loader image
November 21, 2024

Ofendimi identitar!

Ne, shqiptarët, këtu e ndjejmë veten si shqiptarë që jetojmë brenda kufijve të një shteti që sot quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, e që nesër mund të quhet edhe ndryshe! Pavarësisht emërtimeve të njësive politike-shtetërore, identiteti ynë kombëtar është i pandryshueshëm dhe i panegociueshëm deri në përjetësi. Prandaj edhe ofendohemi nëse dikush na quan ndryshe, pos si shqiptarë!    

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Në jetën time kurrë nuk u pata ndjerë më i fyer sesa kur për herë të parë i dëgjova vëllezërit e mi të gjakut në Shqipëri të më quanin “maqedonas”! Kjo ndodhi gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri para gati një çerekshekulli, në rolin e reporterit televiziv. Atëherë u pata zënë me fjalë me shumë miq, duke u orvatur t’ju sqaroja se edhe ne ishim shqiptarë si ata, pavarësisht që nuk jetonim në Shqipëri. Dhe, ky “ofendim” pastaj ishte përsëritur shpeshherë gjatë pushimeve të mia në bregdetin shqiptar, por që më vonë ofendimin e kisha marrë më me “sportivitet”!

Këso përvoja të pakëndshme besoj se ka pasur gati se çdo shqiptarë nga trojet e veta që e ka vizituar Shqipërinë dhe, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite për shumëkënd vazhdojnë ato “sprova” neveritëse.

Pa dyshim, ofendimi i tillë ishte pasojë e ndarjes politike-territoriale të trojeve shqiptare për gati një shekull, nga fuqitë e huaja. Ne shqiptarët që mbetëm jashtë shtetit amë, Shqipërisë, padrejtësisht morëm atributet identitare të shteteve nën të cilat gjallonim. Pra, u quajtëm maqedonas, kosovarë, malazezë, serbë, grekë e çka jo tjetër, në vend të përdorimit të shprehjeve normale që së pari përcaktojnë identitetin kombëtar para atij shtetëror, si “shqiptar nga Maqedonia”, “shqiptar nga Kosova”, “shqiptar nga Mali i Zi”, etj.

Problemi kryesor këtu qëndron në përzierjen e koncepteve shtet dhe komb. Por, është shumë me interes të sqarohet se pse ne shqiptarët që kemi mbetur jashtë Shqipërisë, sidomos ne që jetojmë sot në Maqedoninë e Veriut, e marrim si ofendim kur identitetin kombëtar na e barazojnë me identitetin shtetëror?! Pse kemi aq aversion ndaj shtetit të cilit realisht i përkasim?!

Supremacia (jugosllave) maqedonase

Republika e Maqedonisë, në pesë dekadat e para të ekzistimit të saj si shtet komunist jugosllav, ishte zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht duke shtypur elementet e tjera identitare kulturore-etnike dhe duke nxjerrë në pah supremacinë e elementit maqedonas. Sado që në dukje, edhe shqiptarët, turqit e të tjerët, kishin njëfarë përfaqësimi në hierarkinë shtetërore, kjo gjë fare nuk vërehej në lëkurën e shqiptarit të zakonshëm. Përfaqësuesit e lartë shqiptarë nëpër strukturat shtetërore ishin përfaqësues ideologjikë dhe shumica dërmuese e tyre asnjëherë nuk kanë mbrojtur asnjë kauzë kombëtare të shqiptarëve. Ato figura të pakta komuniste, që kishin një bagazh të theksuar patriotik, të tipit të intelektualit të shquar, ish luftëtarit dhe ish-ministrit Nexhat Agolli, pushteti jugosllav u kujdes me perfiditet që t’i eliminojë jo vetëm se politikisht, por edhe fizikisht, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitet e mëvonshme, këtu nuk u ngrit gati se asnjë figurë e pastër kombëtare, e cila do t’i përfaqësonte shqiptarët me dinjitet.

Si pasojë e kësaj politike diskriminuese, me qindra mijëra shqiptarë ikën nga ky vend dhe emigruan në Turqi, ndërsa më vonë edhe drejt shteteve të Europës Perëndimore dhe SHBA-së. Ata që mbetën këtu mezi zunë vend nëpër ndërmarrje të ndërtimtarisë, si punëtorë krahu, ndërsa pjesa më e madhe e siguruan kafshatën e bukës në bujqësi dhe blegtori. Pra, ky shtet, Republika e Maqedonisë, nuk u siguroi shqiptarëve jetë dhe punë me dinjitet. Prandaj shqiptarët nuk e ndjenë si shtetin e tyre.

Zhgënjimi i madh “demokratik”

Në vitet e para të demokracisë, atëherë kur dolën shpresa të reja se ky shtet do të na e kthejë borxhin e së kaluarës, ndodhi zhgënjimi i madh. U votua kushtetuta njënacionale dhe ligjet diskriminuese, të cilat ofronin mundësi shumë të vogla karshi kërkesave dhe nevojave të mëdha të elementit shqiptar. Në vend se sistemi i ri demokratik i këtij shteti t’u ofronte shqiptarëve zhvillim dhe prosperitet, atyre u dha dajak dhe plumba, vetëm sepse e kërkuan të drejtën e përdorimit të flamurit, gjuhës, shkollës dhe universitetit shqip! E si do ta ndjenin shqiptarët si shtet të vetin këtë Maqedoni, kur ajo ata i shtypte, i përbuzte, i vriste e i gjymtonte?!

Si pasojë e kësaj politike diskriminuese antishqiptare të shtetit maqedonas, në gjysmën e parë të vitit 2001 ndodhi lufta e armatosur, e cila, siç dihet, mbaroi shpejt me Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, e cila e ndryshoi pozitën politike-juridike të shqiptarëve në të.

Dorën në zemër, në dy dekadat e fundit u thyen disa koncepte monopolizuese dhe shqiptarët dalëngadalë filluan ta marrin hisen e tyre në këtë shtet. Përfaqësimi i shqiptarëve u përmirësua ndjeshëm në të gjitha nivelet e administratës shtetërore e deri te postet më të larta politike. Megjithëkëtë, pozita e gjatë inferiore e shqiptarëve në raport me shtetin e Maqedonisë ka bërë që ende të mos e ndjejmë si tonin në të gjitha parametrat e tij.

Njësimi i rrezikshëm i konceptit shtet – komb

Në anën tjetër, gjenerata të tëra jemi ushqyer me shpresën për bashkimin e këtyre trojeve me shtetin amë – Shqipërinë. Në kuptimin territorial-fizik, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare nën ish Jugosllavi gjithmonë i kemi parë si pjesë e shkëputur padrejtësisht nga shteti shqiptar. Dhe, faktet historike janë të pandryshueshme. Sado që të ndryshojë për së mbari pozita politike-juridike e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ndjesia e të qenit shqiptar nuk ka për të ndryshuar kurrë, pavarësisht nëse jetojmë në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi ose Serbi. Rrjedhimisht, kultivimi artificial i idesë për “kombin kosovar” është anakronik, totalisht i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për shumicën absolute të shqiptarëve. Madje, kjo ide është edhe antikombëtare, ngase derivon pasoja shkombëtarizuese për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit amë – Shqipërisë. Meqë, sipas një analogjie të thjeshtë, nëse shqiptarët e Kosovës i përkasin kombit kosovar, ne shqiptarët e Maqedonisë do i përkisnim kombit maqedonas, shqiptarët e Luginës së Preshevës – kombit serb e marrëzira të tilla. Me këso projekte të rrezikshme ideore do të kënaqeshin vetëm apetitet e shteteve fqinje të cilat nuk kanë mundur të na asimilojnë as me format më represive të ushtruara kundër shqiptarëve më tepër se një shekull.

Ndjesia ndaj shtetit që i përkasim

Fakt i pamohueshëm është që raporti i shqiptarëve me shtetin e quajtur Maqedonia e Veriut nga dita në ditë përmirësohet. Ne, shqiptarët, duke qenë numerikisht popullsia e dytë më e madhe, gradualisht kemi filluar ta ndjejmë këtë shtet edhe si tonin, duke punuar fort dhe duke kontribuuar që ai të jetë pjesë e strukturave të sigurisë së NATO-s dhe, në të ardhmen, edhe të Bashkimit Europian.

Ne, shqiptarët, këtu e ndjejmë veten si shqiptarë që jetojmë brenda kufijve të një shteti që sot quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, e që nesër mund të quhet edhe ndryshe! Pavarësisht emërtimeve të njësive politike-shtetërore, identiteti ynë kombëtar është i pandryshueshëm dhe i panegociueshëm deri në përjetësi. Prandaj edhe ofendohemi nëse dikush na quan ndryshe, pos si shqiptarë!

Për më tepër, ne kemi nevojë për mbështetje më serioze nga shteti amë – Shqipëria, nga shteti i ri shqiptar i Kosovës dhe aleatët tanë strategjikë. Kemi nevojë jo vetëm për mbështetje politike, por edhe ekonomike, si një parakusht esencial për të mbetur faktor kyç në zhvillimet rajonale dhe botërore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X