loader image
November 21, 2024

Srebrenica është maja e ajsbergut e gjenocidit serb kundër myslimanëve të Ballkanit

Që nga Kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid myslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi.

Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar më 23 maj 2024 rezolutën për krimin e gjenocidit në Srebrenicë, që do të ketë si datë përkujtimi 11 korrikun. Rezoluta është dokument shumë i rëndësishëm, por sado që ta adresojë përgjegjësinë për gjenocidin, ajo nuk do të mund ta adresojë gjithë përgjegjësinë e Serbisë dhe të kombit serb për krimet e kryera kundër myslimanëve të Bosnjes dhe të Ballkanit për mbi një shekull. Aq me tepër që ato krime nuk janë sistematizuar e specifikuar saktësisht.

Shumë pyetje pa përgjigje

Prandaj, pyetjet si këto më poshtë do të mbeten që të marrin përgjigje nga historiografia, e jo nga drejtësia. Pse ka ndodhë gjenocidi në Srebrenicë e në Bosnjë, ku në mënyrë të planifikuar janë ndarë meshkujt nga femrat dhe janë sistemuar për t’u ekzekutuar? Pse ka zgjatur aq vite rrethimi dhe bombardimi i Sarajevës, ku njerëzit janë vrarë në mënyrë të planifikuar, për të shkatërruar jo vetëm qëndresën civile, po edhe shëndetin mendor e riprodhues të boshnjakëve? Pse anekënd Bosnjës me mijëra trupa të viktimave boshnjake janë hedhur në lumenj, janë fshehur nëpër shpella, janë djegur? Pse sulmi në Reçak ka qenë aq brutal, ku trupat e të vrarëve janë masakruar, duke ua prerë edhe kokën ose gjymtyrët e tjera të trupit? Pse sulmi në familjen Jashari në Prekaz ka qenë joselektiv, ku janë vrarë fëmijë e gra? Pse janë bombarduar qindra fshatra shqiptare të Kosovës në mënyrë të planifikuar për ta realizuar spastrimin etnik? Pse janë bartur me kamionë qindra kufoma nga Kosova në Batajnicën e Beogradit ose janë fundosur në ujërat e liqenit Peruqac? Meqë gjenocidi  në Srebrenicë e BeH dhe në Kosovë ka ndodhë në fundin e shekullit XX, nën reflektorët e medieve globale dhe të organizatave ndërkombëtare, në shikim të parë duket si një verbëri politike e Serbisë. Si ishte e mundur që Serbia të organizonte krime aq të përbindshme, pa e pasur brengën për reagimet e opinionit publik dhe të organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në e NATO-n? Aq më tepër që pikërisht në këtë periudhë Rusia ishte në pikën më të dobët të saj si shtet, gjë që e bënte të qartë se ajo nuk mund ta ndihmonte projektin e ri të Serbisë së Madhe. Këtë gjë e ka pohuar edhe ish presidenti i federatës jugosllave, Borisav Joviq, i cili pati pohuar se gjeneralit Kadijeviq, të cilin ai e Millosheviqi e kishin dërguar fshehurazi në Moskë, i ishte thënë prerazi se Rusia nuk mund t’u ndihmonte.

Hakërrimi serb i viteve 1991-1999 e kishte burimin te garancitë e vjetra

Atëherë shtrohet pyetja: ku e kishte motivimin dhe mbështetjen ai projekt gjenocidal kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës në fundin e shekullit XX, pas rënies së Murit të Berlinit, kur Serbia nuk e kishte as sponsorizimin e Rusisë, fjala vjen, si në luftërat ballkanike? Ka një shpjegim të vetëm të logjikshëm: që nga Kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid myslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi. Me atë rol, si shtet vrasës dhe çrrënjosësh i myslimanëve të Ballkanit, Serbia ka bërë spastrim etnik në vitet 1878-1879 në sanxhakun e Nishit dhe gjenocid në dy luftërat ballkanike. Për të gjitha ato krime që ka bërë shteti serb ai është shpërblyer me territore e me aleanca të forta në konferencat e mëdha ndërkombëtare (Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Versajës.) Pra, e mësuar me atë praktikë të moçme, lufta e Serbisë në Bosnjë në vitet 1991-1995 dhe në Kosovë në vitet 1998-1999 ka qenë me parashenjë të theksuar fetare, për çka tashmë ka shumë studime. Dëshmi ka në vetë publicistikën serbe, në deklarimet dhe veprimet e hierarkëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe në fjalimet e ndryshme të Millosheviqit, Sheshelit, Drashkoviqit, Vuçiqit. Fjala vjen, slogani “osvetiti Kosovo” (të hakmerremi për Kosovën) gjithmonë i referohej një hakmarrjeje për disfatën serbe nga osmanët në vitin 1389, duke i perceptuar shqiptarët e shekullit XX si përgjegjës për ngjarjen e shekullit XIV. Pra, motivi i urrejtjes dhe i hakmarrjes ishte me burim fetar. Këto dy agresione gjenocidale të Serbisë në vitet 1991-1999 janë filluar me pritshmërinë e kreut shtetëror e fetar serb se ai rol i hershëm i Serbisë do të tolerohej, e pakta për pacifikimin e boshnjakëve dhe të shqiptarëve. Vizita e Miteranit në Sarajevë, për bllokimin e presioneve kundër serbëve, mund të përdoret si një ilustrim. Në fakt, agresioni në Bosnjë u tolerua dhe u shpërblye, ndërsa në Kosovë u tolerua deri në një masë, por u ndëshkua. Konferenca e Dejtonit ia kufizoi Serbisë rolin hegjemonist në Bosnjë në vitin 1995, por nuk ia eliminoi atë rol tërësisht. Republika Srpska, si krijesë dejtoniane, ende e ka atë rol shtrëngues kundër myslimanëve në Bosnjë. (Në disa raste Republika Srpska është e koordinuar edhe me qarqet nacionaliste kroate të Hercegovinës dhe e përkrahur haptas nga liderë europianë islamofobë, si fjala vjen, Viktor Orbani.) Ndërsa bombardimet e NATO-s, në muajt mars-qershor 1999, ia hoqën Serbisë rolin e shtetit kolonial nga Kosova, por nuk e çmontuan tërësisht prezencën e Serbisë në Kosovë. Prandaj Serbia atë prezencë po e shfrytëzon për të krijuar rrethana të reja për rolin e dikurshëm. Fatkeqësisht kanë ngelë disa shtete në Europë (së bashku me Rusinë) që duan t’ia kthejnë Serbisë atë rol mbi shqiptarët e Kosovës.

Po eksponentët vendor të projektit islamofobik serb ç’po duan?

Për synimet e errëta të një hakmarrjeje të re kundër myslimanëve në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarqet serbe dhe qarqe të caktuara islamofobike europiane kanë rekrutuar edhe ndoca eksponentë vendorë, të cilët zhvillojnë luftë speciale psikologjike kundër shqiptarëve myslimanë pikërisht në Kosovë. Motoja e kësaj lufte speciale është se gjoja kalimi në Islam ka qenë devijim nga shqiptarizmi, prandaj myslimanët nuk janë shqiptarë, por janë turko-arabë. Çuditërisht në këtë pikë teza e tyre është e njëjtë me atë të krimineles serbe së luftës, Bilana Pllavshiqit, e cila për myslimanët e Bosnjës thoshte se “bëhet fjalë për një material gjenetikisht të dëmtuar serb, që kishte kaluar në Islam”. Ka vite që kjo tezë bio-raciste e Bilana Pllavshiqit është adoptuar për përdorim edhe këtu në Kosovë, kundër shqiptarëve të besimit islam. Bile sa më shumë që po konsolidohet agresiviteti serb kundër Kosovës, aq më shumë po shtohet edhe kjo lloj lufte speciale e eksponentëve islamofobë lokalë. Nuk ka asnjë dilemë që Serbia definitivisht i është rikthyer politikës së kryqëzatës ortodokse në drejtim të Kosovës, sipas modelit që pati zbatuar më shumë në Bosnjë. Në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta nuk pati sukses ta zbatonte, sepse ajo doktrinë iu komprometua tërësisht në Bosnjë. Në këtë kontekst, edhe roli aktiv i katolikëve shqiptarë, si pjesë integrale e lëvizjes për pavarësi e çlirim në Kosovë, që nga pajtimet e gjaqeve, organizatat humanitare, lëvizja politike e deri te pjesëmarrja në UÇK, ua pati djegur në dorë letrat fundamentalistëve ortodoksë serbë dhe shërbëtorëve të tyre. Por, Serbia po tenton t’i rikthehet atij projekti, e bindur se shqiptarët në realitetet e reja, të provokuar vazhdimisht, ka mundësi ta humbin orientimin strategjik. Kjo shihet qartë jo vetëm në deklarimet e hierarkëve ortodoksë serbë dhe politikanëve serbë. Absurde është që kjo shihet edhe në nisma vendore absurde të frymës së Rekonkuistës, të emërtuar si gjoja iniciativë për braktisjen e fesë islame. Në esencë, hapja e kësaj teme synon të shërbejë si provokim për ta shndërruar reagimin e shumicës në një “provë të ekstremizmit islamik”, ndërsa atë reagim pastaj Serbia ta shfrytëzojë si “corpus delicti” për ta rimarrë sërish kujdestarinë për disiplinimin e myslimanëve të Ballkanit, me theks te shqiptarët e Kosovës, meqë ata jetojnë në tokën të cilën serbët e kanë shpallur “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb”. Por, ne – shqiptarët e Kosovës – nuk kemi asnjë arsye ta humbin orientimin atlantik. Serbia e ka humbur Kosovën në procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, me spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare që ka shkaktuar. Serbia e ka humbur Kosovën në konfrontim me NATO-n. Prandaj ëndrra e saj për kthim hakmarrës në Kosovë nuk mund të realizohet kurrë përderisa Kosova e shqiptarët janë aleatë dhe pjesë e Aleancës Veriatlantike. Derisa është kështu, ëndrra e Serbisë mbetet vetëm një makth i saj. Pas dënimit të krimit të gjenocidit në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pozita e Serbisë do të jetë në mënyrë afatgjate e kompromentuar. Përfundimisht mund të thuhet se vetëm nëse në Kosovë triumfon antiatlantizmi dhe nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë e ashtu ta kërcënonte Europën, ai halucinacion i saj mund të tentojë të ringjallet. Por, nuk duhet të injorohet pretendimi i saj kurrë, sepse siç ka thënë ideologu i Putinit, Aleksandër Dugin, lufta e Rusisë për ta rikthyer Kosovën brenda shtetit serb do të vazhdojë deri në ditën e fundit në Tokë!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X