E kaluara, sado e lavdishme të jetë, duhet lexuar me akull të mendjes, në mënyrë që nacionalizmi të mos shndërrohet në strehën e demagogëve që poshtë petkut të dashurisë për kombin fshehin kamën e pabesisë. Në ditët e sotme, dhe jo vetëm, pabesia më e madhe ndaj kombit është tollovia që mpak energjinë mendore dhe vepruese të brezave të rinj në dobi të interesit kombëtar.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Të njohësh veten. Të qëmtosh skutat e saj më të thella. Të kuptosh pengesat që të sfidojnë për të qenë njeri i mirë më së pari dhe pasandaj atdhetar i mirë. Të hulumtosh për të zbuluar rrënjët historike dhe ecurinë e zhvillimit dhe ndërtimit të kombit, shtetit, shoqërisë, institucioneve, është domosdoshmëri. Jo se nuk na vyejnë fjalët e të huajve që kanë kaluar në këtë vend e kanë lënë përshtypjet e tyre për shqiptarët, por shqiptari duhet të njohë në thellësi atë çfarë e ka bërë këtë që është sot, duke analizuar vetveten. Shqiptari duhet të njohë identitetin e tij, kush është dhe çfarë roli duhet të ketë në jetë. Për këtë duhet të qëndrojë përballë vetes dhe para së gjithash të njohë të metat e saj që t’i përmirësojë dhe të mirat e vetes që t’i ruajë përballë zhvillimeve modernizuese.
Nacionalizmi
Rilindësit shqiptarë folën për një dashuri pa kushte ndaj atdheut, edhe pse shumë prej tyre jetuan e vepruan jashtë territoreve shqiptare. Të duash atdheun tënd është krejt e natyrshme. Njeriu formohet përmes një procesi zhvillimi kulturor në vendin ku lind dhe rritet. Ky vend i bëhet “mëm e at”. Kudo që të emigrojë dhe jetojë, origjina është një hije që nuk i ndahet. Mohimi i përkatësisë kombëtare apo tjetërsimi i saj nuk është ndonjë akt mençurie apo gjenialiteti. Por, as mburrja me të madhe, duke e specifikuar këtë përkatësi si element i padiskutueshëm i superioritetit në raport me kombe të tjerë. Lidhja e njerëzve të një vendi ka qenë edhe më herët se të zhvillohej koncepti mbi kombin. Tradita historike, zakonet, përkatësitë fisnore e krahinore, gjuha e përbashkët, besimet fetare janë realitete mbi të cilat u ndërtua ideja e kombit prej rilindësve. Të jesh ndër popujt më të vjetër të Europës, të kesh mbërritur deri në ditët e sotme pa u asimiluar e tjetërsuar, nuk duhet të na marrë mendjen e të biem pre e emocioneve pa vend. E kaluara, sado e lavdishme të jetë, duhet lexuar me akull të mendjes, në mënyrë që nacionalizmi të mos shndërrohet në strehën e demagogëve që poshtë petkut të dashurisë për kombin fshehin kamën e pabesisë. Në ditët e sotme, dhe jo vetëm, pabesia më e madhe ndaj kombit është tollovia që mpak energjinë mendore dhe vepruese të brezave të rinj në dobi të interesit kombëtar.
Komunizmi
“Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” Thirrje e ideologjisë komuniste që përpiqet të mbivendoset në ndërgjegjen kombëtare për ta shndërruar njeriun në globalist antiimperialist, ku përmasa themelore e identitetit njerëzor është bindja pa kushte ndaj monizmit ideologjik. Njeriu i përpunuar në një laborator të tillë ideologjik elementët e tjerë që ndërtojnë identitetin njerëzor dhe atë kombëtar do t’i vendosë në shërbim të ideologjisë, në mos pastë mundësi për t’i zhdukur tërësisht nga vetvetja. Hap pas hapi do të ndërtohet njeriu i ri, i cili në vend që të shqetësohet për realitetin e prekshëm me të cilin jeton çdo ditë, detyrohet të besojë në një të ardhme të ndritur që nuk dihet në do ta mbërrijë ndonjëherë. Për këtë bën sakrifica të panumërta në emër të ideologjisë, duke mos u shqetësuar për tatëpjetën e kombit dhe mirëqenien e vendit ku jeton. Tashmë është e njohur me prova dhe fakte historike natyra kriminale dhe djallëzore e ideologjisë komuniste në Shqipëri dhe kudo në botë. Kushdo që mendon kthjellët e ka të qartë dëmin e pamatë që kjo ideologji i ka sjellë kombit shqiptar. Bashkim-vëllazërimi pa dallim feje, krahine dhe ideje në parim është i drejtë, sepse i shërben unitetit kombëtar, por demagogët janë gjithmonë të pabesë dhe të drejtën, po të mos ua ndalë kush hovin, e përdorin për t’u shfaqur si shërbëtorët më të përvuajtur ndaj kombit. Ndërkohë, me internacionalizmin e ideologjisë e bëjnë popullin të dojë sivëllezërit e vet komunistë dhe t’i urrejë armiqtë e jashtëm e të brendshëm, jo ata të vërtetët, sepse të vërtetët janë vetë, por të urrejë armiqtë ideologjikë dhe t’i dojë vëllezërit ideologjikë. Përdorimi i ideologjisë si gjykatësi e miqësive ose armiqësive solli tragjedi të rënda për shqiptarët. Dashuria dhe urrejtja mbi baza politike dhe jo mbi baza morale (si premisë për të kritikuar dhe korrigjuar të keqen dhe jo për të ushqyer përçarjen) vazhdon të jetë prezente edhe sot e kësaj dite në mesin e shqiptarëve. Kjo frymë i shërben zjarrit të përçarjes mes shqiptarëve dhe kushdo që vihet në shërbim të mbjelljes dhe ushqimit të këtij zjarri është antikombëtar.
Liberalizmi
Në drejtim të zhbërjes së identiteteve kombëtare, liberalizmi është po aq globalist sa ideologjia komuniste, por internacionalizmin e vet e strukturon mbi kozmopolitizmin dhe jo përkatësinë ideologjike. Më i fuqishmi materialisht përpiqet të eksportojë modelin e vet kulturor dhe përmes masmedias të shkohet drejt një njëtrajtëzimi global të kulturës, politikës dhe sistemit ekonomik. Popujt e dobët materialisht dalëngadalë përthithin modelin e më të fuqishmit në emër të ndërtimit të së resë dhe humbin pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Është një ecuri e ngadaltë, e pandjeshme, por që çon ujë në mullirin e liberalizmit. Edhe ato pak copëza trashëgimie që ruhen ose bëhen përpjekje për t’u ruajtur më shumë, i shërbejnë më kuriozitetit njerëzor sesa zhvillimit të kulturës dhe vetëdijes kombëtare. Jeta liberale është joshëse, por krijon realitete hibride të cilat më së shumti i shërbejnë trazimit kulturor, shoqëror dhe humbjes së vlerave e virtyteve që vijnë nga tradicionalizmi. Në rrjedhën e kohës, kulturat kombëtare, që nuk arrijnë t’i mbijetojnë valës atrofizuese të liberalizmit globalist, shkojnë drejt zbehjes dhe ose humbin njëherë e mirë ose kthehen në relikte muzeale. Shqiptarët nuk duhet që internacionalizmin proletar të së djeshmes ta zëvendësojnë me liberalizmin globalist të së sotmes, duke i bërë llogaritë vetëm me përfitimet materialiste. Vlerat kombëtare të gdhendura në hapësirën e shekujve dhe që i shërbejnë njeriut për të qenë njeri medoemos duhen ruajtur dhe përcjellë tek brezat e rinj .
Feja
Në ditët e sotme realiteti fetar ndër shqiptarë nuk është më ai i kahershmi. Përpjekjet modernizuese të para 1945-tës, ateizmi i dhunshëm 1945-1990 dhe indiferenca ndaj përndritjes shpirtërore pas 1990-tës kanë krijuar një realitet ku më së shumti po mbizotëron etja për pasurim material, pangopësia dhe lënia mënjanë e virtyteve në ndërtimin e mënyrës së të jetuarit. Kjo ka sjellë dhe ndryshim në raportin fe – komb, duke i parë si dy njësi të ndara nga njëra-tjetra, duke ndezur shpesh dhe debate se kujt duhet t’i japim më shumë përparësi dhe kë duhet ta vlerësojmë më shumë. Rilindësit shqiptarë, etërit e kombit, jo vetëm që nuk i kanë parë të ndara fenë dhe kombin, por shumë prej tyre kanë qenë thellësisht fetarë dhe e kanë vendosur veten, pasurinë, dijen dhe shpirtin e tyre në shërbim të kombit shqiptar, duke mos marrë pas asnjë përfitim material. Nëse sot debatet mbi këtë çështje trazohen qëllimisht për të çuar ujë në mullirin e interesave antikombëtare, mjafton të ndjekim shembullin e rilindësve shqiptarë dhe kjo skotë le të rrahë më pas ujin në havan. Kushdo që është fetar i mirë, është edhe atdhetar i mirë.
Dashuri për vendin ku ke lerë
Ta duash vendin ku ke lerë e je rritur është gjëja më e natyrshme tek njeriu. Është dashuri ndaj vetes, ndaj atyre që të kanë mëkuar, të kanë përkundur, të kanë edukuar dhe të kanë dhënë vlerat që i duhen njeriut për të qenë njeri. Kudo që shkon njeriu nuk duhet ta mohojë vendin ku ka lerë e është rritur. Ndryshe mohon gjithë sa thamë. Të mohosh trashëgiminë tënde, ta flakësh tej dhe të veshësh një kostum të huaj kjo nuk të bën nder e nuk të bën njeri më të mirë. Përkundrazi. Nëse vendi ka problemet e veta, e të mos harrojmë se çdo vend ka problemet e tij, kjo nuk është arsye për të urryer vendin, kombin, traditën. Nëse e duam vendin, nuk duhet ta duam për ta zhvatur, por ta duam sepse është shtëpia jonë e përbashkët. Nuk duhet menduar vetëm për interesat meskinë, por të punojmë që mirësia të mbizotërojë, që zemrat të përmirësohen moralisht dhe që dinjiteti njerëzor të mos merret nëpër këmbë nga ata që duan që shqiptari të jetë i varfër, i çorientuar, i zhgënjyer, i lodhur, i pashpresë, i përhumbur në vese. Problemeve dhe vështirësive duhet t’u tregojmë kurajën dhe personalitetin. Le të mundohemi të gjithë nga pak në këtë udhë dhe e ardhmja nuk do të jetë e errët si e mendojmë!
Zgjim kulturor mes Lindjes e Perëndimit
Pas 1990-tës u duk sikur liria e shumëpritur do të bënte mrekulli dhe do të ndodhnin gjëra të mëdha që Shqipëria të bëhej si gjithë Europa. Shpresat ishin të mëdha. Besohej se tani që do të ndiqnin modelin perëndimor në qeverisje, ligje, institucione, sistem arsimor, sistem ekonomik, do merrnin fund hallet e shqiptarëve që dolën nga regjimi komunist në pikë të hallit. Përpjekja e regjimit komunist për të këputur lidhjet me traditën kishte bërë dëmin e vet tashmë. Era e lirisë rizgjoi tek shqiptarët etjen për jetë. Por, keqkuptimi i lirisë dhe besimi i verbër se çdo gjë që vjen nga Perëndimi është absolutisht e vlefshme dhe e duhur, bëri që trashëgiminë e pasur shpirtërore që ishte mbrujtur ndër shekuj, sa nga Perëndimi dhe Lindja, të mos e merrnin në konsideratë si pjesë e pazhbëshme e vetvetes. Fati na ka vendosur mes Lindjes e Perëndimit. Shqiptarët, në të kaluarën, kanë ditur të përvetësojnë si nga Perëndimi, si nga Lindja dhe bazuar në kushtet ku kanë jetuar të forcojnë vlerat dhe traditën e tyre. Në ditët e sotme, kur nevojat për kulturë e arsim janë edhe më të mëdha, shqiptarët duhet të marrin më të mirat e Lindjes dhe Perëndimit. E mira dhe e keqja rrojnë bashkë me njeriun dhe nuk kanë përkatësi gjeografike. Prandaj në emër të zgjimit kulturor nuk mund të bëhemi më katolikë se papa. Nëse shqiptari e pranon vetveten ashtu siç është dhe nuk ndihet i kompleksuar nga ide që ushqejnë inferioritetin përballë Europës, do të jetë më vital dhe më energjik për të treguar vlerat e tij të nëpërkëmbura nga sisteme politike kundërnjerëzore. E në këto përpjekje vendimet nuk duhen t’i lihen në dorë vetëm klasës politike, por duhet të jetë fjala e mendimtarëve, burrave të mençur e të urtë, që këtij vendi nuk i mungojnë, në mënyrë që prej këtij zgjimi kulturor dhe etjeje për jetë të përfitojnë shqiptarët në të gjithë hapësirën, të përfitojë kombi në të gjitha drejtimet.
Realiteti historik – shqiptarët në disa shtete
Historia nuk bëhet me sikur, edhe pse shpesh mund ta përmendim këtë. As rilindësit, asokohe, e as kushdo ecën udhës së tyre nuk do ta dëshironte ta shihte realitetin shqiptar të ndarë në disa shtete. Fati ishte i tillë. Secila pjesë mori natyrën e zhvillimeve sipas shteteve përkatëse. Shqiptarët e kanë pasur të vështirë rrugën e historisë dhe kjo tregon edhe vlerat e tyre, paçka se shumë i kritikojnë dhe përpiqen të ngrenë hije dyshimi mbi aftësitë e tyre shtetformuese dhe zhvillimore, duke harruar se kanë pasur kundër një dorë të mirë të Fuqive të Mëdha, shtetet fqinje dhe kuajt e Trojës.
Të qenit në disa shtete sot, edhe pse ka krijuar diferenca në zhvillimet mes pjesëve të ndryshme të hapësirës shqiptare, nuk është kusht që këto pjesë të mos ruajnë lidhjen e tyre qenësore historike dhe të zhvillojnë e forcojnë shkëmbimet kulturore mes tyre. Shqiptarët, kudo që gjenden, duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të ecur udhës së mirësisë dhe të forcojnë lidhjet rreth mes tyre në mënyrë që pjesët e ndara të trungut shqiptar të rezonojnë mes njëra-tjetrës. Trungu dhe degët mund të jenë politikisht të ndara sot, por e ardhmja mbetet e panjohur dhe suprizuese. Rritja e nivelit të shkëmbimeve kulturore mes këtyre pjesëve do t’i bëjë shqiptarët ta ndjejnë më afër praninë e njëri-tjetrit dhe, për rrjedhojë, do ta njohin më mirë historinë e njëri-tjetrit pas ndarjes së përdhunshme të 1913-tës. Njohjet e afërta janë parakusht i zhbërjes së faktorëve që i kanë penguar shqiptarët t’i rikrijojnë lidhjet e vjetra tradicionale mes zonave e krahinave si në aspektin ekonomik ashtu dhe në aspektin kulturor. I duhet thënë jo fanatizmit dhe ndasive të çdo lloj natyre, pasi ushqyerja e tyre mbjell urrejtje mes vetë shqiptarëve dhe krijon kushte të favorshme për të thyer zemrat mes njëri-tjetrit. Nëse thyhen zemrat dhe ushqehet urrejtja, kështu i bëhet shërbimi më i mirë atyre që nuk e duan ngritjen kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve. Duhet theksuar fort se zhvillimi kulturor dhe ekonomik i shqiptarëve është kusht i patjetërsueshëm për t’i kthyer në një faktor të rëndësishëm në arealin ballkanik. Me teorizime dhe nacionalizëm folklorik nuk shkohet kund. Shumë syresh tregohen të paduruar për të parë ndryshime të thella dhe të menjëhershme në hapësirën shqiptare. Madje, duan që të arrijnë standardet e vendeve që kanë një histori të gjatë përpjekjesh e sakrificash në ndërtimin e shtetit të mirëqenies sociale. Ndryshimi është proces që kërkon kohë. Duam apo nuk duam do t’u nënshtrohemi proceseve historike. Dhe, për këtë nuk duhet të rrimë duarkryq e të presim të na mëshirojnë të tjerët, por të përveshim llërat dhe të punojmë sekush në fushën e vet me të gjitha mundësitë për ngritjen kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve.