të kësaj aristokracie të degraduar. Megjithëse kanë huazuar sjellje dhe një rekuizitë të modës perëndimore, tashmë në një aleancë me fashizmin, kapja me thonj pas sixhadeve dhe qilimave persianë dëshmon përkatësinë e vërtetë kulturore të kësaj aristokracie, një mëkat të hershëm të saj. Këtë simbiozë e shohim në figuracionin emblematik të Hamide hanëmit “me ato bukle të verdha, që kundërshtonin gjithçka të zeshkët e të vrazhdë, që përftonte emri i saj turk”. Hanëmja bionde, që ecjen e kishte si mjellmë, për t’i shpëtuar apokalipsit në prag, ishte futur në një tank gjerman në ikje, për të vulosur fatin e kësaj shtrese politiko-kulturore në perëndim. Fundin e saj të lidhur me atë të fashizmit e mësojmë më pas kur Mukades hanëmi ose dikush tjetër me emër “të zeshkët dhe “të vrazhdë” njofton djegien e tankut në arrati. Një tjetër episod tragjik me sixhade dëshmon kotësinë dhe zhdukjen e pronarëve të këtyre objekteve orientale. Në një koreografi të ngjashme me lutjen rituale islamike, një ikanak gjendet i vrarë në autoveturën e përmbysur nga ndonjë përplasje ose mitralim. Në këtë përmbysje të dyfishtë, i vdekuri brenda në autoveturë shihet nga partizanët përsipër sixhades së mbuluar me gjak.
Alkimia orientale, që përcakton qenien e botës së vjetër që po perëndon, përcaktohet edhe nga dilema kulturore dhe nga ngecja shpirtërore e kësaj klase shoqërore. Në informatat që ka mbledhur njësiti partizan në avancimin e tyre drejt Radioctacionit mësojmë për sallën e parë të ballos në qytet: “Salla e ballos që u inaugurua me një ziqër nga sekti i rufainjve”. Një ballo ziqri rufainjsh në prezencë të ambasadorit anglez, që së bashku me të shoqen mbetën gojëhapur. Ngjitur me këtë “teqe me maska” të Alizotëve, ndodhet pallati i Fiqiri beut, që ndërtoi i pari në këtë rrugë hamam dhe “oxhak englez”. Sakaq bankier Rroku pallatin e tij “Rehat” e ka ndërtuar me një karakoll në katin e sipërm dhe një pishinë në kopsht. Pas leximit karakteristik të këtyre pallateve të çuditshëm aristokratikë, i gjithë ky bllok banimi, në gojën e komandantit partizan, rezulton të jetë “pëllëmbë e krim”. Në këtë përfundim mbërrihet natyrshëm pas pikasjes së një toponimie si: “pishina ku u mbyt bejleresha plakë Gjyslihan, pas përfundimit të gjyqit të trashëgimisë së Kasimatajve”. Në ambientet e këtyre vilave që po zbrazen nga orenditë dhe sixhadet, përveç konsumimit të krimeve dhe intrigave, si te shtëpia e madhe e Mafuz beut, gjenden të groposura në oborre qypa me florinj, sende me vlerë dhe testamente.
Fundi i kësaj bote përjetohet në nota apokaliptike nga banorët e rrëzuar të qytetit. Tingujt e këngëve revolucionare janë më të llahtarshme se boria e Xhebrailit që lajmëron ditën e gjyqit të fundit. Ky makth dhe frikë nga kumbimi i fjalëve të këngëve, më i tmerrshëm se afatet dhe ultimatumet e drejtpërdrejta, nuk qetësohet as nga përmendja e Allahut ose e Jezu Krishtit. Në këtë disfatë të madhe përfundimtare, në muzgun e qytetit, shihen duke u endur në dëshpërim nëpër rrugina: “gjithçfarë figurash groteske, pjesëtarë të ndryshëm sektesh fetare, fallxhore, belbanë të përjargur, që mbaheshin si gjysmë të shenjtë, murgesha të ikura nga kuvendet katolike, vajtoca të çmendura, kiromane”. Sakaq, në këtë zallamahi çorientuese që ka përfshirë qytetin, në një përpjekje shterpë për të gjetur ngushëllim dhe rrugëdalje: “si asnjëherë tjetër hidhej fall me letra bixhozi, përmbyseshin filxhanët e kafesë për të parë fatin, një libër ëndrrash “Tabir name”, botim i Komunitetit Mysliman, qe shitur dhjetë napolona flori”. Nuk mungon në këtë atmosferë dhe thirrja e ezanit të fundit, i thirrur po në muzg, një ditë para çlirimit të qytetit, një ezan “me një zë të dridhshëm e të zvargur, plot pikëllim islamik”, efektet e të cilit do të ndikojnë në bunkerët gjermanë në qendër të qytetit si një paralajmërim ogurzi për fundin e tyre. Ezani thirrej në minaren e përgjysmuar nga një predhë mortaje, ku thyerja e gurtë sakaq dukej sikur përgjak qiellin e vjeshtës.
Pas shuarjes së krismave dhe gjëmimeve të eksplozivëve, qytetarët dhe partizanët dalin për të parë epilogun e luftës. Nga tanket e nxira nxirren kufoma ushtarësh gjermanë gjysmë të djegur dhe të përzhitur. Nga zinxhirët e tankeve shkëputen trupa të gjymtuar. Në një ambient të Radiostacionit trupat e gjermanëve ishin poshtë shkallëve mbi njëri-tjetrin në mënyrë të çrregullt. Bashkë me gjermanët e vrarë një dëshmitar tjetër sheh kuaj të vrarë, me trupa të fryrë dhe me këmbët e tendosura drejt. Përshkrimi i kufomave të gjermanëve është më realist nga ai i të tjerëve. Ata nuk kanë një të kaluar për t’u shënuar ose një ngarkesë kulturore të tillë për t’u marrë në analizë nga autori. Vetëm në një rast vrasja dhe figuracioni që përfton kufoma e një ushtari gjerman ia vlen për t’u ndalur. Teksa vraponte drejt shtabit, esesi Storteberker në rolin e korrierit u godit nga zjarri partizan. Triçikli i tij bëri një rrotullim të detyruar nga humbja e kontrollit të timonit dhe trupi i ushtarit gjerman u lëshua pas, me duart e hapura, lëvizje prej nga helmeta u zhvendos nga koka. Pas përplasjes me trotuarin e rrugës, ky centaur modern me njeriun kaluar, veshur me tunikë kamuflazhi, u bllokua menjëherë. Befas trupi i të vrarit u zhvendos përpara, i përkulur në timon, duke bërë që koka dhe helmeta të lëviznin njëkohësisht dhe të krijoni efektin e një trupi me dy kokë. Përfundimisht një cerber i përgjakur më pak.
Propaganda reaksionare nuk mund ta portretizojë ndryshe vetëvrasjen e shkrimtarit në zë pranë shtabit partizan, veçse në një optikë martirizimesh fetare. Legjenda urbane tregonte se, pasi ishte lënë tre ditë pa ujë, shkrimtari ishte gozhduar me bajoneta në një lis të vjetër. Me një baraslargësi ekumenike, me fjalët e Kadaresë, ky mitizim ishte huazuar nga “pikëllimi mysliman për Abaz Aliun e shkretëtirës dhe nga krishtërimi”. Ndërkohë që qanin për qëllime propagandistike “martirizimin” fals të një “neutrali” nga terrori i kuq, terrori i bardhë kishte kryer punën e tij. Diku në qytet, në shtyllat e telefonit vareshin trupat e viktimave që mbërthenin në rrobat e tyre tabelat me shënimin “komunistë”. Diku tjetër, në një udhëkryq të ngushtë partizanët panë: “..një grumbull njerëzish që ngjanin sikur përkuleshin mbi ca tezga të padukshme…Poshtë, të shtrirë rresht, me sy të ngrirë, të hapur, kishte njerëz të pushkatuar. Fytyrat e pjesës më të madhe ishin të deformuara. Gratë uleshin në gjunjë, i kthenin kufomat mbi shpinë për t’i njohur, me duar të dridhura, shtynin njërën, zinin tjetrën, gjersa lëshonin më në fund një klithmë”. Këto viktima, sipas një hoxhe aty pranë, ishin pengje që i ekzekutuan gjermanët në ikje, herët në mëngjes. Diku tjetër një skenë dhe më epike rrëfen martirizimin e vërtetë, një vrasje për një qëllim sublim. “Një nga të vrarët kishte rënë kruspull rrëzë një muri me mbishkrime. Ujët që rridhte teposhtë nga qyngji i shqyer i një strehe, i binte mu në qafë, ku ia kishte larë prej kohësh plagën e madhe. Krejt i qullur, nën atë derdhje uji të marrë, i vdekuri kishte një pamje të padurueshme…Në dorën e djathtë i vrari shtrëngonte akoma një copë thëngjill, me të cilin ndoshta kishte dashur të shkruante diçka në mur”. Është kohë transformimesh revolucionare dhe vdekja ka rrëmbyer djaloshin që përpiqej të kumtonte diçka në muret e qytetit. Po duke shkruar diçka në mure goditet dhe një intelektual tuhaf, Emil Karbunara, por kësaj radhe sepse nga meraku akademik kishte dalë rrugëve të qytetit për të korrigjuar deformimet e pashmangshme drejtshkrimore të parullave të shumta. Jemi në momente kulmore, ku komunikimi përmes parullave të mureve është ndër më dinamikët dhe më me ndikim. Emili zgjatet drejt murit me thëngjill në dorë, kur befas: “pas shpinës së tij u dëgjua një e folur gjermanisht dhe pastaj ai ndjeu shpinën t’i bëhej e rëndë, sikur po i thyej nën një peshë kolosale”. Një breshëri automatiku e plandosi në trotuar.
Kemi një zhvendosje të rëndësishme në vdekjet heroike të çlirimtarëve. Janë vdekjet e njerëzve në përpjekje me të keqen. Dikush si burgosur i ekzekutuar si shpagim urrejtjeje, dikush në një aksion subversiv apo si korrier shtabesh, dikush drejtpërdrejtë në luftime, apo si viktimë civile e pashmangshme në luftën guerile, të gjithë janë vdekje dinjitoze pa konotacione të dyshimta morale dhe mbarsje simbolike. Përkundrazi, të përshkruara me realizëm, ata janë “të rënë” të domosdoshëm, nga përpëlitjet vrastare të së keqes. Si në rastin e martirizimit të komandantit të njësitit partizan, në sulmin e fundit fitimtar në Radiostacion, “ vdekja iu shfaq në formën e Hamide hanëmit, që po vinte në gjysmëterr, e mbuluar me vello të zezë, nëpër bulevardin “Musolin”. Me “buklet e verdha” të mbuluara, Hamide hanëmi me vellon e zezë turke shfaqet në përmasën e saj origjinale dhe gllabëron heronjtë që përpiqen ta çrrënjosin si qënie, së bashku me tankun ku ka hipur për herë të fundit. Trupat e rënë në përballjen me gjermanët janë trupa njerëzorë: “nën ndriçimin e hënës… dukeshin edhe më të verdhë”, por brenda tyre, “nën kapotën ishte plaga e madhe, me përmasat e plagëve të titanëve, e komisarit”. Këto janë vdekje që frymëzojnë të ardhmen, sepse “vdekja në barrikadë nuk zhduket kurrë”.
Qyteti është çliruar tashmë dhe banja e gjakut ka ndaluar. Simbolikisht, Kadareja na tregon një lloj tjetër vdekje, kësaj radhe jo nga plumbat apo granatat, por nga tahmaja dhe ligësia. “Një vig, që dy infermierë partizanë po e kalonin mes për mes Sheshit të Pavarësisë tërhiqte vëmendjen e të gjithëve… Kjo ndodhte sepse ai vig nuk kullonte në rrugë currila gjaku, gjë që do të ishte për të gjithë një pamje e zakonshme, por kullonte vaj… I vdekuri ishte një tregtar që qe mbytur atë mëngjes në depon e vajit të vet”. Vdekja e një pjesëtari të klasës së vjetër tashmë të përmbysur vjen sërish në një përshkrim grotesk. Tregtari është viktimë e grykësisë së tij, me gjasë i mbytur aksidentalisht duke u përpjekur të fshehë mallin e tij të shumtë që nuk do të donte ta ndante me të tjerët. Një vdekje simbolike që tregon kohën e re dhe regjimin që po ndërtohet në Shqipëri. E shkruar pikërisht në apogjeun kohor të këtij regjimi, “Nëntori i një kryeqyteti” shndërrohet në një kapitull kulmor të “ungjillit” të komunizmit shqiptar. Atmosfera e luftimeve, ankthi dhe vendosmëria e personazheve në përballje, si dhe viktimat e shumta dhe të larmishme i japin formë këtij romani unik të realizmit socialist. Edhe vdekjet e renditura në narracionin e këtij romani vijnë të përshkruara pikërisht sipas skemës së kësaj metode, që dikur Trebeshina e reduktoi me të drejtë si skematizëm me personazhe të mirë, të këqij dhe të lëkundur. Në këtë rrugëtim vuajtjesh dhe triumfi të stilit të “Komedisë Hyjnore”, “martirët” e vërtetë janë partizanët dhe ata që mbështesin luftën dhe ideologjinë e tyre. Ata vdesin përherë në përpjekje të ndryshme për të realizuar këtë qëllim të madh të komunizmit. Trupat e gjermanëve janë thjeshtë disa të likuiduar, shpesh të përzhitur në automjetet dhe bunkerët e tyre, ndërsa bejlerëve dhe kuislingëve të ndryshëm u rezervohen vdekje dhe makthe gjenealogjike. Ata bashkëjetojnë prej kur nuk mbahet mend me krimin, por kësaj radhe intensiteti i përpjekjes kundër tyre i ka vendosur përfund, drejt zhdukjes pa kthim. Të lëkundurit ose ata që janë neutralë kësaj radhe pësojnë fatin e të ngjashmëve të tyre, prej dhe nga e kanë origjinën. Këta modernistë me një këmbë në të kaluarën orientale apo kanunore, nuk po duan ta kuptojnë nevojën e ndryshimit epokal. Në formë të drejtpërdrejtë apo të paqartë ata janë viktima të egove të tyre. Në këtë kohë të gjyqit final nuk ka vend për “të lëkundur”. “Të lëkundurit” ndodhen në degët e pemëve apo në shtyllat e telefonit.