loader image
December 3, 2024

Jeta politike e trupave të vdekur

Shënime për librin Nga një varrim për çdo regjim: Përdorimi i trupit të vdekur në Shqipëri të Klejd Këlliçit (Tiranë: Berk, 2023)

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Regjimet politike dhe trupat e vdekur

Regjimet politike nuk qeverisin vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit, ose të paktën disa prej të vdekurve. Që me lindjen e shtetit, kultet e të vdekurve kanë qenë pjesë e ceremonive dhe ritualeve shtetërore. Faraonët ishin zota që e vijonin jetën pas vdekjes mes zotave të tjerë; perandorë të Romës shpalleshin zota pas vdekjes. Në Europën mesjetare lindi doktrina e dy trupave të mbretit, sipas së cilës vdekja fizike e mbretit nuk i jepte fund ekzistencës politike, e cila mishërohej te pasardhësi. Një nga ngjarjet simbolike që shënoi agun e politikën moderne ishte shkatërrimi i varreve të mbretërve në Parisin revolucionar. Mirëpo, kulti i trupit të vdekur të mbretit shumë shpejt u zëvendësua nga Panteoni, nga kulti i të vdekurve të shquar të kombit, mbetjet e të cilëve u zhvarrosën nga vendet ku preheshin për t’u mbledhur në të njëjtin tempull të fesë laike të nacionalizmit. Shembulli i Francës u ndoq nga shtete të tjerë që krijuan panteonët e vet, ose nisën të krijonin ceremoni e rituale shtetërore për nderimin e të vdekurve të shquar, nderim që kërkonte zhvarrosjen dhe rivarrosjen e eshtrave. Ushtarët e rënë në fushëbetejë nuk janë më numra, por dëshmorë të kombit: secili prej tyre duhet identifikuar dhe rivarrosur në varreza të posaçme, në krah të shokëve të armëve dhe jo në krah të familjarëve. Ata, pas vdekjes, i përkasin familjes së madhe të kombit, prandaj edhe nëse nuk identifikohen dot, mbetjet e tyre vendosen në përmendoret e Ushtarit të Panjohur, duke u vendosur në qendër të ceremonive shtetërore.

Edhe regjimet komuniste, pavarësisht materializmit dhe ateizmit që përmban ideologjia marksiste-leniniste, nuk mund të bëjnë pa kultin e trupave të vdekur të udhëheqësve të tyre: balsamimi i trupit të Leninit ndiqet nga balsamimet e Stalinit, Dimitrovit, Mao Ce Dunit, Ho Shi Minit, Kim Il Sungut, Kim Jong Ilit. Duket se për këta regjime nuk mjafton rituali pranë varrit apo shtatoreve e busteve të udhëheqësit: nevojitet që trupi i udhëheqësit të ekspozohet mbi tokë e para syve të qytetarëve, që trajta e tij integrale të ruhet, që ai të jetë i veshur me uniformën e pushtetit dhe që të krijohet iluzioni sikur udhëheqësi është në gjumë, pra jeton ende. Në këto raste, trupi i vdekur mban regjimin, ndërsa regjimi mban trupin e pavarrosur.

Kuptohet se ndërrimet e regjimeve sjellin edhe ndërrimet e simbolikës historike, ndërrimin e heronjve dhe ndërrimin e trupave të vdekur që duhen nderuar. Thënë ndryshe, ndërrimet e regjimeve shoqërohen nga procese të varrimeve dhe zhvarrimeve të trupave të vdekur e të eshtrave. Destalinizimi në Bashkimin Sovjetik shoqërohet nga heqja e trupit të Stalinit nga mauzoleu, rënia e komunizmit në Shqipëri shoqërohet nga zhvendosja e eshtrave të Enver Hoxhës nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë në varrezat civile. Në të njëjtën kohë, zhvarrosen viktimat e regjimeve (shpeshherë nga varre të përbashkëta e të pashënuara), për t’u rivarrosur në vende të tjera. Gjithashtu, mërgimtarëve të shquar të vdekur në vende të tjera, disa prej të cilëve regjimi politik ua pamundësoi kthimin në atdhe për së gjalli, riatdhesohen me nderime shtetërore.

Regjimet politike dhe trupat e vdekur në Shqipëri

Shqipëria ka një histori relativisht të shkurtër shtetërore, por të pasur me ndryshime të regjimeve, që gjithnjë janë shoqëruar me lëvizje të trupave të vdekur. Tregimi i një historie shtetërore të Shqipërisë përmes varrimit dhe zhvarrimit të trupave të vdekur, ndërmerret në monografinë e Klejd Këlliçit me titullin Një varrim për çdo regjim. Qasja origjinale e bën këtë studim unik në shkencat shoqërore dhe albanologjike. Riatdhesimet dhe lëvizjet brenda vendit të trupave të vdekur kanë qenë edhe më parë pjesë e studimeve shqiptare, mirëpo është hera e parë që ato vihen në qendër të analizës dhe interpretimit shkencor. Për ta realizuar punimin e tij, autori ka shfrytëzuar edhe burime arkivore, kryesisht mbi veprimet shtetërore për të riatdhesuar trupat e vdekur (shqiptarëve të vdekur jashtë dhe të të huajve të vdekur brenda shtetit), si dhe i ka krahasuar këto procese me studime mbi procese të ngjashme që kanë ndodhur në shtete të tjerë, sidomos në rajonin e Europës Lindore.

Autori është përqendruar në tri kategori të trupave të vdekur: (1) viktimat e dhunës politike, siç janë rastet e Avni Rustemit dhe të zhdukurit e regjimit komunist; (2) trupat e “baballarëve” dhe heronjve të kombit të vdekur jashtë atdheut; (3) trupat e ushtarëve të huaj të vrarë në territorin e Shqipërisë (f. 17). Në organizimin e librit të tij, Këlliçi ka ndërthurur linjën kronologjike me atë tematike. Pas hyrjes që prezanton tematikën e librit, kapitulli i parë, i titulluar “Jeta publike dhe vdekja private e revolucionit”, merret me varrimin e Avni Rustemit në Vlorë në vitin 1924, të cilin autori e cilëson si ceremoninë e parë publike që shkëputet nga tradita mortore shqiptare dhe që shënon fillimin e ngjarjes historike që është quajtur “Revolucioni i Qershorit”. Ndërsa mbyllja e episodit të “revolucionit” shënohet nga vrasja dhe varrimi i Bajram Currit, për të cilët regjimi i “Legalitetit” u kujdes të mbanin simbolikën e traditës (f. 41). Kapitulli i dytë, “Një varrim për çdo regjim”, merret me vëmendjen e regjimeve në Shqipëri ndaj eshtrave të patriotëve dhe heronjve, të cilët jo vetëm riatdhesohen, por edhe rivarrosen disa herë, në varësi të nevojave të regjimit. Emblematike për këtë janë rivarrosjen e poetit kombëtar, Naim Frashërit, nga regjimi zogist, ai fashist dhe ai komunist. Në kapitullin e tretë, “Kontrolli i eshtrave”, autori merret me zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve të huaj, kryesisht ata italianë të Luftës së Dytë Botërore, proces që ndodhi në vitet 1960-të, për të cilin publiku i gjerë shqiptar mësoi përmes romanit të Ismail Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe ekranizimeve të këtij të fundit. Nisur nga ky episod, autori reflekton mbi simbolikën e atdheut dhe të pranisë materiale të armikut brenda tij, që kanë paralele me konceptet e së shenjtës dhe të profanisë (f. 172-173).

Tema e mbetjeve materiale të ushtarëve të huaj të rënë në Shqipëri rimerret në kapitullin e katërt, “Eshtra (dis)integrimi”, kësaj radhe si temë e “diplomacisë së eshtrave”, pra komunikimi i shtetit shqiptar me shtete të tjerë – Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Greqia etj. – lidhur me çështjen e riatdhesimit të ushtarëve të vrarë ose të nderimit shtetëror të tyre aty ku kanë rënë. Kjo është temë e hapur dhe shumë e ndjeshme lidhur me të rënët grekë të luftës italo-greke, e cila u zhvillua në territorin e Shqipërisë. Ndryshe nga sa ka vepruar Italia, Greqia ka kërkuar nga Shqipëria ngritjen e varrezave monumentale dhe e ka kushtëzuar këtë kërkesë me pengimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Autori analizon perceptimin e përhapur në publikun shqiptar se krijimi i këtyre varrezave mban gjallë pretendimet shoviniste të Greqisë ndaj Shqipërisë së Jugut. Në këtë kuadër, autori sjell në vëmendje skandalin e eshtrave të zhvarrosura në banorëve të fshatit Kosinë, me qëllimin e “shitjes” së tyre si ushtarë grekë, në të cilin u implikuan edhe klerikë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Kapitulli i fundit i studimit të Këlliçit titullohet “Fillime fundesh dhe funde fillimesh” dhe në të trajtohet rëndësia që marrin disa trupa të vdekur në kuadër të tranzicionit midis një regjimi dhe një tjetri. Afërmendsh që në qendër të këtij kapitulli do të ishte varrosja shtetërore e diktatorit Enver Hoxha në Varrezat e Dëshmorëve dhe rivarrosja e tij në varrezat civile, që ishte një nga aktet e para që ndërmori qeveria e parë jokomuniste në vitin 1992, një muaj pas ardhjes së saj në pushtet. Rënia e sistemit komunist mundësoi një valë të re të riatdhesimeve të trupave të politikanëve dhe intelektualëve të shquar që ishin deklaruar si armiq të regjimit, prandaj e kishin mbyllur jetën në emigrim. Rastet më të debatueshme kanë qenë rivarrimi i ish-mbretit Zogu I në të njëjtin vend kur ndodhej mauzoleu i nënës së tij (që ishte shkatërruar nga partizanët në vitin 1944) dhe rivarrimi i Mit’hat Frashërit në krah të Vëllezërve Frashëri te Parku i Madh i Tiranës.

Te ky kapitull zënë vend dhe përpjekjet e gjetjeve të të zhdukurve të regjimit komunist, që ende është një plagë e hapur për shumë familje në Shqipëri (sikurse janë edhe të zhdukurit shqiptarë të Luftës së Kosovës, trupat e të cilëve u rrëmbyen nga forcat e sigurisë së Serbisë, për t’u hedhur më pas në Danub apo për t’u vendosur në varreza masive të pashënuara). Duke reflektuar paksa mbi këtë temë, mund të themi se totalitarizmi shpeshherë cilësohet si ngushtim apo shuarje e privates. Të vrarët pa varr në Shqipërinë komuniste ishin metoda me anë të së cilës regjimi ua pamundësonte familjeve kujtimin privat të të dashurve të tyre. Nuk bëhej fjalë për të fshehur gjurmët e krimit, siç vepronin diktaturat amerikano-latine, sepse në Shqipëri të vdekurit e zhdukur ishin të regjistruar si armiq dhe familjet e tyre persekutohej në disa breza (siç jam vetë dëshmitar i vuajtjes së familjes sime për shkakun se gjyshi im, Sami Sulstarova, humbi jetën gjatë torturave në hetuesi në vitin 1947 dhe nuk ka një varr të shënuar). Prandaj, rivarrosja e atyre të zhdukurve të regjimit komunist që janë gjetur dhe identifikuar, është njëfarë rikthimi në normalitet, një rivendosje e privates dhe rilidhje simbolike e familjeve me të parët e vet, pas gjendjes së jashtëzakonshme që zgjati pothuaj gjysmë shekulli. Siç e thotë edhe Këlliçi në librin tij, kur u zbulua varri kolektiv i të ekzekutuarve pas hedhjes së një bombe në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë në vitin 1951, u pa që eshtrat ishin aq shumë të përzier, saqë ishte e pamundur ndarja e tyre sipas individëve që u përkisnin. Atëherë u vendos që ata të varroseshin në një varr kolektiv në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Pra, meqenëse Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë praktikisht po trajtohen si një vend prehjeje e heronjve të kombit, periudha e komunizmit nuk përfaqësohet më prej eshtrave të diktatorit dhe udhëheqësve të tjerë të regjimit, por prej viktimave të tyre.

Shënim përmbyllës

Sa më sipër është vetëm një paraqitje e disa temave të librit Një varrim për çdo regjim, mirëpo enkas nuk prekëm diskutimet teorike dhe historitë krahasuese që e pasurojnë analizën e Këlliçit. Kam bindjen se lexuesit do të surprizohen jo pak nga zbulimet e autorit në dokumente arkivore, si p.sh. mbi konkurrencën midis Shqipërisë dhe Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës për riatdhesimin e eshtrave të Hasan Prishtinës (shih f. 124-125). Meqenëse autori është përpjekur të mbulojë pak a shumë zonën e tipologjisë së marrëdhënieve që regjimet politike vendosin me të vdekurit e shquar të kombit, të rënët gjatë luftërave çlirimtare (dëshmorët dhe ushtarët pushtues) dhe me viktimat e dhunës politike, ai e ka parë të nevojshme të mbështetet mbi një larmi teorizimesh interesante që janë bërë për lidhjet e trupit të vdekur me trupin politik të të gjallëve. Ndër autorët e cituar mbizotërojnë filozofët e pushtetit, historianët e koncepteve e të ideologjive dhe antropologët e tranzicioneve politike, si Mishel Fuko [Miche Foucault], Roberto Espozito [Roberto Esposito], Karl Shmit [Carl Schmitt], Reinhart Kosellek [Reinhart Koselleck], Katerina Verderi [Katherine Verdery], Xhorxh Mos [George Mosses], Zhak Derrida [Jacques Derrida] etj. Prekja e disa disiplinave teorike e shkencore nuk ka sjellë aspak një tekst të rënduar nga terminologjia dhe disa sqarime apo trajektore teorike autori i ka vendosur te shënimet në fund të faqeve. Rikthimi disa herë në tekst te një tip i caktuar i varrim-zhvarrimit i ka bërë ndoshta të pashmangshme çeljen e parantezave gjatë analizës kryesore të simbolikës, të cilat mund të shkurtohen apo të organizohen më mirë me rastin e një ribotimi. Vetë fakti se trupi i vdekur do të vijojë të ripërdoret nga politika, tregon se ky libër mbetet aktual dhe se autori mund ta plotësojë e zgjerojë në botime të ardhshme.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X