U trondita pa masë nga përmasat skandaloze antiligjore dhe antinjerëzore të masakrës me pretekstin e hedhjes se një sasie të vogël dinamiti me forcë të reduktuar në oborrin e Legatës Sovjetike dhe pushkatimin pa gjyq të 22 intelektualëve të zgjedhur prej Sigurimit të Shtetit nga gjithë hapësira shqiptare, shqiptarë të njohur nga gjithë krahinat ë Shqipërisë, por edhe nga trevat shqiptare, si: Mehmet Ali Shkupi nga Shkupi, Tefik Shehu nga Gjakova, Anton Delhysa nga Prizreni, Haki Kodra, Myftar Jegeni, Gafur Jegeni nga Dibra e Madhe, Lluka Rashkoviq nga Mali i Zi etj. për të ngjallur frikë e panik si mjete terrori për të mbajtur pushtetin.
Shkruan: Uran BUTKA, Tiranë
Dosja e Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar për pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm nga gjithë hapësira shqiptare me pretekstin e hedhjes së “bombës” në Legatën Sovjetike gjendej e kyçur në kasafortën e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë. Publiku i gjerë shqiptar e më gjerë, por as edhe familjarët e 22 viktimave (me përjashtim të ekzekutorëve), nuk dinin asgjë për këtë masakër, të kryer në fshehtësi të madhe në mesnatën e 26-27 shkurtit 1951,
Kishin kaluar më se 40 vjet nga ajo ngjarje tragjike dhe gjurmët e krimit shtetëror ishin mbajtur të fshehura. E kërkova dosjen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ku ndodheshin dosjet gjyqësore, por nuk e gjeta. Ishte një kohë ende e pastabilizuar dhe e rrezikshme. Përgjatë vitit 1991, kur ende e kishte pushtetin Partia e Punës, ndonëse opozita demokratike kishte fituar disa vende në parlament, nga oxhaqet e Arkivit të Ministrisë së Brendshme dilte përditë e përnatë një tym dhe hi i zi, që e mbulonte Urën e Tabakut, ku ishte Arkivi, dhe gjithë lagjen Ali Demi. Digjeshin dosjet e inkriminuara të Sigurimit të Shtetit dhe dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Bashkë me to digjej edhe e vërteta mbi krimet e regjimit komunist dhe sidomos të Sigurimit të Shtetit. Por, nuk mund të digjnin gjithçka, nuk kishte më kohë. Koha ndryshoi me shpejtësi.
Në vitin 1992, kur ra diktatura komuniste dhe Shqipëria hyri në rrugën e demokracisë, e kërkova, në cilësinë e deputetit dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar të Mediave dhe Kulturës, dhe e gjeta dosjen e cituar të Sigurimit të Shtetit në Gjykatën e Lartë. Nisa ta studioja për ta publikuar e ndriçuar të vërtetën, por edhe për të reabilituar viktimat e pafajshme të pushkatuar, si edhe familjarët e shumëvuajtur nëpër kampet e përqendrimit e të internimit të paligjshëm për 40 vjet me radhë. Por, u trondita pa masë nga përmasat skandaloze antiligjore dhe antinjerëzore të masakrës me pretekstin e hedhjes se një sasie të vogël dinamiti me forcë të reduktuar në oborrin e Legatës Sovjetike dhe pushkatimin pa gjyq të 22 intelektualëve të zgjedhur prej Sigurimit të Shtetit nga gjithë hapësira shqiptare, shqiptarë të njohur nga gjithë krahinat e Shqipërisë, por edhe nga trevat shqiptare, si: Mehmet Ali Shkupi nga Shkupi, Tefik Shehu nga Gjakova, Anton Delhysa nga Prizreni, Haki Kodra, Myftar Jegeni, Gafur Jegeni nga Dibra e Madhe, Lluka Rashkoviq nga Mali i Zi etj., për të ngjallur frikë e panik si mjete terrori për të mbajtur pushtetin. Kjo është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.
Vendimi për të realizuar këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike të PPSH, në mbledhjen e datës 20.02.1951. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”. (Të gjithë anëtarët e Byrosë, me në krye E. Hoxhën: Jemi dakord me këto masa represive.)
Këtu shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Listat i kemi gati.”, tha ai. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15, më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. (Dosja e Sigurimit të Shtetit për bombën në legatën Sovjetike, viti 1951)
Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhën në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një gjenocid shtetëror me përmasa të mëdha për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin personat e familjet “reaksionare” në gjithë vendin për represion politik. “Duhen vrarë njerës të tjerë për të mbajtur pushtetin.”, – thoshte Mehmet Shehu.
Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë. Më datën 19 shkurt, ora 9.00, ishte mbledhur plenumi i KQ të PPSH që sanksiononte dhe rrënjoste kursin stalinist të Partisë e të shtetit shqiptar. Enver Hoxha, sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe kryeministër, në raportin e tij theksonte: “Politika staliniste e Bashkimit Sovjetik të jetë fati që do të na ndriçojë në rrugën tonë. Kjo do të jetë epiqendra e gjithë politikës dhe aktivitetit të Partisë dhe qeverisë.”. (Dosja e Sigurimit të Shtetit për masakrën e 26 shkurtit 1951)
Pikërisht atë ditë, pra më 19 shkurt, ora 19.47 minuta në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh një sasi e vogël dinamiti, që shkaktoi një krisje të fortë, theu disa xhama dhe asgjë tjetër. Në fakt, ky ishte një akt i një grupimi ilegal me emrin “Bashkimi Kombëtar”, që nuk kishte synim të vriste njerëz, por të rrëfente botërisht qëndrimin kundër politikës staliniste të Partisë dhe qeverisë shqiptare, vasale të politikës sovjetike. Ata që e hodhën dinamitin, Qazim Laçi dhe Hysen Llulla, si dhe anëtarët e tjerë të asaj organizate, u arrestuan menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, u mbajtën në hetuesi në fshehtësi të plotë dhe u dënuan pas tetë muajsh. Kjo rrëfen katërcipërisht që 22 intelektualët e arrestuar nuk kishin asnjë lidhje me “bombën” në Legatën Sovjetike, por u bënë kurbanë të politikës staliniste të Enver Hoxhës dhe pushtetit të tij
Arrestimet që u kryen menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër arresti të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan në mënyrë fiktive urdhër rreshtimet dhe procesverbalet e falsifikuara të “gjykimit” të pazhvilluar, që ndodhen në këtë dosje). Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.
Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kyetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës “Personat e arrestuar që propozohen për t’u …” (pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.
Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme zgjodhën dhe kryqëzuan emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviqit, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës.
Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri emrit, këta persona: Ali Qoraliu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati.
Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin e tretë të Sigurimit nga major Edip Çuçi ka titullin vrasës “Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje”.
Kryetari i Sektorit III të Sigurimit mund të arrestonte dhe t’i propozonte prokurorisë e gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje! Sigurimi i shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.
Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2.1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerrin Guraziu, Qemal Kasaruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia.
Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshkëpisë u shenjuan nga vetë Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht dhe lante hesapet me ta.
Akuza e prokurorit ushtarak, Siri Çarçani, e mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste; kanë propaganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit Popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë e satelitëve të tyre.” Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.
Të akuzuarit nuk kishin asnjë lidhje ose bashkëpunim me njëri-tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike ose terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, për shkak të së cilës ata u arrestuan!
Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve.”
Sipas aktakuzës së datës 25.02.1951 të prokurorit të përgjithshëm, të gjithë të arrestuarit “janë dërguar për gjykim në gjykatën e lartë ushtarake për faje kundër popullit e shtetit”. Por, gjyq nuk u bë. Siç rezulton nga aktet e dosjes hetimore, asnjërit të të pandehurve nuk u është komunikuar ndonjë akuzë; nuk është bërë ndonjë proces hetimor ndaj tyre, nuk ka një dosje hetimore, përveç një hetimi të pjesshëm të Gjon Temalit, nuk janë thirrur dëshmitarë, nuk është bërë asnjë gjykim, nuk është bërë apelim etj. Pra, të gjitha veprimet janë bërë të kundërligjshme dhe kjo është katërcipërisht e provuar. Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së Brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit”.
Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atëherë Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat e përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:
“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.”
Në fund ka firmosur kryetari Shuaip Panariti dhe anëtari i gjykatës së Lartë Ushtarake Vangjel Kocani, ndërsa nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo.
Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:
“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike… Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje ose me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel, mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.
Edhe përpilimi i procesverbaleve edhe firmosja e tyre pas pushkatimit të 22 viktimave ishte bërë me urdhër të udhëheqjes shtetërore dhe përbënte një sekret shtetëror. Vetëm më vonë u zbulua e vërteta. Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim. Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli. S’kishim si të bënim ndryshe.”
Por, nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues. Mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra gjithçka është kundërthënëse, e hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën 27.2.51, kur të akuzuarit nuk ekzistonin më. Ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.51 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli, ishte vrarë nga torturat në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!
Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar. Atëherë mafia politike dhe juridike, mbështetur edhe në përvojën sovjetike të dhunës e terrorit shtetëror stalinist, hartoi një dekret, një kopje e KKB sovjetike, që përligjte dhe justifikonte këtë praktikë kriminale dhe antiligjore. Ishte një dekret i formuluar nga Ministria e Brendshme dhe i firmosur nga presidenti i Republikës, Omer Nishani, dhe sekretari, Sami Baholli.
Ky dekret i datës 26.shkurt 1951 u hartua për të justifikuar vrasjet e paligjshme të 22 viktimave. Ai ishte rast i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj, që siguronte e përligjte arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive nga ana e organeve të diktaturës, që shmangte etapat e procedurës penale e civile, përbënte një mohim të plotë të principeve të drejtësisë, një shkelje të përbindshme e të drejtave dhe lirive të njeriut, një përdhosje e kushtetutës dhe ligjeve të asaj kohe, si edhe në kundërshtim me kartën e OKB-së të firmosur nga qeveria shqiptare.
Mbi bazën e këtij dekreti u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli. Ai nuk i ka as firmat e trupit gjykues në fund të procesverbalit.
Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, deklaroi në atë kohë me mburrje: “Dekreti i Kuvendit Popullor i datës 26 shkurt 1951 është një armë shumë e fortë në duart e pushtetit tonë për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.
Pra, ky dekret i zi u përdor jo vetëm për masakrën e 26 shkurtit 1951, por edhe për justifikuar gjithë krimet e masakrat e paligjshme të pushtetit komunist në vitet e mëpastajme “për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.
Viktimat e pafajshme u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50 m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Mes tyre, edhe shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Mes tyre edhe një i vdekur, trupi i tregtarit Jonuz Kaceli, që hetuesit e Sigurimit të Shtetit e kishin vrarë më parë në tortura në dhomat e hetuesisë dhe e kishin hedhur nga dritarja, për të manipuluar se u vetëvra…
Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. Xha Kadriu nga Mëniku rrëfen: “Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi, që po punonte atje, i ra të fikët tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish. Ishte trupi i patretur i Sabiha Kasimatit.
Po në vitin 1992 Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe disa familjarë të porsaliruar nga internimi kërkuan dhe gjetën varrin masiv të 22 viktimave afër fshatit Mënik. Midis kërkuesve ishin antropologu Aleksandër Dhima dhe Hysen Shehu, djali i të pushkatuarit Tefik Shehu, që i identifikuan kufomat. Hyseni kishte lindur në internim, në shkallët e maternitetit të Vlorës, sepse mjekët e porositur nga Sigurimi nuk e pranuan në maternitet gruan “reaksionare” nga Kroacia, intelektuale, skulptore dhe nënë e vuajtur. Aty, në varreza, ishin familjarët e ardhur edhe nga vendet e tjera si Italia, Greqia, Argjentina, Franca etj., ku kishin emigruar pas çlirimit nga internimi. Kur u hapën portat e Shqipërisë, vendosën që t’i vendosnin sërish bashkë në një qivur, ashtu siç ishin pushkatuar e vdekur bashkë, dhe i varrosëm në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, ku prehen edhe sot.