loader image
March 22, 2026

Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Pas trazirave të vitit 1997 në Shqipëri, një pjesë e armatimit të ushtrisë shqiptare përfundoi në duart e luftëtarëve të UÇK-së, duke i rritur kapacitetet e saj luftarake. Dalja publike e ushtarëve të UÇK-së me uniforma, më 28 nëntor 1997, gjatë varrimit të mësuesit dëshmor të Kosovës, Halit Geci, dëshmoi se organizimi i këtij formacioni ushtarak kishte marrë formë të qartë.

Sali KADRIA, Tiranë

Gjatë gjysmës së parë të viteve ’90-të shqiptarët e Kosovës, si dhe ata që jetonin në trojet e tjera etnike e më gjerë, ushqyen iluzionin se problemi i Kosovës do të zgjidhej në kuadër të rregullimit të përgjithshëm të krizës jugosllave. Mirëpo, bisedimet e paqes, që u finalizuan me Marrëveshjen e Dejtonit (SHBA), nuk e përfshin Kosovën si çështje të veçantë në tryezën vendimmarrëse, por thjesht ia deleguan trajtimin e saj Grupit të Kontaktit (një grup informal në të cilin bënin pjesë disa prej fuqive me interesa në Ballkan, si: SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia), duke e lënë atë në plan të dytë. Realiteti i vitit 1995 shkaktoi një zhgënjim të madh në mesin e shqiptarëve të Kosovës, ngase ajo u la mënjanë në heshtje. Problemi dhe vuajtjet e popullit të saj mbetën në pritje, për zgjidhje të mëvonshme. Por, pritja, për një popull të shtypur, është forma më e rëndë e dhimbjes.

Përjashtimi i shqiptarëve të Kosovës i zbehu shpresat e tyre se e drejta e tyre do të zgjidhej përmes diplomacisë ndërkombëtare. Institucionet paralele, të ndërtuara me përkushtim nga elita politike dhe intelektuale e Kosovës gjatë viteve të rezistencës paqësore, nuk arritën të shndërroheshin në subjekt të njohur juridik ndërkombëtar. Zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1998 u kontestuan edhe nga faktorë të brendshëm, duke reflektuar përçarje dhe pasiguri politike. Ndërkohë, ushtria dhe policia serbe/jugosllave vazhdonte pa ndërprerje shtypjen e popullsisë civile shqiptare. Institucionet e ngritura e të financuara me djersë e mundime nga shqiptarët u goditën sistematikisht; mijëra shqiptarë u larguan nga puna. Kjo ishte një rezistencë morale, një përpjekje për ta ruajtur dinjitetin pa e ndezur luftën. Në këto kushte, zhgënjimi ndaj rrugës paqësore dhe mungesa e një reagimi të vendosur ndërkombëtar krijuan bindjen te shqiptarët në përgjithësi dhe në veçanti te rinia e Kosovës se vetëm rezistenca e armatosur mund ta ndryshonte realitetin. Shqiptarët e kuptuan se liria nuk mund të vinte si akt diplomatik, por ajo kërkonte sakrificë.

Në historinë e kombeve, liria nuk ka qenë kurrë një dhuratë e falur, por një e drejtë e fituar përmes sakrificës, qëndresës dhe përballjes me padrejtësinë. Për shqiptarët e Kosovës, fundi i shekullit XX përfaqëson momentin kur kjo e vërtetë mori një trajtë konkrete. Në këtë periudhë u shfaq në skenën politike dhe ushtarake Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), që shënoi organizimin më të rëndësishëm të rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit serb.

UÇK-ja nuk ishte thjesht një strukturë ushtarake. Ajo ishte shprehje e një vullneti kolektiv për liri, rezultat i një procesi të gjatë zhgënjimi politik, shtypjeje sistematike dhe humbjeje të besimit në zgjidhjet paqësore. Me daljen e saj në skenë, çështja e Kosovës doli nga izolimi rajonal dhe u shndërrua në një çështje të rëndësisë ndërkombëtare.

Zanafilla e organizimit të UÇK-së duhet kërkuar në mesin e viteve ’80-të, kur në Perëndim filloi të vepronte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), një organizatë me ndikim në diasporën shqiptare. Ajo trashëgonte mendimin politik të lëvizjeve atdhetare dhe synonte bashkimin e energjive shqiptare për vetëvendosje. Brenda Kosovës, ajo kishte simpatizantë që vepronin në mënyrë ilegale.

Në vitin 1992, në kushtet e reja politike, LPRK-ja e riformuloi strategjinë dhe e mori emrin Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), duke e zgjeruar konceptin e saj politik për Kosovën në të gjitha viset shqiptare në Jugosllavinë e mbetur. Ajo nuk hoqi dorë nga përpjekjet për organizimin e një lëvizjeje aktive për sigurimin e pavarësisë së Kosovës.

Nga ky kontekst lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja). Misioni i saj ishte i qartë: largimi me luftë i forcave ushtarako-policore serbe nga Kosova, rikthimi i lirive dhe të drejtave të mohuara shqiptarëve, si dhe ndërtimi i një shteti demokratik sipas standardeve europiane. Në maj të vitit 1993, u shfaq për herë të parë emri Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Aksioni i parë, i njohur publikisht, i UÇK-së u zhvillua në nëntor 1994 në Gllogoc, pas të cilit u shpërnda një komunikatë që merrte përgjegjësinë për sulmet e deriatëhershme ndaj forcave serbe. Më 22 prill 1996 u realizuan katër sulme të koordinuara të UÇK-së kundër forcave të policisë dhe sigurisë serbe. Emri i UÇK-së filloi të theksohej gjithnjë e më shpesh, megjithëse për ndërkombëtarët ajo mbetej një strukturë e panjohur. Megjithëse për disa UÇK-ja mbetej një organizatë e panjohur, për të tjerët ajo ishte shpresa e fundit.

Pas trazirave të vitit 1997 në Shqipëri, një pjesë e armatimit të ushtrisë shqiptare përfundoi në duart e luftëtarëve të UÇK-së, duke i rritur kapacitetet e saj luftarake. Dalja publike e ushtarëve të UÇK-së me uniforma, më 28 nëntor 1997, gjatë varrimit të mësuesit dëshmor të Kosovës, Halit Geci, dëshmoi se organizimi i këtij formacioni ushtarak kishte marrë formë të qartë.

Momenti vendimtar ndodhi në muajin mars të vitit 1998, me sulmin e trupave të policisë dhe ushtrisë serbe ndaj familjes së Adem Jasharit në Prekaz. Vrasja e tij, si dhe e dhjetëra familjarëve të kësaj familjeje, shënoi një pikë kthese të luftës së shqiptarëve për liri, si dhe një moment të ri në ndezjen e ndjenjës kombëtare në Kosovë e më gjerë. Sulmi brutal ndaj familjes së Adem Jasharit nuk ishte thjesht një operacion policor dhe ushtarak. Ishte një përpjekje për ta shuar simbolin e rezistencës. Por, historia ka një ligj të saj: martirët nuk e shuajnë një kauzë – ata e bëjnë atë të pavdekshme. Rënia e anëtarëve të familjes Jashari u bë kambanë e luftës kombëtare. Prekazi nuk ishte më thjesht një fshat, por ai ishte altari i sakrificës shqiptare. Ngjarja e tronditi opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, duke e çuar konfliktin në një fazë të pakthyeshme. Prekazi u bë monument i sakrificës dhe mobilizimit masiv të shqiptarëve për liri dhe dinjitet njerëzor e kombëtar.

Gjatë vitit 1998, UÇK-ja kaloi nga grupe guerile në një organizim të strukturuar ushtarak në brigada që vepronin në disa zona operative me varësi nga një komandë qendrore eprore. Brigada përbënte njësinë bazë, e cila kishte në përbërjen e saj rreth 800–1000 luftëtarë, si dhe në mënyrë hierarkike u krijua një strukturë e plotë komanduese që mbulonte veprimet operative luftarake, të zbulimit, të personelit, të informacionit, të stërvitjes, të komunikimit dhe të mbështetjes logjistike. Në përbërje të saj vepronin njësitë speciale, policia ushtarake, shërbimi shëndetësor, transporti dhe artileria. Vendimmarrja ishte e centralizuar dhe zbatohej sipas hierarkisë ushtarake. Shtabi i Përgjithshëm, me rreth 16 anëtarë, organizohej në pesë drejtori kryesore, ku Drejtoria Politike kishte rol kyç në orientimin strategjik. Në këtë mënyrë, nga një ide e lindur në ilegalitet, UÇK-ja po shndërrohej në faktor real në terren.

Viti 1998 u karakterizua nga luftime të ashpra të njësive të UÇK-së me trupat serbe në Drenicë, Likoshan, Çirez, Glloxhan, Rahovec dhe zona të tjera. Masakra ndaj familjes Jashari, operacionet ndëshkuese të forcave të policisë dhe ushtrisë serbe si dhe vrasjet e civilëve, e rritën tensionin ndërkombëtar. Deklarata e Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright se kriza e Kosovës nuk ishte më çështje e brendshme e Jugosllavisë së mbetur, shënoi një ndryshim të qasjes diplomatike të SHBA-së dhe faktorit ndërkombëtar në përgjithësi.

Masakrat në fshatin Abri e Epërme dhe, më pas, ajo e Reçakut, në janar 1999, ku gjatë kësaj të fundit u vranë 45 civilë shqiptarë, e bindën bashkësinë ndërkombëtare mbi përmasat e krizës humanitare. Pamjet e fëmijëve, grave dhe pleqve shqiptarë të masakruar e tronditën botën. Ngjarja u dënua gjerësisht dhe u bë pjesë e akuzave për krime lufte ndaj udhëheqjes serbe. Emri i Sllobodan Millosheviqit nisi të përmendej gjithnjë e më shpesh si “Kasapi i Ballkanit”, në kontekstin e përgjegjësisë për krime lufte. Diplomacia ndërkombëtare filloi të lëvizte. Por, dhuna nuk ndalej. Në këto rrethana, i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrooke, zhvilloi takime të rëndësishme në Beograd, ndërsa ambasadori amerikan, Christopher Hill, ndërmjetësonte mes palëve. U vendos të dërgohej një Mision Verifikimi i OSBE-së në Kosovë, por ai rezultoi i pamjaftueshëm për ta ndalur përshkallëzimin e dhunës. Armëpushimi u thye në fund të vitit 1998, ndërkohë që luftimet rifilluan me intensitet më të madh, duke përfshirë edhe zona urbane. Situata po shkonte drejt një përplasjeje të hapur ndërkombëtare.

Pas dështimit të negociatave në Rambuje të Francës, ku delegacioni jugosllav nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen e propozuar nga organizatorët e këtij takimi, ndërsa në terren u intensifikua spastrimi etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, NATO-ja ndërhyri ushtarakisht kundër ish-Jugosllavisë, më 24 mars 1999, duke i dhënë një leksion të mirë Beogradit. Shqiptarët u rreshtuan në anën e botës së qytetëruar, ndërsa serbët në anën e barbarisë.

Fushata ajrore 78-ditore kundër objektivave serbe e ndryshoi rrjedhën e luftës. Gjatë kësaj periudhe, qielli dhe toka u bënë një front i përbashkët. UÇK-ja jo vetëm që vazhdoi në mënyre intensive operacionet e saj tokësore, por edhe e ndihmoi NATO-n me të dhëna zbulimi mbi pozicionet dhe lëvizjet e forcave serbe. Forcat speciale të disa vendeve të NATO-s bashkëpunuan me UÇK-në në mbledhjen e informacioneve në zonat kufitare. Gjatë periudhës së bombardimit ajror kundër trupave serbe, NATO-ja e konsideronte UÇK-në faktor të rëndësishëm në rast të një ndërhyrjeje të saj nga ana tokësore. “Operacioni Shigjeta” i UÇK-së, në të cilin u angazhuan me qindra të rinj e të reja shqiptare të Kosovës dhe viset e tjera etnike ose shqiptarë të ardhur nga vendet e Europës Perëndimore dhe SHBA, në kuadër të të cilit u zhvilluan betejat e lavdishme të Koshares dhe të Pashtrikut, dëshmuan përfundimisht se shqiptarët ishin të vendosur që Kosova të bëhej një vend i lirë dhe se shqiptarët nuk mund ta duronin më tej praninë e kufirit mes tyre.

Më 12 qershor 1999, forcat serbe u tërhoqën. Trupat e KFOR-it hynë në Kosovë. Populli shqiptar i Kosovës doli nga errësira thuajse njëshekullore. UÇK-ja e nisi procesin e transformimit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), duke dëshmuar gatishmëri për institucionalizim, për t’i ardhur në ndihmë Kosovës e popullit të saj, në rrethana të reja historike. Tashmë, ajo kishte një mision të ri kombëtar, duhej kaluar nga këmbëza e pushkës në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në hartën politike të Europës.

Më 17 shkurt 2008, në Prishtinë u shpall Pavarësia e Kosovës, duke kurorëzuar një rrugëtim të gjatë sakrifice të popullit shqiptar të Kosovës. Edhe pse shtetndërtimi u realizua përmes proceseve politike dhe mbështetjes ndërkombëtare, themelet e tij qëndrojnë në rezistencën shekullore të shqiptarëve dhe në luftën e zhvilluar nga UÇK-ja gjatë viteve 1998-1999.

Si çdo lëvizje çlirimtare, UÇK-ja mbetet objekt debatesh dhe analizash të ndryshme. Historia analizohet, dokumentohet, gjykohet. Megjithatë, në ndërgjegjen kolektive të shumicës së shqiptarëve të Kosovës ajo mbetet simbol i sakrificës dhe vendosmërisë për liri. Rëndësia e saj shkon tej aspektit ushtarak. Ajo përfaqëson kalimin nga frika në veprim, nga pasiviteti në rezistencë aktive. Monumentet, përvjetorët, varret, emrat e dëshmorëve, këngët kushtuar tyre, nuk janë vetëm kujtim; janë betim i vazhdueshëm.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua në një kohë kur shpresa për zgjidhje paqësore ishte zbehur dhe represioni serb nuk kishte të ndalur. Ajo mori mbi vete barrën e përballjes me një regjim të egër, duke e shndërruar çështjen e Kosovës në një kauzë ndërkombëtare. Si pararojë e lirisë, UÇK-ja shënoi kthesën historike që e çoi Kosovën drejt çlirimit dhe më vonë drejt pavarësisë. Historia e saj është sakrificë, dhimbje dhe krenari – një kapitull i pashlyeshëm në historinë moderne të Kosovës.

Liria dhe pavarësia e sotme e Kosovës është rezultat i ndërthurjes së faktorëve politikë, diplomatikë dhe ushtarakë. Por, këto nuk mund të kuptohen pa rolin dhe kontributin e luftëtarëve të UÇK-së që në momentin vendimtar zgjodhën rezistencën e armatosur. Në këtë kuptim, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet simbol i vendosmërisë së një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. UÇK-ja mbetet betim dhe bekim për Kosovën. Ajo mbetet kujtesë e gjallë se liria, kur bëhet domosdoshmëri historike, nuk ndalet.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X