“Pas Srebrenicës, unë, si polak në Europë, ndihem më pak i sigurt”. (Tadeush Mazovjecki, Raportues për të Drejtat e Njeriut për ish Jugosllavinë në kuadër të OKB-së, korrik, 1995, Srebrenicë, BeH).
Behxhet JASHARI, Shkup
Si kthesë përfundimtare dhe më e rrezikshme në spiralen e fatkeqësisë boshnjake 1992-1995, ndodhi Srebrenica – masakra ndaj 9 mijë myslimanëve boshnjakë dhe katër herë më shumë se kaq të dëmtuar! Me këto operacione të ushtrisë serbe (e cila për pesë dekada është ushqyer, veshmbathur dhe armatosur edhe me paratë e shqiptarëve, myslimanëve, boshnjakëve, kroatëve, sllovenëve etj.) drejtpërdrejt komandonte gjenerali Ratko Mlladiq, të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e akuzoi për gjenocid ndaj boshnjakëve.
Ishte fillimi i korrikut të vitit 1995… Njëzet mijë vetë kishin arritur të shpëtonin nga sulmet serbe. Ishin strehuar në bazën ushtarake të forcave paqeruajtëse holandeze. Baza ushtarake ndodhej në Potoçari afër Srebrenicës…
Për ta kujtuar: në momentet e sulmeve, ky qytet ishte zonë e demilitarizuar, gjoja nën mbrojtjen OKB-së, ndërsa boshnjakët kryesisht i kishin dorëzuar armët, duke besuar pak sa naivisht se në rast të sulmeve nga forcat serbe me përmasa të gjera, do të mbrohen nga UNPROFOR-i. Megjithatë, reaksionet munguan, ndërsa Izetbegoviqi më kot dërgonte letra nëpër shumë vende të botës, madje edhe vetë presidentit të SHBA-së, Bill Klinton. Sipas një analize të mëvonshme, do të bëhet e qartë se reagimet e forcave të UNPROFOR-it ishin penguar nga funksionarët e atëhershëm më të lartë të OKB-së në krye me Jasushi Akashin dhe Butros Ghalin.
Siç është e njohur, me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1993, Srebrenica ishte shpallur zonë e mbrojtur. Si mbrojtës të asaj zone të mbrojtur, gjithashtu përmes një vendimi të OKB-së, ishin përcaktuar forcat paqeruajtëse holandeze të emëruara si “Dutchbat III”. Para mbërritjes së forcave paqeruajtëse në Srebrenicë në janar të vitit 1995, njësia ushtarake holandeze “Dutchbat III” stërvitjet e fundit i realizoi në Gjermani. Para se të nisen ushtarët në detyrën e caktuar për në Srebrenicë, majori holandez De Ruijter, përndryshe zyrtar i lartë nga shërbimi informativ ushtarak, u kishte thënë ushtarëve se “popullata lokale përbëhet nga fundërrina të rëndomta” dhe se “myslimanët janë në fustanella të gjata e të bardha dhe me turbanë, ndërsa serbët janë me kësula të mëdha ruse”. Mirëpo, tëra kjo nuk ishte e vërtetë… ata gënjyen, ashtu si edhe shumë shekuj më parë kur i gënjyen banorët e ishujve të Botës së Tretë, kur i kolonizonin ato…
Si do t’i trajtonim këto paragjykime dhe vlerësime të gabuara? Si do t’i trajtonim ndryshe gjeneralët francez dhe britanikë të OKB-së, siç ishin Majkëll Rouz dhe Filip Morion, të cilët vazhdimisht i fshihnin shkeljet e të drejtave të njeriut? Madje, gjenerali Rouz aspak nuk turpërohej kur injoronte një numër të madh të viktimave boshnjakë në qytetin Gorazhde. Mirëpo, këtë më pas e korrigjoi humanisti dhe intelektuali i madh Tadeush Mazovjecki, i cili pas këtyre intrigave vendosi të japë dorëheqje nga posti i Raportuesit për të Drejtat e Njeriut për ish Jugosllavinë në kuadër të OKB-së. Mazovjecki tha: “Tanimë nuk mund të shtirem se jam në gjendje t’i mbroj të drejtat e njeriut nën këtë flamur”. Ai dëshmoi se i kishte vërejtur se si të burgosurit në llogore e shikonin flamurin e kaltër dhe tha: “Pas Srebrenicës, unë, si polak në Europë, ndihem më pak i sigurt”.
Në raportin e Blomit thuhet: “Srebrenica ishte lënë vetëm me 200 ushtarë holandezë. Në anën tjetër, Mlladiqi kishte 200 ushtarë të veshur dhe të armatosur mirë. Holandezët morën urdhër që mos të përgjigjen në sulme derisa nuk janë të sulmuar direkt. Këtë e dinte edhe gjeneral Mlladiqi, i cili ishte kujdesur mirë që me rastin e marrjes së Srebrenicës mos të vijë deri te një konflikt me trupat holandeze. Këta trupa, me atë numër, nuk ishin të mjaftueshëm as për ta mbrojtur dikë, e as të mbrohen vetë”.
Gjenocidi në Srebrenicë ndodhi më 11 korrik të vitit 1995 dhe përfshiu vrasjen masive e të planifikuar të një numri të madh burrash dhe të rinjsh boshnjakë që nga mosha dymuajshe e deri në moshën 99-vjeçare. Masakra mban firmën e ushtrisë shtetërore serbe nën komandën e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladiq, përfshirë paraushtarakët “Skorpioni”, të cilët ishin nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Ngjarja është konsideruar si një nga masakrat më të mëdha në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, ku u vranë 9.000 civilë të pafajshëm. Myslimanët u përdhunuan, u masakruan kolektivisht, kurse ushtarët e misionit paqeruajtës nuk bënë asgjë… Nexhad Avdiqi ishte vetëm 17 vjeç kur forcat serbe të Bosnjës e futën në shkollën e fshatit Petkoviq, së bashku me 1000 burra e djem të tjerë, pas rënies së Srebrenicës… Në mesnatën e 14 korrikut 1995 ushtarët e urdhëruan atë dhe të tjerë të dilnin përjashta. Ai kujton pirgjet me trupat e të ekzekutuarve që i pa gjatë ecjes më këmbë e më pas rrugës me kamion deri tek një fushë e hapur, ku ushtarët filluan të qëllojnë mbi ta. Nexhadi u plagos, por bëri sikur kishte vdekur. Pas largimit të ushtarëve, ai dhe një tjetër i mbijetuar arritën të dalin nga zona dhe, duke ecur për katër ditë radhazi, arritën në zonën e kontrolluar nga qeveria e Bosnjës.
Ushtarët holandezë nuk arritën ta mbrojnë popullatën civile përballë dyndjes së ushtarëve serbë të Bosnjës… Ana më e keqe në luftën e Bosnjës është ajo që serbët e Bosnjës, të armatosur dhe të mbështetur nga Millosheviqi, vrisnin civilë, gra, fëmijë të vegjël, burra të moshuar… Le të mos harrojmë se kjo ishte një vrasje e paramenduar e civilëve, e jo një luftë ndërmjet dy ushtrive. Synimi i serbëve të Bosnjës ishte që të terrorizojnë dhe të vrasin, të kryejnë spastrim etnik në territoret që ata i dëshironin për vete. Ata, madje, ëndërronin t’i bashkoheshin një Serbie të madhe. Ata e vazhduan synimin, duke u vendosur në malet përreth Sarajevës, duke bombarduar dhe duke shtënë me snajperë mbi banorët, kryesisht myslimanë të Sarajevës, Srebrenicës dhe qyteteve të tjera të rrethuara, që shtriheshin poshtë luginës. Aty as një gjë nuk e kishte një kufi të caktuar: rreshtat për bukë, pikat e furnizimit me ujë, spitalet, shkollat, madje edhe rrugët ishin shndërruar në shënjestër…
Shënimi i krimit
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi (ICTY) e përcaktoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) këtë vendim e konfirmoi në vitin 2007. Por, ajo konstatoi gjithashtu se Serbia nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në gjenocid. Megjithatë, sipas GJND-së, autoritetet e Beogradit në atë kohë nuk bënë asgjë për ta parandaluar gjenocidin. Parlamenti i Serbisë e dënoi “masakrën” e Srebrenicës në vitin 2010 pa e përdorur termin “gjenocid”!
Në korrik të vitit 2014, Gjykata në Hagë e pranoi pjesërisht edhe ankesën e nënave dhe të të vejave të viktimave të Srebrenicës kundër shtetit holandez dhe forcave të saj të armatosura. Gjykata vendosi se batalioni holandez është përgjegjës për vdekjen e meshkujve nga Srebrenica, të cilët në korrik të vitit 1995 ishin në bazën e OKB-së në Potoçari. Gjykata në Holandë tre muaj më parë vendosi se gjenerali në pension, Tom Karemans, komandanti i paqeruajtësve holandezë në Srebrenicë nuk mund të ndiqet penalisht. Vendimi i Departamentit Ushtarak të Gjykatës në Arnhem (Gjermani) thotë se “Karemans nuk mund të ndiqet penalisht në bazë të përgjegjësisë komanduese”.
Gjenocidi la gjurmë të thella në vetëdijen e shumë ushtarëve holandezë, të cilët në atë periudhë ishin me detyrë në Srebrenicë. Shumica e tyre, ashtu si Roy Zomer, morën mbështetje psikologjike. Ndërkaq disa të tjerë nuk arritën ta kapërcejnë traumën, pavarësisht mjekimeve që morën dhe zgjodhën rrugën e vetëvrasjes. Organizata joqeveritare holandeze ACOM ka kryer një studim i cili ka dëshmuar se deri në 10 pjesëtarë të batalionit holandez që ishte në Srebrenicë kanë kryer vetëvrasje dhe se në të njëjtën kohë rreth 70 për qind janë larguar nga ushtria për shkak të ndjenjës së fajit. Avokatët dhe organizatat bamirëse që i ndihmojnë ish anëtarët e forcave të armatosura thonë se narkomania, krimi i organizuar dhe format e ndryshme të dhunës janë më të përhapura në mesin e ushtarëve që shërbyen në Srebrenicë, por edhe në mesin e veteranëve të misioneve të tjera të OKB-së.
Sipas dokumenteve të filmuara dhe fotografive ekzistuese, në gjenocidin në Serbrenicë është përfshirë edhe Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa forcat kriminale serbe “Skorpionët”, para se të niseshin në këtë operacion kriminal, e morën bekimin e Kishës Serbe.
Gjykata holandeze, me vendimin që e kishte marrë në vitin 2014, arriti në konkluzionin se ushtarët e misionit paqeruajtës të Holandës në Bosnjë, nga rreth 9 mijë boshnjakë të masakruar në Srebrenicë, janë përgjegjës vetëm për vdekjen e 300 prej tyre, që ua kishin dorëzuar serbëve çetnikë. Helmetat blu, numri i të cilëve ishte rreth 300, zgjodhën rrugën e mospërdorimit të armëve përballë serbëve që ishin afër dy mijë…
Parlamenti Europian, gjatë seancës plenare në Strasburg (korrik 2015), e miratoi një rezolutë që e dënon fuqishëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq dhe të njësive paramilitare serbe. Teksti i rezolutës përmban edhe dy ndryshime:
– dënon veton e përdorur nga Rusia kundër rezolutës britanike për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; dhe
– përshëndet vendimin që 11 korriku të shpallet ditë zie në Bosnjë e Hercegovinë në kujtim të viktimave.
Sipas rezolutës së OKB-së, agresorët ndaj Bosnjë e Hercegovinës ishin: Serbia dhe Mali i Zi, ish armata jugosllave, formacionet paraushtarake dhe partia terroriste demokratike serbe e Bosnjës (SDS).
Ndihmësit e tërthortë, të vetëdijshëm dhe të pavetëdijshëm, ata me paramendim dhe pa paramendim, në agresion ndaj Bosnjës e Hercegovinës janë të shumtë, pra të gjithë ata faktorë të cilët ishin të ngarkuar për krizën në ish-Jugosllavi. OKB-ja, në mënyrë të dyfishtë, e ndihmoi agresorin serb. Së pari e ndihmuan duke vënë embargon për armatim ndaj të gjitha republikave të ish-Jugosllavisë. Ky do të ishte një vendim i mençur dhe i mirëseardhur po qe se para këtij vendimi Serbia e Millosheviqit nuk do ta kishte vjedhur e plaçkitur gjithë armatimin nëpër fabrikat ushtarake të ish Jugosllavisë, si dhe armatimin e mbrojtjes territoriale të republikave. Kjo tregon se kujt i ndihmoi vendimi për embargo në armatim dhe për cilin në të vërtetë ishte vdekjeprurës dhe fatal!
“Kultura e paqes”
Pas luftës së Bosnjës e Hercegovinës, Srebrenica hyri nën juridiksionin e Republika Srpskas, më e vogla nga dy entitetet në Bosnje e Hercegovinë. Megjithatë, numri i popullsisë aty është ulur në dy të tretat në krahasim me periudhën e paraluftës. Gjithsej rreth 13,000 njerëz jetojnë në qytet dhe fshatrat përreth dhe një shumicë e vogël deklarohen si boshnjakë. Sot Srebrenica i ngjan një qyteti fantazmë. Nuk ka pothuajse asnjë dyqan dhe asnjë stacion autobusi. Në Srebrenicë nuk mund të blesh as një gazetë ditore. Të rinjtë largohen, sepse nuk shohin perspektivë për veten.
Rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj të vitit 2024 me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, u propozua nga Gjermania dhe Ruanda.
Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën “Kultura e paqes”. Sipas kësaj Rezolute, 11 korriku shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe bën thirrje për përfshirjen në programet mësimore të fakteve rreth gjenocidit të pranuar nga gjykatat.
Në versionin përfundimtar të Rezolutës për Srebrenicën është përfshirë amendamenti i Malit të Zi, i cili thotë se përgjegjësia penale për gjenocidin sipas ligjit ndërkombëtar është individuale dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi etnik, fetar apo një komuniteti si të tërë (d.t.th. pa emër dhe numër të kryerësit)!
Në pikën nr. 6 të Rezolutës “kërkohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të hartojë një program informimi të titulluar ‘Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara’, duke filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në vitin 2025, dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që të sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile për respektimin e duhur”.
Ndërkaq në pikën nr. 7 Rezoluta i fton “të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe organizatat rajonale dhe shoqërinë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara për ta respektuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë komemoracione dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe edukimin e duhur dhe aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit”[1].
Sidoqoftë, pro miratimit të Rezolutës, votuan edhe: Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia. Kundër Rezolutës u radhitën: Antigua, Bjellorusia, Kina, Komoret, Kuba, Koreja e Veriut, Kongo, Dominika, Eritrea, Eswatini, Grenada, Hungaria, Mali, Nikaragua, Nauru, Rusia, Sao Tome, Serbia dhe Siria. Hungaria është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europian që votoi kundër miratimit të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë.
Përkujtim
Srebrenica, megjithatë, është vetëm maja e një lufte të përgjakshme dhe shkatërruese në Bosnjë e Hercegovinë, të cilën udhëheqësit e atëhershëm serbë e kanë drejtuar me një bindje të thellë. Vërtetë është tallje e thjeshtë nëse kërkohet që t’ua falin fajin vrasësve! Kujt duhet t’ia falin, nëse vrasësit nuk kanë kërkuar falje, kur fëmijët serbë nëpër shkolla në Srebrenicë edhe më tej e festojnë dhe i këndojnë Ratko Mlladiqit, kur në dasmat serbe në disa vende ende barten fotografitë e Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit?!
Njerëzit e këtillë nuk duan falje dhe pajtim, ndërsa të vërtetën nga Srebrenica nuk mund ta durojnë. Edhe për këtë shkak ky vend i vogël i Ballkanit do të ketë për një kohë të gjatë kujtime të freskëta nga dështimi i tmerrshëm i bashkësisë ndërkombëtare.
Ky gjenocid mbetet pika më e ulët e qytetërimit në historinë e re europiane. Edhe një kohë të gjatë kjo do të na kujtojë se sa e brishtë është paqja në Europë. Ndërkaq refuzimi i Rusisë në KS të OKB-së dëshmon se disa nuk kanë mësuar asgjë nga e historia. Atëherë kur barbarizmi, racizmi dhe fundamentalizmi religjioz bëhen aleatë, me qëllim që ta çrrënjosin një popull, politika nuk do të kishte kuptim, sepse në raste të këtilla vdekja bëhet më e dëshiruar se vallëzimi shpirtëror.
Në rastin e Europës të shekullit të njëzetë, një vdekje e këtillë kolektive ndodhi në Srebrenicë, ku është kryer gjenocid klasik i përmasave të gjera. Atë gjenocid duhet shënuar dhe përkujtuar jo për shkak se ndodhi mu në zemër të Europës, por për mos ta falur asnjëherë. Dhashtë Zoti që të mos përsëritet askund në botë!
[1] https://albanianpost.com/rezoluta-per-gjenocidin-ne-srebrenice-miratohet-nga-asambleja-e-okb-se/ (22.06.2024).