loader image
December 26, 2024

Mos shpërfill urtësinë

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Urtësia nuk ka as kohë, as hapësirë. Ajo është një xhevahir i hedhur ndër njerëz. Kudo që ta gjesh duhet ta marrësh dhe ta zbukurosh veten me të.

Nga Spanja, historia “Magjistari i Venedikut” na tregon se:

Një aristokrat i ri prej Toledos pa pasuri e katandi kishte një dëshirë të marrë për të sunduar njerëzit dhe këtë donte ta arrinte përmes fuqive të të ashtuquajturit magjistar i Venedikut, një urtak i moçëm, i cili i tregoi të riut se ndezullitë për gjërat e mëdha me sakrifica të vogla janë punë e mendjelehtëve dhe arrivistëve dhe ky si i tillë kishte marrë kot. Ëndrrat e mëdha kërkojnë sakrificë dhe kohë të gjatë për t’u realizuar dhe jo thjesht mbyllje sysh për të fjetur gjumë.

Nga indianët e Amerikës, historia “Vabi”, kumton se:

Në jetë njeriu nuk ka asgjë të përhershme. Jeta është një përzierje ku herë ka më shumë gëzim, herë më shumë trishtim, herë paqe, herë luftë. Herë mjerim e herë begati e pasuri, herë vetmi e herë gaz e hare me njerëzit që do.

Nuk duhet ushqyer besimi se jeta është vetëm përpjekje për të rritur vazhdimisht mirëqenien materiale. Kjo mirëqenie pa praninë e njerëzve që i do zemra është një hiç.

Në fund të jetës vendi qiellor bëhet i pashmangshëm për njeriun dhe është vendi ku nuk ka më ndarje, halle e shqetësime për atë që ka jetuar pa i hyrë kujt në hak.

Nga Japonia, historia “Breshka e kuqe” na kumton se:

Përtej sakrificave që bën njeriu për të siguruar jetesën, nuk duhet të harrojë se jeta merr tjetër vlerë dhe kuptim kur bën mirësi, qoftë edhe pak. Një e mirë e vogël sot mund të jetë një e mirë e madhe nesër, prandaj kurrë nuk duhet nënvlerësuar e mira.

Lidhja me vendin ku njeriu është lindur e rritur është lidhje shpirtërore. Kudo që të shkojë e sado mirë të jetojë, si vendi ku i është paracaktuar të lindë e të rritet asnjë vend nuk i bëhet. Sado shumë të zgjasë kjo gjendje fundi i njeriut është qielli. Aty është shtëpia prej së cilës nuk ka ikje.

Nga Franca, historia “Zhani nga Kaleja” na kumton se:

Mirësia nuk bëhet vetëm kur ke shumë pasuri e as vetëm ndaj njerëzve që i njeh. Njeriu duhet ta kërkojë fatin e tij, sepse toka është e gjerë. E në gjithë këtë kërkim nuk duhet ta humbë mirësinë e të shndërrohet në një qenie të akullt e interesaxhi.

Duhet të kemi kujdes nga njerëzit që xhelozojnë ndaj të mirave që kemi, sepse poshtë rrobës së miqësisë fshehin inatin, zilinë dhe pabesinë, fuqia e të cilave shkatërron jo vetëm njeriun që molepset prej tyre, por edhe të tjerë rreth e rrotull.

Fuqia e së mirës nuk humbet kurrë dhe begatia e saj vjen në çastet më të vështira të jetës, edhe pse njeriu mund të mos e kuptojë.

Njeriu nuk duhet të bëjë mirë vetëm që të mbrohet nga e keqja. Njeriu duhet të bëjë mirë, sepse duhet bërë mirë. Fundi i të mirëve është gjithmonë hajër, kuptohet apo jo kjo nga logjika njerëzore.

I drejti i qëndron besnik së drejtës edhe sikur ta dijë se sakrifica do t’i prekë zemrën e tij, sepse për këta syresh shpirti vlen më shumë se trupi.

Nga Kanadaja, prej indianëve të atij vendi, historia “Koci dhe vigani” na kumton se:

Prej të ligut nuk mund të pritet mirë. Do të ishte budallallëk me brirë të besosh kësisoj. Duhet kurajo dhe guxim për t’iu kundërvënë me të gjitha fuqitë si të ligut ashtu edhe ligësisë brenda vetvetes. Madje pa luftuar ligësinë brenda vetes nuk mund të përballësh ligësinë e të poshtërve, përndryshe do të të bëjnë si vetja.

Njeriu duhet të sakrifikojë shumëçka për të mbrojtur gjërat që janë të shenjta në jetën e tij, sepse kur të vijë çasti që koha fizike nuk do të jetë, lumturia për të mirët nuk do të shteret.

Nga Kaukazi, historia “Fundi i Nartëve” na kumton se:

Kur njeriu mbivlerëson veten, mendon se mund të matet me Zotin. Kur njeriu qëllimisht i kundërvihet vullnetit të Zotit dhe nuk dëshiron t’i blatojë përnderimet dhe lavdet që meriton Hyu, atëherë ka marrë mbi vete mallkimin që bie mbi të poshtrit. Dhe, pse pret të marrë fund menjëherë, urtësia hyjnore i dërgon vështirësi kohë mbas kohe që njeriu të reflektojë e të kthehet. Por, kur kryeneçësia ndaj Zotit çimentohet, fundi i hidhur bëhet i pashmangshëm.

Nga Kaledonia e Re, historia “Pivi dhe Kabo” na kumton se:

Për të arritur gjërat që duam duhet të dëgjojmë këshillat e më të diturve dhe më të urtëve. Duhet të kemi durim në ndjekjen dhe zbatimin e këshillave për të vjelë frytet që duam.

Miqësia një ditë mund edhe të përmbyset, sidomos kur ajo është e lidhur me persona me karakter jo të mirë. Ata mund të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë kur shohin mbarësinë e dikujt tjetër dhe prej smirës të presin rastin e volitshëm për të bërë keq. Janë aktorë të mbaruar për këtë pjesë, prandaj duhet shumë kujdes prej këtyre syresh.

Njeriu nuk duhet ta humbë toruan edhe në çastet më të vështira. Duhet të jetë i përgatitur për të sfiduar vështirësitë dhe jo t’i presë me duar në xhepa.

Nga Meksika, “Vendi i stërgjyshërve”, na kumton se:

Njeriu mund të jetojë më i qetë vetëm pranë natyrës, bukurive të saj edhe pse i duhet të punojë për të siguruar të mirat materiale.

Njeriu duhet të jetojë thjesht dhe me përkorësi, të mos lakmojë e të bëhet i babëzitur në të gjitha drejtimet.

Sido që të shkojë jeta, njeriu nuk duhet të harrojë prindërit dhe duhet ta ketë të qartë se malli për fëmijën mbetet gjithmonë i pashuar.

Etja e njeriut për rini të përhershme është gjithmonë prezente. Shkëputja nga vendi i stërgjyshërve solli vdekjen dhe vdekja është porta që do ta kthejë njeriun në vendin e stërgjyshërve ku do të ketë rini të përhershme.

Nga Australia, historia “Vuniupi” na kumton se:

Kur njerëzit i ndajnë përgjegjësitë dhe secili kryen detyrën e vet ashtu si duhet, harmonia do mbretërojë mes njerëzve.

Nëse merr atë që nuk të takon prej tjetrit, e keqja e padrejtësisë zmadhohet kaq shumë, saqë mbulon çdo pore të jetës dhe në jetën e këtyre syresh do të mbretërojë vetëm errësira.

Nga Skocia, historia “Tom poeti” na kumton se:

Në jetë për të qëndruar i vërtetë dhe për ta dashur të vërtetën me shpirt duhen sakrifica të mëdha, që lidhen me virtyte si durimi, heshtja atëherë kur duhet, shkelja e shtigjeve të vështira për të ruajtur njerëzoren, mirënjohja, arti i gdhendjes së fjalës para se të flasësh, përpjekja për t’u rezistuar tundimeve që shkëlqejnë së jashtmi, por të varrosin së brendshmi.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X