loader image
December 3, 2024

Qehaja: Rusisë i konvenon një front i ri

Intervistë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shkup, Florian Qehaja

Rusisë i konvenon një front i ri

“Konsideroj që lypset një durim strategjik për ta dobësuar Putinin, proces ky që sipas vlerësimit tim është në rrugë të duhur. Efekti i sanksioneve sigurisht që pritet të ndjehet ndërkohë dhe tashmë kur është duke u ngritur zëri për abrogimin e dhënies së vizave edhe për qytetarët rus. Kjo do ta rriste pakënaqësinë nga brenda sado që si objektiv do të ishte jo lehtë i arritshëm duke ditur se një pjesë jo e vogël e popullatës ruse sikur e përkrah politikën e Putinit në Ukrainë dhe karshi Perëndimit.”, thotë ambasadori Qehaja.

Intervistoi: Ismail SINANI

Foto: Rromir IMAMI

Ndikimi rus në Ballkan është në fokus të intervistës së zhvilluar me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shkup, Florian Qehaja. Duke qenë njohës i mirë i zhvillimeve gjeopolitike në rajon, ambasadori Qehaja jep shpjegime të hollësishme për impaktin e politikës ruse përmes Serbisë.

Ambasadori Florian Qehaja më parë ka qenë drejtues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe ka udhëhequr ekipin e Qendrës së Integritetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë në Kosovë. Ai është hulumtues dhe autor i shumë publikimeve shkencore në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal. Qehaja ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Lubjanës, me fokus hulumtimi në pronësinë vendëse dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë në Kosovë. Ai po ashtu ka përfunduar studimin post-doktoral në Universitetin e Columbia. Është përfitues i bursave prestigjioze OSI/Chevening dhe Fulbright.

SHENJA: A po e shfrytëzon Rusia Serbinë për të nxitur ndasi e përshkallëzime të reja, për të rinisur më në fund një konflikt të ri në Ballkan, në mënyrë që ta zhvendosë vëmendjen e botës e të NATO-s nga lufta në Ukrainë?

QEHAJA: Është më se e lehtë të konstatohet se Serbia në mënyrë vullnetare u ka shërbyer interesave të Federatës Ruse në Ballkan për arsye historike, religjioze, politike e ekonomike. Vetë fakti që shteti serb i reziston botës perëndimore demokratike për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbetet vendi i vetëm në Europë, krahas Bjellorusisë, pa i vendosur këto sanksione, është indikator i mjaftueshëm i relacionit special ndërmjet të dyja shteteve. Në anën tjetër, nuk ka dilemë që Rusisë i konvenon hapja e një fronti të ri të konfliktit, sepse dëshiron ta diskreditojë investimin demokratik dhe zhvillimin e arritur me ndihmën e BE-së dhe NATO-s, sidomos në Ballkan, por edhe në rajonet tjera. Duke e hapur një front të ri në rajonin tonë, Rusia do ta justifikonte pozicionin e saj se investimi strategjik i Perëndimit për stabilitet, zhvillim dhe siguri është i paqëndrueshëm. Rusia synon të mobilizojë rreth saj shumë shtete joperëndimore e autokratike në favor të këtij narracioni.

SHENJA: Vuçiqi, ndryshe nga të gjithë liderët e tjerë të rajonit, të cilët pa ekuivoke u pozicionuan kundër Rusisë dhe në favor të tërësisë territoriale të Ukrainës dhe, rrjedhimisht, krah NATO-s, në mënyrë të vazhdueshme mban lidhje të afërta me Putinin. Sipas jush, ku shpie e gjithë kjo?

QEHAJA: Deri në muajin shkurt 2022, Serbia ka arritur ta mbajë një linjë se mund të qëndroj paralelisht në disa karrige, pra të synojë anëtarësimin në BE dhe të mbajë raporte të veçanta me Rusinë (dhe Kinën). Ky pozicion i saj sikur i shkoi për shtati (deri në atë kohë), për faktin se disa shtete europiane mbanin raporte të thella ekonomike me Rusinë. Agresioni rus në Ukrainë e rrënoi këtë trajektore të Serbisë me në krye Vuçiqin, duke e vendosur Serbinë në një pozicion – logjikisht – të pafavorshëm ndërkombëtar. Vuçiqi e ka të vështirë të veprojë kundër interesave të Putinit jo vetëm për shkak të bindjes së tij dhe një pjese të konsiderueshme të establishmentit pas tij, por edhe për shkak të varësisë energjetike (gazi/energjia elektrike) e politike (veto në KS të KB) ndaj Putinit. Serbia, eventualisht, do të dërgojë sinjale se do të ndërrojë kurs karshi Rusisë vetëm nëse i lejohet integrim i përshpejtuar në BE. Pavarësisht se dëshiron të mirëmbajë raporte speciale me Rusinë, Serbia do të tentojë ta këmbej ndryshimin eventual të kursit në raport me Rusinë nëse merr garanci për integrim të përshpjetuar në BE për faktin se Serbia megjithatë synon integrimin në BE për shkaqe thjesht ekonomike dhe – jo më pak të rëndësishme – për shkak të prestigjit.

SHENJA: Në një kohë që tensionet u ngritën jashtë mase lart në Kosovë, pas vendimin për çështjen e targave, në Rusi disi u rrit ndjeshëm shkalla e alarmit se serbët në Kosovë po keqtrajtohen njëjtë sikurse rusët në Ukrainë. Kjo propagandë dihet se si përfundoi në shkurt të këtij viti, kur trupat ruse ndërhynë në Ukrainë. Sipas jush, a ka gjasa politika serbe “të trimërohet” deri në atë shkallë, sa t’i rreket një aventure të tillë, aq më tepër kur dihen deklaratat e mprehta të Sekretarit të NATO-s, Stoltenberg, se nuk lejohen trazira në Kosovë?

QEHAJA: Rusia e ka specialitet luftën hibride dhe, në një formë, Kosova u afektua nga instrumentet e saj me datën 31 korrik 2022. Botët rusë e serbë në platforma sociale në mënyrë të sinkronizuar plasuan lajme të rrejshme për kinse nisje të konfliktit, duke shfrytëzuar kështu përshtypjen se diçka e tillë tashmë mund të realizohet kur kjo ndodhi në Ukrainë atëherë kur nuk pritej se do të ndërmerrej një hap radikal agresioni në kontinentin e Europës. Kur flasim për Serbinë në raport me Kosovën, vlen të theksohet se qëllimi final i saj është aneksimi i veriut të Kosovës. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia do të mund të shfrytëzojë ndonjë momentum të caktuar për lëvizje të forcave në brendi të pjesës veriore të Kosovës – lëvizje kjo që kushtimisht do t’i krijonte pozicion favorizues në bisedime me Kosovën për shkak se do ta ndryshonte status quo-në. Në skenarë të tillë të agresionit ushtarak, sado simbolikë në kuptimin e lëvizshmërisë së forcave, detyrimisht do t’i fuste në lëvizje institucionet relevante të Kosovës, në funksion të mbrojtjes së sovranitetit, por edhe KFOR-in, duke pasur parasysh mandatin e saj për një ambient të qetë dhe të sigurt. Sa për informim, sulmet ndaj njësiteve policore të Kosovës me datën 31 korrik 2022 ishin bërë nga grupe profesionistësh të kamufluar nga Serbia, mirëpo për fat nuk pati pasoja në njerëz.

SHENJA: Duke qenë se ju edhe para se të emëroheni ambasador jeni marrë në mënyrë aktive me çështjet gjeopolitike, a mund të na sqaroni se cilat janë “kanalet” përmes të cilave Rusia e shtrin ndikimin e saj në këtë pjesë të globit?

QEHAJA: Vlerësoj se janë disa drejtime mbi bazën e të cilave Rusia e ushtron ndikimin e saj në rajon. Fillimisht, drejtimi politik ku ajo kultivon raporte të veçanta me Serbinë dhe mirëmban raportin e saj mosnjohës ndaj Kosovës për shkak të fuqisë bllokuese që e ka si anëtare e përhershme e KS të OKB-së, me të drejtë vetoje. Si pjesë e drejtimit politik, Rusia ushtron ndikim politik në Bosnjë e Hercegovinë, duke ushqyer gjendjen e shtetit diskfunksional të Bosnjë e Hercegovinës nëpërmjet entitetit të “Republika Srpska”. Ndërkaq në vendet e tjera të rajonit ushtron ndikim nëpërmjet partive të caktuara politike sado të vogla që mund të konsiderohen ato. Tutje, Rusia ka ndikim në aspektin ekonomik, i cili kufizohet në çështjet e varësisë së gazit dhe energjisë – problematikë kjo e pranishme jo vetëm në rajonin tonë. Pastaj, vlen të theksohet ndikimi i Rusisë nëpërmjet Kishës Ortodokse, duke pasur parasysh rolin edhe politik të kësaj kishe në raport me Rusinë, por edhe ndikimin e saj tejreligjioz në së paku disa prej shteteve të rajonit tonë. Rusia e vijon ndikimin nëpërmjet instrumentit të mediave, sidomos në Serbi, ku përçon mesazhe të urrejtjes në dëm të kohezionit demokratik dhe stabilitetit që është arritur.

SHENJA: Nëse të gjithë ekspertët e çështjeve gjeopolitike thonë pa mëdyshje se Rusia dëshiron ta shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit në Ukrainë, si ndodhë që Brukseli dhe Uashingtoni “mos t’ia tërheqin penjtë” Serbisë për t’ia treguar qartë trasenë se nga duhet të lëvizë?

QEHAJA: Është në vlerësimin e aktorëve në Bruksel dhe Uashington se si do t’i qasen Serbisë në mirëmbajtjen e raportit special që ajo bën me Rusinë. Prandaj nuk do të isha ndalë aty. Por, ajo që është me rëndësi të ceket është se qytetarët e rajonit në masë të madhe kanë përqafur vlerat universale, madje jo rrallë edhe grupet konservatore thirren në to. P.sh përderisa vlera universale e respektimit të të drejtave të njeriut ose edhe demokracisë tashmë është bërë pothuajse normë në rajonin tonë, në Rusi dhe në shumë shtete të tjera joperëndimore vlerat e tilla nuk pranohen si të mirëqena. Prandaj përplasja me Rusinë ka të bëjë mbi të gjitha me vlerat.

SHENJA: Në bazë të disa analizave nga ekspertë të fushës ekonomike, sanksionet e vëna nga Perëndimi ndaj Rusisë do të fillojnë të ndjehen pas disa muajsh. Kjo i bie se efekti i tyre do të mund të reflektojë nga thellimi i krizës politike në këtë vend. Në një situatë të tillë, duke bërë një korrelacion shkak-pasojë, a mund të presim që në atë kohë Rusia, përmes reflekseve të veta politike në Ballkan, t’i ngrejë tensionet pas disa muajsh, kuptohet nëse jo tani?

QEHAJA: Konsideroj që lypset një durim strategjik për ta dobësuar Putinin, proces ky që sipas vlerësimit tim është në rrugë të duhur. Efekti i sanksioneve sigurisht që pritet të ndjehet ndërkohë dhe tashmë kur është duke u ngritur zëri për abrogimin e dhënies së vizave edhe për qytetarët rus. Kjo do ta rriste pakënaqësinë nga brenda sado që si objektiv do të ishte jo lehtë i arritshëm duke ditur se një pjesë jo e vogël e popullatës ruse sikur e përkrah politikën e Putinit në Ukrainë dhe karshi Perëndimit. Në anën tjetër, sado që Europa është duke i ndjerë implikimet e luftës në Ukrainë, sidomos në sektorin energjetik, do të arrijë të stabilizohet në 2-3 vitet e ardhshme. Rusia, në vlerësimin e saj strategjik, ka kalkuluar se Europa është pikërisht e papërgatitur për t’iu kundërvënë agresionit të saj në Ukrainë edhe për shkak të “agjendës së gjelbër” ku së voni ka filluar dukshëm së zvogëluari emetimin e gazrave, sidomos prodhimin e energjisë elektrike me thëngjill. Kjo situatë e ka vështirësuar substancialisht furnizimin energjetik në Europë dhe prandaj të gjithë jemi duke kaluar në vështirësi sa i përket energjisë dhe rritjes së inflacionit anembanë kontinentit.

SHENJA: Pas të gjitha këtyre zhvillimeve të fundit, a mendoni se “Ballkani i Hapur” mund të funksionojë?

QEHAJA: Pozicioni i Republikës së Kosovës është mjaft i qartë: ne jemi për një treg të përbashkët rajonal sipas parimeve të dakorduara në Samitin e Sofjes, si pjesë e Procesit të Berlinit. Republika e Kosovës mund të jetë pjesë e tregut të përbashkët vetëm si pjesë e Procesit të Berlinit dhe gjithmonë bazuar në kriteret që të gjitha shtetet, përfshirë qytetarët dhe bizneset, do të trajtoheshin mbi parimin e barabarësisë dhe pa ekuiovoke çfarëdo qofshin ato. Platformat e tjera joformale nuk përbëjnë alternativë dhe, si të tilla, do të përfundojnë sikur nisma të llojllojshme joformale në korpusin e madh të nismave rajonale që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor në 20 vjetët e fundit.

SHENJA: Ju jeni ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Si ju kanë pritur autoritetet e vendit dhe si mund t’i cilësoni raportet mes këtyre dy shteteve? A ka hapësirë për përmirësim dhe cilat do të jenë sfidat kryesore në mandatin tuaj si ambasador, duke përfshirë këtu edhe raportet e zhvillimeve gjeopolitike?

QEHAJA: Unë kam pasur nderin që të akreditohem si ambasador në Republikën e Maqedonisë së Veriut në një periudhë kur kemi marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale. Autoritetet kanë pasur një qasje tejet profesionale dhe vijojmë të kemi një komunikimin e bashkëpunim intensiv në funksion të interesit të ndërsjellë. Ndjehem shumë i mirëpritur në Shkup dhe klima pozitive në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve reflektohet edhe në mikpritjen që unë e ndjej që në debutim të misionit. Sigurisht se ka shumë hapësirë për të punuar edhe më shumë, si në rrafshin politik, ashtu edhe atë ekonomik. Kam dëshirë që sa më shpejt të jetësohet lehtësimi i qarkullimit në pikë-kalimet kufitare sipas modelit “one-stop-shop”, si dhe të përmbyllet sa më parë pjesa e mbetur e autostradës nga Shkupi në Bllacë. Duke bërë lëvizje në këto dy drejtime (dhe jo vetëm), do të lehtësonim edhe më shumë bashkëpunimin në interes të qytetarëve. Për më shumë, për Kosovën është tejet e rëndësishme këmbëngulësia institucionale e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për integrim në BE, sepse duke e përcjellë këtë trajektore të integrimeve, do të zvogëloheshin dukshëm tendencat për ngritjen e nacionalizmit e populizmit në dëm të marrëdhënieve ndëretnike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X