loader image
December 3, 2024

Shteti dhe dilemat e sigurisë

Në kontekstin ballkanik, sado që për shqiptarët ky shekull ka shënuar një ndryshim drastik pozitiv të gjendjes së tyre të përgjithshme, asnjë garanci nuk mund të merret e mirëqenë e për të festuar kështu “fitoren e përhershme”. Lirinë dhe sigurinë nuk ta jep askush. Ashtu siç arrihet ajo me përpjekje e sakrificë, ashtu mbahet, mirëmbahet e lartësohet. Por historia politike e popujve ka treguar se asnjë shtet nuk është i vetëmjaftueshëm, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit social, ekonomik, industrial, ushtarak e kulturor.  

Blerim HALILI, Prishtinë

Shteti është një organizim politik e shoqëror i cili, për të funksionuar dhe zhvilluar si duhet, mbështetet në disa premisa. Në fakt, këto premisa përbëjnë parakushtet themelore për të mundësuar shtetin dhe për t’i dhënë atij kuptimin dhe funksionin praktik. Dhe, meqenëse vetëdija dominuese politike në botë sot vazhdon të jetë ajo që identifikohet me shtetin modern, një gamë e tërë soditjesh konceptuale dhe veprimesh njerëzore është e orientuar drejt dhënies së përgjigjeve ndaj disa pyetjeve dhe dilemave vendimtare në lidhje me pikërisht shtetin modern.

Nevoja e shtetit për aleatë

Çka e bën një vend të jetë shtet, cili është funksioni i shtetit në një shoqëri moderne, cili është raporti ndërmjet lirisë, sigurisë e mbrojtjes, në njërën anë, dhe shtetit, në anën tjetër, por edhe ai ndërmjet barazisë, mirëqenies e drejtësisë, në njërën anë, dhe shtetit, në anën tjetër, dhe si definohet ky raport? Këto janë disa nga pyetjet që presin përgjigje të argumentuar dhe në kontekste specifike në të cilat ndodhen popujt. Një moment i rëndësishëm në lidhje me shtetin është ai që i përket sigurisë, përkatësisht pyetja se si dhe sa mund të jetë një shtet i sigurt, sa mund të ofrojë siguri për qytetarët të cilët i përfaqëson dhe të cilët jetojnë brenda territorit të vet? Çfarë e definon sigurinë të cilën e ofron një shtet për mbrojtjen e qytetarëve të vet? Kjo pyetje na kthen tek premisat që e definojnë, mundësojnë dhe kuptimësojnë shtetin. Territori, ekonomia, gjuha, simbolet dhe kultura (mitet e përbashkëta), mbrojtja dhe siguria janë disa nga premisat që e mundësojnë shtetin. Shteti mund të dështojë në ofrimin e “misionit” të tij nëse njëra nga premisat rrezikon të humbet. Kështu, për të mbetur në detyrën e vet, një shteti nuk i mjafton vetvetja. Prandaj në një botë me siguri të lëkundur, siguria është dilema kryesore e soditjes aktuale. Siç ka varësi nga ekonomia, industria, komunikimi e teknologjia, shteti modern ka varësi edhe nga siguria dhe mbrojtja e përbashkët me shtete, vende dhe aleanca me të cilat ndan interesa ose vlera të përbashkëta. Ky takim interesash dhe/ose vlerash përbën një bosht të rëndësishëm të ballafaqimit dhe një triumfi moral e praktik mbi dilemën e sigurisë, kur përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të praktikave të mbrojtjes, mundësohet një mjedis më i sigurt, ashtu siç priret të gjykojë natyra njerëzore, i menduar si më i sigurt.

Liria dhe siguria nuk janë të mirëqena

Në kontekstin ballkanik, sado që për shqiptarët ky shekull ka shënuar një ndryshim drastik pozitiv të gjendjes së tyre të përgjithshme, asnjë garanci nuk mund të merret e mirëqenë e për të festuar kështu “fitoren e përhershme”. Lirinë dhe sigurinë nuk ta jep askush. Ashtu siç arrihet ajo me përpjekje e sakrificë, ashtu mbahet, mirëmbahet e lartësohet. Por historia politike e popujve ka treguar se asnjë shtet nuk është i vetëmjaftueshëm, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit social, ekonomik, industrial, ushtarak e kulturor. Aq më pak kur rrethohesh me fqinj me aspirata të qarta shoviniste dhe tendenca të agresionit të hapur, siguria nuk mund të merret e mirëqenë, e as mbrojtja vetanake e mjaftueshme. Procesi i konsolidimit të shtetit në territorin dhe ekonominë e vet, prandaj, është i varur nga vullneti dhe zhvillimi i brendshëm (jo vetëm politik e ekonomik, por edhe social e vleror, ku përfshihet solidariteti dhe ndjenja e përkatësisë dhe përgjegjësisë qytetare për trashëgiminë historike dhe “shenjtërinë” e botës “sonë” të përbashkët), por edhe nga pozicionimi në konstelacionin ndërkombëtar.

Harta klasike e aleatëve të shqiptarëve po përsëritet

Shqiptarët, në hapësirat ku jetojnë, siç kanë vepruar në të shumtën e herëve brenda njëqindvjeçarit të fundit (por, jo gjithmonë), edhe sot i definojnë qartë aleatët strategjikë ku mund të adresojnë dhe presin përmbushjen e misionit të sigurisë. Tradita e mendimit politik shqiptar, me kohë, ka shuar disa dilema rreth orientimit politik dhe kulturor të shqiptarëve. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sigurinë, boshti perëndimor, përkatësisht euroatlantik, me të drejtë vazhdon të jetë referenca dhe interesi kryesor nacional shqiptar. NATO. me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Kroacinë, Turqinë, janë vetëm disa nga shumë aleatët, ku shqiptarët, me të drejtë, prapë adresojnë shqetësimet e tyre të sigurisë, por jo vetëm. Por, ky proces i pozicionimit në arenën ndërkombëtare në favor të interesit të brendshëm është  komplementar, ngase dhënia pas aleatëve në një sens folklorik, pa rezonim kritik për veten, pa zhvillimin e brendshëm ekonomik, forcimin e kapaciteteve ushtarake të mbrojtjes dhe hartimin e zbatimin e politikave për shtet ligjor dhe barazi do të rezultonte e kotë. “Storia” dhe përpjekja e brendshme është primare, është qenësore. Ajo kuptimëson çdo gjë tjetër që vjen pas saj. Ajo lidhet me besimin në vendin tënd, në progresin dhe vlerat që ka trashëguar dhe i kultivon, një besim pothuajse abstrakt e imagjinar, sikur bota e jashtme të mos ekzistonte. Vetëm ky nivel i vetëdijes për veten, pra për shtetin dhe komunitetin, do ta bënte të denjë “luftën” për të mirëmbajtur e forcuar lidhjet me aleatët. E kundërta e saj është një gënjeshtër kolektive që dështimin e projekton tek shpresa për kujdesin e tjetrit. Dhe, në një nivel teorik, tjetri nuk mund të ekzistojnë pa ekzistuar së pari uni, vetja që e mundëson dhe kuptimëson tjetrin. Prandaj, mbështetja tek aleatët nuk mund të shërbejë si justifikim për ngecjet e shumta në planin e brendshëm ekonomik, industrial e ushtarak.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X