loader image
November 12, 2025

Të vërtetat e pathëna për Ismail Qemalin

Pas Shpalljes së Pavarësisë, ai ndërmori një udhëtim në Romë, Vjenë, Paris e Londër, në fillim të prillit 1913. “Qëllimi i udhëtimit, – siç e ka paraqitur në Kujtimet, – ishte që të luftoja për çështjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë pranë Fuqive, e veçanërisht në Londër, ku Konferenca po vendoste për rregullimin e Ballkanit”. 

Xhevat LLOSHI, Tiranë  

Vëllimi i tretë i ribotimit më 2009 të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” përmban artikullin kushtuar Ismail Qemalit dhe, ndër të tjera, aty shkruhet: “Ndonëse shumë i ri, mori pjesë së bashku me J. Vreton, H. Tahsinin, K. Kristoforidhin, P. Vasën, S. Frashërin etj., në mbledhjen e parë për caktimin e alfabetit të përbashkët të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare (1864)”. Ky është një sajim në kundërshtim të plotë me të vërtetën historike. Ai është përsëritur në trajta të ndryshme në shumë shkrime e libra për historinë e Shqipërisë. Zanafilla e këtij trillimi është në punimet e historianit Aleks Buda. Më 1965 (“Studime historike”, nr. 2) ai ishte shprehur se “përpjekjet e Kristoforidhit më 1864 në Stamboll ishin më tepër përpjekje për të ringjallur, sesa për të themeluar një shoqëri patriotike”. Prania e një shoqërie atdhetare në Stamboll para vitit 1864 është fantazi e thjeshtë. Më pas kjo fantazi është përsëritur në “Historinë e Shqipërisë” të Akademisë së Shkencave (vëllimi i dytë, 1984), ndonëse më parë unë e kisha argumentuar se diçka e tillë nuk ishte e vërtetë lidhur me Kristoforidhin. Një vit më pas ky sendërgjim është përsëritur te zëri për Ismail Qemalin në botimin e parë të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, por të paktën nuk ishin emrat e aq veprimtarëve. Kurse në botimin e vitit 2009 madje me shpikje të mirëfillta janë shtuar emrat e J. Vretos. S. Frashërit dhe etj.! Kuarteti i emrave të kompozuar nga A. Buda të paktën kishte qenë fryt i dëshirës për të pasur përfaqësim fatlum të gjithë krahinave e besimeve të Shqipërisë, por ishte vetëm një përftesë e mitologjisë sonë, që vazhdon të prodhojë mite edhe sot, edhe nga historianët. E kam kthjelluar përfundimisht këtë çështje në një artikull më 1995.

Do të më lejohet të përdor një turqizëm dhe të them se ky bidat është i rremë nga të dyja anët. Së pari, si mund të shkruhet më 2009, që më 1864 në Stamboll kishte qenë Sami Frashëri për alfabetin e shqipes? Samiu kishte lindur më 1850, domethënë më 1864 ishte vetëm 14 vjeç dhe na paska marrë pjesë në mbledhje patriotike në Stamboll! Këtu biem në nivelin e degradimit të historiografisë. Kristoforidhi më 1864 ishte në Tunizi dhe vetëm më 1865 do të vente në Stamboll. H. Tahsini nuk ka qenë në Stamboll nga shkurti 1857 dhe deri më 1864, kur na qenka miqësuar me atdhetarët e tjerë përpara vitit 1864? Artikulli për të në FESH 2009 është me mangësi të rënda, ndërsa është përsëritur dhe kjo gjë e paqenë. Edhe për Pashko Vasën është e dyshimtë që të ketë qenë më 1864 në Stamboll. Mund të duket sikur këto janë gjëra të parëndësishme, por për mendimin tim nuk mund të shkruhet me të tilla shtrembërime për disa nga figurat më të rëndësishme të historisë e të kulturës shqiptare. Kështu ka bërë edhe Alfred Uçi në zërin për Jani Vreton po te FESH 2009, duke rimarrë absurditetin, se paska qenë në mbledhjet edhe me… Ismail Qemalin dhe S. Frashërin! E keqja është se këto lajthitje kalojnë edhe te historianë të huaj, që merren me figurat shqiptare. Kështu, nga burimet shqiptare, e ka përsëritur këtë gabim edhe autorja turke N. Bozbora në një libër të përkthyer shqip më 2002.

Ana tjetër është biografia e vetë Ismail Qemalit. Tashti për fat të mirë i kemi edhe të përkthyera shqip Kujtimet e tija (1997), që kishin dalë anglisht më 1920. Ismaili kishte lindur në Vlorë në janar 1844. Familja u shpërngul për tre vjet në Selanik, ku nisi shkollimin dhe mësoi turqishten, ndërsa ka thënë për këtë: “Më vonë e çmova dobinë e madhe që kisha mësuar gjuhën turke që në fëmijëri”, ndërsa kur familja u kthye në Vlorë, aty mësoi edhe italishten “nga një emigrant italian”, porse e dinte këtë edhe i ati, “që kishte marrë edukatë europiane”. Ky e dërgoi në gjimnazin e njohur të Zosimesë më 1856, duke i mundësuar kështu që të njihte edhe greqishten. Për herë të parë vajti në Stamboll më 1860 dhe njohuritë që kishte për gjuhët i mundësuan të punonte përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa vijoi studimet për drejtësi. “Më pas, – shkruan ai në Kujtimet, – kam qenë në shërbim të shumë guvernatorëve të përgjithshëm që ndryshoheshin, deri në vitin 1864”. I plotësoi dëshirën së ëmës, e cila donte ta shihte të sistemuar, dhe u martua me një vejushë të re nga Korça. Nga Janina Ismaili kaloi në Larisë te xhaxhai i vet dhe dimrin e kaloi në pronën e atij në Trikala, kurse në pranverën e vitit 1865 u nis për Stamboll. Tashti, kur na paska qenë Ismail Qemali në këtë periudhë në Stamboll dhe qenka bashkuar me atdhetarët e tjerë (që as nuk ishin në Stamboll) dhe paska marrë pjesë në përpjekjet për alfabetin e përgjithshëm të shqipes? Kështu stisen përrallat, por nuk bëhet historia si shkencë.

Po të lihet mënjanë kjo sajesë, sërish mbetet pyetja: a është interesuar Ismail Vlora për gjuhën shqipe? Si përgjigje mund të shërbejë dëshmia më e bukur nga goja e tij e vitit 1900, kur ishte për vizitë në Athinë, siç e ka lënë në Kujtimet e veta: “Unë isha në të njëjtën kohë krenar dhe i lumtur, që shihja se ndjenja kombëtare ishte e rrënjosur aq shumë te shqiptarët, me gjithë shekujt e ndryshimeve politike e shoqërore. Ishte për mua një kënaqësi e madhe të shkoja për shëtitje, nën qiellin e mrekullueshëm të Atikës, duke dëgjuar gjuhën time amtare, të folur nga shqiptarë, nëpër rrugët e në pazar”. Edhe kur rastiste të shkonte në jug të Italisë, takohej me arbëreshët dhe për ta ka shkruar: “Sa herë shkoja nga Roma në Napoli, shqiptarët e Kalabrisë dhe të krahinave të tjera të Italisë jugore, ku ishin vendosur që nga vdekja e Skënderbeut, kanë ruajtur gjuhën, zakonet, veshjet kombëtare, e që tashti arrinin në rreth 200 mijë njerëz, kishin zakon të dërgonin përfaqësues të më takonin, për të diskutuar interesat e atdheut.” (Kujtimet, f. 261). Më 1908, kur u shpall Kushtetuta, Ismaili ishte në Europë, sepse ishte i dënuar nga gjyqet osmane, ndërsa më pas kaloi në Stamboll si deputet, kurse Kujtimet mbyllen me vitin 1910. Ndërkaq, ka edhe një fakt tjetër mbresëlënës, i cili nuk ishte përmendur në shkrimet rreth tij, por që e kam gjetur në dokumentet, të cilat i gjurmova më 1972 në Londër.

Pas Shpalljes së Pavarësisë, ai ndërmori një udhëtim në Romë, Vjenë, Paris e Londër në fillim të prillit 1913. “Qëllimi i udhëtimit, – siç e ka paraqitur në Kujtimet, – ishte që të luftoja për çështjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë pranë Fuqive, e veçanërisht në Londër, ku Konferenca po vendoste për rregullimin e Ballkanit”. Ismail Qemali në Londër nuk vinte për herë të parë. Ai kishte qenë atje për dy muaj më 1875 dhe kishte pasur prej kohësh të njohur zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të ndryshëm të diplomacisë britanike. Prandaj kur shkeli në Londër, e ndjeu veten më mirë, duke u gjetur përsëri në atë atmosferë simpatie, me të cilën ishte mësuar. Iu bë një pritje e mirësjellshme nga ministrat dhe personalitetet politike të vendit. Në këtë atmosferë I. Qemali shprehu dëshirën të bënte një vizitë edhe në Shoqërinë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (BFBS) në Londër. Dëshirën ia shprehu gazetarit të njohur Charles H. Woods (Vudz), i cili në atë kohë quhej autoritet për çështjen shqiptare.

Pas Kongresit të Manastirit dhe me shpalljen e Pavarësisë u shfaq si problem me peshë ecuria e mëtejshme e shqipes së shkruar. Nuk do të zgjatem këtu për këtë anë, sepse e kam trajtuar me hollësi më përpara dhe më 2009-2010 në një punim të botuar në revistën “Ilira”. Thelbi i ndërlikimeve ishte se në cilin variant do të ngulitej shqipja letrare për gjithë kombin dhe në veçanti u përvijua ideja që të merrej si bazë varianti i Shqipërisë së Mesme, domethënë e folmja e Elbasanit. Pak vite më vonë, kjo ide do të merrte miratimin e Komisisë Letrare të Shkodrës më 1917. Vudzi i njihte mirë jo vetëm aspektet e ndërlikuara të gjendjes së Shqipërisë në atë periudhë, kur po luftohej për pavarësinë, por edhe ndërthurjen që kishte politika me ecurinë e zhvillimit të mëtejshëm të shqipes së shkruar, sidomos pas Kongresit të Manastirit. Ai kishte botuar një artikull më 8 shtator 1910 në gazetën “Westminster” me titullin “Alfabeti i shqipes dhe çështja gjuhësore në Shqipëri”, ndërsa të përkthyer e kam dhënë këtë artikull në librin “Rreth alfabetit të shqipes” (më 2008). Ai e vlerësonte alfabetin si pjesë përbërëse të parë të çështjes arsimore në Shqipëri. Autori e quante të rëndësishëm Kongresin e Manastirit. Shqiptarët miratuan një alfabet mbi bazën e shkronjave latine, sepse edhe ishin më të lehta për t’i përvetësuar, edhe më të përshtatshme për të shprehur tingujt e gjuhës. Ai ka përshkruar me njoftime konkrete faktet e kundërshtimit nga nxënësit shqiptarë nëpër shkolla për t’u imponuar mësimin e alfabetit të osmanishtes.

Ishte e natyrshme që Vudzi nuk mund ta linte pa e takuar I. Qemalin. Përfitoi nga rasti dhe i mori një intervistë të posaçme, e cila u botua në gazetën “The Evening News” më 23 prill me titullin “What the Albanians Say”. Aty udhëheqësi shqiptar kundërshtonte lakmitë e ndezura të shovinistëve të vendeve fqinje kundrejt Shqipërisë. Shqiptarët i quante banorët më të lashtë të Gadishullit Ballkanik. Mbrojti me vendosmëri mbajtjen e Shkodrës si pjesë e pandarë e Shqipërisë, pasi dihet që në ato vite ishte bërë lufta për Shkodrën, së cilës më pas Edith Durhami do t’i kushtonte një libër më vete. Njëkohësisht e quante të papërshtatshme për kohën të vihej në krye të vendit një princ shqiptar dhe, siç dihet, më pas erdhi një princ i huaj me qëndrim jetëshkurtër.

Në disa raste Vudzi e kishte ndihmuar Shoqërinë Biblike me informacione rreth Shqipërisë. Nuk ishte e papritur që në ato takime të dilte në bisedë kjo Shoqëri. S’ka nevojë për komentime kjo letër, të cilën më 17 maj 1913 Ç. Vudzi i shkroi Ritsonit të BFBS (John Holland Ritson, 1863-1953), një nga sekretarët e përgjithshëm të BFBS deri më 1931. “I nderuar z. Ritson, Ju mund të më keni harruar si personi, i cili Shoqërinë Biblike e ka ndihmuar në disa raste me informacione rreth Shqipërisë. Ismail Qemal Beu, kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare në Vlorë, i cili tashti është në Cecil, ka shprehur dëshirën t’ju bëjë juve dhe Shoqërisë një vizitë jozyrtare, me qëllim që t’ju falënderojë për gjithë ndihmën që i keni dhënë çështjes shqiptare me Biblat etj. Shkëlqesia e tij shpreson se do të largohet të martën, por ai tha se do t’i pëlqente shumë t’ju bënte një vizitë të hënën pas dreke rreth orës 4 pas dite. A është e përshtatshme për ju? Në rast se po, më telefononi të hënën para orës 1. Unë mund të bisedoj me Qemal Beun dhe po të jetë e mundur, do ta shoqëroj deri te Shoqëria të hënën pas dite. I juaji sinqerisht, H. Charles Woods.”

Përgjegjësi i botimeve nga viti 1909 deri më 1932, Robert Kilgour e priti delegacionin shqiptar më 20 maj. Të nesërmen i shkroi Ç. Vudzit një letër, të cilën e kam botuar më 2011 në “Shqipja – gjuhë e hapur dhe dinamike”. Kilguri i kërkonte Vudzit t’i jepte disa hollësi në lidhje me shqiptarët që kishte sjellë: “Ismail Beu është Kryetari i Qeverisë së përkohshme shqiptare në Vlorë dhe dy të tjerët, Mehmet Konica dhe Filip Noga janë njëri nga Jugu dhe tjetri nga Veriu i Shqipërisë”. Nga biseda Kilguri kishte arritur në përfundimin që ata mendonin se dialekti i Elbasanit do të bëhej shqipja standarde për gjithë vendin, meqë Elbasani do të bëhej kryeqytet. Kishin biseduar edhe për alfabetin dhe madje për përkthimet e mëvonshme ndoshta mund të shfrytëzohej edhe një theks i frëngjishtes. Besoj se kam të drejtë të vë në dukje që Ismail Qemali ishte interesuar prej kohësh për shqipen e shkruar, kishte njohuri si për përkthimet e Kristoforidhit, edhe për çështjet e alfabetit të miratuar në Kongresin e Manastirit.

Është mjaft interesante që, pikërisht ditën kur Vudzi shoqëroi delegacionin shqiptar për te BFBS, kishte dalë në gazetën “Evening News” artikulli i tij “Për zgjidhjen e çështjes shqiptare”. Domethënë, e kishte hartuar të paktën një ditë më parë. Gazeta e shoqëronte me shënimin se po e botonte atë ditë kur rifillonte në Ministrinë e Jashtme konferenca që do të shqyrtonte ngritjen e shtetit të ri shqiptar. Artikulli është i gjatë, prandaj po veçoj nja dy momente. Për autorin, duhej ngritur një Shqipëri me një qeveri të lirë nga ndikimet e jashtme realisht dhe jo sa për emër. Fuqitë e Mëdha duhej t’i jepnin një regjim, i cili të mos dështonte sapo të kishte lindur me vështirësi. Ideali i shqiptarëve ishte krijimi i një shteti të pavarur, por shpejt a vonë ai do të binte nën kontrollin e Austrisë e të Italisë. Ma merr mendja se, duke folur për shqiptarët, Ç. Vudzi ka riprodhuar në këtë mënyrë tërthorazi mendimet, që ka dëgjuar nga goja e Ismail Qemalit. Ato dy shtete do të sanksiononin vetëm zgjedhjen e një princi, i cili do t’u shërbente Vjenës e Romës. Ato edhe do të ndihmonin për nevojat financiare të shtetit të ri sipas parimit të njohur nga një anekdotë shqiptare “ai që pagoi paratë, ai do t’i bjerë fyellit” dhe kështu e ka shkruar autori, ndërsa kam bindjen se këtë ia kanë rrëfyer shqiptarët, nuk e ka anglishtja një shprehje të tillë. Autori nga ana e vet ishte për një zgjidhje të përkohshme për pesë vjet me një të plotfuqishëm të lartë nga Fuqitë e Mëdha. Gjatë këtij regjimi të përkohshëm shqiptarët do të fitonin përvojën për qeverisjen e vendit. Lëvizja kombëtare e viteve të fundit do të forcohej dhe do të pengohej që shteti shqiptar të bëhej një foshnjë e lindur e vdekur.

Nuk mund të mos vë në dukje ngjeshurinë e këtyre ditëve. Vudzi u takua me Ismailin para 23 prillit dhe i mori intervistën. Ata do të jenë takuar sërish deri në mes të majit 1913; më 17 Vudzi i shkroi Ritsonit; më 20 maj Kilguri e priti delegacionin të shoqëruar nga Vudzi dhe po atë ditë ky kishte botuar një artikull; më 21 maj Kilguri i shkroi Vudzit dhe menjëherë më 22 maj Vudzi i dërgoi një përgjigje Kilgurit. Besoj se është me interes për lexuesit ta jap të përkthyer këtë letër, që nuk është botuar deri më sot:

Londër, 22 maj 1913. 171 Victoria Street. 

I dashur dr. Kilgour,

Lart keni adresën time, meqë letra juaj u vonua. Për mendimin tim, vizita te ju kishte rëndësi, sepse:

  1. Ajo e përforcoi qëndrimin simpatizues të Ismail Qemalit kundrejt punës protestante në Shqipëri. Ju e mbani mend, që ai tha se ju ishte shumë mirënjohës për interesimin e treguar dhe shpresonte që do të vazhdonte në këtë drejtim.
  2. Ju i shpjeguat të metat e mundshme të botimit tuaj të tanishëm dhe i ofruat të bëni të tjerë më të mirë, kurse Ismail Qemali tha se shqiptarët nuk do ta kritikojnë pa të drejtë etj.
  3. Ismail Qemali u ofrua që do t’ju jepte çfarëdo ndihme për të cilën do të kishte mundësi në të ardhmen.

Mendoj se çdo gjë që mund të bëhej për ta sqaruar këtë do të ishte e mirë. Megjithatë, ju lutem të më besoni, se unë nuk dua të shfrytëzoj emrin tim lidhur me këtë çështje. Me të vërtetë do të më pëlqente që emri im të mos dalë aspak.

Me kënaqësi gjithmonë do të bëj gjithçka kam mundësi për t’ju ndihmuar ju personalisht ose Shoqërinë tuaj.

Ju lutem nënshkruani në bllokun tim emrin tuaj dhe ma ktheni. Ua kam kërkuar të gjithë pjesëmarrësve ta bëjnë këtë.

Shënimet bashkëngjitur mund t’ju interesojnë.

Juaji sinqerisht, H. Charles Woods 

P.s. Unë ia shpjegova hollësisht z. Taylor pozitën e Ismail Qemalit, por ai është i vetmi autoritet ekzistues ose qeveri. Unë mendoj se pozita e tij duhet të shfrytëzohet, natyrisht, pa thënë që ai ka rëndësi të jashtëzakonshme midis popullit të vet etj.

Private.  

 

Ismail Qemal Beu është kryetar i Qeverisë së përkohshme të qeverisë shqiptare, të krijuar në Vlorë në fund të nëntorit të kaluar. Një njeri që i ka shërbyer Abdyl Hamidit si guvernator në provinca të ndryshme, Ismail Qemali ka qenë në mërgim për disa vjet përpara rivendosjes së Kushtetutës më 1908. Më pas ai u zgjodh deputet i Vlorës në Parlamentin Osman dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në kundërrevolucionin kundër Komitetit Bashkim e Përparim në prill 1909. Ismail Qemali është mysliman, por është arsimuar në shkollat greke të Janinës. Ai nuk fitoi në zgjedhjet e vitit të kaluar për shkak të intrigave të Komitetit Bashkim e Përparim.

Mehmet Bej Konica mysliman nga Konica. Ka shërbyer në shërbimin konsullor osman në Korfuz, Varnë e gjetkë. Ka ardhur në Londër disa muaj më parë si kryetar i delegacionit për të përfaqësuar çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve.

 

Filip Noga katolik nga Shkodra. Është shumë i interesuar për arsimin. Dëshiron të bëhet diçka

realisht për arsimin e popullit”.

Së fundi, Kilguri e ka njoftuar edhe përgjegjësin e BFBS për Turqinë, T. R. Hodgson-in, në Stamboll për këtë vizitë me këto fjalë: “Dje patëm një vizitë interesante nga z. H. Charles Woods, me të cilin mendoj se ju njiheni. Ai solli me vete Ismail Qemal Beun, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Vlorë dhe Mehmed Konicën e Filip Nogën. Ata folën duke e vlerësuar mjaft punën e Shoqërisë Biblike, veçanërisht për botimin e ungjijve me alfabetin kombëtar. Ata na përmendën që përkthimi nuk ishte i përsosur, por nuk na thanë se si duhej të ishte”.

Në kundërshtim me shpresat e tij, kryeministri i Shqipërisë së pavarur u largua nga Londra, me ndjenja të kundërta nga vajtja, siç e ka shkruar vetë: “Por simpatia që më ishte shfaqur gjatë misionit tim, qe i vetmi ngushëllim që iu ofrua zemrës së copëtuar të Shqipërisë, kur morëm vesh vendimin e dhënë nga Konferenca e Londrës”. Dokumentet e Konferencës së Londrës i kam përkthyer dhe janë botuar më 2012 me titullin “Dokumentet britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913”. Në qershor të 1913-tës Ismaili u kthye në Vlorë dhe i dyfishoi përpjekjet për ta organizuar vendin dhe për ta ruajtur rendin.

Tërësia e dokumenteve që kam paraqitur më lart mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Synimi ishte që të argumentoja se udhëheqësi i shquar shqiptar ka qenë i interesuar edhe për gjuhën shqipe, sepse ajo do të ishte gjuha e shtetit të pavarur shqiptar dhe nuk mund të mos binte në rrethin e interesave të këtij themeluesi të shtetit të ri shqiptar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X