Në të gjithë Ballkanin, gjatë viteve ’20 dhe ’30, monarkitë luajtën rolin e forcës konsoliduese që ofronte stabilitet në vende të brishta, të dala nga Lufta e Parë Botërore dhe me shoqëri të fragmentuara. Në këtë panoramë rajonale, monarkia e Zogut nuk paraqitet si një përjashtim shqiptar, por si pjesë e një prirjeje të gjerë ballkanike, ku regjimet mbretërore shiheshin si garancia më e besueshme për ruajtjen e rendit dhe përballimin e presioneve të jashtme.
Ardian MUHAJ, Tiranë
Periudha ndërmjet dy luftërave botërore (1919-1939) përfaqëson një kapitull vendimtar në historinë e Shqipërisë moderne. Nga njëra anë, vendi ishte i brishtë institucionalisht dhe i fragmentuar politikisht, duke u përballur me sfidën e ndërtimit të një shteti kombëtar në kushtet e mungesës së traditës shtetformuese dhe të presionit të jashtëm. Nga ana tjetër, Shqipëria ishte e vendosur në një hapësirë gjeopolitike strategjike mes Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, çka e bënte objekt ndërhyrjesh të pandërprera. Në këtë kontekst, tre elementë e dominuan jetën politike shqiptare: ndikimi i Italisë, anarkia e brendshme dhe përpjekja për ta konsoliduar shtetin e ri shqiptar, e kuptuar kjo si përpjekje për t’u larguar sa më shumë nga dy të parat.
Mes Italisë, anarkisë dhe monarkisë
Italia luajti rolin më të madh në përcaktimin e fatit të Shqipërisë ndërmjet dy luftërave. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Roma u përpoq ta shndërronte Shqipërinë në një zonë të ndikimit të saj. Traktati i fshehtë i Londrës (1915) dhe konferencat e mëvonshme diplomatike dëshmojnë ambicien italiane për të kontrolluar portet strategjike shqiptare, sidomos Vlorën. Edhe pse lufta çlirimtare e vitit 1920 i detyroi italianët të tërhiqen nga Vlora, prania politike dhe ekonomike italiane nuk u ndërpre.
Pas Konferencës së Paqes dhe shembjes së Perandorisë Austro-Hungareze dhe asaj Osmane, Roma siguroi një protektorat të heshtur mbi Shqipërinë, i cili kulmoi me pushtimin fashist të 7 prillit 1939. Kjo nuk ishte produkt i vendimeve të brendshme të shtetit shqiptar apo i politikës së tij të jashtme, por pjesë e një rrethane më të gjerë diplomatike. Në arenën ndërkombëtare, fuqitë e mëdha europiane e kishin pranuar de facto Italinë si protektore të Shqipërisë, duke e konsideruar këtë zgjidhje si një kompromis të dobishëm për ruajtjen e ekuilibrave ballkanikë dhe të status quo-së në Adriatik. Qysh në Konferencën e Ambasadorëve në Paris (1919-1921), ku u rikonfirmuan kufijtë shqiptarë, Italia u shfaq si garantuesja kryesore e shtetit të brishtë shqiptar, duke marrë mbështetjen e heshtur të Londrës dhe Parisit. Edhe vendimet e Lidhjes së Kombeve, në vitet 1920-të, sidomos në çështjet e kufirit me Jugosllavinë dhe Greqinë, e pranuan rolin italian si mbikëqyrës dhe ndërmjetës i privilegjuar. Britania e Madhe, e përqendruar në ruajtjen e ekuilibrave mes Adriatikut dhe Mesdheut Lindor, e pa të përshtatshme ta linte Italinë të ushtronte ndikim mbi Shqipërinë, për të penguar çdo avancim të Jugosllavisë ose Greqisë. Edhe Franca, ndonëse herë pas here shprehu rezerva, e pranoi këtë realitet si pjesë të strategjisë së saj të aleancave.
Në këtë kontekst, presidenti dhe mbreti Zog nuk kishte shumë hapësirë reale për të ndjekur një politikë të pavarur. Vartësia e Shqipërisë nga Italia nuk ishte pasojë e një zgjedhjeje të lirë ose e një dëshire personale të Zogut, por rezultat i këtij konsensusi të gjerë ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha europiane e kishin pranuar Italinë si protektoren zyrtare, edhe pse jo gjithmonë të shpallur, të Shqipërisë. Ky konsensus i heshtur i diplomacisë europiane, i mbështetur mbi logjikën e ekuilibrit të fuqive, e reduktoi sovranitetin shqiptar në një formë të cunguar, duke e vendosur vendin në një trajektore të pashmangshme vartësie politike e ekonomike ndaj Romës.
Nga anarkia tek Republika dhe Monarkia
Shqipëria e viteve 1919-1924 karakterizohet nga anarki e brendshme, trazira lokale dhe destabilitet politik. Pas largimit të fuqive të huaja, vendi nuk arriti të gjejë një ekuilibër të qëndrueshëm politik. Qeveria që në fakt nuk qeveriste e Nolit dhe rrëzimi i saj në dhjetor të po atij viti shënuan një moment kulmor të këtij destabiliteti. Noli dhe regjimi i tij nuk kishte mbështetje të gjerë shoqërore, as strukturë politike të konsoliduar, e as instrumente të qarta për ta shndërruar Shqipërinë në një shtet funksional. Noli u përpoq të aplikonte një program radikal reformash, të cilat, megjithëse kishin tingull progresist, mbetën thjesht projeksione ideologjike pa lidhje me realitetin shoqëror shqiptar. Në vend që të siguronte stabilitet dhe ta konsolidonte autoritetin e institucioneve, qeverisja e tij nxiti më shumë ndarje, krijoi pasiguri dhe i forcoi klanet politike e krahinore që shihnin te Noli një figurë të përkohshme. Për rrjedhojë, rënia e tij në dhjetor 1924 nuk ishte thjesht triumfi i Zogut dhe i forcave konservatore, por shprehje e mungesës së një strategjie të qartë për ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve. Me rikthimin në pushtet në dhjetor 1924 dhe shpalljen e Republikës dhe, më pas, të Mbretërisë, Ahmet Zogu arriti të vendosë një stabilitet relativ në vend. Reforma administrative, krijimi i një sistemi juridik të centralizuar dhe një aparat shtetëror më funksional përbënin hapa të rëndësishëm drejt shtetndërtimit. Në fakt, përballë dy realiteteve që kishin dominuar jetën politike shqiptare, varësisë së pashmangshme nga Italia dhe traditës së anarkisë së brendshme, Shqipëria nuk kishte alternativë më të qëndrueshme sesa Republika dhe, më pas, Monarkia.
Në të gjithë Ballkanin, gjatë viteve ’20 dhe ’30, monarkitë luajtën rolin e forcës konsoliduese që ofronte stabilitet në vende të brishta, të dalë nga Lufta e Parë Botërore dhe me shoqëri të fragmentuara. Në këtë panoramë rajonale, monarkia e Zogut nuk paraqitet si një përjashtim shqiptar, por si pjesë e një prirjeje të gjerë ballkanike, ku regjimet mbretërore shiheshin si garancia më e besueshme për ruajtjen e rendit dhe përballimin e presioneve të jashtme. Në kushtet kur sovraniteti shqiptar ishte tashmë i cunguar nga faktorët ndërkombëtarë dhe ku shoqëria shqiptare nuk kishte arritur ende të prodhonte një kulturë politike të konsoliduar, monarkia shënoi një kalim nga fragmentimi dhe eksperimentet e pasuksesshme drejt një forme më të centralizuar të qeverisjes, e cila me të gjitha kufizimet dhe kompromiset e saj ia dha Shqipërisë dekadën e parë të stabilitetit institucional në historinë e saj moderne.
Republika dhe Monarkia shqiptare si shprehje e së drejtës së Shqipërisë për vetëvendosje
Historia politike e Shqipërisë në vitet 1912-1920 është e pandashme nga konteksti i saj ndërkombëtar dhe nga kuadri ligjor që ia imponuan fuqitë e mëdha europiane. Një element thelbësor në këtë proces ishte vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913), ku fuqitë e mëdha vendosën të mos e njihnin Shqipërinë si republikë të pavarur, por me statusin e një principate autonome dhe të trashëgueshme, me në krye një princ të huaj europian. Me këtë akt, Shqipëria u vendos brenda një formule kompromisi si shtet më vete, por i kufizuar në sovranitet dhe i detyruar të pranojë në krye një princ europian. Zgjedhja e princit gjerman Wilhelm von Wied, më 1914, ishte shprehja konkrete e kësaj formule, megjithëse pranimi i tij zgjati vetëm disa muaj, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe rezistencës së brendshme ndaj një figure të huaj. Ky vendim, ndonëse nuk iu përshtat plotësisht rrethanave politike shqiptare, mbeti bazë normative e së drejtës ndërkombëtare për Shqipërinë në dekadën e parë të ekzistencës së saj shtetërore.
Edhe pas largimit të princit Wied dhe pushtimit të Shqipërisë nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore, formula ligjore e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve mbeti në fuqi si kuadër i të drejtës ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse fuqitë e mëdha dhe, veçanërisht, Lidhja e Kombeve, në vitet 1919-1920, e konsideronin Shqipërinë ende si principatë. Në këtë kuadër ndërkombëtar, vendimet e Kongresit të Lushnjës, në janar 1920, nuk e përmbysën dot modelin e principatës, por e përshtatën atë me realitetin politik shqiptar. Kongresi miratoi një qeveri kombëtare dhe një organ të lartë shtetëror, Këshillin e Naltë të Regjencës, i përbërë nga katër personalitete, me përfaqësim gjeografik e politik, duke i dhënë legjitimitet përfaqësues institucionit. Këshilli i Regjencës supozohej t’i ushtronte funksionet e kryetarit të shtetit deri në rikthimin e princ Wied-it ose zgjedhjen e një princi të ri. Përveç Këshillit të Lartë me katër anëtarë, Kongresi miratoi edhe Këshillin Kombëtar me 37 anëtarë, si parlamenti i parë shqiptar. Në këtë mënyrë, shqiptarët legjitimuan një zgjidhje të ndërmjetme, pasi u ruajt kuadri ligjor i principatës së trashëgueshme, por administruar me mjete të brendshme, duke e zhvendosur qendrën e sovranitetit nga kancelaritë e huaja tek institucionet kombëtare.
Në traditën juridike europiane, regjenca është institucioni juridik që ushtron autoritetin suprem të shtetit në mënyrë të përkohshme, në vend të sovranit të munguar. Ajo mund të jetë e një personi të vetëm (regjent) ose e një organi kolegjial (këshill regjence). Kjo situatë lind zakonisht në tre raste: në rastin e mungesës ose pamundësisë së sovranit (p.sh. vdekja e tij dhe mungesa e trashëgimtarit të rritur në moshë), në rastin e vakumit kushtetues (p.sh. dorëheqje, rrëzim ose pamundësi për ta ushtruar funksionin) dhe për shkak të konteksteve ndërkombëtare, kur një shtet është i detyruar ta presë vendimin e fuqive të tjera për njohjen e sovranit të ri. Në të drejtën kushtetuese, regjenca konsiderohet një institucion i natyrës tranzitore, që nuk e ndryshon formën e regjimit politik, por thjesht e mban atë në pritje të ripërtëritjes. Në Shqipëri, termi u aplikua pas vitit 1920-të, kur vendi nuk kishte princ të huaj sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve. Në kuptimin politik, regjenca është një mjet kompromisi që ia garanton shoqërisë dhe skenës ndërkombëtare vazhdimësinë e autoritetit shtetëror, pa hyrë në konflikte mbi legjitimitetin e pushtetit. Në rastin shqiptar, regjenca ishte një mënyrë për ta respektuar kornizën juridike të vitit 1913 (principatë e trashëgueshme me princ europian), por duke ia dorëzuar ushtrimin e përkohshëm të autoritetit shtetëror një organi kombëtar. Ky mekanizëm bëri të mundur që Shqipëria të pranohej si anëtare e Lidhjes së Kombeve në dhjetor 1920, duke treguar se brenda një kornize ligjore të përcaktuar nga fuqitë e mëdha, shqiptarët kishin gjetur mënyrën ta afirmonin subjektivitetin e tyre ndërkombëtar.
Megjithatë, koncepti i principatës së trashëgueshme mbeti një kufizim i vazhdueshëm për sovranitetin shqiptar. Përpjekjet për të gjetur një princ të ri europian dështuan, ndërsa realiteti politik i brendshëm evoluoi në një drejtim tjetër. Këshilli i Naltë i Regjencës i Principatës së Shqipërisë veproi juridikisht në emër të princ Wied-it, i cili edhe pse e lëshoi Shqipërinë në shtator 1914, zyrtarisht ishte kreu i shtetit shqiptar deri më 31 janar 1925, kur Shqipëria u shpall republikë dhe Ahmet Zogu president i Republikës. Për këtë arsye, shpallja e Republikës Shqiptare në janar 1925 ishte një akt i rëndësishëm i vetëvendosjes politike, përmes të cilit shqiptarët vendosën t’i japin fund përkohësisë së Regjencës dhe modelit juridik të trashëguar nga Konferenca e Ambasadorëve. Me këtë akt, Shqipëria nuk ishte më formalisht një principatë që priste ardhjen e një princi të huaj, por një republikë e drejtuar nga një president i zgjedhur nga parlamenti shqiptar.
Kjo vetëvendosje u thellua më tej me shpalljen e Monarkisë Shqiptare në shtator 1928, kur Zogu mori titullin Mbret i Shqiptarëve. Ky hap e mbylli përfundimisht periudhën e tranzicionit dhe të improvizimit institucional, duke e shndërruar Shqipërinë nga një principatë e konturuar nga fuqitë e huaja në një mbretëri të shpallur nga vetë shqiptarët. Ky transformim kishte një rëndësi të dyfishtë, sepse brenda vendit përfaqësonte përpjekjen për të siguruar stabilitet dhe kontinuitet shtetëror, ndërsa në planin ndërkombëtar ishte shprehja e vullnetit të shqiptarëve për të përcaktuar vetë formën e regjimit të tyre politik, duke dalë nga kornizat e vendimeve të imponuara në Londër e Paris.
Përmbledhtazi, historia e Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve deri te shpallja e Monarkisë është historia e kalimit nga një sovranitet i kufizuar e i përcaktuar nga fuqitë e huaja drejt një forme të vetëvendosjes politike. Këshilli i Regjencës ishte kompromisi i parë, që e mbajti gjallë shtetin shqiptar brenda kuadrit ligjor të principatës. Por, shpallja e Republikës dhe, më pas, e Monarkisë shënuan emancipimin politik të shqiptarëve, të cilët vendosën t’i japin fund konceptit të Shqipërisë si një principatë e trashëgueshme dhe ta marrin në duar fatin e vet shtetëror. Në këtë mënyrë, themelimi i Republikës në 1925 dhe i Monarkisë në 1928 ishin dëshmi e sovranitetit të afirmuar nga vetë shqiptarët dhe i një vetëvendosjeje historike që mbylli kapitullin juridik të principatës së huaj të trashëgueshme dhe të Regjencës si institucioni tranzitor që e zëvendësonte princin. Kështu, vendosën një formë të re legjitimiteti shtetëror, e cila nuk varej më nga vendimet e jashtme, por nga vullneti i institucioneve shqiptare, drejt një shteti që ushtronte vetëvendosjen politike përmes republikës dhe monarkisë.