Nuk do të angazhohem në diskutimin e arsyeve dhe shkaqeve të këtij dështimi, – meriton një tjetër artikull – por një pyetje themelore nuk mund të lihet pa u shtruar: A mundet një shoqëri e paaftë të japë drejtësi për padrejtësitë e sotme, të japë drejtësi për padrejtësitë e së shkuarës?
Kjo pyetje shërben si një kujtesë kthjelluese se përpjekja për të adresuar padrejtësitë historike është e lidhur ngushtë me strukturën aktuale shoqërore. Prandaj, çdo përpjekje për të adresuar të kaluarën duhet të jetë gjithashtu pjesë e një qasjeje më të gjerë për të forcuar mekanizmat e drejtësisë për të tashmen dhe të ardhmen.
Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë
Ka një histori të famshme të një takimi ndërmjet presidentit të Shteteve të Bashkuara, Richard Nixon, dhe kryeministrit kinez, Zhou Enlai, në Pekin në vitin 1972. Presidenti Nixon e pyeti kryeministrin Zhou nëse mendonte se revolucioni francez ishte një sukses. Përgjigja enigmatike e Zhou-t ishte se “është ende herët për ta thënë”. Zhou Enlai mund të ishte fare mirë duke folur për të ashtuquajturën “drejtësi tranzicionale” në Shqipëri.
Megjithëse kanë kaluar 31 vite që kur në Shqipëri erdhi në pushtet një parti opozitare, duke shënuar fundin formal të regjimit komunist, vendi tërhiqet zvarrë nga pamundësia për të krijuar një shkëputje nga e shkuara totalitare që vijon të formësojë proceset politike, sociale dhe kulturore dhe të ndikojë thelbësisht format individuale dhe kolektive të sjelljes psiko-sociale.
Gjatë këtij viti, në Kuvendin e Shqipërisë u diskutuan dy nisma: për transparencën ose deklasifikimin e dokumenteve sekrete të agjencive represive të regjimit komunist; dhe lustrimin ose kufizimin e pjesëmarrjes në proceset politike dhe administrative të ish zyrtarëve të regjimit në agjencitë e njohura për shkelje masive të të drejtave të njeriut.
Jemi në vitin 2023!
Është sikur Zhou po fliste në mënyrë profetike për atë që po ndodh në Shqipëri, e me shumë gjasa edhe përtej saj, duke paralajmëruar se ajo që konsiderohet kalimtare mund të bëhet në mënyrë shqetësuese e përhershme, duke turbulluar vetë thelbin e “drejtësisë” që synon të vendosë. Kjo ndjenjë e papërcaktueshmërisë historike përmbledh me vend kompleksitetin dhe paradokset që përshkojnë “drejtësinë tranzicionale”, si fushë e studimeve akademike, si qasje normative për t’u përballur me të shkuarën e si set konceptesh empirike për të përshkruar atë që është bërë për t’u përballur me të shkuarën.
Natyrisht, që në një artikull reviste gjasat për të shtjelluar në mënyrë të plotë sukseset dhe dështimet e këtyre proceseve komplekse të përballjes me të shkuarën komuniste janë të vogla. Gjithsesi, në këtë artikull do të përpiqem të parashtroj premisën e një ideje më të gjerë, që me gjasë do të trajtohet gjetkë disi më shtershëm, se “drejtësia tranzicionale” mbart në vetvete tharmin e dështimit e se ky tharm është manifestuar në mënyrën më ulëritëse në rastin e Shqipërisë.
Më tej, do të parashtroj një matricë vlerësimi të ecurisë së procesit të trajtimit të së shkuarës komuniste, e ndarë në pesë shtylla themelore, secila vlerësuar me nga 10 indikatorë, duke ofruar kështu një vlerësim përafërsisht objektiv të proceseve dekomunistizuese dhe atyre të lidhura me të.
Mbi drejtësinë tranzicionale
Koncepti i drejtësisë tranzicionale u shfaq në Konferencën e Institutit Aspen mbi Krimet Shtetërore në vitin 1988, e përqendruar fillimisht në udhëzimin e tranzicionit nga regjimet autoritare drejt demokracive. Megjithatë, fusha është shndërruar në një disiplinë komplekse, shumëdimensionale. Fillimisht të menduar si mekanizma të përkohshëm për “periudhën e ndërmjetme”, këto masa shpesh përfundojnë duke ngatërruar mjetet afatshkurtra me rezultatet afatgjata, duke zëvendësuar në thelb “sundimin e ligjit” (Kennedy 2004).
Ka një kritikë në rritje mbi drejtësinë tranzicionale si “concept epistemic” por edhe si set praktikash shtetërore, por shumica e teoricienëve përqendrohen tek kritika e aplikimit të saj. Pakkush përpiqet të evidentojë problematikën që qëndron në vetë ontologjinë e konceptit të “drejtësisë tranzicionale”. Ky koncept ka në thelbin e vet një ontologji që mbështetet në një telos progresiv, një ontologji që supozon se shoqëritë janë në një trajektore evolucionare drejt një forme drejtësie më të avancuar, e modeluar zakonisht mbi qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit. Ky supozim telologjik është në thelb problematik. Ajo rrezikon të margjinalizojë rrugët alternative, të kushtëzuara kulturalisht drejt drejtësisë dhe qeverisjes, duke perpetuizuar kështu paradigmat universale historikisht të dekontekstualizuara. Kjo formë e determinizmit shtrembëron realitetet komplekse në terren, shpesh duke anashkaluar pengesat ose trajektoret alternative që mund të ndjekë një shoqëri në tranzicion.
Normativisht, drejtësia tranzicionale ka evoluar për t’i dhënë përparësi tranzicionit politik mbi drejtësinë ligjore formale, ndonjëherë duke shfaqur edhe kundërshti të fshehtë ndaj institucionalizimit të procesit gjyqësor. Ndërsa teoricienët lavdërojnë “drejtësinë restauruese” të arritur përmes mekanizmave pajtues të drejtësisë tranzicionale si ekuivalente ose edhe superiore ndaj “drejtësisë ndëshkuese”, realiteti shpesh bie ndesh me këtë. Dëshira për të arritur qëllime politike me mjete gjyqësore ndërlikon vetë integritetin e sistemit të drejtësisë, duke mjegulluar linjat dalluese ndërmjet politikës dhe drejtësisë.
Empirikisht, drejtësia tranzicionale synon të mbulojë një gamë të gjerë objektivash, nga llogaridhënia dhe parandalimi, deri te e vërteta dhe pajtimi. Megjithatë, rezultatet e saj janë jashtëzakonisht të vështira për t’u matur. Qëllimet e saj të shumanshme mund, në fakt, të zbehin efikasitetin e saj. Drejtësia tranzicionale ka evoluar për të akomoduar një gamë kaq të gjerë filozofish dhe praktikash, saqë, siç vërejnë disa studiues, tani është vetëm “një rrjetë praktikash dhe filozofish të lidhura në mënyrë tangjenciale” (Quinn 2017).
Në rrafshin epistemologjik mund ta kontekstualizojmë drejtësinë tranzicionale brenda dikotomisë së famshme të Isaiah Berlinit midis dhelprës, që di shumë gjëra, dhe iriqit, që di një gjë të madhe. Drejtësia tranzicionale filloi si një iriq, me një fokus të veçantë – ndëshkimin e krimeve dhe praktikave të shkeljes së të drejtave të njeriut – megjithatë, ndërsa zgjeroi qëllimin dhe ambicien, ajo ka marrë karakteristikat e dhelprës por pa zhvilluar një korpus konceptesh teorike që mund ta mbështesin atë.
Si përfundim, drejtësia tranzicionale, e konceptuar fillimisht si një kornizë unifikuese për adresimin e mizorive të së kaluarës, ka evoluar në një disiplinë teorikisht jokoherente, normativisht të paqartë dhe empirikisht të pamjaftueshme. Telosi progresiv e deformon aplikimin e saj në botën reale, veçanërisht në kontekstin e nuancuar të regjimeve postkomuniste. Këto mangësi, në thelb, nxjerrin në pah nevojën për të kaluar nga një qasje e “iriqit”, e cila mbështetet në një teori madhështore, por kufizuese, në një perspektivë më të adaptueshme “si dhelpra”, që përshtatet me metodologji dhe kontekste të ndryshme kulturore.
Kjo është prej arsyeve që shmang përdorimin e “drejtësisë tranzicionale” për të matur ecurinë e trajtimit të së shkuarës komuniste në Shqipëri në këto 30 e kusur vite.
Çfarë është bërë?
Matrica e vlerësimit të ecurisë së proceseve të përballjes me të shkuarën komuniste ndërtohet mbi pesë shtylla, që i konsideroj themelore, për të vlerësuar procesin – rehabilitimin dhe reperacionet, të vërtetën dhe pajtimin, lustracionin dhe transparencën, si dhe dekomunistizimin – të cilat në vetvete maten nëpërmjet pesëdhjetë treguesve, dhjetë për secilën shtyllë.
Vlerësimet bazohen në të dhëna historike, ku rezultati 1 tregon mungesë përparimi, rezultati 2 tregon përparim minimal, rezultati 3 tregon përparim modest, rezultati 4 tregon përparim domethënës dhe rezultati 5 tregon përpjekje ose përparim maksimal në atë tregues specifik. Vlerësimi i përgjithshëm për secilën shtyllë është mesatarja e pikëve të treguesve të saj përkatës, ndërsa vlerësimi i përgjithshëm në të gjitha shtyllat është mesatarja e pikëve të secilës shtyllë. Megjithëse këto rezultate janë të mbështetura në të dhëna historike, tek e fundit janë përafrime që kështu subjekt interpretimi.
Vlerësimi është i organizuar si vijon:
Rehabilitimi dhe reparacionet:
Kjo shtyllë fokusohet në njohjen, kompensimin dhe rehabilitimin e viktimave të padrejtësive shtetërore. Metrikat për matje përfshijnë numrin e viktimave të njohura zyrtarisht, kompensimet financiare të alokuara, aksesin në shërbimet e mbështetjes psikologjike dhe efektivitetin e ndihmës juridike. Pranimi publik dhe përkujtimet e institucionalizuara shërbejnë gjithashtu si tregues të gatishmërisë së shtetit për të pranuar dëmet e së shkuarës.
- E vërteta dhe pajtimi:
Qëllimi kryesor i kësaj shtylle është të jetësojë të vërtetën për padrejtësitë historike dhe të punojë drejt pajtimit shoqëror. Efektiviteti mund të matet nga krijimi dhe ndikimi i një Komisioni të së Vërtetës, shkalla e dëgjimeve publike dhe arkivimi i dëshmive të viktimave. Transparenca në aksesin në dokumentet historike dhe efektiviteti i fushatave të ndërgjegjësimit të publikut janë gjithashtu tregues të rëndësishëm.
- Lustracioni dhe transparenca:
Kjo shtyllë synon të vlerësojë shkallën e parandalimit të individëve të implikuar në padrejtësitë e së kaluarës nga mbajtja e posteve publike dhe të promovojë qeverisje transparente. Metrikat përfshijnë miratimin dhe zbatimin e ligjeve të lustracionit, transparencën në procesin e verifikimit dhe aksesin e publikut në rezultatet e lustracionit. Programet e trajnimit për nëpunësit civilë dhe mekanizmat e vendosur të llogaridhënies shërbejnë gjithashtu si tregues.
- Drejtësia ndëshkuese:
E fokusuar në veprimet gjyqësore kundër autorëve, kjo shtyllë matet me shkallën dhe ashpërsinë e ndjekjeve penale, kohëzgjatjen dhe drejtësinë e gjykimeve dhe objektivitetin e dënimeve. Metrikat shtesë përfshijnë skemat e mbrojtjes së dëshmitarëve, pjesëmarrjen e viktimave në gjyqe dhe programe trajnimi për gjyqësorin për të trajtuar çështjet e drejtësisë retroaktive.
- Dekomunistizimi:
Kjo shtyllë synon të vlerësojë shkallën e çmontimit të simboleve dhe institucioneve të qëndrueshme të regjimit komunist. Metrikat për matje përfshijnë heqjen e simboleve komuniste, riemërtimin e hapësirave publike dhe iniciativat arsimore që shqyrtojnë në mënyrë kritike trashëgiminë e komunizmit. Iniciativat kulturore dhe debatet publike të sponsorizuara nga shteti veprojnë gjithashtu si tregues të efektivitetit të përpjekjeve për dekomunistizimin.
Secila shtyllë përfshin tregues të shumëfishtë të ndërlidhur që, së bashku, ofrojnë një kuptim të nuancuar të masës në të cilën një shoqëri e ka trajtuar trashëgiminë e regjimit komunist. Gjetjet për secilin indikator gjenden në Tabelën 1 ndërsa një përmbledhje e tyre në Tabelën 2.
Tabela 1. Rezultati i vlerësimit të përgjithshëm
Shtyllat | Treguesit | Vlerësimi (1-5) |
Rehabilitimi dhe Reparacionet | Identifikimi i viktimave | 3 |
Kompensimi financiar | 2 | |
Shërbimet e mbështetjes psikologjike | 1 | |
Mbështetja Ligjore | 1 | |
Pranimi Publik | 2 | |
Mundësitë e Punësimit | 2 | |
Përfitime Arsimimi | 3 | |
Ndihma për strehim | 2 | |
Programet e Integrimit Social | 1 | |
Përkujtimet publike | 3 | |
Vlerësimi i përgjithshëm | 2 | |
E vërteta & Pajtimi | Themelimi i Komisioneve të së Vërtetës | 1 |
Dëgjesa Publike | 1 | |
Dëshmitë e viktimave | 2 | |
Qasja në arkiva | 2 | |
Fushatat e ndërgjegjësimit publik | 2 | |
Dialogët Komunitarë | 1 | |
Iniciativat e pajtimit | 1 | |
Ndjesat publike | 2 | |
Reforma e kurrikulës së historisë | 1 | |
Memorializimi | 2 | |
Vlerësimi i përgjithshëm | 1,5 | |
Lustracioni & Transparenca | Ligjet e Lustracionit | 2 |
Vetingu i Zyrtareve Publik | 1 | |
Transparenca në procesin e Vetingut | 1 | |
Zbulimi i lidhjeve te fshehta | 3 | |
Qasja e publikut në rezultatet e lustracionit | 1 | |
Mbrojtja e dekonspiruesve | 1 | |
Rehabilitimi i të akuzuarve me dëshmi të rreme | 3 | |
Transparenca qeveritare | 2 | |
Programe trajnimi | 2 | |
Mekanizmat e llogaridhënies | 1 | |
Vlerësimi i përgjithshëm | 1,7 | |
Drejtësia Ndëshkuese | Ndjekjet penale | 3 |
Kohëzgjatja dhe paanshmëria e gjyqeve | 2 | |
Dënimet | 3 | |
Mbrojtja e dëshmitarëve | 1 | |
Pjesëmarrja e viktimave në gjykime | 2 | |
Trajnimi i gjyqësorit | 1 | |
Pavaresia e Gjyqesorit | 1 | |
Mekanizmat e Apelimit | 2 | |
Iniciativat e Drejtësisë Restorative | 1 | |
Besimi i publikut | 2 | |
Vlerësimi i përgjithshëm | 1,8 | |
Dekomunistizimi | Heqja e simboleve | 2 |
Riemërtimi i hapësirave publike | 2 | |
Arsimi Dekomunist | 1 | |
Shpërbërja e institucioneve komuniste | 2 | |
Ndalimi i simboleve | 1 | |
Iniciativat Kulturore | 1 | |
Debatet publike | 2 | |
Heqja dhe Mbrojtja e Monumenteve | 2 | |
Arkivimi i Historisë Komuniste | 2 | |
Opinioni Publik: Matja e Perceptimit Publik | 1 | |
Vlerësimi i përgjithshëm | 1,6 | |
Vlerësimi i përgjithshëm (Të gjitha shtyllat) | 1,72 |
Tabela 2. Përmbledhje e vlerësimeve
Shtylla | Pikët mesatare | Shënime |
Rehabilitimi dhe Reparacionet | 2.0 | Përpjekje modeste në identifikimin dhe kompensimin e viktimave, por zvarritje të kompensimit financiar dhe pronësor. |
E vërteta & Pajtimi | 1.5 | Hapësirë e konsiderueshme për përmirësim në ndriçimin e së vërtetës dhe nxitjen e pajtimit të përgjithshëm. |
Lustracioni & Transparenca | 1.7 | Rezultati i ulët sugjeron mungesën e ligjeve të transparencës dhe lustracionit. |
Drejtësia Ndëshkuese | 1.8 | Kërkon përmirësime të konsiderueshme në veprimet gjyqësore kundër individëve të implikuar. |
Dekomunistizimi | 1.6 | Përpjekjet për të hequr simbolet komuniste dhe për të riedukuar popullsinë mungojnë. |
Shtylla e Rehabilitimit dhe Reparacioneve shënon pikët më të larta me një mesatare prej 2.0, që tregon disa përpjekje në identifikimin dhe kompensimin financiar të viktimave, edhe pse këto nuk janë të mjaftueshme, veçanërisht në fushën e kompensimit financiar dhe pronësor. Shtylla e së Vërtetës dhe Pajtimit shënon pikët më të ulëta me 1.5, duke theksuar nevojën kritike për përmirësime në ndriçimin e së vërtetës dhe nxitjen e pajtimit. Lustracioni dhe Transparenca dhe Drejtësia Retributive shënuan pak më mirë me 1.7 dhe 1.8, por këto rezultate ende tregojnë boshllëqe të konsiderueshme në zbatimin e ligjeve të transparencës dhe lustracionit, si dhe në ndjekjen penale të individëve të përfshirë në padrejtësitë e së kaluarës. Shtylla e dekomunizimit kishte një notë mesatare prej 1.6, gjë që nxjerr në pah se përpjekjet për të hequr simbolet komuniste dhe për të edukuar popullsinë janë më së paku të pamjaftueshme.
Të dhënat, në përgjithësi, pasqyrojnë një pamje të zymtë. Rezultati mesatar në të gjitha shtyllat është vetëm 1.72 (në një shkallë vlerësimi ku 1 është mungesa e përparimit dhe 5 është përparimi maksimal), duke treguar një progres minimal në adresimin e trashëgimive të lëna nga regjimi komunist. Ky rezultat mesatar i ulët tregon se procesi që synon korrigjimin e këtyre padrejtësive historike në thelb ka dështuar.
Dështimi për të ta dresuar në mënyrë adekuate trashëgimitë e regjimit komunist në Shqipëri është një çështje komplekse e rrënjosur në mangësi individuale dhe sistemike. Ndërkohë që agjencive dhe aktorëve mund t’u mungojnë burimet ose vullneti për të bërë ndryshime domethënëse, çështja më e thellë qëndron në trashëgiminë e fortë të komunizmit që vazhdon të shtrëngojë shoqërinë dhe strukturat politike.
Edhe pas rënies së komunizmit, mbetjet e tij ideologjike dhe strukturore vazhdojnë, veçanërisht midis partive politike dhe politikanëve, duke penguar përpjekjet transformuese. Kjo rrjetë komplekse faktorësh individualë, strukturorë dhe sistemikë të rrënjosur thellë ka çuar në kolapsin e nismave që synojnë korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës, siç dëshmohet nga rezultatet zhgënjyese të ulëta në të gjitha shtyllat.
Nuk do të angazhohem në diskutimin e arsyeve dhe shkaqeve të këtij dështimi, – meriton një tjetër artikull – por një pyetje themelore nuk mund të lihet pa u shtruar: A mundet një shoqëri e paaftë të japë drejtësi për padrejtësitë e sotme, të japë drejtësi për padrejtësitë e së shkuarës?
Kjo pyetje shërben si një kujtesë kthjelluese se përpjekja për të adresuar padrejtësitë historike është e lidhur ngushtë me strukturën aktuale shoqërore. Rezultatet zhgënjyesisht të ulëta në të gjitha shtyllat tregojnë jo vetëm një dështim për të korrigjuar gabimet e së kaluarës, por gjithashtu ngrenë pyetje në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të trajtuar padrejtësitë e tanishme dhe të ardhshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh ndikimin e qëndrueshëm të trashëgimisë komuniste në strukturat e sotme politike dhe shoqërore. Prandaj, çdo përpjekje për të adresuar të kaluarën duhet të jetë gjithashtu pjesë e një nisme më të gjerë për të forcuar mekanizmat e drejtësisë për të tashmen dhe të ardhmen.