loader image
November 20, 2024

Vdekja e Shkrimtarit

Veprat, personazhet, botët e ndërtuara prej Kadaresë nuk janë njëdimensionale, as bardhezi. Karakteristik është nuancimi dhe mosthënia e së tërës, shprehja, pra, përmes asaj që nuk shkruhet. E sidomos, sa herë është e mundur, shmangia e predikimit moralizues mbi shoqërinë që është dhe atë siç duhet të jetë, sepse letërsia vdes aty ku fillon moralizma.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Mesazhet nga nëna më zgjuan. Ishin dy foto raftesh me libra nga biblioteka familjare. Nëse shkruan diçka për Kadarenë, tha, përdor këto foto. Paskësh vdekur.
Me nënën dhe gruan çuam një dorë trëndafila në varrezat e Sharrës ku prehet im atë. Ishte e njëjta ditë në të cilën, shtatë vite më parë, kish vdekur. Mbase në Tiranën e stërnxehtë pleqtë më shpesh i merr me vete behari, ashtu siç në vende më veriore mund t´i marrë dimri.
Një e-mail më njoftoi se të nesërmen paradite do të organizohej në Pallatin e Kulturës në Tiranë homazh për nder të Shkrimtarit, ku ne si kryesi e Lëvizjes Vetëvendosje do të shkonim të organizuar. Aty për aty mendova se me siguri do të kishte pjesëmarrje masive popullore, mbarëkombëtare, siç e meritonin personalitetet e atyre përmasave. Kisha ndërmend manifestimet përcjellëse për shkrimtarë të shquar nga vende të ndryshme, të afërta e të largëta, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Kadareja me siguri i ka dhjetëra mijëra, në mos po qindra mijëra, lexues e adhurues, shqiptarë e jo vetëm, i thashë vetes.
Më pas u kujtova për porosinë mëngjesore të nënës, të shkruaja diçka në rrjetet sociale, si të gjithë. Diçka të shkurtër vendosa, sepse si mund të shkruash ngushëllim të gjatë për dikë që ka shkruar aq bukur. Shkrova se Kadare për disa breza shqiptarësh, sidomos për të lindurit në katër dekadat e fundit të shekullit të mbramë, ka qenë dera nga hyhet në shijen e mirëfilltë. Shtova dhe një kujtim personal, nga kohët kur si njëmbëdhjetë vjeçar lexoja “Pallatin e ëndrrave” dhe trembesha se mos në të ardhmen përfundoja si Ebu Qerimi (i njohur në disa versione edhe si Mark Alemi), ndonjë burokrat i trishtë që analizon e skualifikon ëndrra nëpër dosje, rrotëz e vogël e një ingranazhi gjigand çnjerëzor.
Që në rrjete sociale zakonisht has performanca a shtirje, kjo nuk befason dhe as trazon shumë. Dihet se ato janë piedestalë për përdorim vetjak, që narcizizmin, dikur sëmundje të një shtrese dekadente të klasës së mesme, e ndjellin dhe e mbjellin te secili. Makinë për ngrënien e kohës, ndotës e uzurpues të mendjeve. Megjithatë, janë një pasqyrë. Në rastin e vdekjes së Kadaresë, kjo pasqyrë paraqiti shpesh injorancë dhe sa herë ajo shfaqet si dukuri e gjerë në kombin ku përkas, më dhemb.
“Pusho i qetë gjeneral i letrave shqipe”, shkruanin – të pavetëdijshëm se gjenerali në veprën e Kadaresë është një figurë groteske, simbol i fryrjes së kotë të një fuqie të thyer, një lloj kacagjeli që pretendon dinjitet shtetëror, por që ballafaqohet me nënshtratin lapërdhar të shtetit të tij. “Prehu në paqë o mbret e o sovran, o hyj i letërsisë”, shkruanin ca të tjerë – si duket jo nga harresa, po nga mosdija për rolin që Kadareja në veprën e vet u lë zeusëve, sulltanëve, faraonëve, prijësave, presidentëve, udhëheqësve… Pastaj mendova, a ka lidhje ky kitsch i ngushëllimeve me ato klishetë përkëdhelëse “princeshë e babit” e “mbret i mamit”, apo “ku je o kral?” e “ku je o king?”, të cilat kanë ekzistuar edhe para rrjeteve sociale. Nuk qe halli se mos ofendohej Kadareja, i cili ish vërtet në paqe, por më dhimbte varfërimi i fuqisë shprehëse dhe i imagjinatës. Asnjë shkrimtar i përmasave të tilla nuk ia paska dalë ta skalisë, ta ngrejë në nivel imagjinaren e masave mbi pushtetin.
Pozita e pushtetit haptazi lakmohet e gjerësisht shihet si “bekim” prej “princit të babit” e “mbretëreshës së mamit”. Por, kah kjo lakmi, nga na kanë ardhur këto ëndrra konformiste? Kah tjetër, pos nga vetë pushteti? A nuk është ky kumti kadarean tek “Ëndrra mashtruese”, mjeti që Zeusi përdor për të kontrolluar së brendshmi shumëkënd? Sepse pushteti nuk mbahet me dhunë për kohë të gjatë, ai ka nevojë për legjitimim e justifikim. Vetëm një pushtet që përcakton dëshirat dhe ëndrrat e njerëzve e siguron hegjemoninë. Pra, intuitivisht, Kadareja arrin atje ku Althusseri mbërrin me mjete të filozofisë, vetëm atëherë kur pushteti arrin të sigurohet se populli po ëndërron atë çka duhet ëndërruar, bëhet e mundshme që populli të ketë “pushtetin që meriton”. Duke dëshiruar, duke uruar, duke ëndërruar që fëmijët ose të dashurit tanë, të jenë (si) princër e mbretër, pavetëdijshëm justifikojmë shkelmin më serioz që i bëhet republikës prej pushtetarësh të zgjedhur që mendojnë e veprojnë si monarkë mesjetarë, që pozitën e shohin si dekoratë e jo si detyrë, që publiken e trajtojnë si ta kishin me tapi familjare.
“Pusho në amshim në pallatin e ëndrrave të tua o gjeni”, shkruante një tjetër, që me gjasë prej “Nëpunësit” kishte lexuar veç titullin dhe nuk e dinte se Pallati kadarean, përveçse ishte një institucion monstruoz për shoqërinë jashtë tij, edhe së brendshmi ishte një vend i zymtë ku mbretëronte lagështia dhe angushtia, ku gëlonte intriga e karrieristëve dhe servilëve. Një vend ku karakteret thyheshin dhe virtytet shformoheshin. Me siguri asnjë dashamirës nuk do t´ia dëshironte amshimin në një vend të tillë Kadaresë po t´ia kishte lexuar librin. Por, fundja, a nuk janë rrjetet sociale vendi ku shpesh shkruhet pikërisht për gjëra që s´i dimë? “Me rëndësi të shprehet dhimbja për figurën kombëtare”, shkruante dikush tjetër, i lodhur nga qortimet si puna e këtyre të miave më sipër, sepse pati sa të duash edhe të tilla. Mirëpo, duhet refuzuar shndërrimi i Kadaresë në një ikonë, në një imazh të zbrazët, si ato që proliferojnë në triumfin e imazheve në rrjetet sociale. Kadareja nuk ishte një figurë, një VIP. Ai ishte Shkrimtari. Ishte shkrimtar qysh para se vetë shkrimi të imazhizohej, para se të përdhosej kësofare, pra para se procedura e lashtë e balsamosjes të zaptonte edhe këtë mënyrë të fuqishme të shprehjes njerëzore.
Nëse në “Ëndrrën Mashtruese” shkruhet për procesin e shpërndarjes së kumtit ideologjik ose të kolonizimit të dëshirave, që gjerësisht e njohim si propagandë, tek “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” shkruhet për një tjetër mekanizëm kontrolli – institutin studimor dhe arkivën. Në atë pallat mblidheshin dhe klasifikoheshin, sipas protokolleve e kritereve të përcaktuara qartë, ëndrrat e nënshtetasve, duke mundësuar kësisoj një “fotografim” statistikor të psikës dhe psikozës kolektive, por edhe një sekuencim ose histori të këtyre fotografive, për të diagnostifikuar e parashikuar zhvillime të rëndësishme e të parëndësishme. Sepse, ajo çka mban në kokë njeriu priret të dalë jashtë saj. Ngjarja e librit zhvillohet në një mesjetë fiktive, por nëse do të qe fiksion mbi modernen, në atë institut-arkivë do të punonin patjetër antropologë, sociologë, psikologë, ekonometristë, meteorologë e specialistë të sigurisë. Natyrisht, edhe programues që do të ndërtonin modele algoritmike që edhe kompjuterët “të mësonin” nga ëndrrat njerëzore, pra që ato të bëheshin të vëzhgueshme, të manipulueshme e të parashikueshme edhe nga “inteligjenca artificiale”.
Të tilla mendime, jo fort të thelluara, pata atë ditë, teksa rrekesha të imagjinoja se çka do të kishte shkruar Kadareja nëse teknologjia e vëzhgimit, kontrollit dhe propagandës do të kishte patur këtë vrull zhvillimi në kohën kur Shkrimtari përjetonte kulmin e fuqisë së vet krijuese. Një personazh i njohur i medias propagandiste të kohës sonë, për të cilin nuk kam kushedi ç´respekt, shkruante se Kadareja me “Nëpunësin” e linte pas Orwell-in. Eh, zot, thashë me vete. Po ç´lidhje ka “Nëpunësi”, që është një vepër letrare e nivelit botëror, me pamfletet distopike të Orwell-it apo me çdo vepër tjetër distopike? Distopitë, sado tërheqëse, zakonisht janë vepra të sheshta, njëdimensionale, që ngrihen mbi një ekzagjerim skematik gati manikeist. Orwell-i pa dyshim ka shkruar nja-dy distopi të mprehta, ka qenë publicist e reporter i fortë, por nuk hyn në rendin e Shkrimtarëve. Veprat, personazhet, botët e ndërtuara prej Kadaresë nuk janë njëdimensionale, as bardhezi. Karakteristik është nuancimi dhe mosthënia e së tërës, shprehja, pra, përmes asaj që nuk shkruhet. ,E sidomos, sa herë është e mundur, shmangia e predikimit moralizues mbi shoqërinë që është dhe atë siç duhet të jetë, sepse letërsia vdes aty ku fillon moralizma.
Erdh e nesërmja. Në ceremoninë e homazheve kishte diçka të nxituar. Shumica e pjesëmarrësve ishin nga institucionet. M´u krijua përshtypja se nxitimi s´qe i rastit, qe aty për të mos e lejuar pjesëmarrjen masive popullore. Në një gjest të padenjë e të pakulturuar kryeministri i Shqipërisë uzurpoi podiumin duke konsideruar se arti e kultura shqiptare s´kishin më askënd për bè, asnjeri më të denjë se pushtetari për t´ia thënë lamtumirën Shkrimtarit. Në fjalimin e vet kryeministri nuk denjoi të thotë ndonjë gjë për veprën e rëndësishme të Kadaresë. Por, nuk hezitoi të fyente praktikisht gjithkënd duke pretenduar se e dinte që “Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata që s´e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s´do t´i donte assesi rrotull”. Ne s´kemi nga ta dimë, as ai e askush s´ka nga ta dijë se si do të ndihej “Ismaili symbyllur”, por nga veprimet e vepra e Ismailit syçelë e kuptojmë pa zor se imazhi i krijuar nga Rama për Kadarenë si kinse mizantrop, është i padenjë, i padrejtë e i pasaktë. Po të ishte se Kadareja nuk i duronte dot njerëzit dhe na paska qenë një lloj solipsisti që duronte vetëm Ramën, a do të ishin të mundura gjithë ato fotografi në rrjete sociale? Shkrimtari nuk ia ka refuzuar askujt adhurimin nga afër. Le që, edhe po të kishte qenë solipsist e t´i refuzonte të gjithë pos disave, me siguri ndër ata pak nuk do të përzgjidhte mbajtësit e pozitave të pushtetit – e thotë vepra e vet këtë gjë, Kadareja nuk e vendos kurrë narratorin kryesor pranë pushtetarëve, madje as në rastet kur vetë vepra e tij ka qëndrim të përgjithshëm pozitiv për ndonjë pushtetar. Siç dallohet nga librat e tij, Shkrimtari ishte i vetëdijshëm se pushteti vazhdimisht kufizon, shter. Andaj, pse vallë mendon Rama se Kadareja paska nevojë për pushtetin (e Ramës) që ta mbrojë nga populli? Apo, vallë, Rama u përket atyre që mendojnë se Kadarenë e bëri shkrimtar të madh pushteti, e jo lexuesit e vet? Ec e dije se ç´mendon Rama. Por, se ç´mendon Kadareja për këtë punë e dimë, sepse e ka shkruar. Në 22 qershor 2019, në gazetën letrare “Ex Libris” ai vetë shkruante se “Shumica e njerëzve kanë dashuri për shkrimtarin por kjo është e pabujshme”. Në atë rrëfim ai kujton:

“Më 1995, në Luksemburg u themelua Akademia e Poezisë. Ceremonia ishte luksoze. Kishte shkrimtarë e poetë të njohur nga gjithë bota. Unë mbajta fjalën e hapjes.

Ditën e tretë në mbrëmje, pak përpara darkës së lamtumirës, më thanë se te hyrja e hotelit më kërkonin. Ishin një grup shqiptarësh, rreth 30 veta, të gjithë mërgues në viset përreth. Shumica kosovarë. Kishin marrë vesh në TV praninë time dhe deshën thjesht të më takonin. Ndonëse ishin të ndrojtur e fjalëpakë, qëndruam rreth një orë bashkë. Pastaj u thashë se duhej të shkoja në darkën e mbylljes. U ngritëm të gjithë dhe më kërkuan leje të më shoqëronin gjer te ndërtesa ku bëhej darka. Kaluam kështu mespërmes parkut. Kur iu afruam sallës, pas qelqeve të së cilës rrezëllinin dritat, ngadalësuam hapat. Kështu, unë përpara, ata pas, iu afruam hyrjes. Aty u thashë natën e mirë dhe ngjita shkallët. Kur ktheva kryet pashë se rrinin ende aty, si një mur i heshtur, në këmbë, me sytë nga qelqet e sallës. Ndërkaq, shumë të ftuar ishin bërë kureshtarë për ta dhe ishin afruar te qelqet për të marrë vesh se ç’ndodhte. Organizatorët e darkës gjithashtu. U thashë se ishin shqiptarë refugjatë, shumica nga Kosova, ndaj dukeshin aq të zymtë.
Po mbërrinin të ftuarit e fundit, pritej Dukesha e Madhe që do të kryesonte darkën. Te qelqet ndërkaq ishin shtuar poetët që vështronin përjashta grumbullin e shqiptarëve. Ishin krejt të mahnitur nga ajo pamje epike, nga ai seriozitet, nga ajo përzitje madhështore. E kishin ëndërruar, siç më thanë pas pak, një lidhje të tillë me lexonjësit e tyre. Një marrëdhënie të tillë, që ngjante e rrezikshme dhe funebre, ngaqë poezia përzihej me lirinë ose, më saktë, me mungesën e saj.
Kështu, për njëfarë kohe të dyja palët vështruan njëra-tjetrën, të ndarë nga qelqet e mëdha. Kur i pashë të largoheshin, ashtu si një mur i errët, i huaj për këtë botë, moskuptues, antik, mendova se ky ishte muri i popullit tim, që një ditë mund të më zinte nën vete e unë kësaj as do të mundja e as do të doja t’i shmangesha…”. (Ismail Kadare, “Ex Libris”, qershor 2019)

Pse, vallë, pra, kësaj dashurie të pabujshme, por epike e të ëndërruar nga shumë shkrimtarë, këtij respekti sublim të lexuesve të Kadaresë për Shkrimtarin, të cilit ai vetë as nuk do të mundej e as nuk do të donte t´i shmangej, vendosi t´i vërë digë Edi Rama? Mos, ndoshta, ngaqë, i fokusuar siç është në polemika të pandalshme me xhuxhë fiktivë, vetë kryeministri i Shqipërisë ka përfunduar të bëhet një prej tyre (figura e xhuxhit me të cilin nuk duhet të polemizosh se bëhesh vetë xhuxh gjendet në vijimin e këtij rrëfimi kadarean te “Ex Libris”).
Fjalimi i Ramës nuk mbaroi me kaq. Në mënyrë absurde ai zu të fliste për vendvarrimin e Kadaresë. Foli gjatë, polemizoi me të tjerë xhuxha që paskan bërë propozime për vendvarrime. E në një moment ndodhi ajo që ka nisur të ndodhë shpesh, nisi të psikanalizojë vetveten:

“Ndërsa unë, pjesë e pavullnetshme e këtij zgjatimi grotesk në jetën reale të botës kadarejane, në rolin e nëpunësit të autorizuar nga qeveria për mbarëvajtjen e organizimit të funeralit, mendova që po të bënim një kullë mbrapa Skënderbeut, me shumë apartamente për të tërë të vdekurit me emër të madh apo të zmadhuar të këtij vendi, do ta mbyllnim mbase përgjithnjë problemin historik të gjetjes së vendvarrimit të duhur në kësi rastesh. Mirëpo pastaj u ndala i tmerruar sepse jo vetëm pash mundësinë reale të prurjes së papërballueshme të lumit të kërkesave për apartament nga aq shumë “ndere kombi” të bëra në këto vite për një mori të vdekurish, po edhe më shumë akoma nga ideja e krijimit të një radhe të gjatë të gjallësh, të cilët sipas çdo gjase mund të paraqisnin bashkë me CV-në përkatëse, kërkesën për të vdekur që të siguronin një apartament në atë kullë.” (Edi Rama, 3 korrik 2024)

Ndodh çka ndodh, Rama mendon për kullë. Kjo është e frikshme. Ka nisur ta frikësojë edhe atë kjo gjë. A mendon dot Rama diçka tjetër, veç kullës? A flet dhe a bën dot gjë tjetër, veç kullave që vranë qytetin jo thjesht në sensin arkitekturor e urban, por edhe në sensin demografik, sepse për t´i ndërtuar ato tempuj shpëlarës të kapitalit gri, u desh fillimisht që “të spostoheshin”, të largoheshin, prej andej banorët. A është vallë përmendja vend e pa vend, me e pavetëdije e kullave një farë gjesti prej Raskolnikovi, një farë paraleleje e klishesë “krimineli gjithnjë rikthehet në vendin e krimit”? Apo mos është degëzim i papritur i elipsit kadarean dhe ëndrra Mashtruese paska hyrë jo vetëm në mendjet e vdekatarëve të thjeshtë, por edhe në mendjen e Zeusit. Ec e merre vesh! Sidoqoftë, i pahijshëm m´u duk ky diskutim kantieresh ndërtimi në atë që prisja të ishte nderim i fundit i kombit për Shkrimtarin kombëtar. Sepse, Kadareja ishte i tillë. Jo vetëm në kuptimin banal, si një i yni që u bë i suksesshëm në botë, prandaj duhet të krenohemi me të. Por, sidomos, në palcën e veprës së tij dhe në bindjet e tij. Në esenë “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë” ai shkruante:

“Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes “Shqipëri e vockël”, “popull i vogël” s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur përtkurrjen e mëtejshme të këtij populli.
Ndërkaq, porsa diku del në pah ndonjë mendim, ndonjë program ose ndonjë pyetje: përse shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë duhet të jetojnë të ndarë, aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe buis shprehja “Shqipëri e madhe”. Kjo shprehje përsëritet me një farë tmerri, si diçka e rrezikshme, thua se në këtë botë vetëm 8 ose 9 milionë shqiptarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrezikshëm për botën! E ndërkaq, askush nuk thotë, sipas kësaj logjike, se 90 milionë gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm, e aq më pak askush nuk thotë se 250 milionë rusët, bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.”
E pak më tej, në të njëjtën sprovë merrej edhe me problemin e përçarjes, si një nga veset më të këqija të kombit të tij e tonit:
“Ndryshe nga hebrenjtë e disa popuj të tjerë, që janë solidarë e të lidhur me njëri-tjetrin, shqiptarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyre tejet individualiste është xehe e pafundme për të pjellë egoizmin, ambicjen, smirën e etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti, kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.
Këto cilësi të natyrës njerëzore, që ndeshen kudo, bëhen veçanërisht të rrezikshme te shqiptarët, për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqiptar. Prej tyre rrjedh një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin. Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të veçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve, shqiptari shpesh e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore, ndryshe nga liria absolute e kafshëve është madhështore, pikërisht, ngaqë është e vështirë, domethënë e kufizuar nga ligji. Këtej vijnë keqkuptimet për demokracinë, për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.
Koncepti i gjymtë për shtetin, zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanike çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin, kur krahinarizmi kthehet në rival të kombit.” (Ismail Kadare, “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”, Onufri, 2005)
“A e ka parë ndonjëherë Rama veten nën këtë filtër?”, pyesja veten teksa ikja nga salla ku ai mbante fjalim. Pra, a e ka analizuar ndonjëherë veten në raport me natyrën tejet individualiste, në raport me xehen që pafundësisht pjell egoizëm, ambicje, smirë… vanitet, kapardisje të neveritshme e sedër të sëmurë? A e kupton dot, vallë, ky njeri që flet dhe bën vetëm kulla, madhështinë e lirisë të njeriut të veçuar (pra të lirisë së tij) që duhet të qëndrojë pikërisht te kufizimi i asaj lirie prej ligjit, domethënë prej respektit për shtetin si shprehje e kombit, e të përbashkëtës? Me siguri që jo. Kadareja shkruante për mijëvjeçarin e tretë, e Rama është në të katërtin, ama jo si artist e as si politikan.
Shkrimtarët dhe artistët hyjnë në histori për gjërat më me vlerë që bëjnë, politikanët hyjnë në histori për gjërat më pa vlerë që bëjnë, ndërsa biznesmenët zakonisht nuk hyjnë në histori. U rrofshin kullat.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X